UNË NUK JAM AS I MAJTË AS I DJATHTË, JAM DIBRAN !

0

Bisedë nga larg me një Luznak

Një lexues i shkrimeve të mija për mendimin tim të prerë “Jo Skavicës” komenton: Abdurahim Ashiku,  je shumë i majtë po kur vjen puna për Dibrën ti s’ke parti dhe përshëndes të gjithë ata qe e përkrahin këtë lëvizje”.
Nuk e di se kush është, megjithëse mbiemri më flet shumë e më ngjit kodrave të Luznisë, një treve që unë e kam në shpirt e që (po zbuloj një sekret) në fshatin më të lartë të saj Lishan të Epërm më ka qëlluar të votoj për herë të parë në jetën time në vitin 1960 si i deleguar për zgjedhjet…
Mbiemri më ul mbi një kodër, në një fis që ngreh mortajën dhe qëllon fisin tjetër me shrapnel…
Dritëro Agolli, siç më ka treguar tek bisedonim për Grykën e Skavicës dhe Grykën e Cangonjit  si prita vdekjeje në se atje do të ngrihej një digë për ta mbytur Luginën e Drinit të Zi apo Luginën e Devollit të Korçës për hir të kaskadës së hidrocentraleve mbi Drinin e Zi e  Devoll, më zbulon se “Njeriun me top” e mori nga Luznia rrjedhë e një ngjarje të vërtetë hasmërie mes dy fiseve…
Doemos, më thotë, unë ia ndërrova emrat, por Meres nuk ia ndërrova. E vura Mere se më dukej kështu shumë ekzotike dhe një emër që nuk i përkiste feve të ndryshme që kemi këtu ne. Mere mund të jetë edhe nga vende të tjerë, edhe francez mund të jetë. Apo jo?
Po përcjell një fragment bisede me detyrimin që të plotë ta përcjell një herë tjetër…
A. Ashiku: Me Skavicën mbytet e gjithë fusha e Dibrës,
i them ndërsa ai shfleton librin “PO DIBRËS! JO SKAVICËS!”, mbytet e gjithë historia e Dibrës, histori që është e lidhur me Skënderbeun por edhe me ngjarje të tjera të mëdha. Por mbytet edhe “varri” i Mato Grudës, atje tek Matet dhe Grudet në Luzni…
D. Agolli: Pse edhe Luznia mbytet?
A. Ashiku: Mbytet Fusha e Luznisë, Katundi i Ri mbytet tërësisht kurse Hoteshi pjesërisht…
D. Agolli: Po.
A. Ashiku: Desha që të kthehemi pak në kohë, atëherë kur ishit gazetar në “Zërin e Popullit”, kur u ngjitët në Malin e Luznisë dhe mësuat historinë e njeriut me top, Manuket që goditën Meret dhe bëtë romanin “Njeriu me top”. Unë, siç e shikoni kam bërë një libër ku i them Jo Skavicës sepse mbyt një qytetërim të tërë dhe kërkoj që të shihet një tjetër alternativë, alternativa e hidrocentraleve mbi lumenjtë, degë të Drinit. Me që jeni devolli më ngjan se Skavica si rezervuar është si ti vesh një pritë Devollit në Maliq, të mbytësh gjithë fushën për hir të hidrocentraleve që do të bëhen në kaskadën e Devollit.
D. Agolli: Ta vësh në Cangonj…
Fragmenti që përcolla ma zbuloi mbiemrin por emrin do ta mbaj për vete sepse më duhet të udhëtoj pak me të.
Njeriu nuk lind as i majtë, as i djathtë, as i qendrës, as i ekstremeve… Njeriu lind (në rastin tonë) dibran…
Njeriu nuk lind as i krishterë; katolik, ortodoks…, as mysliman, as budist…
Njeriu lind me të dy duart grusht duke bërtitur dhe vdes me të dy pëllëmbët hapur, i heshtur…
Partitë si dhe besimet, shkojnë e vijnë, mund ti ndërrosh…
Shtëpia, fshati, qyteti, treva ku lind e ngrihesh në këmbë, ecën duke çarë gishtat nëpër gurë e mbushur thembrat me gjemba, nuk mund ti ndërrosh, nuk mund ti mohosh, nuk mund ti vrasësh, presësh, mbysësh…
I lindur dibran atë emër, atë gjini, atë gjak ke.
Nuk i ndërron dot.
Mund të ikësh një ditë, ta lësh shtëpinë, ti lësh vendet, të ecësh tash mbi asfalt dhe mermer, por pas vetes ke dhe do të kesh në breza  gjakun: “Me origjinë nga Dibra”… “Me  origjinë shqiptare”.
Mund të kesh shtëpi e tokë në Tiranë, dhe djali jot të ketë shtëpi e tokë në Itali, por në pasaportë, edhe me nënshtetësi të një vendi tjetër, vendlindja Dibër do të shkruhet, dhe do të të shoqërojë tërë jetën…
Unë linda në një fshat të butë të Dibrës, fshat ku gurin e kërkonim përrenjve larg, vetëm për themele shtëpish me qerpiç.
Ika në shkollë të mesme…
U ktheva, njoha edhe Luzninë, edhe Katër Grykët e Murrës, edhe Teqen e Sharakanit, edhe kullat e Dine Hoxhës, që diçka di pse nuk u dogjën…
Ika në shkollë të lartë.
E mbarova në vitin 1966, i pari djalë Brezhdani me universitet të plotë.
Punova, mbolla pemë blloqeve të mëdhenj të Dibrës, u mësova shkencë nxënësve të mi, brodha Dibrën nga malet e Kallkanit në Korab, Lurë, Kacni… mësova shumë nga Universiteti Popullor i Dibrës…
Desha ta mbaroj, por nuk më lanë, mi prenë me dhunë, me përgjakje, me kërcënime për jetën, studimet…
E vazhdoj nga larg, student i përjetshëm i tij.
Se Universiteti i Dibrës, po e meritove, diplomë të jep vetëm pas vdekjes. Askush nuk merr diplomë prej tij për së gjalli.
Askush…
Kam pas tesër të PPSH-së. Kam pas edhe të PSSH-së. Nuk i kam dhe nuk do ti kem. Nuk më kanë dhënë bukë, nga ajo lloj buke që japin sot partitë, bukë pa nder e dinjitet. Bukën ma ka dhënë puna ime. Edhe dinjitetin. Mund të kisha bërë “kompromis” atëherë kur më përgjakën, atëherë kur titullari i lartë shtetëror ishte gati të më çonte në cilën ambasadë të doja, madje mu lut me kërkesën që të heshtja se…
Nuk pranova.
Jam i qetë miku im luznak, shumë i qetë…
Borxh nuk i kam askujt…
As gjak…
Jetoj si Dibran…
Qëndroj si Dibran…
Iki si Dibran…
Këtë do tua uroja gjithë Dibranëve…
“Je shumë i majtë…” më thua miku im nga Arapi i Poshtëm.
Jam Dibran është përgjigja ime e prerë…
“Po kur vjen puna për Dibrën ti s’ke parti”
Kështu dua të jemi të gjithë, larg partive, PRANË DIBRËS!
Dibra sot ka nevojë për DIBRANË…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 22 qershor 2020

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.