VEASJA E VALBONËS

0

Nga arkivi i gazetarit

VRASJA E VALBONËS DHE MBYTJA E DIBRËS

Replikë

Shqipëria një pëllëmbë e dy duarve të trupit shqiptar është. Është koha që të luftohet për çdo gisht, për çdo qelizë, pa harruar dorën tjetër – pjesë e trupit të prerë e që na dhemb fort.

Mehmet Elezi, shkrimtar, poet, gjuhëtar, krah i fortë e Berishës shkruan…

I dëgjuat lajmet? I patë te Zëri i Amerikës, i lexuat në gazetë? Mund t’i ndiqini prapë në internet.

Duan të vrasin Valbonën!

Duan të shtinë në dhé të gjallë Valbonën.

Më vjen mirë me hyrjen. Edhe me përmbajtjen deri atje ku ai merret me politikë. Jam kundër ndërtimit të… njëmbëdhjetë hidrocentrale në 25 kilometër gjatësi përgjatë një lugine që vetë Roma e lashtë e Ciceronit e quajti Lugina e Mirë, Valbona…

I dhemb Valbona Mehmet Elezit ashtu si u dhemb të gjithë valbonasve. Edhe mua më dhemb. E kam jetuar tre ditë të jetës time Valbonën, në verë të vitit 1962 kur udhëtova si student, pjesë e një ekspedite për studimin e tokave acide të Shqipërisë, një pjese të luginës, kur provova të lahesha e vetëm sa u laga sepse uji kishte ftohtësinë e dëborës, kur u ndava me të për të udhëtuar në Kam ku sapo ishin nxjerrë tonët e parë të kromit e bujta një natë në Krumë.

Dua të shkoj tash në pleqëri në Valbonë, ta shoh dhe ta ndjej edhe një herë bukurinë dhe freskinë e bjeshkëve të saj, të takoj ish nxënës të mi e ish bashke studentë. Njeriu është si salmoni që vdes atje ku ka lindë. E për të shkuar atje ndjek tërë rrugën e jetës së tij.

E kuptoj zotin Mehmet për nostalgjinë për vendlindjen dhe për përshkrimin me ndjenja të thella poetike. Por do ta kuptoja thellë e me respekt kur ai të dilte nga Valbona e të fliste me të njëjtin pasion edhe për treva të tjera që si edhe Valbona po vriten dhe po mbyten.

Nuk e njoh nga afër Mehmet Elezin. Kam lexuar nga fundi i viteve ’70 librin me reportazhe “Pushka që shuante pushkët”. Kam marrë nga larg edhe një përgëzim kur ishte sekretar i parë i komitetit qendror të rinisë në 40 vjetorin e hapjes së “Rrugës së Rinisë Kukës-Peshkopi”, kur, bazuar në kronikat e shkruara në gazetat e kohës “Bashkimi” dhe “Rinia”, si dhe në kujtimet e vullnetarëve, bëra një cikël shkrimesh në gazetën “Ushtima e maleve” për heroikën e atyre ditëve të vështira fill pas çlirimit.

Ky monument i parë i rinisë shqiptare i lënë në kalldrëm nga regjimi i atëhershëm tash do të mbytet nga gjoli i Sakavicës z. Elezi.

Kam bërë një libër për t’i thënë “Jo Skavicës” dhe shumë shkrime të tjerë që hedhin dritë mbi krimin që do të bëhet mbi Dibrën dhe dibranët nga ndërtimi i Skavicës së Madhe apo i “Skavicave” të vogla.

E mbështes z. Elezi për dëmet që do t’i shkaktohen Valbonës nga ndërtimi i 11 hidrocentraleve dhe shkatërrimi fizik që do të bëhet duke gërryer shtratin dhe mjedisin për krijimin e digave (për këtë as flitet nga “ekologët” e ngrehur ekraneve të vegjël televizivë mbrëmjeve). Jam me të kur flet për “shkretim kulturor”, për “krijimin e çetës së Gjakovës”, për “shpellën e Bajram Currit”, për turizmin, kromin e Kamit e të tjera.

“Çka mund të ishin bjeshkët shqiptare pa Valbonën?”- pyet z. Elezi.

Unë dua ta pyes:

Çfarë do të ishte Shqipëria pa Dibrën, pa luginën më pjellore dhe më të bukur të Drinit të Zi?

Pa qendrën gjeografike të shqiptarisë, të shqiptarëve të hapësirës prej rreth 65 mijë kilometra katrorë troje të vjetra mijëravjeçare?

Pa 18 betejat fitimtare të Gjergjit të Gjon Dibranit, Skënderbeut të Madh, nga 24 beteja që ai zhvilloi për një çerek shekulli kundër hordhisë më të madhe të kohës?

Pa “Qeverinë e Arrasit” dhe qëndresën heroike popullore dibrane në luftë kundër serbit?

Pa bukuritë e Liqeneve të Lurës, Liqeneve të Selishtës, Liqeneve Valikardhës?

