Vendet e Europës kanë vendosur mbajtjen e maskës të detyrueshme në ambiente publike

0

Teksa një sërë vendesh po përballen më një trend në rritje infektimesh nga COVID-19, vendet e Europës kanë vendosur që ta bëjnë mbajtjen e maskës në ambiente publike të detyrueshme.

Mbretëria e Bashkuar

Të premten hynë në fuqi rregullat e reja për mbajtjen e maskës në Angli. Qytetarët që hyjnë në dyqane,  banka dhe supermarkete duhet të veshin maskën mbrojtëse.

Gjobat nga autoritetet ligj zbatuese nëse refuzohet mbajtja e maskës variojnë nga £100 (€109) por disa vende përjashtohen nga ky rregull, përfshirë, restorantet, lokalet e natës, palestrat dhe floktoret.

Teksa shkencëtarët anë e mbanë botës nxitojnë për të gjetur një vaksinë kundër COVID-19, Kryeministri Boris Johnson i ka cilësuar personat që refuzojnë të vaksinohen si “të marrë”.

Sipas përllogaritjeve të Universitetit John Hopkins, Britania ka numrin më të lartë të vdekjeve në Europë me mbi 45 mijë viktima.

Francë

Kryeministri francez Jean Castex shpalli të premten se duke filluar nga 1 gushti, personat që do të hyjnë në Francë nga 16 vendet që kanë prezencë të lartë të virusit, përfshi këtu edhe Shtetet e Bashkuara, do të jenë të detyruar të bëjnë testin me të mbërritur në aeroportet franceze, përveç rasteve kur paraqesin se kanë bërë testin në 72 orët e fundit dhe kanë rezultuar negativ.  

Ata që do të rezultojnë pozitiv në momentin që mbërrijnë në territorin francez do duhet të izolohen për 14 ditë.

Autoritetet shëndetësore të Francës janë shprehur se rastet janë shtuar me 66 për qind në 3 javët e fundit.

Belgjikë

Në Belgjikë, autoritetet raportuan vdekjen e një vajze të moshës 3-vjeçare pasi kishte dalë pozitive në testin e COVID-19.

Numri i rasteve të reja është rritur me 89 për qind krahasuar me javën e shkuar.

Qeveria është përpjekur të vendosë kufizime për të ngadalësuar përhapjen e coronavirus, duke përfshirë mbajtjen e maskës në vende të mbipopulluara publike.

Rumani

Rumania shënoi një rekord për rritjen e rasteve ditore gjatë së premtes. Autoritetet kanë fajësuar mosmbajtjen e maskës, veçanërisht në ambiente të mbyllura publike dhe në transportin publik.

Itali

Në Itali, maska duhet të mbahet në dyqane, bankë, transport publik dhe ambiente të jashtme ku është e pamundur të mbahet një distancë e sigurt.

Shumica e rasteve janë shfaqur në veri të Italisë, aty ku ishte dhe zanafilla e virusit në Europë, por tashmë prezenca e virusit është vërejtur edhe në disa vende të jugut.

Shumë prej rasteve të reja kanë qenë si pasojë e qytetarëve që kthehen nga jashtë, shumica punonjës të huaj.

Spanjë

Në Spanjë ekziston frika se kushtet e këqija të jetës tek punonjësit sezonal të agrikulturës po krijojnë epiqendra të reja të virusit. Ministri spanjoll i agrikulturës tha gjatë së premtes se i kanë kërkuar punëdhënësve të këtij sektori që të mundësojnë akomodim më të mirë për punëtorët.

Ministria e Shëndetësisë raportoi 971 raste të reja, shifra më e lartë që nga dalja e Spanjës nga karantina.

Gjermani

Autoritetet gjermane kanë planifikuar ngritjen e pikave të testimit në aeroporte për të inkurajuar pasagjerët që mbërrijnë nga vende me rrezikshmëri që të testohen.

Vendi po ashtu ka vendosur që të testojë falas brenda 3 ditësh qytetarët që vijnë nga jashtë.

Vendimi i marrë nga ministrat e shëndetësisë së 16 landeve në Gjermani erdhi si pasojë e shqetësimit se pushuesit mund të kthehen të infektuar.

Mbi 201 mijë persona kanë humbur jetën gjatë pandemisë në Europë, sipas përllogaritjeve të Universiteti John Hopkins.  

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.