Vetëm 51 ditë kryeministër, rrëzohet Albin Kurti !

0

Kosova futet në një tjetër krizë politike. Albin Kurti drejtoi ekzekutivin për vetëm 51 ditë, pasi LDK-ja e shkarkoi pas mocionit. Përçarja nisi pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm të Kosovës nga radhët e LDK-së, por në fakt duket se arsyeja kryesore e divorcit ka qenë heqja e taksës për Serbinë. LDK-ja i kërkoi Kurtit që ta hiqte taksën 100%, por Kurti e hoqi vetëm për lëndën e parë dhe këmbënguli te reciprociteti, që i kushtoi karrigen.

Vetëm 51 ditë kryeministër! Kuvendi i Kosovës ka rrëzuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti pas mocionit të mosbesimit të iniciuar nga LDK-ja. Me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim Kuvendi i Kosovës rrëzoi kreun e Vetëvendosjes, që drejtoi ekzekutivin për vetëm 51 ditë, duke qenë kjo qeveria më jetëshkurtër ndonjëherë në Kosovë.

Kryetarja e Kuvendit nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani deklaroi se do të votonte kundër mocionit të nisur nga partia e saj. Mocionin për rrëzimin e Kurtit e inicioi Lidhja Demokratike e Kosovës me argumentin se Albin Kurti shkarkoi pa paralajmërim ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu, pas deklaratave të këtij të fundit në lidhje me situatën për koronavirusin.

Por pavarësisht deklaratave, prapaskena kryesore e përplasjes mes palëve duket se ishte tarifa për Serbinë. Rrezikimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sipas LDK-së, i shkaktoi Kurti, ishte një nga arsyet për mocionin dhe rrëzimin e qeverisë. 

Lëvizja Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit 2019, por për qeverinë i duhej koalicion. Pas 4 muajsh negociatat u arrit marrëveshja me LDK-në dhe në 3 shkurt u formua qeveria re, por që rezultoi më jetëshkurtra.

1585181986_IsaMustafaTrimi.png

‘As i kënaqur, as i zhgënjyer për mocionin ndaj Kurtit’, Mustafa: Nuk e përjashtojmë askënd nga partia, as Vjosa Osmanin

“Nuk mund të them se jemi të kënaqur por as që jemi të zhgënjyer”, kështu është shprehur kryetari i LDK-së, Isa Mustafa pas rezultatit të mocionit të vetëbesimit për Albin Kurtin.

 ‘’Nuk mund të them se jemi të kënaqur por as që jemi të zhgënjyer. Nuk  mund të themi se nuk është pritur pasi e kemi themeluar këtë qeveri për të punuar dhe forcuar shtetin. Mund të them se gjatë rrugës ka pasur probleme të bashkëpunimit”, ka thënë Mustafa.

Në një intervistë për emisionin Pressing në T7 se Mustafa theksoi se VV ende e ka mandatin të cilit duhet të ia mundësojë presidenti për formimin e qeverisë së re, por nëse ata dështojnë, LDK do të bashkëpunojë me AAK’në, Nismën dhe minoritetet.

’Kam pasur vërejtje dhe i kam ende. Por duhet të jemi të kujdesshëm nëse arrijmë marrëveshje me AAK’në, Nismën dhe minoritet do insistojmë që asnjë prej protagonistëve të mos ketë rol të njëjtë. VV do të marrë mandatin pasi ajo është e kryer me Kushtetutë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nëqoftëse VV nuk e bën atëherë presidenti përdor diskrecionin e tij dhe zgjedhë dikë tjetër’’, shton Mustafa.

Kreu i LDK-së është shprehur se ishte e nevojshme votimi i mocionit të vetëbesimit për Kurtin, pasi ndasitë ishin të thella brenda koalicionit.

“Ka pasur kërkesa nga BE për heqjen e tarifës dhe vazhdimin e dialogut dhe masat e SHBA’së që për herë të parë janë marrë ndaj Kosovës dhe për herë të parë jemi ne viktima të sanksioneve dhe jo serbia që i ka bërë gjithë të këqijat ndaj Kosovës. Si dhe shkarkimi i Minsitrit të punëve të brendshme dhe adminsitratës publike Agim Veliu. Nëse i keni parë sot debatet shihej se vlohej dicka nga brenda dhe nuk ishte dicka që shkonte krejtësisht në rregull. Mospajtimet ishin të thella mirë që u votua mocioni’’, ka thënë ai.

