TË HUMBËSH GJUHËN E NËNËS

0

FËMIJËT SHQIPTARË NËN NOFULLAT E ASIMILIMIT

Sprovë

E shtruar 12 vjet të shkuara…
E nxjerrë nga arkivi i gazetarit me pyetjet e ditës:
Çfarë ka ndodhë gjatë këtyre 12 vjetëve të qeverisjeve të djathta e të majta për shkollimin shqip të fëmijëve në emigracion?
A ka ndonjë ligj kuvendar për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë?

E kisha vënë mënjanë “penën” e debatit “nga poshtë” lidhur me mësimin plotësues të gjuhës shqipe në emigracion. Një intervistë e ambasadorit Minarolli në një gazetë shqipshkruese më vuri në mëdyshjen hamletiane “ta kap apo mos ta kap” ( “Të jesh apo të mos jesh” ). Mendova që kësaj radhe ta kapin “penën” ata, “trojka” që një mbrëmje u takua dhe bisedoi me z. Minarolli (lexo shtetin shqiptar) drejtpërdrejt për problemet që lidhen me mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Greqi, problem që për mendimin tim është më madhori dhe më i ngutshmi.

Prita që të ketë qoftë edhe një komunikatë të shkurtër për shtyp por, me sa duket, “abetaret dhuratë” e kishin bërë edhe këtë herë të vetën.

Thashë se e kisha lënë mënjanë “penën” dhe ndoshta nuk do ta kisha kapur sikur një kronikë nga Tirana nuk do të ma tundte fort kokën dhe të mi përziente mendimet. Fjala është për kronikën “Leksion grek për gjuhën shqipe” të gazetarit Artan Kristo (EMIGRANTI – 8 nëntor 2008)

Në Tiranë javën e kaluar qenka zhvilluar ceremonia e hapjes së kurseve të gjuhës greke nga Fondacioni i Kulturës Greke në Tiranë, kurs në të cilin prisnin të fillonin mësimin 200 vetë.

“Kishte të rinj, të reja, intelektualë, njerëz të profesioneve të ndryshme, thekson autori për të vazhduar: “Na bënë përshtypje shumë gjëra atë mbrëmje: Fakti që kurset, librat e mësimit dhe transporti për në kurs ishin falas për të gjithë, që mësuesi për grupe kursantësh të vinte në qendrën e punës kudo ku të ishte ajo, ceremonia perfekte, fjalimi shumë interesant i një studiuesi të shquar të gjuhës greke, ambientet e shkëlqyera të mësimit, organizimi i përsosur me makina që i morën dhe i çuan në shtëpi të gjithë pjesëmarrësit etj. Por, më shumë na bënë përshtypje fjalët e një gruaje shqiptare në të dalë “Shikoni ç’bën shteti grek për të mësuar gjuhën e kombit të tij. Këtë duhet ta bënte edhe shteti ynë për shqiptarët në Greqi që po harrojnë shqipen. Po kush ta bëjë? Pushtetarët tanë e kanë mendjen vetëm për të vjedhë…”

Unë, fjalët e asaj gruaje (dhe të burrave e fëmijëve shqiptarë në Greqi) i kam dëgjuar dhe i dëgjoj çdo ditë, jo vetëm në Athinë por në tërë hapësirën greke ku kam qenë. Ajo që mua më bën përshtypje nga ata që shkruan autori është lajmi se në Tiranë ka një “Fondacion të Kulturës Greke”, fondacion i cili ka derdhur para për të krijuar atë mjedis me të vërtetë të jashtëzakonshëm dhe unikal për “mendjet tona”.

Autori, më poshtë nuk mungon të nxjerrë në pah atë që emigrantët në Greqi e kanë thënë në “solo” dhe në “kor” …shteti ynë nuk ka bërë pothuajse asgjë për mësimin e gjuhës shqipe në emigracion, ose për të qenë më saktë, ka dërguar vetëm ca abetare falas në Ambasadën Shqiptare në Greqi…

Nuk do të vazhdoj më tej me kronikën, atë secili mund ta gjejë dhe ta lexojë në rreshta e midis rreshtash në numrin 44 ( 262 ) të gazetës EMIGRANTI. Gjetkë do ta ve “penën” time të shkruaj…

A ËSHTË “TË MËSUARIT SHQIP” PROBLEM POLITIK?

