Rama, opozita jashtëparlamentare të mos humbasë kohë siç e ka zakon, sepse koha nuk pret

0

Zyra për Shtyp e Kryeministrisë shpërndau për mediat një intervistë të shkurtër të kryeministrit Rama, ku komentoi zhvillimet politike në vend nga një vizitë zyrtare në Gjermani.

I pyetur nga një gazetare e paidentifikuar, kryeministri fillimisht iu përgjigj deklaratave të presidentit Ilir Meta, i cili dje komentoi nismën e mazhorancës për ligjin organik që kornizon kompetencat e presidentit, ku paralajmëroi qartë se mund ta shpërndajë parlamentin para zgjedhjeve të 25 prillit.

Rama deklaroi se parlamenti është legjitim, ndërsa siguroi se ky i fundit do të vazhdojë punën për të reflektuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat u arritën para mbylljes së sesionit të kaluar parlamentar.

“[Vazhdon puna] …duke i hapur rrugë listave të hapura, dhe njëkohësisht duke konsoliduar sistemin zgjedhor me një ndryshim të domosdoshëm të formulës së koalicioneve, nga një formulë absurde, e cila ishte krejtësisht unikale dhe të cilën nuk e ka asnjë vend, në një formulë që e kanë të gjitha vendet evropiane, që kanë koalicionin si një mundësi dhe që krijojnë koalicione parazgjedhore”, tha Rama.

I pyetur për propozimin e Partisë Socialiste në Këshillin Politik dhe debatin që pasoi çështja e koalicioneve dhe listave gjysmë të mbyllura, Rama u shpreh se çdo propozim i bërë është i diskutueshëm.

Ai theksoi se pjesë e obligimit mes palëve është fillimi i punës për sistemin e identifikimit elektronik të votuesve. Kryeministri u shpreh se sa më shumë të ketë vonesa, aq më shumë ulen shanset për ta aplikuar këtë zotim në zgjedhjet e 25 prillit. 

“Çdo propozim është i diskutueshëm. Unë uroj dhe shpresoj që opozita jashtëparlamentare të mos humbasë kohë siç e ka zakon, sepse koha nuk pret. Zgjedhjet janë më 25 prill. Votimi i ligjit zgjedhor është vetëm hapja e një procesi, ku pastaj do duhet të zbatohet ligji zgjedhor. Të mos harrojmë se në ligjin zgjedhor kemi angazhimin për sistemin e identifikimit elektronik, ku sa më shumë humbet kohë, aq më pak bëhet e mundur implementimi i këtij sistemi. Edhe njëherë e përsëris: opozita është e mirëpritur të diskutojë, të japë alternativa, por që të pengojë procesin siç e ka zakon duhet ta harrojë një orë e më parë, sepse nuk ka kohë për të pritur, dhe sigurisht, ne nuk do të presim në pafundësi”, deklaroi kryeministri. 

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.