Mustafa është shprehur se organet e brendshme të LDK-së kanë marrë vendim që të mos bashkëpunojnë me PDK-në. Ai ka shtuar se nuk janë në dijeni të ndonjë marrëveshje e fshehtë mes Serbisë dhe Kosovës. Ai për këtë thotë se ka folur me të dërguarin Special të SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Në këtë bisedë Mustafa thotë se Grenell ka premtuar që SHBA’ja nuk do të imponohej. Po ashtu, Mustafa theksoi se LDK nuk do të përkrahë marrëveshje për shkëmbim territoresh.

Me mocionin e iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe mbështetjen e partive opozitare sonte është rrëzuar Qeveria Kurti, mirëpo jo të gjithë deputetët e saj e mbështetën LDK. Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli dhe Ardian Shala nga LDK kanë votuar kundër mocionit.

“Nuk është e natyrshme që njerëzit brenda LDK’së të jenë për LDK’në dhe të votojnë në kundërshtim me vendimet e LDK’së. Natyrisht që ne flasim për vendime demokratike brenda LDK’së, por kjo tejkalon këto. Kur merret vendimi sidomos ata që mbajnë pozita të larta brenda LDK’së duhet që të i përmbahen. Nuk po themi se do të marrim masa ndaj deputetëve por do të bisedojmë që të ndalen këto praktika”, ka vijuar më tej Mustafa, ndërsa thekson se në asnjë rast nuk përjashtohet Vjosa Osmani dhe se palët do të ulen të bisedojnë se cilat ishin arsyet që e çuan atë të merrte vendimin kundër.

“Ajo ka dhënë premtime normalisht edhe ne e mbështesim sepse ajo nuk jep premtime në vete pa partinë. Nuk e përjashtojmë askënd, nuk e përjashtojmë as Vjosën’’, ka përfunduar kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

1585176921_autovjosa1584814892600x360.jpg

Votoi kundër mocionit për Kurtin, Vjosa Osmani: S’e tradhtova LDK-në, nuk e votoj asnjë mocion që e kthen PAN-in në qeveri

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe njëkohësisht nënkryetarja e LDK, Vjosa Osmani në fjalimin e saj rreth mocionit të Albin Kurtit është shprehur e bindur se nuk voton asnjë mocion vetëbesimi që e kthen PAN’in në qeveri.

“Ky është një fjalim që asnjëherë nuk do të doja ta mbaja sepse në qasëtin që unë po flas, Kosova po përballet me një sfidë të madhe, virusin Covid-19. Unë nuk e votoj asnjë mocion që e kthen PAN’in në qeveri”, është shprehur Osmani.

Kryeparlamentarja tha se me votimin e këtij mocioni rrezikohet të përhapet edhe një pandemi tjetër veç asaj të koronavirusit. Ndërsa, shtoi më tej se kishte respektuar çdo parim të LDK’së dhe kryetarin e saj, Isa Mustafën, për të cilin citon edhe disa fjalë.

Sot në Kosovë rrezikohet të përhapet edhe një pandemi tjetër, ajo e dehumanizimit dhe përçarjes. Kjo që po ndodh sot do të mbahet mend, sikur koronavirusi.

Unë e kam respektuar çdo pikë që ka vendosur Mustafa. Po e citoj kreytarin Mustafën: Ata e kanë kultivuar korrupsionin dhe nepotizmin dhe nuk mund ta luftojnë asnjërën e tjetrën. Ata të vjedhjes së dhomës së dëshmive, ata që nënshkruan vërtetime të rrejshme për veteranët e luftës. Ata duhet të shkojnë të pastrohen në lavazh e jo të qeverisin. E kishte fjalën për partitë e PAN’it”, ka cituar Osmani.

Duke folur për qëndrimet e veta, në emër edhe të elektoratit të LDK-së, Osmani ritheksoi se është kundër çdo marrëveshje që me partitë e PAN-it. Osmani theksoi se votoi kundër mocionit me bindje të plotë se voton për të ardhmen e atdheut të saj.