Në vijim, ndonëse herë pas here do të citoj fjalët e z. Minarolli, i lutem lexuesit që ato t’i marrë jo në adresë të një personi, qoftë ky edhe ambasador, por në adresë të shtetit zërin e të cilit përcjell.

“Nga sa kam lexuar, thotë z. Minarolli, jo pak herë tentohet që problemi të trajtohet politikisht dhe pastaj sigurisht përgjegjësia të kalojë në atë që momentalisht qeveris vendin. Po të ishte thjesht kështu, ky shqetësim ka lindur që në hapat e para të emigracionit dhe duhet të kishte qenë shqetësues për çdo qeverisje…”

Që ky problem ka lindur që në hapat e para të emigracionit z. Minarolli ka të drejtë. Që gjatë gjithë këtyre 17 – 18 vjetëve emigracion qeverisja e Shqipërisë ka kaluar në fillim djathtas, më pas majtas e së fundi djathtas, dhe që nuk është bërë asgjë me përjashtim të shpërndarjes falas të abetareve (dy vitet e fundit) kjo nuk mund të mos jetë politike. As e majta dhe as e djathta shqiptare kur janë ngjitur në karrigen e drejtimit të shtetit nuk kanë pasur një vizion të qartë politik dhe patriotik për atë që ka të bëjë me mbajtjen gjallë tek brezi i ri në emigracion të gjuhës shqipe.

Më poshtë Ai thekson “Nuk dua të mohoj faktin se duhet të ishte bërë më shumë, por të kërkosh ta trajtosh zgjidhjen e këtij problemi duke bërë përgjegjës vetëm politikën, do të thotë për mendimin tim, të mos kërkosh ta zgjidhësh problemin…Në radhën e faktorëve që e kanë penguar vënien në rrugën e zgjidhjes të këtij problemi, faktori politik duhej të zinte vendin e fundit”.

Por ku e kërkon “vendin e parë” shteti ynë për vënien në rrugën e zgjidhjes së këtij problemi ?

KA APO NUK KA MARRËVESHJE ?

“Ka një marrëveshje midis ministrive të arsimit të dy vendeve që shtetet reciproke ndihmojnë në mësimin e gjuhës amtare të fëmijëve të tyre. Paralelizmi këtu nuk shtrohet për të drejtat e një popullsie minoritare. Ne kemi fëmijë të familjeve emigrantë ekonomikë, që kanë ardhur në Greqi përkohësisht, dhe në bazë të marrëveshjes, shteti grek vë në dispozicion ambiente shkollore, jashtë orarit të mësimit, për mësimin e organizuar të gjuhës amtare. Dhe në këtë drejtim, sa jam në dijeni, nuk kemi pasur asnjë pengesë. Që do të thotë, kur përfaqësuesit e komunitetit shqiptar kanë kërkuar pranë drejtorive të shkollave, apo administratës lokale, Bashkive, të kenë ambiente për mësimin e gjuhës amtare, ambientet u janë vënë në dispozicion, sigurisht falas…”

Por a ka me të vërtetë një marrëveshje të tillë, me këtë formë dhe përmbajtje që na jep z. Minarolli?

Unë në dokumentim të një studimi dhjetëvjeçar për hapat e bëra nga mësues të pasionuar dhe të përkushtuar në shkallën më të lartë për mësimin plotësues të gjuhës shqipe ( të cilët i kam cilësuar “Rilindës të kohës sonë”) i kam kërkuar zyrtarisht dhe gojarisht jo vetëm z. Minarolli por edhe Ministrisë së Arsimit dhe Institutit të Diasporës (ia kërkova edhe z. Shamata në seminarin e Strugës) marrëveshjet e lidhura, por me përjashtim të marrëveshjes së 4 nëntorit të vitit 1998 midis ministrit Ruka dhe Arseni, dy marrëveshjet “Pollo – Janaku” dhe “Pollo – Evripidhi” nuk ekzistojnë as në ambasadën tonë, as në Ministrinë e Arsimit, as në Institutin e Diasporës. Në qoftë se ato janë futur në “arkiva sekrete” dhe nuk janë të lira për publikim kjo është tjetër gjë.

