Seanca për rrëzimin e Qeverisë, Kurti…

0

Një ekip i mjekëve është parë të ketë arritur herët në mëngjes në hapësirat e Kuvendit të Kosovës për të kontrolluar secilin deputet para se të futen në sallën kryesore të Kuvendit, aty ku edhe pritet të mbahet seanca për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti

Sipas rekomandimeve të IKSHPK’së, mjekët do ta kontrollojnë temperaturën e secilit deputet që futet në sallë, për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Pasi që të përfundojnë punët e tyre, këta mjekë do të kontrollohen nëse ata kanë temperaturë ose jo pas situatës të krijuar me koronavirus.

Në këtë seancë, ku deputetët do të vendosen në hapësira të ndryshme duke respektuar distancën mes njëri-tjetrit, mediat dhe mysafirët nuk do të jenë të pranishëm.

Shefi i Grupit Parlementar të LDK-së ka arsyetuar mocionin për rrëzimin e Qeverisë e Albin Kurtin. Ai thotë se u rrezikuan raportet me Amerikën nga Kurti dhe shkeli marrëveshjen e koalicionit, duke e shkaktuar Agim Veliun.

Pasi ka përmendur raportet me SHBA-në, Gashi ka thënë se Kurti e shkeli marrëveshjen e partneritetit LDK-LVV, kur e shkarkoi Veliun nga pozita e ministrit të Jashtëm.

“Kryeministrit Kurti vendosi t’i japë fund partneritetit, kur shkarkoi një ministër të LDK-së pa konsultim paraprak”, tha Gashi, transmeton Express.

Shefi i GP të LDK-së thotë se Kurti i ka hyrë luftës për protagonizëm me presidentin Hashim Thaçi.

“Kosova është në një gjendje ku është. Presidenti dhe kryeministri kanë zgjedhur ta luftojnë njëri-tjetrin”.

Gashi thotë se LDK-ja e përkrahu Kurtin, por ai e shkeli marrëveshjen mes tyre.

“Kurti ishte figurë e re në qeverisje dhe ne u angazhuam me të gjithë kapacitetet për këtë Qeveri që u quajt e shpresës”.

“Kryeministri ka vendosur ta shkelë marrëveshjen. Në luftën e tij me presidentin, Kurti ka vendosur në kokën e tij se kush do të ishte më i mençur dhe më i zoti”, ka shtuar ai.

“Kryeministri Kurti në më pak se 50 ditë punë me destruktivitet dhe mosveprim, ka rrezikuar raportet me aleatët e Kosovës në përgjithësi dhe me SHBAçnë në veçanti”.

Gashi e ka akuzuar Kurtin se me kokëfortësinë e tij ka bërë që Amerika të ndalë investimet në Kosovë, duke përmendur fondet e Sfidave të Mijëvjeçarit.

Në fund, ai i ka bërë thirrje që të votohet mocioni dhe t’i hapet rrugë krijimit të një Qeverie të re.

“Me këtë, Kuvendi mëton formimin e një qeverie stabile, në kohëzgjatje të kufizuar, e cila do të adresonte sfidat imediate me të cilat po ballafaqohet vendi”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se LDK-ja po e organizon mocionin për rrëzimin e Qeverisë në një kohë shumë të vështirë për Kosovën.

Sipas Selimit, në synimin për rrëzimin e Qeverisë, LDK-ja është bërë bashkë me të gjithë kundërshtarët e Qeverisë.

Deputeti i Vetëvendosjes u është drejtuar edhe deputetëve të LDK-së duke iu thënë se po e braktisin interesin e qytetarëve dhe po pranojnë të shtyjnë përpara projektin e presidentit Hashim Thaçi për marrëveshje me Vucicin, raporton Express.

Përveç tjerash, Selimi ka thënë se është e pavërtetë që SHBA-ja kanë vendosur sanksione ndaj Kosovës dhe se LDK-ja e ka iniciuar mocionin shkaku i shkarkimit të Agim Veliut.

Sipas tij, e gjithë kjo po bëhet nga krejt dikush tjetër. Në fund Selimi ka thënë se LDK-ja po e mban Thaçin në lojë, ashtu siç e ka zgjedhur president.

“Shihemi në përballjet e radhës”, ka përfunduar Selimi.

“LDK-ja sot bashkë me aleatët e vjetër po kërkojnë mocion mosbesimi në kohën më të vështirë për Kosovën. Pra kërkojnë rrëzimin e qeverisë kur bota po vazhdon sërish të përballet me këtë pandemi. LDK-ja nuk ka zgjedhur aleat tjetër përveç kundërshtarëve të kësaj qeverie. Të nderuar deputetë, sidomos ju thirrësit e kësaj séance. Ju edhe mund ta braktisni interesin e qytetarëve, ju edhe mund ta tradhtoni votuesin tuaj, ju mund edhe ta pranoni e shtyni përpara projektin e Thacit dhe Vucicit drejt një marrëveshje, që po na pret.

Por kurrë nuk do të mund të na mposhtni, por do të takohemi prapë, në zgjedhjet që po i shkaktoni ju. E kur të takohemi në zgjedhje, thirreni Thacin e Vucicin t’ua bëjnë votat. Është e pasaktë që ka sanksione nga Amerika. Ato janë një trillim. Nuk është aspak e vërtetë që arsyeja kryesore e thirrjes se seancës është shkarkimi i një prej ministrave.

Kjo seancë është thirrur përtej jush. LDK-ja nuk vazhdon ta ketë problem Thaçin, përkundrazi ashtu siç e keni zgjedhur, ashtu edhe po tentoni ta mbani në lojë. Më mirë të tradhtuar se sa të tradhtojmë. Shihemi në përballje tjera”, ka thënë Selimi.