Pa bukuritë dhe begatitë e bjeshkëve të Korabit ku oficerët e lartë amerikanë qëndruan gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe prej andej i shkruan botës…

Unë kam mbaruar universitetin e Oksfordit, por mbarova edhe një universitet të dytë, atë të Dibrës” (Reginald Hibbert)
dhe…

”Katër ditë në Dibër më kishin mësuar më shumë për thelbin e politikës, se sa të gjitha librat për teorinë e kushtetutës dhe ekonomisë politike që i kisha lexuar në Oksford” (Julian Emery) ?

Pa bujqësinë dhe blegtorinë e luginës së Drinit të Zi, bazën për një turizëm elitar malor që nga Llanga në Korab e që nga Martaneshi në Selishtë e Lurë?

Pa mundësinë e realizuar të nxjerrjes në vitet tetëdhjetë të rreth një milionë tonë mineral kromi në vit në burimet krommbajtëse të Bulqizës, Batrës, Thekrës, Tërnovës, Cërujës, Selishtës e të tjerë?

Pa shpirtin praktik punëtor dibran në bujqësi, blegtori, ndërtim, minierë, shpirt që një historian i huaj e ka shprehur se po të digjet Stambolli Dibra e ndërton nga e para, ndërsa po të digjet Dibra…?

Dibra është djegur e përvëluar sa asnjë krahinë tjetër në histori i nderuar Mehmet.

Është djegur dhe kaluar në tehun e shpatës Çidhna, vendlindja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nga turqit osmanlinj në vitin 1467 ku në shenjë hakmarrje u vranë dhe u prenë rreth tridhjetëmijë burra, gra, pleq e fëmijë.

Drini është skuqur nga gjaku i dibranëve në betejat historike fitimtare kundër dy pashallarëve të mëdhenj Osmanllinj, Hajredin Pashës dhe Hysni Pashës.

Betejat heroike të dibranëve të viteve 1913-1921, gjaku i derdhur, shtëpitë e djegura dhe shkatërruara ishin dhe janë dëshmi e një heroizmi të llojit “Edhe i vetëm trim në beteja” në mbrojtje të trevës, në moslejimin e serbit të kalojë Drinit, në prerjen e ëndrrës shekullore shovene për të hap shteg për të dalë në det, për ta bërë Durrësin “port të Serbisë”.

Dibra e meritonte që rruga e madhe historike që lidhte në lashtësi Durrësin e lashtë me Maqedoninë e më tej deri në Detin e Zi, të ndërtohej e para, të ishte rruga e parë e kombit. Argument ishte emri i vjetër historik RRUGA E ARBRIT, popullsia e madhe që do të merrte dritë e kulturë, pasuritë e jashtëzakonshme….

Fatkeqësisht, e premtuar tash njëmbëdhjetë vjet, zyrtarisht nga qeveritë Nano, Berisha e Rama, ajo vazhdon të jetë e harruar, e braktisur në praktikë dhe në mendim…

Jam me ju z. Elezi që Valbona të mbetet e virgjër ashtu siç e ka bërë Zoti. Ajo nuk duhet të vritet për një dorë të hapur energjie elektrike që mund të prodhohet nga 11 apo më shumë hidrocentrale.

Do të desha që si shkrimtar, poet, gazetar, e veçanërisht si lëvrues i shkronjës shqipe, të gjenit një fjalë edhe për Dibrën, një fjalë të përveçme për mos mbytjen e saj për hir të përmbytjes së Shkodrës. Për hir të fitimeve të qarqeve të lidhura nyje me zhvatjen dhe shitjen e Shqipërisë.

Dibra ka përjetësuar eksode të shumta masive në synimet e pushtuesve për nënshtrimin dhe aneksimin e saj. Më i fundit ishte ai i vitit 1913 ku pas kryengritjes popullore të vjeshtës së vitit 1913, kryengritje në përgjigje të Kongresit të Londrës që e copëtoi Shqipërinë duke e prerë si pritet berri për kurrizi, kryeqendra e trevës qyteti i Dibrës, gati u shua dhe dibranët morën arratinë drejt Tiranës ku edhe sot ka një lagje të madhe me emrin “Lagja e Dibranëve”. Është lagjja e vetme, dëshmi e një eksodi masiv të shqiptarëve, me emër të plotë.

Nuk duhet përsëritur historia e vitit 1913, tashmë me shuarjen e një krahine të tërë, me mbytjen dhe eksodin e dhjetëra mijëra dibranëve.

Asokohe nga synimet serbe.

Sot nga synimet korruptive të një shteti hajdutësh.

Unë e ngrita zërin për Valbonën. U bashkova me disa gazeta e gazetarë dhe me “Zërit të Amerikës” për Valbonën.

Edhe me një protestë që u përcoll sot në median pamore

Bashkohuni edhe ju për t’i thënë “JO SKAVICËS” dhe “PO RRUGËS SË ARBRIT”.

Shqipëria një pëllëmbë e dy duarve të trupit shqiptar është. Është koha që të luftohet për çdo gisht, për çdo qelizë, pa harruar dorën tjetër – pjesë e trupit të prerë e që na dhemb fort.

Abdurahim Ashiku

Athinë, 11 prill 2016

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.