Përfaqësuesi i shtetit tonë në Greqi thotë se: “Ka një marrëveshje midis ministrive të arsimit të dy vendeve që shtetet reciproke ndihmojnë në mësimin e gjuhës amtare të fëmijëve të tyre.” Me që ai përdor numrin njëjës “një marrëveshje”, unë po i përcjell lexuesit atë pjesë të marrëveshjes që e kam marrë të fotokopjuar prej tij për të gjykuar se sa , “shteti grek vë në dispozicion ambiente shkollore, jashtë orarit të mësimit, për mësimin e organizuar të gjuhës amtare”.

M A R R Ë V E S H J E

          MIDIS QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË GREQISË PËR BASHKËPUNIMIN NË FUSHAT E ARSIMIT, SHKENCËS DHE KULTURËS.

………………………………………………………………..       

N E N I  1

Palët kontraktuese do të marrin masat e nevojshme për të zhvilluar bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të shkencës.

Për këtë Palët Kontraktuese:

  1. Do të nxisin dhe forcojnë bashkëpunimin direkt nëpërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe organizatave shkencore dhe kërkimore të dy vendeve.
  2. Do të shkëmbejnë anëtarë të stafit të mësimdhënies të universiteteve dhe instituteve teknologjike, si dhe studentë, shkencëtarë, ekspertë dhe kërkues.
  3. Do të japin të drejta studimi për studimet universitare dhe pasuniversitare dhe studime kërkimore brenda qëllimeve të tyre.

Palët Kontraktuese do të nxisin dhe ngrenë në një nivel më të lartë studimet e gjuhës greke në Universitetin e Tiranës dhe Universitetin e Gjirokastrës dhe të gjuhës shqipe në Universitetin e Janinës.

Ato do të shqyrtojnë mundësinë që Universiteti i Athinës të ofrojë studime të gjuhës shqipe.

  • Do të shkëmbejnë mësues dhe ekspertë nga arsimi tetëvjeçar dhe i mesëm veçanërisht në fushën e gjuhës, historisë dhe civilizimit të të dy vendeve. Pala greke do të ndihmojë palën shqiptare për zhvillimin e arsimit teknik dhe profesional dhe trajnimin si në nivelin e arsimit të mesëm ashtu edhe në nivelin e lartë jo-universitar.
  • Do të zhvillojnë aktivitete të përbashkëta shkollore, binjakëzim të shkollave dhe shkëmbim të nxënësve.
  • Do të krijojnë kondita të nevojshme për mësimin e gjuhës amtare dhe qytetërimit të njerëzve që i përkasin minoritetit grek.

Pala greke do të shqyrtojë mundësinë e mësimit të gjuhës amtare nga fëmijët shqiptarë që ndodhen në Greqi me prindërit e tyre për arsye ekonomike.

Pala shqiptare do të shqyrtojë mundësinë e përfshirjes së gjuhës greke ndër gjuhët e tjera të huaja fakultative në shkollat e mesme.

………………………………………….

     N E N I  10

Për vënien në zbatim të kësaj Marrëveshje, Palët Kontraktuese do të krijojnë një komitet të përbashkët që do të mblidhet alternativisht  në Tiranë dhe Athinë.

Komiteti do të shqyrtojë çështjet lidhur me zbatimin e kësaj Marrëveshje. Ai do të përpunojë detajet e Programeve të Bashkëpunimit si dhe kushtet financiare.

………………………………..

Bërë në Tiranë më 4 Nëntor 1988 në dy kopje origjinale në gjuhët shqipe, greke dhe angleze, duke qenë të gjitha tekstet të barasvlershëm. Në rast mosmarrëveshje të interpretimit do të vlejë teksti në gjuhën angleze.