E kam të drejtën e plotë morale të flas në emër të elektoratit të LDK’së. Unë e di cila është kontrata që lidhëm me qytetarët. Ajo ka qenë jo koalicion me partitë e PAN’it. Dhe po luftimin e korrupsionit. Për këtë i kam qytetarët dëshmitarë. Unë jam kundër çdo marrëveshje me partitë e PAN’it”, ka thënë Osmani.

Në fund, ajo tha se për vota kundër këtij mocioni është votë pro të ardhmes së vendit të saj.

“Asnjë qëndrim nuk e kam ndryshuar. Para 6 tetorit, pas 6 tetorit dhe sot. Unë kam qëndruar fuqishëm në parimet që kam shpalosur para qytetarëve.

Unë i bashkohem zërit të çunit vullnetmirë. Unë do të votoj kundër mocionit. Sepse jam e bindur që do të votoj për të ardhmen e vendit tim. Do të votoj kundër çdo mocioni që Kosovën e len pa ministra si Vitia e Abdixhiku. Do të votoj kundër këtij mocioni që mund ta kthejë PAN’in në qeveri”, shtoi Osmani.

1585176039_5e43e2bada591ramushharadinaj563x360.jpg

Votimi për rrëzimin e Kurtit nga pushteti, Haradinaj: Tregues se Kushtetuta dhe Kuvendi i Kosovës funksionojnë

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar pas mocionit të mosbesimit i cili rrëzoi me 82 vota pro dhe 32 kundër, Albin Kurtin nga posti i tij kryeministror.

Haradinaj thekson se votimi i mocionit e rreshton Kosovën krahas vlerave të demokracisë dhe është një tregues se Kushtetuta dhe Kuvendi i këtij vendi janë funksional.

“Sot, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me 82 vota përkrahën mocionin e votëbesimit. Ky është një vërtetim se Kushtetuta dhe Kuvendi në Kosovë funksionojnë, dhe se shteti i Kosovës rreshtohet me vlerat më sublime të demokracisë. Kam besim të plotë që institucionet e Republikës do të konstituohen shpejtë dhe se nuk do të ketë boshllëk qeverisës”, shkruan Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar përsëri deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në seancën për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë që ai drejton.

Ai ka sulmuar kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe nënkryetarin e LDK’së, Agim Veliu, të cilin Kurti e shkarkoi ditë më parë nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme. Ishte pikërisht shkarkimi i Veliut që nxiti LDK’në të paraqiste mocionin kundër Qeverisë Kurti.

“E falënderoj Anton Qunin që shtriu dorën e dialogut… Por, e preu shpata e gjatë nga Bradashi”, është shprehur Kurti, duke iu referuar Veliut, teksa ka përmendur fshatin e Podujevës ku ai është lindur.

“Vendimmarrja e LDK’së nuk është në Prishtinë. Është në Prapashticë, është në Bradash”, ka thënë Kurti, teksa ka përmendur edhe vendlindjen e Isa Mustafës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shkarkuar Avdullah Hotin nga pozita e zëvendëskryeministrit të Kosovës.

Ky vendim i Kurtit vjen pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.

‘’Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim për lirimin nga posti i zëvendëskryeministrit të parë në detyrë, z Avdullah Hoti’’, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.

Ndryshe, Kurti shkarkoi edhe Agim Veliun para disa ditëve nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Kuvendi i Kosovës mbrëmë rrëzoi Qeverinë Kurti, me 82 vota pro, qeveri kjo që pati vetëm 50 ditë pune.

Por për këto 50 ditë sa funksionoi, Qeveria Kurti nxori një mori vendimesh, të cilat i përmendi në seancë, tashmë kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti.

“Qeveria e re e Republikës së Kosovës sot ndodhet në ditën e 50 të punës së saj. Pra, sot mbushen 50 ditë prej se kemi filluar detyrën zyrtarisht. Të gjithë e pamë se si, jo vetëm që nuk i kishim 100 ditë për të dëshmuar veten, por nuk i patëm as 100 orë.  Sot, 50 ditë më vonë, mund të them se jam krenar me këtë kabinet qeveritar dhe me të arriturat e tij”, tha Kurti.