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur para deputetëve në seancën që po mbahet për mocionin e mosbesimit.

Krasniqi ka thënë se Qeveria Kurti ka orkestruar frymën antiamerikane.

“Koalicioni qeverisës mes LDK-së dhe VV-së e ka dëshmuar paaftësinë për të qeverisur fillimisht me zvarritjen e marrëveshjes për koalicion, pastaj orkestroi frymën antiamerikane përmes diskursit kundër SHBA-së dhe kjo solli edhe pezullimin e fondeve prej 200 milionë eurove”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi është shprehur se Qeveria e ka rrëzuar vetveten.

“Nuk është opozita por qeveria që po e rrëzon vetveten, faji dhe përgjegjësia është vetëm e këtij koalicioni qeverisës. Kryeministri vetë po ia vulos fatij e tij politik, ky është akt i vetdorëzimit përballë sfidave që i ka vendi ynë”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë tutje se PDK-ja do ta votojë këtë mocion.

“PDK-ja do të votojë pro mocionit për rrëzimin e kësaj qeverie, sepse kjo ka qenë Qeveria më e paaftë në historinë e Kosovës dhe meriton të ikë sa më shpejt”, ka deklaruar ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se partia e tij do ta përkrahë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Sipas Haradinajt, LDK-ja me të drejtë ka nisur këtë mocion, pasi Kurti ia shkarkoi shtyllën kryesore, Agim Veliun

Haradinaj tha se situata në të cilën ndodhet Kosova është e padëshiruar, për shkak të virusit Covid-19.

Ai deklaroi se AAK-ja asnjëherë nuk ka besuar në jetëgjatësinë e Qeverisë Kurti.

“Jam i sigurt se deputetët do të ia marrin mandatin kësaj qeverie. Ne e kemi përkrahur mocionin sepse i kemi raportet skajshmërisht të këqija me aleatët tanë. Janë tërhequr investitorë nga Kosova. Nuk kemi parë bashkëpunim të partnerëve të koalicionit”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë, Haradinaj ka përgëzuar LDK-në që ka arritur të mledhë shumicën për rrëzimin e Kurtit, pasi siç thotë ai, Kurti ia shkarkoi LDK-së shtyllën kryesore, Agim Veliu.

“Shkarkimi i shtyllës kryesore, ministrit Veliu, të gjitha këto na japin me kuptu se kemi një vetërrëzim të planifikuar të kësaj Qeverie”, u shpreh Haradinaj.

“Shkarkimi i shtyllës kryesore, ministrit Veliu për një prononcim medial, na jep me kuptu që kemi të bëjmë me një vetërrëzim të planifikum të kësaj Qeverie, ndërsa nuk ndërmerret asnjë masë kundër ministrit Blerim Reka i cili flet për hapje të korridorit për Serbinë drejt Shqipërisë. Një partner i koalicionit që u tërhoq sot, mendoj se me të drejtë e ka marrë shumicën me ia marrë mandatin kësaj Qeverie”, tha Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në seancën ku do të votohet mocioni i mosbesimit.

I pari i Qeverisë e ka nisur fjalimin e tij duke thënë se është krenar për kabinetin qeveritar, teksa ka përmendur edhe vendimet që kanë marrë që prej kur e kanë nisur punën.

“Jo vetëm që nuk i patëm 100 ditë për ta dëshmuar veten, sot mund të them që jam krenar me këtë kabinet dhe me të arriturat e tij, qysh në fillim i përgjysmuan pagat e kabinetit qeveritar, po jo edhe pagat e sistemit të drejtësisë, dëshiruam të tregojmë se çka konsiderojmë vlerë, i shkarkuam 7 koordinatorët e panevojshëm nacionalë, u aprovua mbështetja financiare pas stuhisë në Komunën e Pejës dhe të Istogut, u shkarkua bordi i Telekomit, u shfuqizua vendimi për pagat e ish-ministrave dhe ish-zëvendësministrave pasi që e përfundojnë mandatin.

Ndarja e mjeteve financiare në shumë prej 200 mijë eurosh për dëmet nga tërmeti si shtesë për shumë ndihma. U shkarkua bordi i Infrakos-it, u shfuqizua vendimi ku u bëheshin favore këshilltarëve. Kemi ndarë një shumë prej 10 milionë eurosh për luftimin e virusit korona. Vettingu që përbëhet nga 10 profesionistë, e ministrat tanë kanë bërë një punë të madhe dhe të palodhur. Shfuqizimi i vendimeve për emërimin e 14 konsujve të kotë. Aprovimi i buxhetit të Kosovës”, ka thënë Kurti, teksa ka përmendur edhe masat që kanë marrë për të parandaluar përhapjen e infeksionit koronavirus.

Ai ka përmendur edhe heqjen e tarifës deri më 1 prill, derisa ka thënë se pastaj do të vazhdohet me reciprocitet.

Kreu i Qeverisë, Albin Kurti, ka deklaruar sot se i pari i shtetit, Hashim Thaçi, ia ka konfirmuar se ka një marrëveshje të gatshme Kosovë – Serbi.

“Po doni ta lini popullin pa Qeveri në këtë javë tepër të rëndësishme, në kushtet kur ne me qeverinë tonë po japim shembuj edhe më gjerë, ky mocion synon që ta lë Kosovën pa qeveri. Populli e di që unë nuk e kam mbështetjen e PAN-it e as të LDK-së po ju të gjithë e dini që unë e kam mbështetjen e qytetarëve”, thotë ai.

Kurti ka deklaruar se arsyeja se pse Qeveria po rrëzohet është marrëveshja Kosovë – Serbi që përfshin shkëmbimin me territore. Ai thotë se këtë ia ka konfirmuar edhe vetë presidenti në takim.