……………………………

Më e gjerë kjo marrëveshje është botuar në librin “Rilindësit e kohës sonë” f. 40 – 42, mbi bazën e fotokopjimit të saj nga arkivi i ambasadës.

…Në qoftë se me të vërtetë ka një marrëveshje mbi bazën e asaj që deklaron ambasadori ynë në intervistë ( dhe zëvendësministri Shamata në intervistën që i mora në Strugë më 23 korrik 2008 ) atëherë ajo, në formë të një qarkoreje, duhet të jetë në çdo drejtori shkolle në të gjithë Greqinë.

Me këtë rast do ta ftoja z. Minarolli ose ndonjë të ngarkuar të tij që në shoqëri të “strukturës pedagogjike që orienton dhe organizon profesionalisht këtë punë” dhe të gazetarëve të shtypit të shkruar dhe atij viziv në Greqi, të shkojmë në shkollën më të afërt në Athinë ( jo në Hania të Kretës) dhe të kërkojmë një klasë për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në ditët e shtuna apo të diela. Nga ana tjetër në qoftë se ka me të vërtetë ndonjë marrëveshje Pollo-Janaku dhe Pollo-Evripidhi, në qoftë se ato më në fund i ka gjetur dhe i ka në arkivin e ambasadës z. Minarolli le të kërkojë “lart” që ato tu vihen gazetarëve në dispozicion për të pas të drejtën që të mos dyshojnë se deklaratat publike që janë bërë asokohe në Athinë (në prani të Berishës) dhe në Tiranë janë vetëm “deklarata pas filxhanit të kafes”.

SHKOLLA PRIVATE? NUK KAM NDONJË DIJENI…

“Përsa i përket shkollave në gjuhë të ndryshme, siç janë reciproket (!) në Tiranë, Korçë, apo Himarë, ato janë shkolla private, por përsa i përket shkollave shqipe në Greqi, deri tani unë nuk kam dijeni për ndonjë kërkesë për të hapur shkollë private në gjuhën tonë, siç ka shkolla private amerikane, italiane, franceze apo arabe…”  deklaron z. Minarolli

Që ka një shkollë private në Greqi kjo tashmë është publikisht e njohur, madje ambasadori Minarolli jo vetëm që ka qenë në atë shkollë më se njëherë, është ulur në një nga bankat e saj, por edhe ka prerë “tortën” e dy-vjetorit të saj. Fjala është për Shkollën Shqiptare të Athinës ose shkollën BestXpert, siç quhet tani, të biznesmenit Lorenc Koka.

Vitin e ri shkollor BestXpert e ka filluar në një mjedis brilant ndërtimor e funksional në Psaron 15, kati i tretë, vetëm pak metra larg sheshit “Viktoria”. Në këtë shkollë këtë vit nuk do të ketë më vetëm një klasë por dy klasa të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, dhe nuk do të jenë fëmijë të prindërve që “mësojnë kompjuter” siç thotë ai. Nxënësit shqiptarë këtu mësojnë të shkruajnë dhe lexojnë shqip falas çka duhet ta bëjë të tund fort kokën shtetin tonë nëpërmjet përfaqësuesit të saj për ta ndihmuar atë.

Po sa dhe si ndihmohet kjo shkollë private dhe a ka me të vërtetë shkolla private të “kulluara”?

Një shkollë mund të jetë private vetëm në aspektin e brendshëm organizativ, të lokalit e të bazës materiale, të marrëdhënieve financiare shkollë – nxënës dhe shkollë – mësues. Një shkollë, që të jetë me të vërtetë shkollë, të ketë të drejtën të lëshojë dëftesa apo diploma shkollore duhet të jetë e ndërtuar mbi bazën e një programi, program i cili për rastin e shkollimit në gjuhën amtare duhet të jetë unik, i hartuar nga shteti, i mbështetur me libra e mjete mësimore nga shteti, i certifikuar me libër amze, dokumente shkollore, vula dhe të tjera. Një shkollë private pa këto, pa një shtyllë mbështetëse nga vendi amë nuk mund të jetë veçse si ajo hardhia që i heqin shtyllat mbajtëse dhe e shtrirë për tokë që i kalben bistakët që në momentin e lulëzimit.

