Shpenzimet për shëndetësinë kalojnë 3% e PBB, ulet dhe numri i personelit shëndetsor…

0

Shpenzimet për sektorin e shëndetësisë e kanë kaluar lehtë nivelin 3% të PBB-së në vitin 2019, duke shënuar një rekord të 10 viteve të fundit, por kjo rritje nuk e ka përmirësuar shërbimin mjekësor. Vdekshmëria foshnjore pësoi rritje me 1,4 pikë përqindje vitin e kaluar, teksa vdekshmëria në tërësi u rrit me 0,6% raportoi INSTAT.

Por fakti pse rritja e fondeve për shëndetësinë nuk është përkthyer në rezultate lidhet me faktin se fondet shtesë shkojnë për pagesat e koncesioneve.

Instituti i Statistikës raportoi se shpenzimet për sektorin e shëndetësisë për vitin 2019 kanë qenë 51.2  miliardë lekë. Këto shpenzime përbëjnë 10,41 % të shpenzimeve publike gjithsej për vitin 2019 dhe zënë një peshë prej 3,05 % në PBB-në gjithsej.

Në tre vitet e fundit shpenzimet për sektorin e shëndetësie po pësojnë një rritje të qëndrueshme. Këto shpenzime udhëhiqen nga tre koncesionet aktive në këtë sektor. Në vitin 2018 pagesat për koncesionet ishin 3,6 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2019 ato kanë qenë më të larta se 4,1 miliardë lekë, ose 8% e shpenzimeve gjithsej në shëndetësi.

Shpenzimet për sektorin e shëndetësisë vitin e kaluar arritën në 51,1 miliardë lekë nga 49 miliardë lekë në vitin 2019. Por pothuajse gjysma e rritjes ka shkuar për pagesa më të larta të koncesioneve, kryesisht për sterilizimin, shpenzimet e të cilit janë tejkaluar dy vitet e fundit prej parashikimeve të pasakta në kontratë.

Pagesat buxhetore për koncesionet ishin sa 20% e fondit që iu akordua shërbimit spitalor më 2019, ose 36 % e të ardhurave që u planifikuan të grumbullohen nga nga kontributet e sigurimeve shëndetësore.

Ministria e Financave raportoi në buxhetin e vitit 2020 raportoi një vlerë 32 për qind më të lartë për financimin total të katër kontratave koncesionare në shëndetësi se sa kishte programuar ne parashikimet e vitit 2018, por pagesat për kontratën e check -up janë anuluar për shkak të pandemisë.

Pandemia Covid ka ndërgjegjësuar qeveritë kudo në botë për të kthyer vëmendjen nga sektori i shëndetësisë, sidomos për investime në burime njerëzore dhe në logjistikë.

Barra më e lartë e sëmundjeve, plakja e popullsisë dhe ndërgjegjësimi për tu kujdesur për vetën e kanë rritur ndjeshëm numrin e vizitave në shërbimin parësor të sektorit të shëndetësisë, edhe pse numri i popullsisë në Shqipëri po vjen në rënie.

Instituti i Statistikës raportoi se gjatë vitit të kaluar shërbimi parësor në vend realizoi 6 milionë e 733 mijë vizita, ose 64 mijë vizita më shumë se në vitin 2018.

Teksa numri i vizitave pësoi një rritje me 1 për qind, numri i mjekëve nga ana tjetër pësoi një ulje të ndjeshme me 1,5 për qind. Në vitin 2019 në shërbimin parësor shërbyen 1787 mjekë, nga 1814 që shërbyen në vitin 2018. Siç shihet nga të dhënat ngarkesa e stafit mjekësor ka ardhur në rritje gjatë vitit të kaluar, teksa edhe më parë kjo ngarkesë ka qenë e lartë në krahasim me mesataren rajonale dhe atë Europiane.

Situata rezultoi disi më e përmirësuar me numrin e infermierëve. Numri i tyre në shërbimin parësor ka një rritje prej 2,6 %,

Në shërbimin parësor shërbyen 6 mijë e 958 infermiere, nga 6 mijë e 758 infermiere që ishin në vitin 2018.

Sipas të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit, Shqipëria në vitin 2017 kishte numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon me 1,2 mjekë për banorë. Greqia ka 6.2 mjekë për 1000 banorë, Maqedonia 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8 mjekë për 1000 banorë.

Sipas një raporti të qeverisë shqiptare në lidhje me emigracionin, emigrimi i specialistëve të shëndetësisë ka pakësuar burimet njerëzore për sistemin shëndetësor: Pas viteve 1990, forcat e punës të sektorit të shëndetësisë humbën një numër të konsiderueshëm të burimeve njerëzore, të cilët migruan jashtë vendit. Edhe brenda vendit kanë ndodhur dhe po ndodhin lëvizje nga zonat rurale për ato urbane, duke krijuar një qasje gjithnjë të pabarabartë ndaj kujdesit shëndetësor për popullatën.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.