Shefi i Qeverisë në dorëheqje përmendi këto vendime:

Qysh në fillim i përgjysmuam pagat e Kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave dhe stafit të tyre, por jo edhe pagat në sistemin e drejtësisë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Dëshiruam të tregojmë se çka konsiderojmë vlerë dhe të sjellim etikë në politikë.

I shkarkuam 7 Koordinatorët Nacional të panevojshëm që ishin barrë edhe për buxhet edhe për funksionim.

U emërua Komiteti për Partneritet Publiko-Privat, në përbërje të 5 ministrave.

U aprovua mbështetja financiare për evitimin e dëmeve nga fatkeqësia natyrore e stuhisë së fuqishme në komunën e Pejës dhe Istogut. Sipas raportit të komisionit, dëmet arrijnë shumën prej mbi 433 mijë euro.

U shkarkua Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës” Sh.A.

U shfuqizua vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për pagat e ish-ministrave e ish-zëvendësministrave pasi ata përfundojnë mandatin.

U aprovua kërkesa e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 200 mijë euro si mbështetje financiare për Republikën e Shqipërisë, për qëllim të ndihmës në sanimin e dëmeve nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, si shtesë e shumë ndihmave të mëhershme edhe materiale edhe të tjera që ia kemi dërguar Republikës së Shqipërisë.

U shkarkua Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Publike Qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” Sh.A.

U shfuqizua Vendimi i Qeverisë për aprovimin e Koncept Dokumentit për ndryshimin e politikave fiskale dhe bujqësore për prodhimin e duhanit dhe cigareve në Kosovë, ku ju bëhen me lidhje të shkurtë favore këshilltarëve.

U ndanë mjete financiare në shumë prej 400 mijë euro për Ministrinë e Shëndetësisë për parandalimin e situatave të mundshme emergjente për epidemi. Më vonë kemi ndarë buxhet prej 10 milionë euro për luftimin e përhapjes së pandemisë të Virusit Corona.

U aprovua propozimi i Ministrisë së Drejtësisë, për themelimin e Grupit të ekspertëve të pavarur për të dizajnuar parimet udhëheqëse, skenarët dhe elementet e reformës së Vettingut në sistemin e drejtësisë, që përbëhet nga 10 profesionistë.

U shkarkuan drejtorët e Bordit Mbikëqyrës të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Trepça” Sh.A.

Ai tha se ministrat kanë bërë po ashtu punë të palodhur e të madhe, duke i përmendur disa prej vendimeve që ata i morën:

Shfuqizimi i vendimeve të emërimeve të 14 konsujve të kotë nëpër botë, të cilëve ua kemi mundësuar riatdhesimin.

Anulimi i tenderit 110 milionësh i autostradës Prishtinë-Gjilan i shpallur pa miratim buxhetor.

Anulimi i ndërtimit të lagjes pranë liqenit të Badovcit.

Ministria e Integrimit Evropian do të kursejë 330.000 euro çdo vit pasi që është zhvendosur në objektin e Qeverisë së Kosovës dhe kështu nuk do të paguajë qira dhe shpenzime komunale koti nga buxheti i taksapaguesve.

U nënshkrua marrëveshja me Bankën Botërore për të mbështetur Kosovën me grant prej 2.785.000 dollarë.

U anuluan tri vendime të ish-ministres së Integrimit Evropian, duke kursyer kështu rreth 400 mijë euro.

Me 6 mars u aprovua Programi Qeverisës i Republikës së Kosovës për vitet 2020 – 2023.

U anulua vendimi i Qeverisë së kaluar ku kompanisë “Bechtel-Enka” do t’i kalonin 50 milionë euro. Ka nevojë për kyçje e mbikalim në autostradën e mbyllur, por jo 50 milionë euro. Mundet ndryshe, mundet më mirë e më lirë sigurisht.

Pas shkarkimit të tyre të mëhershëm, i emëruam bordet e përkohshme në Telekomin e Kosovës dhe Ndërmarrjen “Trepça” Sh.A. Këto dy borde të përkohshme, sipas ligjit për Ndërmarrjet Publike, do të jenë në funksion deri në ardhjen e bordit të ri.