PREMTIMI PËR PROGRAME DHE LIBRA SHKOLLORË…

Zoti Minarolli na thotë se “…në Kardhica aplikojnë programe të veçanta për fëmijët e emigrantëve shqiptarë.” Nuk do ta vija në dyshim deklarimin e tij sikur përvoja e Kardhicës, “programet e veçanta” të saj të ishin bërë (apo të bëhen) publike në mënyrë që atë që bën ajo ta bëjnë edhe të tjerët. E them këtë për faktin se asnjë kurs i mësimit plotësues të gjuhës shqipe (përfshirë edhe shkollën private BestXpert) nuk ecën mbi bazën e një programi të përbashkët. Për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Greqi nuk ka asnjë program, asnjë tekst në përshtatje me të dhe asnjë përçapje për t’i vënë kokë këtij problemi. Ka vetëm deklarata politike në prag zgjedhjesh apo në tubime mbarëshqiptare.

Le t’i citojmë disa prej tyre:

*        *        *

Genc Pollo, ministër i MASH – seminari kombëtar për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, Durrës, 23 korrik 2007.

“Ne sot kërkojmë që fëmijët që rriten në vendet e Evropës dhe të Amerikës së Veriut, të flasin shumë mirë anglishten, italishten, gjermanishten, të dalin shumë mirë në matematikë, fizikë, muzikë dhe prej tyre të dalin talente, të parët e klasës. Por ajo që ne dëshirojmë është që në orët e pasdites, brenda mundësive të çdo familje apo të çdo komuniteti, t’u ofrohet shansi, mundësia dhe shërbimi për të ruajtur elementët bazë të mësimit të gjuhës shqipe, të kulturës, të historisë të trojeve amtare dhe të folklorit të tyre.

…Si ministri ne kemi qenë aktive. Çdo komunitet që na ka kërkuar tekste në gjuhën amtare, (abetare dhe tekste të tjera) i kemi blerë dhe ua kemi dërguar, për të furnizuar ato shkolla që kanë qenë  produkt i iniciativës së komuniteteve shqiptare, por edhe i dashamirësisë së autoriteteve kombëtare dhe lokale të vendeve ku ata jetojnë.

Por ky është një hap i parë dhe ndoshta jo i mjaftueshëm. Ne kemi dashur të japim një sinjal që jemi gati edhe me shpenzime buxhetore, dhe me nismat tona të mbështetura dhe të vazhdueshme, t’u ofrojmë ndihmë si shtet amë. Kemi përgatitur edhe paketa mësimore të gjuhës shqipe, të cilat tani janë të shikueshme në disa televizione dhe në mënyrë moderne i ndihmojnë fëmijët të absorbojnë atë gjuhë të cilët e dëgjojnë në familje…

*        *        *

Halit Shamata, zëvendësministër i MASH, seminari kombëtar për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, Strugë, 23 korrik 2008.

Është për të ardhur mirë por edhe për t’u inkurajuar që trajnimet e kësaj natyre të mësuesve shqiptarë, të cilat tashmë kanë marrë karaktere periodik, po shoqërohen me përgatitjen e materialeve edukative si planë-programe, libra, metoda për mësimin e gjuhës shqipe.

MASH e Republikës së Shqipërisë, së bashku me MASHT e republikës së Kosovës, si dy institucione organizatore, të këtij seminari, do të mendojnë për të marrë përgjegjësi të reja për mësimin plotësues të Gjuhës shqipe në hapësirën shqiptare të diasporës dhe komuniteteve më të reja shqiptare.

