RRUSHI DHE…

0

Fejton

KORONAVIRUSI DHE… RRUSHI

-Gjarpri kafshon edhe pasi i ke prerë kokën

Do thoni ju që lexoni titullin se ku mblidhen bashkë koronavirusi me rrushin.
Nuk mblidhen por lidhen…
Lidhen tek një mbret.
Një mbret nga ata që u heqin vallen përrallave për fëmijë…
Na ishte një herë e një kohë një mbret…
Mbreti kishte një vajzë…
E donte vajzën sa jepte mbretërinë për të…
Një natë i del në ëndërr një plakë e rrëgjuar me një kosore të ndryshkur në dorë.
– Vajza jote, i thotë, do të vdesë nga kafshimi i gjarprit.
– Jo!- bërtet mbreti dhe hidhet nga krevati e merr korridoreve të pallatit si i çmendur…
– Nuk do të ndodhë kurrë, thërret sa zgjohen të gjithë.- Do ti mbys të gjithë gjarpërinjtë. Do ta fus vajzën në një kullë fildishi…
Thirri gjeneralin, komandantin e ushtrisë dhe i dha urdhër që të shfarosë gjithë gjarpërinjtë, kudo që janë.
Ushtria nuk la vend pa kërkuar e nuk la gjarpër pa i këput kokën…
Për vajzën kishte ndërtuar një kullë të fildishtë me të gjitha të mirat e botës. Asgjë nuk i mungonte dhe asgjë nuk hynte pa një kontroll të rreptë…
Rritej e zbukurohej vajza…
E shihte dhe ngazëllehej mbreti…
Një ditë, bashkë me ushqimet mbretërore i futën vajzës në kullën e fildishtë një shportë me rrush.
E kishin kontrolluar rrushin bistak më bistak e kokërr më kokërr…
Rrush i pastër, rrush mbretëror nga vreshti i tij…
Vajza mori një kokërr të madhe mbi ngjyrën e artë të së cilës pa fytyrën e saj që shkëlqente nga gëzimi dhe lumturia…
E kafshoi dhe…
Nga e çara e kokrrës, një gjarpër sa një virus, e kafshoi në buzë…
Helmi hyri në gjak dhe vrapoi arterieve…
Vajza ndërroi jetë…
– Vullneti i Zotit nuk ndalet, thyen edhe kullën e fildishtë, – tha mbreti, hidhëruar aq shumë sa vrau veten…
Kështu thotë përralla duke sjellë mesazhin se të keqes nuk i fshihesh as në “kullën e fildishtë”, as në kështjellat e princërve dhe pasanikëve më të mëdhenj të botës.
E morët vesh?
Princi i Monakos doli pozitiv, është infektuar nga virusi kinez corona…
Presidenti ynë, tepër i shqetësuar sepse princi i Monakos, “Lartësia e Tij e Përndritur, Alberti II, mik i shkëlqyer i Shqipërisë është prekur nga COVID19  i uroi: shërim të shpejtë e të plotë familjes dhe gjithë popullit të MC.”.
E keni marrë vesh?
Kryetituj në gazeta online, në portale e lajm të parë në radio e televizione, do të shihni e dëgjoni emra milionerësh, miliarderësh e politikanësh të dalë  pozitivë (eh sikur të ishin pozitivë edhe në jetën e tyre) me koronavirus…
Një titullar i lartë i Bashkimit Evropian doli pozitiv…
Virusin vdekjeprurës nuk e ka ndalë as paraja, as fama, as pushteti i lartë…
As karantina, dymbëdhjetë po dyzet ditë-she nga e ka marrë emrin…
Dhe nuk do ta ndalë sepse ai është në “kokrrën e rrushit”, fshehur e helmues si gjarpri i përrallës…
Gjarpri kafshon edhe pasi i ke këputur kokën si rrëfenja në foton që po përcjell…
Megjithatë mos harroni Këshillën e Zotit, shkruar në Bibël e K ‘uran…
”Ruaje veten, të të ruaj edhe unë”…

Abdurahim  ASHIKU

Athinë, 20 mars 2020


Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.