Thaçi flet për herë të parë pas akuzave

0

Për herë të parë pas akuzave për krime lufte nga Gjykata e Hagës, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është drejtuar popullit me një vidoemesazh. Kreu i Shtetit të Kosovës, pranoi se mund të ketë bërë gabim, por kurrë krime lufte.

Sipas tij, drejtësia ndërkombëtare është duke vepruar me dy standarde ndaj Serbisë dhe Kosovës.

Kreu i Shtetit të Kosovës tha se mesazhi i sotëm nuk është një mesazh lamtumire, pasi u shpreh i bindur se ndaj tij nuk ka asnjë provë për krime lufte. Ai i kërkoi ndjesë të gjithë qytetarëve që i kanë besuar votën dhe kanë pritur më shumë prej tij.

“Nuk kishim asgjë përveç ëndrrës së madhe për liri dhe shtet. Bashkë ëndrrën e bëmë realitet, por kalimi nga shtigjet e luftës çlirimtare në korridoret e institucioneve nuk ishte e lehtë. Më shumë kisha droje nga këto kooridore sesa nga shtigjet e luftës. Në luftë flija pak, por gjumi më ripërtërinte. Pas luftës flija pak por ndihesha i sfilitur nga dilema si të bëja më mirë punën e ditës së re. Bëra sa munda, por jo aq sa doja. Ky nuk është as mesazh lamtumire dhe as një moment bilanci pune. Dua t’ju them se kam mbajtur shumë akuza dhe shumë ofendime gjatë tërë këtyre viteve. Një gjë është e sigurt, nuk ka pasur dhe nuk do ketë qoftë edhe një provë të vetme të Hashim Thaçit për shkelje të ndonjë ligji. Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviçit siç e kemi shkelur i gjithë populli i Kosovës për ta shporur njëherë e përgjithmonë nga vendi ynë. Unë nuk jam i rënë nga qielli. Fati ma përcaktoi vijën e jetës dhe të sjelljes time. Politika ishte mision i shenjtë për ti shërbyer vendit. Nuk gjendet as në Kosovë dhe askund dikush që ti kemi borxh. Por kujdo që ma ka dhënë edhe njëherë votën gjatë kësaj pjesë të karrierës time politik sot i them “më fal nëse nuk kam bërë gjithë ato që ke pritur prej meje, por të jesh i bindur që besimin tënd nuk e kam shpërdoruar”. Unë përulem para besimit tuaj”, tha Thaçi.

Kreu i Shtetit të Kosovës, pranoi se mund të ketë bërë gabim, por kurrë krime lufte.

“U drejtohem sonte nga kjo zyrë ku prej 1542 ditësh kam nderin e jashtëzakonshëm të  ushtrimit të detyrës së lartë të Presidentit të shtetit tonë, Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike! Zemra ime është e lënduar, por jo e thyer. Mendja ime është e rënduar, por jo e turbulluar. Gjaku im është i nxehur, por i pastër dhe i njëjtësuar me gjakun e bashkëluftëtarëve që humba në luftë. Është i njëjtë me gjakun e atyre që më kanë dashur e më kanë mbështetur pa kursim në këtë rrugëtim për liri dhe shtetndërtim. E në këto çaste edhe me gjakun e atyre që më kanë kundërshtuar, më kanë paragjykuar apo gjykuar ndryshe nga çfarë unë do të dëshiroja. Ndjehem sot, si asnjëherë më parë, krejt i çliruar prej brengave dhe peshës së ballafaqimeve politike. Këto brenga nganjëherë kanë marrë përmasa më të mëdha se sa që e kanë merituar. Kanë mjegulluar në sytë tuaj faktin e thjeshtë se jemi të gjithë bij e bija të kësaj toke dhe të gjithë e duam më të mirën për atdheun tonë, Kosovën. Por, politika i ka edhe këto. Është krejt e natyrshme që në këtë moment jo të lehtë për mua, më janë kujtuar ata që kanë dhënë jetën për liri. Të tjerë që i kam njohur gjatë rrugës time të gjatë, nga koha kur isha një djalë idealist që doja të ndryshoja botën, e deri tek e sotmja me thinja të bardha. Kam kujtuar momente historike e momente krejt personale. Kam menduar për prindërit e mi, gjyshërit, familjen dhe djalin tim, Endritin. Ai që sot është bërë burrë e mund ta shoh në sy pa mu dridhur qerpiku lidhur me gjoja nisjen e një procesi për krime lufte! E kam kuptuar shumë herët se ne, luftëtarët e UÇK-së, do të paguanim një çmim të madhe njerëzor, familjar e politik. Ky është çmimi për lirinë e Kosovës. Është e drejtë që duhet të zbardhet çdo pretendim e çdo akuzë për krime lufte, prej kujtdo dhe kudo që ka ndodh. Bashkëluftëtarët e mi, me disa prej të cilëve paqja na ka ndarë shpesh në taborë të ndryshëm politikë, i kanë sfiduar me forcën e madhe të së vërtetës shumë fabrikime të ulëta dhe në fund pafajësia e tyre ka shkëlqyer mbi plehun e akuzave monstruoze. Njëjtë do të jetë edhe me mua dhe me vëllain tim nga gjaku i luftës, Kadri Veseli”, u shpreh Thaçi.