*        *        *

Flamur Gashi, drejtor i Institutit të Diasporës: Athinë, Vatra Shqiptare, 31 mars 2008

“Ne deri në fund të korrik – gushtit të këtij viti duhet të plotësojmë plan – programet mësimore për mësimin plotësues të gjuhës shqipe jashtë Shqipërisë… Është duke u punuar për kurikulat për këto plan – programe, për librat midis të cilëve do të jetë abetarja, libri i leximit, gjeografia, historia etj. për mësimin plotësues të gjuhës shqipe…Përveç kësaj janë duke u përgatitur në Ministrinë e Arsimit, sa kemi informacione, dhe me porosi të Kryeministrit do të jenë të përfunduara deri në fund të periudhës së korrik – gushtit të gjitha materialet… për të ditur se cilët do të jenë mësuesit që plotësojnë kriteret për të dhënë mësim në këto shkolla plotësuese…

*        *        *

Flamur Gashi, Athinë, tetor 2008:

Me firmosje e marrëveshjes së stabilizim – asocimit, në vitin 2009 – 2010 do të fillojë mësimi i gjuhës shqipe në objektet publike, në shkollat vendase (!)

*       *       *

Gjykoj se nuk ka nevojë për asnjë koment. Në strukturën aktuale qeverisëse përgjegjësia e shtetit shqiptar për shkollën shqipe dhe shkollimin shqip të fëmijëve emigrantë është (në qoftë se nuk do të marrim parasysh “abetaret dhuratë” ) në kufijtë e përqindjes “zero”, me ndonjë shifër pas presjes dhjetore.

Në Athinë ka një shkollë private që u flet nxënësve të saj shqip. Jam i sigurt se në të ardhmen do të ketë edhe shkolla të tjera private por në qoftë se këto shkolla nuk do të kenë një program unik mësimi të gjuhës shqipe, në qoftë se nuk do të kenë tekste mësimore në përshtatje me programet, ata do të degjenerojnë dhe shuhen.

PROGRAMET? KOSOVA I KA, PSE MOS T’I KEMI EDHE NE?

Ka një përvojë të vyer në mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, përvoja e Kosovës, tashmë shtet i pavarur. Ka edhe një përvojë mbarë evropiane të shkollimit shqip të fëmijëve nga klasa e parë në të dhjetën. Nuk mund të them se ajo është e panjohur për faktin se ajo është bërë e pranishme me shkrim dhe me gojë në katër seminare, dy në Kosovë, një në Durrës dhe një në Strugë.

Në Strugë mësuesve të pranishëm (nga Greqia, Italia e gjetkë) iu dha në dorë programi prej 74 faqesh për të gjithë ciklin e mësimit dhjetëvjeçar të gjuhës shqipe në diasporë. Në internet me një kërkim jo profesional është e lehtë të gjesh një “Udhëzim administrativ për shkollat e mësimit plotësues në gjuhën amtare në diasporë”, udhëzim i 4 marsit 2005 firmosur nga Agim Veliu ministër i MASHT të Kosovës ( shih “ Rilindësit e kohës sonë” f. 357- 365).

Në internet mund të njihesh edhe me përvojën suedeze për “Mbështetjen, mësimdhënien dhe ndihmën orientuese” për mësimin e gjuhës amtare (po aty f. 366 – 370), ashtu siç mund të gjesh edhe shumë materiale të tjera të kësaj hapësire në Zvicër, Austri, Gjermani, Finlandë etj.(shih kapitullin “Mësuesit shqiptarë në Evropë”, po aty, f. 161 – 197)

Kosova ka në ministrinë e saj të arsimit një person që ndjek në detaje tërë zhvillimin e mësimit plotësues në hapësirën evropiane.

Shkurt mund të themi se rrugën shteti ynë (i majtë apo i djathtë kurdo që të vijë rotacioni) e ka të çelur nga shteti më i ri i botës. Mjafton të ecë në atë rrugë, ta zgjerojë e asfaltojë bashkë me ta dhe problemet nuk kanë pse të mos marrin për mbarë.

KUR NGELESH NË “ABETARE”…

Më poshtë z. Minarolli thekson jo pa mburrje:

“Ambasada ka bërë shpërndarjen e librave, që janë mundësuar prej vjetësh falas nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës…”

Më tej vazhdon:

“I kam bërë një kërkesë zyrtare shoqatës së shtëpive botuese në Shqipëri, që ashtu siç i pajisin falas me libra shkollorë, të mund t’i pajisin edhe me libra jashtëshkollorë. Zoti Fatmir Toçi na është përgjigjur pozitivisht dhe tashmë librat që na dërgoi, janë në duart e fëmijëve”.