“Për bindjen time motori i këtij nxitimi nuk ka të bëjë fare as me ministrin as me tërheqjen e trupave, por ka të bëjë, asgjë më pak, me një marrëveshje të gatshme për shkëmbim territoresh. Ky pazar presidencial e kërkon rrëzimin e Qeverisë, pazari me këtë Qeveri ku jam unë nuk bëhet. Provoi ta bëjë gjendjen e jashtëzakonshme nuk e bëri, shkoi në Shtëpi të Bardhë me bo marrëveshje pse s’e bëri. Nuk ka marrëveshje as në shtëpi të bardhë, as të gjelbër, as të kuqe. Motori është si të largohet kjo. Unë jam i bindur e marrëveshje të gatshme këtë, praktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe ai, e takova presidentin s’u morëm vesh, dy orë e takova, ai ma përsëri tri herë: e heq kryeministri taksën, shkojmë bashkë në Uashington e bëjmë marrëveshjen bashkë”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti, në seancën ku pritet të votohet për rrëzimin e Qeverisë së tij, thotë se nuk e ka ditur që Agim Veliu nuk ka qenë vetëm ministër, por edhe një ‘plan’.

“Për një ministër nuk rrëzohet për një ministër, përvec nëse ai ministër është më shumë se ministër. Nëse ai ministër është plan, atëherë bie Qeveria. Unë nuk kam qenë i vetëdijshëm që është plan”, ka thënë Kurti.

Tutje Kurti ka vazhduar të flasë për ministrin e shkarkuar të Punëve të Brendshme, Agim Veliun. Sipas Kurtit, Veliu e ka akuzuar e ka sulmuar në Llap, por nuk i ka komentuar asnjëherë deklaratat e tij, derisa foli për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme “duke ia mbajtur zhagun” presidentit Thaçi.

“Ministri më ka akuzuar në Llap, kurrë nuk jam kthyer. Sa për sulmet e tij ndaj meje, ndaj familjes sime, ndaj qeverisjes, kurrë nuk ia kam kthyer, mirëpo për gjendje të jashtëzakonshme, kjo është e pashembullt dhe e pafalshme”, ka thënë Kurti.

Ai njëri ka qenë kundër këtij koalicioni. As nuk e kam ditur se do të bëhet ministër, e do të shkojmë në zgjedhje në një komunë pa pikë nevoje”, ka shtuar ai.

Kryeministri Albin Kurti në seancën që po mbahet për mocionin e mosbesimit ka thënë se transkripta e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë më 17 mars është fshirë.

Ai ka thënë se është njoftuar tash që harddisku që regjistron fjalimet është prishur.

“Me 17 mars është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë, dhe po më njoftojnë se harddisku nuk e paska regjistruar transkriptin fare”, tha kryeministri Kurti.

Tutje Kurti tha se me 17 mars ka pasur tentim puçi në Kosovë.

Me 17 mars ka pasur tentim puçi, atë natë kryetari i LDK-së, ka deklaruar për gjendjen e jashtëzakonshme a nuk do të duhet që të konsultohej me mua me Kryeministrin dhe partnerin para se të deklarojë se është për gjendjen e jashtëzakonshme”, shtoi Kurti.

Kryeministri tha po ashtu në replikën me deputetin Driton Selmanaj tha se me Presidentin ka qëndruar afër 2 orë por që ka marrë vesh të vërtetën.

“Kam qëndruar afër 2 orë me presidentin, kam qendruar 4 minuta se si kryetar I VV-së nuk mund të rri më shumë, kurse si kryeministër e mora vesh të vërtetën që tarifa të heqet pa reciprocitet për të bërë marrëveshje jo për të filluar negociatat”, ka thënë ai.

Ndërkaq, në kundër replikën e tij, deputeti Driton Selmanaj i tha Kryeministrit Kurti se transkriptet nga Këshilli i Sigurisë nuk guxojnë të nxirren në publik sepse rregullohet me ligj.

“Mbledhjet e Këshillit të Sigurisë janë konfidenciale, aty nuk lejohet as telefoni sepse qëllimi është I tillë diskutohen vetëm çështjet konfidenciale mos na thuaj tash harddisku nuk lejohet ajo sepse bëni shkelje ligjore”, ka thënë Selmanaj.

Deputeti Albert Kinolli nga 6 Plus tha se do ta japin votën e tyre për rrëzimin e Qeverisë duke e pasur parasysh se votat e tyre nuk janë vendimtare, pasi shumica është e siguruar.

Ai tha se në këtë Qeveri që e kanë votuar dhe që janë patnerë të koalicionit është zbehur dhe minimizuar raporti mes tyre, njofton Klan Kosova.

“Duke pasë parasysh që si institucione në çfarë situate alarmante gjendemi, shëndeti është i shenjtë dhe primar. Është dashur të ketë një unitet dhe të luftojnë një armik të përbashkët – koronavirusin”.

“Kur qytetarët i kanë drejtuar sytë nga përfaqësuesit të tyre, duke u përballë me mungesën e mjeteve bazë kanë mbetur në mëshirë të Zotit”.

Sot pa dëshirën tonë si grup parlamentar jemi mbledhur në seancën e mocionit për rrëzimin e Qeverisë që ne ia kemi dhënë besimin për të krijuar institucionet. Me përkrahjen tonë ndodhi formimi i Qeverisë”.

“Vota jonë nuk do të jetë vendimtare pasë parasysh vullnetin e shumicës, prandaj e përkrahim edhe ne”.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka thënë se deputetët e Nismës do të votojnë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Ai ka thënë se kjo qeveri do të mbahet mend si qeveria më jetëshkurtër.