Për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi drejtësia ndërkombëtare është me dy standarte, ku sipas tij Serbia është e “përkedhelura” e tyre. Sipas tij, nuk thuhet asnjë fjalë për krimet e luftës nga ana e sërbëve, e ndërsa për Kosovën prej 21 vitesh vijojnë hetimet.

“Mbi 2 dekada i kam mbështetur iniciativat për ngritje gjykata. Ky parim mbetet i njëjta edhe sot ku jam unë që Hashim Thaç do të përballet me një gjykatë që kam dhënë mbështetjen politike. Atëherë kishim përballë vetëm 2 rrugë, ecjes përpara në aleancë me SHBA dhe BE dhe e dyta që kjo çështje t’i lihet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku kanë ndikim vendet që janë kundër pavarësisë së Kosovës. Vendimi im ishte strategjik në përputhje me vizionin për Kosovë dhe jo për përfitime ditore e politike. Kush thotë se jam bërë pengesë ë sabotues i gjykatës është i keqinformuar dhe tendencioz, Dikush duhet të bëjë bilancin e hetimeve për krimet e luftës në Kosovë, do isha i lumtur nëse drejtësia ndërkombëtare do të aplikonte standarde të barabarta mes Kosovës dhe Serbisë për krimet e luftës, fatkeqësisht jo vetëm që nuk e shoh këtë, por shoh të kundërtën, Sot Serbia ecën në rrugën e negocimeve në BE, ne nuk kemi të drejtën për lëvizjen e lirë. Nuk shoh komplot kundër Kosovës, por është fakt diferenca mes Kosovës dhe Serbisë. Padyshim edhe ne kemi gabimet, unë i pari dhe krejt udhëheqësit në Ksovë që nuk kemi arritur të ruajnë kohezionin politik, por kjo nuk e justifikon që në 21 Kosova ballafaqohet me krimet e luftës ndryshe në Serbi. Këtë heshtje të Serbisë e bën më të rëndë heshtja e ndërkombëtarëve, jam angazhuar për paqe me Serbinë, por nuk pranojë që për eshtrat e vrara nga serbët të mos kenë heshtja, mos duhet që të kërkojmë falje për të zhdukurit tanë”, tha Thaçi. 

Hashim Thaçi e ka cilësuar si një bombë në rrugën e paqes me Serbinë, publikimin  e kësaj aktakuze shumë pak përpara se të nisej për në Shtëpinë e Bardhë, teksa tha se nëse aktakuza konfirmohet, do të jap menjëherë dorëheqjen si President.

“Kosova po hyn në një kapitull të ri dhe aspak të lehtë. Por kjo nuk është asgjë e re, pasi historia jonë ka pasur shumë periudha të vështira.Ky është një kapitull i ri edhe për mua dhe në këto momente ende nuk e di se sa i vështirë do të jetë.

Por, unë jam gati ta shkruaj këtë kapitull me të vërtetën time përballë kujtdo qoftë. Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që – në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar. A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës?

Rrugën ma prenë. Por, nuk ma cenojnë besimin në vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtëpia e Bardhë për mua dhe për qytetarët e Kosovës. Në praktikën e drejtësisë në botën e qytetëruar, lajmërimi publik i një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh. Asnjë krim i supozuar apo edhe i kryer nga kushdo, nuk e justifikon linçimin publik.

Asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës, pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë. Cilës drejtësi i intereson kjo ngutje e rrufeshme dhe kjo shkelje flagrante e rregullave të një procesi të drejtë e të pavarur gjyqësor? Kjo pyetje do të duhet shtjelluar në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.

Ndërsa përgjigja e shkurtër për këtë pyetje është se: Ajo komunikatë hodhi në erë dhe pamundësoi takimin shumë të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë goditje të fortë mundësisë së arritjes së paqes Kosovë-Serbi. Prandaj apeli me të cilin dua ta mbyll ketë mesazh sonte është: Kosova duhet të sigurojë funksionimin stabil të institucioneve shtetërore, në çdo rrethanë. Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat.

Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë. Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam. Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Një shtet evropian e një shoqëri multi-etnike. I them edhe një herë JO hakmarrjes dhe PO tolerancës ndëretnike. Vetëm duke ndërtuar demokracinë qytetare ndërtojmë të ardhme euroatlantike”, tha Thaçi.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.