Nga këto dy paragrafë dhurues falas me libra shkollorë na dalin në fillim Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe më pas “Shoqata e Shtëpive Botuese” dhe Fatmir Toçi ! Cilin të besojmë?

Që ambasada jonë ka shpërndarë falas Abetare kjo është e njohur nga të gjithë.

Që Abetarja është vetëm A-ja e mësimit të gjuhës shqipe edhe kjo është e njohur nga të gjithë.

Por këtu STOP! Më tej, as shteti i djathtë dhe as ai i majtë, as ambasadori Minarolli dhe as paraardhësit e tij, nuk kanë dhënë asnjë libër tjetër për ngjitjen e fëmijëve në klasat e dijes. Por, edhe sikur të ishin dhënë ata (përfshirë edhe Abetaren) nuk janë libra të përshtatshëm për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në emigracion. Ata janë libra të ndërtuar mbi bazën e programit 24 – 28 orë mësim në javë, në tridhjetë e ca javë (sa vazhdon viti shkollor) për nxënësit e ciklit nga klasa e parë në klasën e nëntë.

Mësuesit shqiptarë në emigracion, deri tani, nga indiferenca dhe papërgjegjshmëria e shtetit amë, nuk janë më shumë se “MËSUES ABETAREJE”…

Nxënësit shqiptarë, deri tani, nuk mësojnë më shumë se sa të lexojnë Abetaren, të shkruajnë fjalë e fjali të thjeshta, të mësojnë ndonjë këngë shqip. Ata hyjnë në klasën e parë dhe ngelen në klasën e parë, pa vazhduar më tej.

Ndonjë mësues, nga ata që janë në arkivin tim publicistik, ka bërë ndonjë përpjekje për të “kaluar klasën” duke ndërtuar programe “ala Kardhica”. Dëshira, vullneti, dashuria et tyre deri në vetëmohim për tu mësuar fëmijëve gjuhën e nënës nuk mjaftojnë. Ata kanë nevojë për programe unike, për libra unike, për një shtet “shtyllë e fortë” ku të mbështeten.

“Abetaret falas” janë bërë si ajo barsoleta me refren të këngës labe “Dange…e dange…” që u shndërrua në “ Dhame… e dhame…”

Administrata e lartë e shtetit shqiptar që nga ministri e deri tek ambasadori (cituar më lart) nuk duhet të vazhdojë më të ofendojë prindërit e fëmijëve emigrantë duke u thënë e stërthënë se po ju japim “Abetare falas”. Në qoftë se prindi emigrant nuk ka aq para sa t’i blejë fëmijës së tij një abetare për të mësuar gjuhën që ai i flet përditë në shtëpi, atëherë vajmedet!

TË PAGUASH QINDRA MËSUES

Ambasadori Minarolli kërkon t’i bëhet pancir mbrojtës shtetit shqiptar duke deklaruar: “Në qoftë se ka mendim që këto shkolla t’i hapë shteti shqiptar nga taksat e shqiptarëve në Shqipëri (taksat ndaj emigrantëve, milionat e eurove që merr shteti nga legalizimet dhe shërbimet e tjera konsullore, madje edhe taksat për “pastrim – gjelbërim” që secili emigrant është i detyruar t’i paguaj kur merr një certifikatë, etj, etj. ai nuk i fut në defter) dhe duke dashur që këtë të drejtë tua sigurojë të gjithë fëmijëve në Greqi, unë e them pa frikë që këtë rast në Greqi, shteti shqiptar nuk mund t’i hapë shkolla private, (më shumë shkolla nga sa janë në Shqipëri dhe të paguaj disa qindra mësues), për shkak të vendqëndrimit të shqiptarëve në të gjithë Greqinë”.

