Stano, mohon se BE është duke përgatitur një ultimatum për Beogradin

0

Zëdhënësi i Shërbimit Europian për Punë të Jashtme, Peter Stano, mohoi njoftimin e disa mediave në Serbi se Bashkimi Europian është duke përgatitur një ultimatum për Beogradin, në raundin e ardhshëm të bisedimeve me Prishtinën, që do të mbahet më 30 korrik në Bruksel.

“Me rregull, ne nuk i komentojmë spekulimet e mediave, por në rastin konkret dua t’i mohoj qartazi spekulimet rreth raundit të nesërm të bisedimeve midis ekspertëve dhe axhendës së tyre”, tha Stano

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i cili ka rinisur në nivelin më të lartë më 16 korrik, vazhdon me një seri të takimeve në nivel ekspertësh, që janë pjesë e procesit.

Në takimin e ditës së nesërme, në rend të ditës pritet të jetë bashkëpunimi ekonomik.

Gazeta serbe “Veçernje Novosti” ka shkruar se delegacionit të Beogradit, i cili të enjten udhëton drejt Brukselit për bisedime me të dërguarin e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me delegacionin e Kosovës, do t’i dorëzohet një draft-marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila nënkupton njohjen de fakto të Kosovës nga ana e Serbisë.

Beogradi nuk është në dijeni se draft-marrëveshja gjithëpërfshirëse do t’iu dorëzohet delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës të enjten në Bruksel, tha ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç.

Daçiç tha se është i bindur se nëse ka një propozim të tillë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të përgjigjet në përputhje me interesat shtetërore dhe kombëtare.

Ai tha se pala serbe nuk është e informuar për ndonjë dokument që do të jetë në rend dite të enjten. Sipas tij, në tryezë të bisedimeve do të jenë çështje teknike, si ajo e të zhvendosurve dhe ekonomia.

Daçiç gjithashtu tha se rezultati i çdo marrëveshjeje do të duhet të kalojë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të thotë se të gjitha fuqitë e mëdha do të duhet të japin mendimin e tyre për të.

Delegacioni i Kosovës në bisedimet e nivelit të ekspertëve kryesohet nga koordinatori shtetëror për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, ndërsa ai i Serbisë nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.