Shala ka theksuar se sot Kosovës po ballafaqohet me dy viruse: COVID-19 dhe virusin e ashtuquajtur “koalicionin e shpresës”, i cili sot po ikën.

“Kjo qeveri do të mbahet mend si qeveria më jetëshkurtër. Kuvendi i Kosovës sot do t’i japë epilogun e vet”.

Në seancën për mocionin e rrëzimit të Qeverisë kanë filluar edhe përplasjet mes deputetëve dhe kryeministrit Albin Kurti.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se Kurti ka pranuar se e ka hequr taksën pas bisedës që ka pasur me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Haradinaj ka thënë se Kurti tashmë ka mbetur pa taksë e reciprocitet dhe pa mbështetje.

“Në twittin për bisedën me kancelaren Merkel e ke pranuar shprehimisht që e ke hequr taksën. Sot s’ki as taksë as reciprocitet e as mbështetje”, ka thënë Haradinaj.

Ndaj fjalës së Haradinajt ka reaguar kryeministri Kurti, i cili ia ka kujtuar deputetit të AAK-së kauzën për demarkacionin me Malin e Zi.

Kurti ka thënë se të AAK-së e kishin marrë bajrakun për çështjen e kufirit me Malin e Zi, por e kishin lëshuar në fund sapo Haradinaj u bë kryeministër.

Tutje kreu i VV-së ka thënë se Daut Haradinaj e kupton që seanca e sotme është thirrur për ta shkarkuar kryeministrin dhe jo për ta hequr taksën.

“Z. Haradinaj, e kuptoni se është e thjeshtë. Nuk po hiqet tarifa, por kryeministri. Ju e merrni bajrakun e në fund e lëshoni për karrige”, ka thënë Kurti.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë replikuar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës

Gashi i tha Kurtit se në betejën me presidentin e ka humbur arsyen.

“Ju vetëm i konfirmuat ato që i thashë. Në betejën tuaj për protagonizëm me presidentin, keni humbur arsyen. I nderuari kryeministër Kurti, mjaft më. Boll, ndaluni. Mania juaj për dominim politik përfundon këtu, në këtë parlament. Ky parlament ju ka zgjedhë, ky parlament ju shkarkon”, ka thënë Gashi.

Ai i tha Kurtit se ka ambicie të sëmura, duke shtuar se nuk mund të veprojë krye në vete.

Nuk mund të veprosh krye në vete, mundesh, por shkarkohesh, po citoj fjalët tua. Nuk është Kosova tokë e braktisur, pa Zot, ku ju mund të ushqeni ambiciet tuaja të sëmura për rol historik, harrojeni këtë punë. Nuk mund të shkohet me teke personale”, deklaroi Gashi.

Ndërkohë nuk ka munguar as replika nga kryeministri Kurti, ndaj deputetit Gashi.

“Unë nuk e kuptoj pse keni nevojë të fyeni? “Ambicie të sëmura”, nuk keni nevojë, mbani qëndrimin e juaj, por më lejoni ta theksoj çështjen kryesore. Qeveria e Kosovës për këto 50 ditë ka bërë shumë, ne jemi në rrugën e drejtë. Po, mund ta rrëzoni qeverinë sepse nuk i kam 61 deputetë, por edhe po t’i kisha mbase do të mund të shkarkohej”, tha Kurti.

“Unë sot jam i lumtur, që nuk është shpallur gjendje e jashtëzakonshme. Para një jave ka pasur tentim-puç në Qeverinë e Kosovës, kanë me dalë transkriptet e mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë, ka pasur tentim puçi, por e kemi ndalë. Për mua është më e rëndësishme të mos shpallet gjendje e jashtëzakonshme ku e bëjmë presidentin mbret si në monarki feudalësh, sesa a po m’i hiqni mua kompetencat. Unë nuk e derivoj as integritetin as dinjitetin as jetën e qënien time nga kjo karrikë këtu, nuk jam si kryeministrat tjerë unë”, ka thënë Kurti në replikën e tij ndaj Gashit.

Deputetja Mimoza Kusari në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës tha se do të hyjnë në histori për thirrje të seancës në këtë situatë, raporton Gazeta Express.

Ajo ka thënë se kjo seancë është gjithçka tjetër pos normale.

“Sot zyrtarisht kemi me hy në histori edhe po ju garantoj që këto fotografi të sodit keni me i pa në krejt mediat botërore, sepse jemi i vetmi shtet që mblidhemi për me shkarku qeverinë, e ku qeveritë në botë janë duke i zgjatë mandatet për të luftu koronavirusin”, ka deklaruar ajo.

“Është qeveria e parë që ma ka dhanë ndjenjën e shtetit, kur i ka pam ministrat bashkë aty ku është kërku në betejë edhe me koronavirusit.

Fotografia me ministrin Vitia dhe Abdixhiku, fotografia e zonjës Bajrami me zëvendësministrin Thaçi. Mos u mshefni pas arsyetimeve dhe pas qëllimit shumë më herët, mos u fshehni pas asaj që ka qenë shumë e dukshme. Sot jemi me maska po kurrë ma të zhveshur se kemi personalitetin, mundemi krejt me u mbulu, po sot jemi lakuriq, në atë që sot njerëzit që ballafaqohen me krizën ma të madhe, na mblidhemi me rrëzu qeverinë. Britania e Madhe, Spanja, të gjitha i kanë pasë hapat ma të vonë se Qeveria Kurti”, shton ajo.

Kusari e ka përmendur edhe një histori me ish-kryeministrin Isa Mustafa.