Barrë të madhe merr z. Minarolli me këtë deklaratë, barrë që u takon të tjerëve ta mbajnë. Askush (nga sa e njoh unë dokumentacionin e  mësuesve nismëtarë e të Këshillit Pedagogjik në adresë të presidentëve, kryeministrave, kryekuvendarëve, ministrave…dokumentacion i botuar në librin e cituar më lart) nuk ka kërkuar të hapen shkolla në të gjithë “vendqëndrimet e shqiptarëve në të gjithë Greqinë”. Një kërkesë e tillë do të ishte utopi dhe absurditet. Askush nuk ka kërkuar që për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Greqi shteti të paguajë “qindra mësues”. Edhe kjo do të ishte utopi dhe absurditet sepse tre orë mësim në javë sa japin mësuesit në mësimin e Abetares janë shumë pak për tu kompensuar me një rrogë mësuesi.

Mësuesi në radhë të parë duhet të ketë statusin e tij juridik, të njihet me dokumente të rregullt si mësues. Të ketë autoritetin e mbajtjes së një regjistri zyrtar dhe të lëshojë një dëftesë shkollore zyrtare, autoritet as më të madh dhe as më të vogël se sa ai  i një mësuesi në Shqipëri. Kjo nuk do asnjë shpenzim monetar.

Kjo pse nuk bëhet? Çfarë vështirësie ka?

Mësuesi, në qoftë se do të vendoset për tu paguar,  duhet të bëjë orët e detyrueshme javore për një mësues, orë që në kalendarin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë shkojnë nga 26 – 28 orë në javë. Për këtë ka një përvojë që vjen nga mësuesit kosovarë në diasporë, përvojë që secili mund ta gjejë në faqet 161 – 167 të librit “Rilindësit e kohës sonë”. Nga biseda me një mësues (faqe 182-183) po shkëpus këtë fragment: “Ngarkesa e arsimtarit është 28 orë në javë. Nuk janë shumë por edhe nuk janë pak. Kush është mësues e din se mbajtja  e mësimit është e komplikuar. Atje nuk mund të ekzistojë një metodë pedagogjike që mund ta zbatojë një mësues, çfarëdo pedagogu që të vijë. Unë kam grup prej klasës së parë deri në klasën e katërt. Kam nxënës: një në klasë të parë, 2 në klasë të dytë, 3 në klasë të tretë, 5 në klasë të katërt. Kam grupe prej klasës së pestë deri në klasën e dhjetë, 12 – 14 – 16 – 18 nxënës… Ne i përmbahemi plan programit shkollor që marrim nga Kosova dhe përgatitemi shumë…”

Mesazhi i atij mësuesi kosovar është i qartë. Nuk bëhet fjalë për të paguar “qindra mësues” por për t’i vënë ato në rrugë për tu “përgatitur shumë” dhe me ngarkesë të plotë.

Shteti shqiptar dhe përfaqësuesit e tij në vendet migruese të shqiptarëve ka ardhur koha që ta tundin kokën fort që tash e tutje të mos humbasë asnjë minutë për mbajtjen gjallë dhe formimin e identitetit shqiptar tek brezi i ri i fëmijëve në emigracion. Përndryshe historia nuk do të na i falë.

Çështjes së mësimit të gjuhës shqipe në emigracion nuk i del përpara asgjë tjetër. Letrat, lëvizjet, probleme këto në kërkesat dhe ankesat e  individëve, shoqatave apo të partive, mund të zgjidhen me një ligj parlamentar evropian apo grek, është diçka e rikuperueshme. Asimilimi nëpërmjet humbjes së identitetit gjuhësor nuk mund të zgjidhet me asnjë dekret përveçse me hapjen e shkollave dhe kurseve masive për mësimin plotësues të gjuhës amtare. Kush humb gjuhën e nënës humb identitetin e tij.

*        *        *

Si gazetar, si shqiptar, jam i hapur për një debat të gjerë rreth këtyre dhe shumë problemeve të tjera që lidhen me identitetin tonë në emigracion, të gjuhës por edhe të tjera.

ABDURAHIM ASHIKU

Athinë, 11 nëntor 2008

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.