Në listën e sanksioneve të OKB-së e BE-së ndodhet një kompani e cila ka eksportuar drejt vendit tonë, dhe ku tash e tri javë u mbajt në Doganën e Kosovës. Kompanisë “Sabalan Company – Iran” e cila figuron si entitet nën sanksione si kompani mbulesë e një kompanie tjetër, me vendim unanim të Qeverisë së Republikës së Kosovës iu vendosen sanksione edhe për vendin tonë.

U aprovua Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, projektligj i cili u votua me 14 mars këtu në Kuvend. Qeveria jonë ka trashëguar një masë të konsiderueshme të obligimeve të papaguara nga Qeveria e mëhershme dhe nga komunat, një borxh të gjithmbarshëm në vlerë 328 milionë euro.

Rruga Prishtinë-Mitrovicë, e njohur si N2, do të bëhet. Si hap të rëndësishëm kemi miratuar shpronësimet e pronave të paluajtshme në segmentin Gojbulë-Smerkovnicë, gjë që do të përfundojë zgjerimin e kësaj rruge e cila ka filluar para rrugës së kombit “Ibrahim Rugova”, por ende s’u përfundua.

U themelua Komiteti Drejtues i Projektit të Asistencës Teknike “Energjia nga Linjiti”.

Është miratuar vendimin me të cilin i kërkohet Agjencisë Kosovare të Privatizimit që të pezullojë për afat të pacaktuar të gjitha veprimet në lidhje me pronat e paluajtshme nga “Lista e Aseteve për Qiradhënie me karakter specifik e azhurnuar”, e shpallur më 5 mars 2020.

“Më datën 11 mars kemi marrë një seri vendimesh që lidhen me virusin Korona, të njohur si COVID-19”, tha ai.

Ndërprerjen e procesit edukativo-arsimor në institucionet arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri më 27 mars 2020, me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësor dhe për ata në sektorin e sigurisë)

Kemi bërë ndalimin e hyrje-daljeve në disa komuna, kemi mbyllur kufijtë e aeroportin.

Kemi themeluar Komisionin e Posaçëm për parandalimin e infeksionit të virusit Korona, me mua si udhëheqës, me dy zëvendëskryeministrat, shtatë ministra e dymbëdhjetë profesionistë e ekspertë të fushës. Këtij Komisioni i shtohen edhe shtatë anëtarë të tjerë, prej tyre një ministër dhe tre profesionistë, më vonë,

Kemi bërë shpërndarjen e materialeve të domosdoshme nëpër qendrat mjekësore në të gjitha komunat, përgatitjen e hapësirave në rast nevoje për izolim, komunikim me mediat e publikun për masat e hapat që i kemi ndërmarrë,

Kemi shpallur emergjencën për shëndetin publik.

Kemi ndaluar fluturimet në vendin tonë për joshtetasit e Kosovës, dhe Qendrën e Studentëve në Prishtinë e kemi caktuar si hapësirë karantine.

Kemi hequr tarifën për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina deri më 1 prill 2020. Kemi thënë që Qeveria do të nxjerrë vendimin për të hequr në tërësi tarifën dhe të zëvendësohet me masën e reciprocitetit, ashtu siç jemi zotuar në fushatë, ashtu siç e kemi pasur në marrëveshjen e koalicionit qeverisës, ashtu siç e kemi edhe në programin qeverisës 2020-2023.

Nga dje e kemi ndaluar qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve në intervalin kohor prej orës 10:00-16:00 dhe prej orës 20:00-06:00.

Në rrugë, gjatë kohës së lejuar ecjet të mos bëhen në më shumë se dy persona dhe të mbajnë distancën me të tjerët prej 2 metrave.

Kemi ndaluar edhe tubimet publike e private në hapësirat e hapura e të mbyllura vetëm në rast se duhet të mblidhet patjetër për të luftuar pandeminë COVID 19.

Kemi bërë dhurimin e dy pensioneve, siç kemi premtuar, të asistencës sociale prej datës 24 mars, pra prej ditës së djeshme, nga e marta.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.