TONIN NDOKA

0

NJË MIK NGA AMFILOKIA NË “TROJET” E MIA IKANAKE

Rrëfenjë

Ai hyri në jetën time thjesht siç kanë hyrë, qëndrojnë e janë “ngurtësuar” njerëzit të dashur, njerëz që i kam mbledhur në “mexhlisin” dymijë faqesh të pesë librave “Njerëz që i dua”. I kam mbledhur dhe tash sa kohë i kam lënë të kuvendojnë për vitet e tyre të ikjes e të mallit për vendlindjen.
Njeri prej tyre është Tonin Ndoka.

Tonini është nga një fshat i Lezhës, nga Pllana, një fshat që sheh kohët, lexon historitë e lashta e të reja, sheh Urën e Zogut në vetminë dhe indiferencën e “Rrugës së Kombit”, sheh Matin me dhëmbë krokodili tek ha pa pra herë njërin krah e herë krahun tjetër të fushës midis Lezhës e Kurbinit e i kthen fshatrat, siç thoshte dikur mbreti i fjalës së shkruar veriore Kolë Jakova në romanin dyvëllimësh “Fshati midis ujërave”, herë me Lezhën e herë me Krujën…

Tonini e ka një mall që nga mullar i është bërë mal për ato vende ku kaloi fëmijërinë, për babanë e nënën që “nuk duan ta lënë as edhe një ditë fshatin”, për të shkuar për të takuar nipër e mbesa tek dy djemtë në Amfiloqia të Greqisë dhe tek djali e vajza tej detit, diku afër qytetit të Pizës në Itali.

Nga miqtë e jetës time në emigracion, miq të shtypit, miq që i kam njohur nëpërmjet gazetës, Tonin Ndoka, më vjen i veçantë, rrjedh si burimi për të mbushur liqenin e jetës. Kam qenë në shtëpinë e Tonin Ndokës në Amfiloqia, atë shtëpi që sheh detin e Karavasarasë së lashtë në kaltërsinë e ditës së kthjelltë e në dritat fosforeshente të detit natën. Se deti i Amfiloqisë ka, siç thonë banorët dhe njerëzit që jetojnë qoftë netët e një jave apo muaji, ka një enigmë që lidhet me dritën që vjen jo nga qielli, jo nga dielli, as nga hëna, por nga deti, nga gurë që fosforin e shndërrojnë në magji drite. Unë nuk e kam jetuar por kur ma kanë thënë, rrënjë të thella vendasish dhe degë të reja bujtësish, nuk kam pse të mos e besoj.

Nuk e di në se ka ndonjë emigrant që të jetë i lidhur kaq shumë me librin sa është i lidhur Tonin Ndoka. Nuk ka mbaruar ndonjë universitet Tonini. Për mua, libri në jetë, dashuria për ta lexuar dhe nxënë, nuk lidhet me mbarim universiteti, aq më tepër kur sot universitetet merren pa lexuar edhe një fletë të vetme, thjesht duke hapur e dhënë për të lexuar fletë portofolash mik pas miku. Tonini ka një bibliotekë në shtëpinë e tij në Amfiloqia, me libra ngjeshur sa maja e thikës nuk hyn në mes. Ka libra të shumtë në gjuhën shqipe autorësh të ndryshëm, ka edhe libra në greqisht, libra enciklopedikë që më tepër i lexon vajza, Elona, tash nxënëse liceu.

Nuk e di në se ka ndonjë emigrant që të jetë i lidhur kaq ngushtë me PLUS GAZETA ATHINA, ta presë si ujët e pakët e ta lexojë rresht për rresht…

Erdhi para disa ditësh në Athinë, erdhi për herë të parë. Ngritëm lart nga një gotë raki shqiptare tek “Tuneli”, ngritëm lart edhe zemrat, edhe shpirtin, edhe respektin dhe dashurinë për njeri tjetrin. Tonini kishte ardhur atë ditë për “një libër” për të marrë me vete “tre libra”, të tre me nënshkrim, një me emrin e tij dhe dy për shokët e tij në Amfiloqia, shokë që “nuk i ndan arusha”, nënshkrim të Edi Ramës. Fjala është për librin “Kurban”.

Më kërkoi Tonini ta çoj tek “Vatra Shqiptare”, vatër raftembushur me libra në gjuhën shqipe, libraria e parë e librit shqip në Athinë, një vatër me të vërtetë kulture. I pata thënë në telefon se Vatra nuk ka më zjarr, është shuar. Ia thashë përsëri. U habit. Në habinë e tij lexova dhimbje. “Si është e mundur-më tha i ngrysur-që dyqind apo treqind mijë shqiptarë sa thonë se punojnë e banojnë në Athinë mos blejnë libra shqip, qoftë edhe një libër në muaj apo edhe një libër në vit?”

Ishte një pyetje që nuk mund t’i jepja përgjigje, një pyetje që të ul kokën deri në majë të këpucëve.

E shëtita Toninin nëpër Athinë, i bëra me aparatin e tij shumë fotografi. Në mbrëmje u ulëm në vatrën time në një lagje afër qendrës së Athinës. Ngritëm përsëri nga një gotë e folëm për jetën tonë në emigracion. Udhëtuam me “kalin e dashurisë njerëzore” për tu ndalur paksa herë në Amfiloqia, herë në Pllanë, e herë në Dibër. Është shumë komunikues dhe i mprehtë në bisedë Tonin Ndoka.

Të nesërmen desha ta marr e ta çoj në Akropol, ta merrte kohën e lashtë dhe kohën e re të Athinës e ta vendoste në raftet e “bibliotekës së kujtesës”. Ishte mot i keq, me shi dhe me erë.

U ndava me Tonin Ndokën për tu takuar mëngjeseve mbrëmjeve në valët e internetit, për të folur edhe dy herë në ditë në telefon. Jo vetëm me Toninin por edhe me shokët e tij mbrëmjeve kur mblidhen bashkë e i gëzohen shoqërisë së njeri tjetrit.

I kisha nis këto meditime për Tonin Ndokën javë më parë. I përfundova sot më 11 mars 2020 në 55 vjetorin e lindjes së tij me urimin publik: EDHE NJËQIND TONIN NDOKA, miku im i mirë i viteve të emigracionit.


Abdurahim Ashiku

Athinë, 11 mars 2020

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.