“Në janar të vitit 2015 u bë një protestë në Gjakovë, ditën kur vijnë pelegrinët, e tash po e ndaj me juve. E kam pasë një thirrje prej zyrtarëve të Ambasadës amerikane edhe me dënu sulmin. Në të njëjtën kohë ish-ministri Jabllanoviq, janë sha nënat e Gjakovës, më ka ardhë ni koment prej z.Mustafa: ti merru me punët tua e jo me të qeverisë. Ambasada amerikane në të njëjtin vit nuk kam marrë pjesë me shku në 4 korrik. Dua të ju kërkoj të gjitha nënave e baballarëve që janë në stres e në siklet që na kanë thënë se nuk është asgjë koronavirusi çka jeni tu na bo neve. Kjo ditë s’është dashtë me ndodhë, ju që po e bëni me ndodhë kjo ditë e paçi veten në qafë”, thotë ajo.

Kjo figurë ka një atribut alt të zbrazët; emri i kartelës për të është daut-haradinaj-635x358-1-1-600x358.jpg

Daut Haradinaj ka marrë fjalën në Kuvendin e Kosovës dhe ka replikuar ndaj kryeministrit Kurti dhe deputetes Mimoza Kusari-Lila.

Haradinaj ka thënë se për patriotizëm u jep shkollë të gjithëve, si kundërpërgjigje për Kurtin i cili tha se e lëshuan flamurin e bajraktarit për Çakorrin sapo erdhën në pushtet.

Ai tutje i ka thënë Kurtit që të mos e fyejë, duke i përmendur takimin me kryeministren serbe, Ana Brnabiq.

Përveç Kurtit, Haradinaj i është kundëpërgjigjur edhe deputetes Mimoza Kusari, duke ia përmendur vallëzimin para Gadafit.

Për patriotizëm personal, shkollë ju mbaj tanve. S’u vallëzoj Gadafëve. Sen s’i kam dhanë, çka jam në gjendje me i dhanë këtij vendi. Z. kryeministër, mos më fyej se jam ma i zoti se ti 1000 herë. Munesh me iu zgërdhi Brnabiqit. Munesh me pasë edhe mashtrues brenda partisë që s’e kanë bërë asnjë lëvizje për kufijtë. Jam ushtar i Albin Kurtit në mbrojtje të çdo milimetri të Kosovës. Pallavra dikush që ka vallëzu poshtë e naltë s’ka nevojë me m’kallëzu”, ka potencuar Haradinaj.

Pasi Daut Haradinaj i AAK-së tha se mund t’i japë mësim të gjithëve në Kuvend për patriotizëm, duke përmendur kontributin e tij, kryeministri Kurti i tha se nuk ka pse të mburret sepse “të mbrohet vendi është borxh i secilit”.

“Patriot nuk mund të jesh i kufizuar në kohë por gjithë jetën”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se është gabim të mësohen fëmijët e brezat e rinj se duhet përmendur kontributi për vendin.

“Kushdo që ka luftuar, kushdo që ka rezistuar, kushdo që ka mbajtur burg, kushdo që ka qenë vikitimë, ka qenë për këtë vend. S’ka qenë për një vend të huj. Është krejt normale, s’bën me ia tepru me mburrje se për vendin tënd ke luftu. Është gabim kjo qasje, është gabim edhe fëmijët të mësohen kështu. Angazhimin për komb e kemi borxh”, ka thënë Kurti.

Ai tutje ka thënë se pikërisht me këtë qasje ka sjellë situatën që luftëtari duhet të shpërblehet pas luftës.

“Pikërisht me këtë qasje të gabueshme që e keni pasur ju, ka sjellë në situatën ku luftëtari duhet të shpërblehet me ndonjë shtëpi në Marigonë, me ndonjë kompani, me ndonjë tokë hektar që i shndërron në motele, e kjo është gabim. Kjo është logjikë mercenare”, ka thënë Kurti.

Kreu i NISMA’s për Kosovën, Fatmir Limaj, ka folur sot në Kuvendin e Kosovës për sitautën e krijuar politike në vend si pasojë e mocionit të LDK’së për rrëzimin e Qeverisë.

Limaj ka thënë se pajtohet me Albin Kurtin se nuk ndodh askund në botë që të rrëzohet qeveria në një krizë të tillë, por Limaj ka thënë se s’ndodh askund në botë që një qeveri ta rrëzojë veten në një situatë të tillë.

Tutje ai ka thënë se gjendja aktuale politike është për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe lidershipit, duke i thënë Kurtit se kriza politike është vetëshkaktuar nga dy partitë në koalicion.

“Ne jemi sot këtu sepse nuk u tregua lidership dhe është vetëshkaktuar krizë”, ka potencuar Limaj.

Kreu i NISMA’s i ka thënë Kurtit se duhet edhe të falenderojë institucionet të cilat kanë respektuar vendimet e Qeverisë dhe s’janë bërë pjesë e konfliktit Kurti-Thaçi  rreth kufizimit të lëvizjes së njerëzve në kohën e pandemisë COVID-19.

“Me të drejtë kryeministri tha që vendimi është respektuar. Kjo tregon që megjithatë ka shtet, dhe ato e kanë respektuar vendimin e Qeverisë derisa Gjykata vendos ndryshe. Kjo tregon pjekurinë e institucioneve, që nuk futet në përplasjet mes presidentit dhe Qeverisë”, ka shtuar tutje Limaj.

Kriza për koronavirusin, Limaj ka thënë se po menaxhohet mirë meqë ekzistojnë mekanizma shtetërorë që funksionojnë.

“Qeveria e Kosovës duhet ta lavdërojë shtetin e vet. Kjo krizë po menaxhohet mirë sepse ka mekanizma shtetërorë që po i respektojnë vendimet”, ka shtuar tutje.

