Shembet herët në mëngjes godina e Teatrit…

0

Teatri Kombëtar është shembur në orët e para të ditës së sotme. Rreth orës 04:30, fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit kanë nisur rrafshimin e të dyja godinave, atij Eksperimental dhe Kombëtar. Grupi i artistëve të Teatrit Kombëtar së bashku me disa politikanë janë shoqëruar në komisariat, ndërsa në vendin e ngjarjes ndodhen forca të shumta policie.

IMT dhe policia bashkiake kanë vijuar me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, proces që ka nisur që në orën 04:30 të mëngjesit të sotëm. Pas boshatisjes nga gardëroba dhe rekuizitat të godinës, fadromat po vijojnë me prishjen e pjesës tjetër të mbetur të teatrit. Fillimisht u ndërhy në pjesën hyrëse të Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental. Në pamjet e siguruara shihet puna e fadromave për prishjen e godinës së mbetur të teatrit, ndërsa artistë dhe aktivistë që ishin kundër shembjes së saj, janë vendosur në kryqëzimin e pedonales duke parë nga larg këtë proces. Në vendngjarje ka prani të madhe të forcave të policisë të cilët rujanë perimetrin e godinës së teatrit për të mos lejuar që të futet askush.

Me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar në orët e para të mëngjesit, policia ka bërë edhe zbrazjen e sallave duke nxjerrë jashtë karriget, sistemin e ndriçimit, pajisjet elektronike dhe video e audio, gardërobën dhe çdo objekt tjetër që ndodhej brenda saj.

Video/ Shembet herët në mëngjez Teatri Kombëtar, forcat e policisë e bënë aksionin gjatë natës

Ata janë vendosur në hapësirën e jashtme të godinës së Teatrit Kombëtar duke u sistemuar dhe më pas të transportohen dhe të merren të dorëzim nga Institucioni i Teatrit ArtTurbina.

Megjithëse duket se të gjitha objektet në brendësi të teatrit janë nxjerrë jashtë dhe të sistemuara, më herët Monika Kryemadhi tha se Henri Culi ka firmosur një procesverbal që aty brenda s’ka asgjë, duke lejuar prishjen e godinës.  

Në dijeninë time, më thonë që drejtori i Teatrit ka firmosur një procesverbal që aty brenda s’ka asgjë. Nëse e ka bërë këtë gjë, nuk ka kazino Hervin Culi që të shpëtojë dhe nuk ka audit të të shpëtojë për këtë gjë, nëse ti e ke firmosur. Sepse nëse të kërcënon Edi Rama me auditin e teatrit do ta paguash gjithë jetën tënde jo vetëm me auditin, por gjithë jetën tënde atë që ka bërë sot, atë që iu ka bërë kolegëve të tij. E njoh Hervin Culin e kam mik, por më vjen shumë keq që ka rënë kaq poshtë që të firmosë një gjë të tillë. Turp për të dhe turp për ata që e kanë lejuar të bëjnë këtë gjë”, tha Kryemadhi nga Teatri Kombëtar.

Disa nga grupi i artistëve që kanë bërë rezistencë janë shoqëruar në komisariat. Mes tyre janë Robert Budina, Neritan Liçaj dhe të tjerë. Në vendin e ngjarjes janë forca të shumta policie, por edhe qytetarë. Të shoqëruarit janë shpërndarë në disa komisariate në Tiranë.

Edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është shoqëruar për disa minuta nga policia pas rezistencës në momentin që ndërhyri policia. Të shoqëruarit janë shpërndarë në disa komisariate në Tiranë.

Qytetarët dhe artistët që janë pozicionuar qartë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, kanë marrë barrierat metalike për t’i larguar dhe çarë rrethimin e policisë. E menjëhershme ka qene reagimi i forcave të rendit duke ndërhyrë dhe larguar qytetarët. Policia ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës, e cila vijon të jetë mjaft e tensionuar dhe të përplaset me fjalë me efektivët e policisë.

