Theo Jacobs ‘fshikullon’ KLD-në: Cenuan besimin e publikut tek drejtësia, leja 2-vjeçare për Gjin Gjonin ishte e paligjshme

0

Theo Jacobs, përfaqësuesi më i famshëm në Shqipëri i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit që mbikëqyr procesin e Vetingut në drejtësi, ka hetuar vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për dhënien e një leje prindërore dyvjeçare ish-gjyqtarit të Apelit dhe anëtarit të KLD, Gjin Gjoni, i cili dha dorëheqjen nga drejtësia në korrik të këtij vitit, para se të përballej me Komisionin e Vetingut. KLD e miratoi lejen dyvjeçare për Gjin Gjonin në 11 tetor 2018, vetëm disa javë para se të shkrihej si institucioni i qeverisjes së gjyqësorit, për t’u zëvendësuar me Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Po cilat janë gjetjet e Theo Jacobs? Vëzhguesi ndërkombëtar, pas hetimit, ka dalë me 7 konstatime kryesore. Sipas tij, leja prindërore për Gjin Gjonin është dhënë bazuar në një nen që nuk kishte hyrë në fuqi, gjyqtarit nuk i takonte ky përfitim, nuk justifikohet mbledhja me urgjencë e KLD për këtë çështje, kërkesa e Gjin Gjonit nuk ishte parashikuar në rendin e ditës së KLD, kërkesa për leje prindërore është futur gjatë mbledhje në rendin e ditës në kundërshtim flagrant me ligjin si dhe është shmangur kryetari i Gjykatës së Apelit, i cili sipas ligjit duhet të japë miratimin për lejen.

Sipas Theo Jacobs, anëtarët e KLD, me këtë vendimmarrje, kanë cenuar rëndë besimin e publikut tek drejtësia. Gjetjet e Theo Jacobs për këtë çështje janë një mesazh edhe për Ilir Metën, i cili ka drejtuar KLD deri në fund të vitit 2018. Sipas ligjit për KLD, Meta ishte përgjegjës për thirrje dhe drejtimin e mbledhjes së KLD, si dhe kujdesej për zbatimin e ligjit gjatë zhvillimit të mbledhjeve dhe për marrjen e vendimeve.

Theo Jacobs, makthi më i madh i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri, është investuar për të hetuar procedurën e lejes prindërore të Gjin Gjonit, në kuadër të procesit të Vetingut të gjyqtarit Ridvan Hado, ish-anëtar i KLD. Hado është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Vetingut. Ndërkaq, rezultatet e hetimit nga Theo Jacobs për shkeljet e KLD, përfshirë edhe të ish-anëtarit Hado, për lejen prindërore të Gjin Gjonit, i janë referuar Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë nga Komisioni i Vetingut për inspektim. ILD-ja me në krye Artur Metanin do të vendosë nëse ndaj Hados do të nisë apo jo procedim disiplinor, për shkak se ka votuar pro dhënies së lejet prindërore Gjin Gjonit, vendim i cili shkarkoi reagime të nivelit ndërkombëtar.

Gjetjet nga hetimi i Theo Jacobs për lejen prindërore të Gjin Gjonit

1. Leja prindërore mund të jepej vetëm pas datës 1.1.2019, pasi zbatimi i ligjit nr. 96/2016 për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, neni 24, ka qenë i ‘ngrirë’ në kohën kur KLD ka miratuar lejen, konkretisht në datën 11.10.2018.

2. KLD nuk mund të mblidhej për t’u dhënë magjistratëve përfitimet e parashikuara në nenin 24 të ligjit nr. 96/2016, pasi përfitimet do të hynin në fuqi pas datës 1 janar 2019.

3. Nuk është i qartë justifikimi i urgjencës së thirrjes së mbledhjes së KLD-së brenda 24 orëve për të shqyrtuar dhe miratuar kërkesën e Gjin Gjonit për leje prindërore dyvjeçare.

4. Kërkesa e Gjin Gjonit nuk ishte përfshirë në rendin fillestar të mbledhjes së KLD-SË SË DATËS 11.10.2018, por u shtua më vonë në shkelje flagrante të ligjit.

5. Për të shtuar një çështje jashtë rendit të ditës duhet të votojnë 2/3 anëtarëve. Nuk ka procesverbal dhe asnjë shkresë që të KLD të ketë votuar për të futur në rendin e ditës kërkesën e Gjin Gjonit.

6. Ligji parashikon që leja e veçantë në këtë rast miratohet nga kryetari i gjykatës dhe më pas Këshilli voton pasi të jetë marrë mendimi i gjykatës, procedurë e cila nuk është ndjekur në këtë rast.

7. Nuk ka asnjë provë të besueshme që gjyqtari të ketë marrë më parë mendimin e kryetarit të gjykatës para se ta parashtronte kërkesën e tij në KLD. Edhe KLD nuk e ka kërkuar një gjë të tillë.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.