Ndër të tjera, Limaj ka thënë se vazhdimisht në Kuvend e ka paralajmëruar Kurtin që të marrë detyrat dhe të mos mbetet peng i institucioneve të tjera.

Limaj ka folur edhe për paralajmërimin e Kurtit për gjakëderdhje në veri si pasojë e tentimit të realizimit të idesë së shkëmbimit të territoreve.

“Nuk ka me mbrojt Kosovën një njeri. Kurr Kosovën s’ka me mbrojt një njeri apo një parti politike. Nëse spunojmë bashkë kemi me dështu. Nuk është mirë që me paralajmëru gjakderdhje në veri”, ka shtuar Limaj.

Në fund ai ka bërë apel për ministrat që duhet të punojnë në këto krize, që të aktivizohen dhe të ndihmojnë Komunat të cilat kanë nevojë për ndihma.

Ministri i Integrimeve Evropiane, sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, Blerim Reka, është munduar ta sqarojë deklaratën e tij të dhënë për një televizion, ku ndër të tjera thotë se Kosova mund t’i japë qasje Serbisë për në Detin Adriatik.

Reka tha se kjo sakrificë do të bëhej vetëm nëse Kosovës do t’i kërkohej për ta siguruar ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Në pyetjen se për ulësen në OKB a duhet të japim territor, përgjigja ishte e qartë dhe e prerë: nuk ka territor për ulëse në OKB, sepse integriteti territorial dhe sovraniteti shtetëror janë të garantuara me Kushtetutë dhe janë të panegociueshme”.

“Në insistimin se cili do të ishte kompromisi, them: ndoshta mund t’i lejojmë si kompromis të fundit daljen në Detin Adriatik, përmes autostradës së Kosovës, Serbisë, por kur e themi t’i lejojmë, jemi ne ata që vendosim dhe për çka ia lejojmë është ulësja në OKB”, tha Reka.

Ndërkohë ai shtoi se ish-ministri i Infrastrukturës në Qeverinë Haradinaj, Pal Lekaj, kishte përmendur koridorin qysh nga viti 2017.

“Ministri i qeverisë suaj Pal Lekaj, në vitet 2017, 2018, 2019, po citoj: Prezantohet projekti i autostradës Prishtinë-Merdarë-Nish, citoj: jam i lumtur se viti 2018 do të përmbyllet me lajme të mira sic është realizimi i kësaj autostradës, 20 dhjetor 2018. Më 25 dhjetor 2017, Lekaj flet për autostradën Prishtinë-Merdarë-Nish, ja çka përfiton Kosova, dhe vetëm në një fjali, ministri juaj përdor fjalën koridor, Kosova përmes këtij koridori do të ketë qasje të shpejtë me koridoret kryesore të rajonit dhe me koridoret e Evropës”, ka thënë Reka.

Mirëpo i shpejtë ishte edhe reagimi i Lekajt. Ai tha se asnjeherë nuk është menduar që Serbisë t’i jepet një korridor i tillë dhe se projekti në fjalë ka qenë panevropian.

“Më vjen keq që në këtë moment që gjendet Kosova, ne merremi me fjalë mashtruese, që asnjëherë në bindjen time ka qenë që ne të japim korridore, apo t’i lejojmë Serbisë që të ketë dalje në Adriatik. Është për t’u çuditur se si mund të manipulohet me projekte që janë panevropiane. Nëse nuk e ka lexuar ministri ka qenë diçka për procesin e Berlinit dhe në këtë marrëveshje kanë hyrë të gjitha autostradat panevropiane, por asnjëherë nuk është menduar që të ketë korridor për Serbinë”, tha Lekaj.

Në fund të kësaj replike foli shkurtimisht edhe një herë ministri Reka, i cili tha se korridorin për Serbinë e ka gjetur nga qeveritë e kaluara, nuk e ka sjellë ai.

“Korridorin nuk ua solla unë, e gjeta te ju”, tha në fund Reka.

Deputetja e LDK’së, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë në Kuvend të Kosovës se vetëm së bashku me Vetëvendosjen kanë mundur që ta shkarkojnë nga detyra presidentin Hashim Thaci, raporton Gazeta Express.

Ajo ka deklaruar se Kurti e ka nxjerrë LDK’në në një pozitë të palakmueshme.

“Na keni nxjerrë në një pozitë jashtëzakonisht të palakmueshme, me që kryeministri e ka pasur aleatin e vetëm LDK’së pse i rrënoi urat e bashkëpunimit me LDK’në, është mirë që të tregohet se cka fshihet pas kësaj krize. LDK e ka lidershipin e vet, dhe LDK vendos vetë për veten, ju mundeni me vendos vetëm për partinë tuaj. Unë jam e lumtur që si deputet të mbetemi edhe në opozitë, shumë me dëshirë pranojmë te jemi në opozitë po jo të nënshtrohemi nga ju”, ka shtuar ajo.

Deputetja e LDK’së thotë se Kurti duhet të bëjë kompromis së bashku me LDK’në.

Të gjithë kemi luftuar bashkë që ta largojmë Thacin prej presidentit. Ju si kryeministër duhet të bëni një kompromis sepse vetëm bashkë LDK dhe LVV e largojnë Thacin. Shkarkimi i ministrit, është në pyetje injorimi dhe degradimi i LDK’së”, shtoi ajo

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka thënë se seanca për mocionin e mosbesimit po bëhet që të bëhet marrëveshja e dëmshme për ndarjen e Kosovës dhe për rikthimin e hajnisë në vend.

Ai ka kritikuar deputetët që kanë nënshkruar mocionin për mbledhjen e Kuvendit në kohë pandemie për të rrëzuar qeverinë dhe jo për të ndihmuar popullin.

