Shtyhet pagesa e qerasë për bizneset e vogla për dy muaj, prill dhe maj

0

Të gjithë bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë nuk do të paguajnë qiranë për dy muaj, prill dhe maj. Nëpërmjet një akti Normativ qeveria ka ndryshuar aktin e mëparshëm për zgjatjen e masave të marra kundër infeksionit COVID-19, duke bërë përfitues të shtyrjes së pagesës së qirasë edhe bizneset që nuk janë mbyllur me vendim qeverie.

Sipas Aktit të publikuar në fletoren zyrtare saktësohet fakti që përfitues nuk do të jenë vetëm subjektet e mbyllura por i gjithë grupi i biznesit të vogël, për shkak se situata e krijuar, bllokimi i vendit si dhe masat e ndërmarra nga qeveria kanë ndikuar në uljen e xhiros, si dhe shumë ndërmarrje reduktuan stafin nga pamundësia për të paguar.

Të gjithë individët që duan të përfitojnë duhet të disponojnë patjetër një dokument të nënshkruar përpara shpërthimit të pandemisë botërore që vërteton se janë në marrëdhënie kontraktore me qiradhënësin.

Ndërkohë nga vendimi do të përfitojnë të gjithë studentët që kanë një kontratë noteriale me qiradhënësin si dhe ata persona që kanë mbetur të papunë si pasojë e masave të marra nga qeveria, dhe që punojnë në biznesin e vogël.

Detyrimi i papaguar do të paguhet duke filluar nga muaji qershor me këste në mënyrë që të mos rëndohet qiramarrësi, ndërsa kushtet e pagesës do të përcaktohen nga dy palët qiradhënës-qiramarrës.

“Të gjithë qiramarrësit, persona fizikë/juridikë, me të ardhura deri në 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë në vit, të cilët kanë kontratë noteriale qiraje për zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik, të nënshkruar përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, pavarësisht nëse e kanë të lejuar apo të ndaluar aktivitetin si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID–19, nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020″, shkruhet në aktin normativ të ndryshuar.

Në Aktin Normativ të parë, të pa ndryshuar, shkruhej se “Të gjithë qiramarrësit persona fizikë/juridikë me të ardhura deri në 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë në vit, të cilët kanë kontratë noteriale qiraje për zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik, të nënshkruar përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, dhe e kanë ndaluar aktivitetin si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID–19, nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020.”

Të gjithë qiramarrësit e përcaktuar në këtë pikë, të cilët kanë ankesë për qiradhënësin si pasojë e moszbatimit të detyrimeve të mësipërme, do t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nëpërmjet komunikimit elektronik. Qiradhënësit, të cilët nuk e zbatojnë këtë pikë, dënohen me gjobë në masën e pesëfishit të qirasë mujore përkatëse. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për ndjekjen dhe zbatimin e parashikimeve të kësaj pike dhe nxjerrjen e udhëzimeve përkatëse.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.