TRAUMA KOLEKTIVE, QETËSIA PAS STUHISË DHE PIKËPYETJET QË MBETEN

0

Lajmi i një krimi të përsëritur ndaj një fëmije, vajzë, nga një punonjës i shkollës së vajzës në rrethinat e Tiranës rrënqethi shqiptarët brenda dhe jashtë vendit dhe solli një reagim masiv te popullatës. Nuk është rasti i parë, nuk është as i vetëm në këto momente që nje fëmijë bie pre e dhunës seksuale, pre e shantazhit dhe e egërsisë shoqërore ndaj viktimës, duke theksuar këtu reagimin jashtë cdo etike të disa aktoreve të mediave. Reagimi emocional ndaj këtij lajmi për publikun e gjërë ishte i dukshëm dhe përfshiu plot reagime të një traume: shok, frikë, ankth, faj dhe mllef.

Reagimi fillestar për t’u informuar mbi sa detaje të qëna e të paqëna thuhen për këtë çështje, u pasua për shumicën prej nesh nga mijëra ide e mendime dyshimi e mosbesimi për institucionet ku është besuar arsimi dhe përkujdesja e fëmijëve si dhe per strukturat shtetërore që nuk arriten të mbronin as para as pas krimit atë fëmijë, por mbase dyshuam edhe për njerezit që na rrethojnë. Duhet thënë këtu se edhe përgjigja “këto gjera kanë ndodhur gjithmonë” mund të kuptohet në kuadrin e reagimeve të traumës si tentativë e shmangies së dhimbjes.

Çfarë ndodhi? Si funksionuan gjërat me rezultat që asgjë të mos funksiononte?!!

Protesta masive e qytetarëve të Tiranes, kryesisht të rinj e të reja, ashtu si lulet qe mbijne serish mbi token e djegur, ishte nje shkëndijë shprese se nuk toleranca ndaj këtyre akteve mbaroi. Një prej mesazheve të protestës ishte “eduko djalin” duke sjellë në epiqendër të diskutimeve nevojën për edukimin e duhur në familje, shkollë e shoqëri mbi respektin që duhet treguar në marrdhëniet midis dy gjinive.

Mesazhi tjetër ishte inkurajimi i viktimave të flasin e të denoncojnë abuzuesit, që gjithashtu është tepër i rëndësishëm. Por, tek kush mund të flasin? Sa i përgatitur është një prind sot në Shqipëri të mbështetet tek policia për një çështje të tillë? Duhet marrë parasysh këtu që nevojitet një trajnim i specializuar për forcën e policisë që të merret me çështje të tilla. Kush ka qenë i pranishëm në dhënie dëshmie për përdhunim e di mirë se ky është një proces tepër i dhimbshëm per një fëmijë. Derisa fëmija t’i besohet psikologut brenda në polici apo prokurori, shpesh lajmi ka arritur tek abuzuesi. Në Shqipërinë tonë të informalitetit etika profesionale ka ende një rrugë të gjatë për të përshkuar.

Ndërkohë pozicionimi i shkollës në këtë rast ngre ende më shumë pikëpyetje. Në mos dinte gjithçka i gjithë stafi i shkollës, dikush diçka dyshonte, kjo tashmë është e pamohueshme. A ka një mbledhje të caktuar në shkollë mes stafit ku diskutohen dyshime apo shqetësime qe lidhen me sigurinë fizike apo emocionale te nxënësve? A ka shënime nga këto takime? Asnjëherë, askush nuk ngriti një dyshim mbi këtë fëmijë apo mbi sjelljen e rojes? Cila është procedura e punës në shkollë në rast se një mësuese ka një dyshim se një fëmijë nuk duket mirë dhe diçka po i ndodh? Një fëmijë e dhunuar dhe e shantazhuar prej kohësh shfaq shenja sjelljeje qe është vështirë të mos vihen re nga mësuesit që e shohin përditë dhe e kanë njohur prej vitesh. Si kontrollohet karakteri dhe sjellja e një individi qe punësohet diku ku mund të vijë në kontakt me fëmijë dhe sa përgjegjësi mbajnë drejtuesit për këtë kontroll? Cila është linja e komunikimit të asaj shkolle dhe e të gjitha shkollave me Shërbimin Social dhe Policinë e zonës? Nëse kjo e fundit nuk ekziston, duhet punuar urgjentisht për të ngritur skelat qe do mbështesin Mbrojtjen e Fëmijëve.