Përplasja dhe tensioni mes tyre ka zgjatur për pak minuta, ndërsa policia ka bërë të mundur tërheqjen pas të qytetarëve dhe artistëve.

Ata kanë tentuar të hyjnë në godinën e Teatrit Kombëtar që po vijon të prishet nga fadromat e IMT. Policia ka vendosur një perimetër sigurie ku nuk lejohet të hyjë askush.

Përplasjet dhe tensionet e qytetarëve, opozitës dhe artistëve me policinë ka sjellë disa shoqërime të tyre në komisarit. Sipas burimeve janë shoqëruar ish deputetja e KSI-së, Silva Caka dhe disa qytetarë që u përplasën me policinë në momentin që po tentonin të çanin gardhin metalik.

Është shoqëruar në polici gazetari dhe analisti Alfred Lela, i cili ka dalë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar për të kundërshtuar prishjen e tij.

Lulzim Basha bashkë me disa figura të tjera të PD-së, Gazment Bardhi dhe ish-deputetë zhvilluan një takim rreth orës 08:30. Pas takimit Klevis Balliu u drejtua për të teatri.  Balliu akuzoi se Edi Rama është armiku i madh i vendit që duhet larguar. “Në një sakrificë të jashtëzakonshme për mbi 2 vite janë përballuar me Edi Ramën. Ai shkeli mbi personalitetin dhe dinjitetin e qytetarëve. Flamur Noka u sulmua në mënyrë  barbare nga policia.

Palaçot në parlament janë përgjegjës kryesor që e mbajnë si patericë të krimit dhe drogë. Po vidhet dhe po bëhen kulla për oligarkët. Sakrifica e këtyre artistëve nuk do të shkojë dëm. Sot armiku është Edi Rama. Sa për banorët e Unazës kanë kërkuar dhe do të marrin dëmshpërblim cent për cent. Teatri dhe cdo shkelje tjetër e kushtetuës. Sot që ju po flisni, artistët janë në rajone në qelitë e burgut” tha ai.

1589697518_brahimllari.jpg

3 persona janë shoqëruar në komisariat nga policia pasi kanë ushtruar dhunë ndaj një efektivi të policisë.

Gjatë tentativës së qytetarëve për të çarë gardhin metalik e policisë, 3 personat akuzohen se kanë goditur një nga efektivët e policë në tentativë për të kaluar rrethimin.

Ndalimi i tyre është bërë tek Ministria e Brendshme.

Sërish tensione dhe shtyje mes policisë dhe aktivistëve të mbrojtjes së teatrit dhe përfaqësuesve politikë nga opozita. Protestuesit me thirrjet ‘poshtë diktatura, poshtë Edi Rama, liri demokraci’ para godinës së ministrisë së Brendshme, ku është vendosur kordoni metalik.

Përplasja me policinë dhe tentimi i çarjes së kordonit të policisë ka sjelle dhe shoqërimin e dy ish deputetëve të LSI-së, Endit Brahimllari dhe Florida Kërpaçi.

Shoqërimi i tyre ka sjellë tension tek protestuesit duke bërtitur në turmë ‘poshtë diktatura’. Qytetarët dhe artistët vijojnë të përplasen me policinë duke tentuar të kalojnë rrethimin e vendosur nga  policia. Efektivët e policisë janë shtuar për të mbajtur nën kontroll situatë, ndërsa janë të shumtë qytetarët që tentojnë të largojnë me dhunë gardhin metalik.

Me herët Ish deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi ka thyer rrethimin e policisë duke hyrë me tyre. Kjo pa sjellë reagimin e forcave të rendit që kanë tentuar ta shoqërojnë Kërpaçin në komisariat, por ajo nuk i ka lejuar.

Tensionimi i situatës ka bërë që dy gra mes qytetarëve që mbështesin mbrojtjen e teatrit, të ndihen keq dhe të ulen në tokë për t’u qetësua. Në ndihëm të tyre ka ardhur edhe efektivi i policisë duke i sjellë një shishe ujë.

