Qytetarët në Bullgari vijojnë të mbushin rrugët e kryeqytetit të Sofjes duke protestuar kundër qeverisë, ata kërkojnë largimin e kryministrit Boyko Borisov dhe kreyprokurorit Ivan Geshev.
Një natë më parë protestuesit rrethuan sheshin mes godinës së parlamentit dhe qeverisë, ku ndodhej edhe një kordon i madh me forca të shumta policore.
“Për momentin, demokracia jonë është tmerrësisht e kërcënuar dhe kemi arritur në një pikë kritike kur duhet të marrim një vendim për të qenë një shoqëri civile e fortë për t’u ngritur kundër korrupsionit të qeverisë dhe për të mbrojtur të drejtat tona civile”, shprehet Ilian Pelev, protestues.
Zemërimi i protestuesve drejtohet kryesisht tek ata që janë në pushtet të cilët akuzohen se kanë dështuar në luftën ndaj korrupsionit dhe kanë lidhje me mafian.
Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev po mbështet protestat duke u bërë thirrje Kabinetit të qendrës së djathtë të Borissov dhe Geshev të largohen. Në një postim në Facebook ai shprehet se kokëfortësia e atyre që mbajnë pushtetin vetëm përkeqëson krizën. Ai përsëriti thirrjen e tij për protestuesit që të mos u nënshtrohen provokimeve.