“Kjo është për turp kjo është për marre. Ky kuvend është mbledhur për me rrëzu qeverinë jo me I ndihmu popullit”, ka thënë ai.

Murati ka thënë se arsyeja që kjo qeveri po rrëzohet është për të bërë marrëveshjen e dëmshme dhe për të rikthyer hajninë.

“Arsyeja e parë është për një marrëveshje të dëmshme që do të bëhet për ndarjen e Kosovës dhe e dyta ka të bëjë me hajninë të cilës kjo qeveri ia preu duart”, ka thënë Murati.

Ai ka thënë se disa deputetë të LDK-së nuk janë bërë ministra dhe për këtë arsye kanë vendosur që ta rrëzojnë qeverinë.

“Disa deputetë të LDK-së u ka mbetur hatri pse s’janë bërë ministra, e këta duan t’I rrëzojnë kolegët e tyre që janë bërë ministra”, ka thënë Murati.

Ai tha se arsyeja e rrëzimit të kësaj qeverie është hajnia të cilën qeveria e ka ndalur.

Murati tha se në komisionin për Ekonomi është thirrur AKP-ja për raportim por deputetët e PAN-it e kanë anulaur takimin për arsye se nuk mundet të mbahet mbledhja.

“Arsyeja është se AKP ka bërë shitje fshehtas. Drejtori I AKP-së I cili është I partisë së AAK-së, ka shitur rrugë në lagjen Emshir 5 mijë euro ari , kompanive private në mënyrë që kur të asfaltohet rruga me u shpronësu. Po ashtu në proces kanë shitur parcelë në lagjen Pejton për 30 mijë euro ari e që vlera është 300 mijë euro ari. 30 mijë euro ari as në Deçan nuk ka”, ka thënë deputeti Murati

Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur deputetes së LDK-së, Valentina Bunjaku, e cila e pyeti pse e shkarkoi Agim Veliun dhe pse nuk i mori kompetencat për të udhëhequr me vendin, edhe në dialogun me Serbinë.

Kurti e pyet deputeten e LDK-së se pse nuk e shkarkoi ndonjë ministër tjetër, por pikërisht Veliun, nëse shkarkimin e tij ka qenë i qëllimshëm dhe për ta goditur LDK-në.

Kurti i ka thënë Bunjakut se për dialogun, bëhej fjalë për marrëveshje të gatshme mes presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandër Vuciq.

“Në njërën anë dialogu s’ka filluar, në anën tjetër thonë hajde se marrëveshja është gati, e bërë mes dy presidentëve. Ky është shantazh i dyfishtë, unë s’e pranoj”, ka thënë Kurti.

Unë nuk e kam për pushtet. Po ta kisha, me një fjali timen, do të mbyllej kjo seancë. Çështja është me heqë dorë prej reciprocitetit, e unë nuk heq dorë. Zonja Bunjaku, këtu është shkelur më së pari marrëveshja”, ka thënë Kurti.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca i ka pyetur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Lidhjen Demokratike se pse kanë heshtur kur dikur ishte shkarkua nga pozita e ministres, Nekibe Kelmendi, raporton Gazeta Express.

“Sa i përket ksaj që LDK’ja shumë është hidhëru me shkarkimin e z.Veliu e kam një pyetje për LDK’në ku ishit kur u shkarkua e ndjera Nekibe Kelmendi prej Hashim Thacit. LDK’ja e ka ulë kokën edhe e ka vazhdu koalicionin, përgjigja është shumë e thjeshtë, sepse për kta shumë më e rëndësishme është partneriteti afatgjatë dhe vegzat tjera që ju kanë mbetë të mëparshme”, ka thënë Konjufca.

Ai ka shtuar se kanë menduar se ky koalicion do t’i kontribonte shkëputjes së lidhjes së LDK’së me PDK’në, mirëpo, shton se ka ndodhur e kundërta.

“Na menduam që ky koalicion do t’i kontribonte shkëputjes së lidhjes me PDK’në përkundrazi sa më thellë ka shku puna, menjëherë kanë fillu me u shfaqë probleme. Pse problemet filluan me u shfaqë pak para se me nis lufta kundër korrupsionit, kujt po i pengoj kjo punë, kjo për tarifën ka qenë premti i 25-të na i kemi fitu zgjedhjet me tjera premtime. Këto argumente të LDK’së fare nuk qëndrojnë, e përbijnë kur shkarkohen ministrat Hashim Thacit e jo Albin Kurtin, aq më pak kur diferenca është e qartë, një zonjë e nderuar si Nekibe Kelmendi dhe një ministër që gjithmonë e ka kundërshtu koalicionin. Kush po e lyp sherrin këtu, kallxomi mu, mund të jau japim listën e për cdo javshme të goditjeve të Agim Veliut, kur ke deklaruar se Kurti është antiamerikan dhe kjo qeveri nuk e ka të gjatë”, shton ai.

Ai ka kërkuar që LDK’ja të shpjegojë arsyen e vërtetë të prishjes së koalicionit.

“Ju duhet me i shpjegu arsyet e vërteta, duhet asyen e vërtetë. Arsyeja e vërtetë është kjo, mas pari indicative është shumë deklarata e kryetarit të LDK’së që nuk e ka asnjë pengesë për cka ka ba me z.Thaci, ju keni ardhë me një premtim të qartë të zonjës Vjosa Osmani që ka thënë se një nga premtimet kryesore është shkarkimi i Hashim Thacit. Nuk e kam kurrfarë problemi nëse kërkesa e LDK’së është për zgjedhje, pse zgjedhje se ke dalë e ke rrejtë popullin, keni mbledhë vota me Vjosa Osmanin ke dalë ke mbledhë vota, nëse i përbinë ato fjalë, cdo qeveri demokratike duhet me u kthy te sovrani, duhet me u vlerësu se kam rrejtë, duhet me u kthy në popull, populli jau kallxon vendin.