Ndërkohë që një grua pa rënë për arsye ende të panjohura para lulishtes tek Instalacioni Reja, ndërsa po ndihmohej nga dy efektive femra që të ngrihej.

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë kanë qenë të pranishëm në protestën që po ndodh pranë Teatrit Kombëtar, që po prishet nga fadromat e IMT.

Pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë rreshtuar në krah të qytetarëve dhe artistëve që për më shumë se një vit kanë dalë kundër shembjes së godinës së teatrit. Për mbrojtjen e saj u krijua edhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit duke bërë një rezistencë të fortë , por që gjithçka u mbyll sot me prishjen e godinës.

Kreu i Vetëvendosjes në Tiranë, Boiken Abazi i kërkon policisë të çlirojë sheshin pasi vendimet nga Bashkia dhe qeveria janë të paligjshme. “Teatri mund dhe do të ringelet. Në këto raste qytetarët ngrihen në rezistencë. Të lirohet territori i zaptuar na vendime anti- ligjore. Kërkojmë nga Policia të çlirojnë sheshin e Teatrit. Teatri i përket artistëve dhe popullit, jo qeverisë dhe diktaturës”- u shpreh Boiken Abazi.

Një qytetar është gjakosur nga tensionet dhe përplaset paraditen e sotme pranë teatrit te Ministria e Brendshme. Kur qytetari me një dorë në kokën e gjakosur dhe tjetrën te biçikleta largohet, i pyetur se kush e lëndoi, qytetari tha ‘një atje, jo policia’.

Shishe uji kundër policisë dhe thirrje ‘hiqini kapelet’. Këto janë thirrjet e protestuesve kundër policisë së shtetit që kanë risjellë sërish tension te tubimi te sheshi para ministrisë së Brendshme para Teatrit.


Deklarata e policisë

Me kërkesë nga Inspektoriati i Mbrojtjes se Territorit i Bashkisë Tiranë, forca të Policisë së Shtetit janë në mbështetje të aksionit të nisur që në orët e para të mëngjesit të sotëm për zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, për t’i hapur rrugë projektit të ri për rindërtimin e tij.

Gjatë aksionit në terren janë shoqëruar 37 persona, të cilët kundërshtuan me forcë apo tentuan të pengonin autoritetet në zbatimin e vendimit.

Policia e Shtetit po vijon veprimet procedurale, në bashkëpunim me Prokurorinë.

Duke përfituar nga ky komunikim, Policia e Shtetit kujton qytetarët dhe drejtuesit politike, se tubimet apo grumbullimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Mosrespektimi i distancës sociale rrezikon gjithë përpjekjen disajavore të gjithë qytetarëve, të cilët kanë respektuar me rigorozitet udhëzimet.

Gjithashtu apelojmë fort për këdo që të shmangë përplasjen me forcat e Rendit që janë në krye të detyrës.

Në spitalin e traumës një punonjës policie është duke marrë ndihmë mjekësore, pasi është goditur me sende të forta nga tubuesit.

FOTOT PAS SHEMBJES


Në orët e para të mëngjesit të sotëm është shembur godina e Teatrit Kombëtar. Përmes fotove ju tregojmë me çfarë ishte ndërtuar nga italianët shumë vite më parë dhe cfarë ka mbetur nga godina. Instituti i Monumenteve të Kulturës në vitin 2007, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, e përjashtoi Teatrin Kombëtar nga statusi dhe e la si godine pa status të veçantë

1589710358_konrollet.jpg

Në sheshin Shqiponja, efektivët e policisë kontrollojnë të gjitha makinat që hyjnë në Tiranë. Kujtojmë që Tirana është zonë e kuqe, por sot duket se nuk mund të flitet për distancim, referuar asaj që po ndodh te Teatri.

në përditësim ….

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.