Në një moment të tillë nevoja për një dialog social është më se e qartë por duhet edhe veprim. Si shoqëri duhet të përcaktojmë vlerat tona, çfarë quajmë detyrë publike e sociale dhe si do t’i udhezojnë këto vlera hapat që duhen ndërmarrë ne vijim.

Pa diskutim që edukimi, si një nevojë e vazhdueshme, është gjithmonë një argument i vlefshëm. Edukimi i fëmijëve, me në krye adoleshentët, mbi respektimin e kufijëve në sjelljen e tyre në marrdhëniet ndërgjinore dhe jo vetëm, është i domosdoshëm dhe detyrë e prindit si dhe e institucioneve arsimore. Fëmijët tanë duhet të bëhen me dije se të detyrosh dikë të veprojë sipas dëshirës tënde, në cilëndo formë, quhet shantazh e dhunë dhe gjykohet si krim. Kuptohet dhe anasjelltas, sjellje të tilla ndaj tyre duhet t’i kuptojnë si krim, me qëllim që t’i denoncojnë.

Por, a e kemi kohën të bazohemi vetëm tek edukimi? Në rastet kur funksionon, edukimi kërkon vite pune që të arrijë të sjelli ndryshimin në shkallë të gjërë dhe duhet të marrim parasysh këtu edhe prindërit që mund të mos kenë aftësitë apo vëmendjen e duhur ndaj atij edukimi. Ndërkohë rrezikojmë të kemi vazhdimisht situata ku krimi jo vetëm ndodh por edhe përsëritet. Duhet theksuar në këtë pikë që edhe femijët e papërfshirë në një incident ndikohen nga ajo që kuptojnë apo dëgjojnë se po ndodh përreth tyre. Ashtu si për arsimin kemi një rrjet të tërë strukturash që lidhen dhe ndërlidhen mes tyre dhe është e qartë për të gjithë se ku ndodhet një fëmijë dhe kush mban përgjegjësi për arsimin në çdo moment të jetës së tyre, ashtu mund të krijojmë një rrjet edhe për mbrojtjen e fëmijëve përmes institucioneve përkatëse: Arsimi-Sherbimi social-Policia. Një rrjet që ka nevojë për një identifikim të qartë te përgjegjësisë ligjore te secilës palë, për një përcaktim të proceseve të punës në mbikqyrjen e sigurisë së fëmijës kur ngrihet një dyshim apo shqetësim i këtij lloji. Mbi të gjitha na duhet si shoqëri të dijmë se këta partnerë pune kanë një linjë komunikimi të rregullt e të vazhdueshme përmes tyre. Pra ne duhet të dijmë që në rast se një mesuese vë re një shenjë goditjeje, një ndryshim në sjellje apo një kontakt të dyshimtë të fëmijës me një person tek largohet nga oborri i shkollës, shkolla e ka mundësinë dhe detyrën ligjore të kërkojë një këshillim profesional nga Shërbimi social apo policia në një mënyrë të thjeshtë e të drejtperdrejtë. Nëse sa më sipër citohen qartësisht në letrën e ligjit dhe në praktikat e punës në Arsim, atëherë e gjithë protesta jonë i duhet drejtuar organeve të drejtësisë. Nëse jo, kjo gjë duhet t’i kërkohet organeve përkatës për Mbrojtjen Sociale.

Sigurisht në këto momente shoqëria mund të bëjë zgjedhjen për të vazhduar me shprehi të llojit “kështu janë gjërat në Shqipëri, nuk kemi ç’bëjmë” por duhet thënë se shprehitë e pa shpresë të pamundësisë janë gjithashtu një tregues traume kolektive. Nëse do vendosim të mbetemi viktimë e përhershme e një sistemi qe nuk ekziston apo nuk funksionon, duhet ta rishikojmë thirrjen tone ndaj viktimave “Ngrije zërin”. Nëse nuk e duam pozicionin e viktimës duhet të kërkojmë që struktura shtetërore për Mbrojtjen e Femijëve të veprojë qart, duke vendosur dukshëm femijën në qendër të përkujdesjes dhe duke kërkuar përgjegjesinë e duhur nga profesionistët të cilëve u kemi besuar fëmijët dhe përmes tyre, investimin më të madh të një shoqërie njerëzore për të ardhmen e saj.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.