Kërkesa është nuk po dojmë zgjedhje, nuk po dojmë me na vlerësu populli. Na pe dojmë një qeveri tjetër një qeveri me PAN’in, e shtrohet pytja kryeministri shumë mirë pe shtron pyetjen, unë jau dhash argumentet, po pse kaq siklet, pse kaq shpejtë, ky ka mu kanë”, shtoi ministri.

Ministri Glauk Konjufca i ka reaguar sot deputetes së LDK’së, Valentina Bunjaku-Rexhepit, derisa nga e njejta ka kërkuar që të votojë ashtu si ka udhëzuar kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, raporton Gazeta Express

Konjufca ka kërkuar nga deputetja e LDK’së që të mos derdhë lotë krokodili, derisa, tha se ajo mund të respektohet vetëm nëse votohet kundër mocionit.

“Për të gjithë ata që duan të derdhin lotë krokodili për Vjosa Osmanin, znj.Bunjaku vetëm votoni qysh ka udhëzu ajo, në këtë mënyrë e vërtetoni sa e respektoni atë”, ka shtuar Konjufca

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i është përgjigjur ministrit të Jshtëm, Glauk Konjufcës, i cili tha se Nekibe Kelmendi ishte shkakruar nga Hashim Thaci në kohën kur ishte kryeministër, dhe LDK-nuk kishte reaguar, por kur u shkarkua Agim Veliu nga Albin Kurti, LDK-ja po e rrëzon qeverinë. Ndërkohë, Gashi ka shtuar se Kurti do duhej të kon sultohej me LDK’në dhe do të mirreshin vesh që të shkakrohej secili që do të ishte poengesë e koalicionit.

“Zonja Nekibe Kelmendi, nuk është shkarku kurrë nga z.Thaci. Në riformatimin e qeverisë janë largu tre ministra, Nekibe Kelmendi, Valton Beqiraj dhe Alush Gashi. Zoti Kurti është dashtë me bisedu me kryetarin e LDK’së dhe me u bindë që nuk funksionon dhe me gjetë zgjidhje dhe jam i bindur se do ta hiqnin secilin që do të shihej pengesë, Veliun, Hotin, apo këdo tjetër”, tha Gashi.

Mirëpo e menjëhershme ishte replika e ministrit Konujfca, i cili tha se është e turpshme të shkarkohet qeveria për një ministër, pasi sipas tij kjo nuk bëhet askund në botë.

“Ajo as nuk e ka ditë as nuk e kanë thirrq, vetëm i ka cu duart dhe ka thënë e mora vesh ngs mediat, është e tuprshme më thënë kaq shumë jemi idhnu për agim veliun, kërku në botë nuk rrëzohet qeveria për shkarkim të një ministri, por për arsye më të mëdha. Po mundohemi me i dekonstruktu ato arsye, nuk është Agim Veliu, nuk është antiamerikanizmi”, tha Konjufca.

Deputetja e LDK’së Lirie Kajtazi e ka pyetur sot kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin se pse është dorëzuar duke bërë që koalicioni të shkojë drejtë dështimit, raporton Gazeta Express.

Kajtazi tha në Kuvend se Kurti ka deklaruar se kosovarët nuk e duan Amerikën.

“Sot jemi këtu me një agjendë të padëshiruar, do të vazhdojmë me atë se në një situatë të imponuar duhet të vazhdojmë me atë që të gjindemi si të ecim tutje. Kryeministër ne ju kemi votu, edhe në një koalicion prandaj nuk është mirë që të dorëzoheshit, nuk mund të themi se ne jemi befasuar nga kjo, ju kemi deklaruar se kosovarët nuk e duan Amerikën vec kur tuten, jeni befasuar edhe ju nga LDK’ja kur e dini orientimin e saj”, shtoi ajo.

Kajtazi tha se Kurti është dorëzuar kur është dashur që të hiqet taksa.

Kur është dashtë ta hiqni taksën ju e zgjedhët dorëzimin. Ju e shkarkuar një ministër për të prishur një koalicion, ju duhej një forcë dalëse, goditët fjalën e lirë, ju pyes në c’epokë të jetoni. Je i lexueshëm z.Kryeministër për ta ditur edhe një gjë, duhet të lëvizësh përtej mendjes dhe egos tënde, ju nuk i njohët përmasat tua, nuk e dini kush i duhet sa duhet Kosovës. Ne ju patëm votu, pse e dorëzuar votën qytetare”, ka thënë ajo.

Kjo figurë ka një atribut alt të zbrazët; emri i kartelës për të është arben-gashi-730x440-1-600x360.jpg

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar nga kryeministri Kurti dhe nga Ministri i Punëve të Jashtme, Konjufca që ta publikojnë marrëveshjen e fshehtë të Kosovës me Serbinë.

Ai ka thënë se do të jetë i pari ai që do të votojë kundër në rast se ka fakte dhe argumente për këtë marrëveshje

Ndërkohë që ka kërkuar nga Kurti dhe Konjufca që ta sjellin atë marrëveshje në Kuvendin e Kosovës.

“Një element që po më duket shumë shqetësues, ju po i referoheni një marrqëveshjeje për të cilën unë as ma të voglën ide s’e kam për marrëveshjen që po flisni, na bindni që është e rrezikshme, silleni në Kuvend. Publikoni ato fakte, je kryeministër, je ministër i Jashtëm keni përgjegjësi, jo vetëm fjalë, publikoni cilat janë ato fakte, unë i pari kam me e votu kundër”, tha Gashi.

në përditësim ….

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.