Thaçi, është jetike për Kosovën që në tavolinën e bisedimeve të jenë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës

0

Presidenti Hashim Thaçi në konferencën për media pas takimit me kryeministrin Hoti ka thënë se pa prezencën e SHBA-së në dialog nuk do të ndodhë njohja reciproke.

Thaçi ka thënë se është jetike për Kosovën që në tavolinën e bisedimeve të jenë të pranishëm edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“E ritheksoj, jam i bindur se pavarësisht se ku ndodh dialogu në këtë apo atë qytet, aty ku nuk janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës jam skeptik që mund të ndodhë njohja reciproke apo e di saktësisht që nuk ndodh, prandaj jetike për ne është që në tavolinë dhe në procesin e dialogut të jetë ShBA-ja”, ka thënë Thaçi.

Tutje Thaçi ka thënë se është e rëndësishme që dialogu të ndodhë.

“Është me interes që të ndodhë ky dialog sepse vetëm me takime dhe fqinjësi të mirë Kosova mund të lëvizë drejt BE-së, në të njëjtën kohë ta ruajmë identitetin tonë shtetëror”, u shpreh Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me kryeministrin, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova me Serbinë ka vetëm probleme politike dhe se vetëm pas njohjes reciproke mund të hapen për diskutim çështjet tjera të cilat mund të jenë teknike

Në fjalën e tij para gazetarëve Thaçi ka bërë thirrje për gjithëpërfshirje derisa ka shtuar se një njeri i vetëm nuk mund ta përmbyllë procesin e dialogut me Serbinë.

Teksa ka komentuar deklarimet e AAK-së dhe Nismës rreth emërimit të Skënder Hyseni koordinator, Thaçi ka thënë se ata mbajnë përgjegjësinë për deklarimet e tyre, derisa ka kërkuar unitet sa më të madh të faktorit politik në vend.

“Sa u përket opinioneve të partive politike partnere në koalicion, natyrisht që është në përgjegjësinë e tyre, edhe deklarimet edhe veprimet. Unë veç ftoj që të ketë edhe më tepër unitet dhe të jemi edhe më të bashkuar. Të zgjerohet kjo punë edhe me akterë të tjerë jashtë partnerëve të koalicionit, të kemi një përfshirje sa më të gjerë të spektrit politik parlamentar në mënyrë që të japin kontribut të gjithë. Askush vetëm s’mund ta çojë përpara procesin i vetëm. Vetëm të bashkuar kemi pasur sukses, në Ramubje, Vjenë e Bruksel”, ka thënë Thaçi.

“Në këtë drejtim shoh edhe angazhimin e kryeministrit që të kontaktojë me të gjithë”, ka shtuar kreu i shtetit.

Thaçi tutje ka folur edhe për emërimin e Skënder Hysenit, duke përmendur përvojën e gjatë që ka në angazhimin diplomatik.

“Sa i përket emërimit të z. Hyseni, e them atë që e kam thënë ditën kur është emëruar. Z. Hyseni ka përvojën prej 3 dekadash. Ka qenë një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të presidentit Rugova. Ka përvojë edhe të rezistencës paqësore e të angazhimit diplomatik që nga viti 1989/90.

E gjithë kjo përvojë është ndihmuese për spektrin politik. Por e theksoj që askush s’mund ta çojë përpara procesin dhe ta finalizojnë me njohje reciproke pra jo me çështje teknike. Me Serbinë kemi vetëm çështje politike dhe jo teknike. Pas njohjes reciproke pastaj hapen muhabete dhe tema të tjera si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, ka thënë Thaçi.

Presidenti ka thënë se për përmbylljen e procesit me Serbinë është e nevojshme që të ketë unitet dhe të sigurohen 2/3 në Kuvend dhe gjithashtu bashkëpunim i ngushtë me SHBA-në dhe BE-në.   

“Janë dy çështje që të arrihet të përmbyllja e procesit: Uniteti i brendshëm kosovar, pastaj dhe në parlament që duhet t’i kemi 2/3, dhe e dyta bashkëpunimi i ngushtë me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka përfunduar presidenti. 

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.