Rakacolli bën me dije se shteti shqiptar i ka kërkuar ndihmë për mjekë Kinës…

0

Zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka bërë me dije se shteti shqiptar i ka kërkuar ndihmë për mjekë Kinës, si një vend me eksperiencë që mund të na ndihmojë vendin në këtë periudhë të vështirë.

 “Ministria e shëndetësisë i ka dërguar një kërkesë zyrtare Kinës nëpërmjet ambasadën në Shqipëri për  të sjellë mjekë me eksperiencë”, tha Rakacolli.

Ilaçet që janë përdorur si kurë për të trajtuar malarian, janë efektive edhe për trajtimin e koronavirusit dhe Shqipëria i disponon në rezervat e saj. Një fakt i tillë është konfirmuar nga zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.  

“Infektivi në protokollin që ka bërë e ka të përdorur medikamentin antimalares. Patjetër që stoku i këtij medikamenti është i pranishëm në Shqipëri edhe tani”, tha Rakacolli.

Ndërkohë, ka bërë me dije se në Shqipëri, duke përfshirë edhe ato të spitaleve private, janë gjithsej 200 respirator dhe pritet të vijë një sasi tjetër nga jashtë.

23 raste të reja janë konfirmuar gjatë 24 orëve të fundit me koronavirus, e ndërsa hartës së qyteteve të prekura i është shtuar edhe Kruja me një rast. Në total  nga 1041 të realizuara që kur është konfirmuar pacienti zero, kanë rezultuar pozitiv 146 qytetarë, 5 prej të cilëve kanë humbur jetën. Teksa 17 janë shëruar, lufta bëhet më e vështirë për 3 pacientë të shtuar në Urgjencën Infektive të cilët janë të intubuar (frymëmarrje me anë të aparaturave) dhe gjendja e tyre paraqitet e rëndë. Korça ka njohur një përhapje të shpejtë të koronavirusit, duke shkuar në 11 qytetarë të infektuar dhe renditur kështu e treta në hartën e qyteteve më të prekura me koronavirus, pas Tiranës me 83 të prekur dhe Fierit me 14. Edhe në Lezhë, ditën e sotme janë konfirmuar 3 raste të reja brenda 24 orëve, 2 të tjera në Shkodër. 

Skenari i hapjes së spitalit të dytë për COVID-19, që është parashikuar te “Sheqfet Ndroqi” duket se do të vihet shumë shpejt në zbatim, pasi tek Infektivi ka arritur në total 72 pacientë të shtruar, nga 120 shtretër që janë dispozicion në këtë godinë. Përvçe 3 të infektuarve që janë të intubuar dhe një tjetri në terapi Intesive, zv ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli bëri me dije se gjendja e e të shtruarve në pavion është e stabilizuar deri në këto momente.

Renditja e qyteteve më të prekura me COVID-19 në Shqipëri
Tiranë 83 qytetarë
Fier 14  qytetarë
Korcë  11 qytetarë
Durrës 9 qytetarë
Vlorë  5 qytetarë
Lushnje 4 qytetarë
Kavajë 4 qytetarë
Lezhe  4 qytetarë
Elbasan 3 qytetarë
Shkodër 3 qytetarë
Rrogozhinë  2 qytetarë
Has 2 qytetarë
Berat  1 qytetar
Krujë  1 qytetarShifrat: 1041 teste të kryera në total që nga konfirmimi i rastit të parë, 5 viktima! 17 të shëruar. 146 qytetarë kanë rezultuar pozitiv, 9 prej të cilëve personel mjekësor, një në Durrës (kontakti me viktimën e parë) 8 të tjerë spitali “Shefqet Ndroqi”. 72 pacientë të shtruar tek Infektivi në QSUT. Tirana qyteti më i prekur, me 83 të infektuar. 

Në Urgjencën e Infektivit, përveç drejtorit Skënder Brataj, nuk ka persona të tjerë të infektuar. Kështu bën të ditur zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli. Ajo bën me dije se edhe gazetarët që do konsiderohen si persona të ngushtë kontakti me Bratajn, do t’i nënshtrohet testimit.

“Për rastin e Zotit Skënder Brataj është duke u zhvilluar një hetim epidemologjik i hollësishëm, nëse do të konsiderohen persona të ngushtë të kontaktit patjetër që do t’u bëhet. Por që të quhesh kontakt i ngushtë ka disa rregulla që janë përcaktuar nga hetimi epidemologjik. Deri më tani nuk ka persona të tjerë të infektuar në Infektiv”, tha Rakacoli.

Ajo ka sqaruar gjithashtu se mjekët që punojnë në vijën e parë të luftës me koronavirus nuk janë testuar në masë secili prej tyre, pasi deri më tani askush nuk ka shfaqur simptoma. Është e kotë, vijon Rakacolli, testimi kur nuk shfaqen shenja, pasi sot mund të rezultojnë negativ e ndërsa të nesërmen pozitiv.

“Presupozohet që mjekët që punojnë në vijën e parë, përdorin mjete mbrojtëse që janë efikase. Por kur ka dëmtuar masën mbrojtëse dhe ai dëshiron ta bëjë patjetër do i bëhet testi, edhe nëse shfaq simptomat. Testimi masiv nuk mund të bëhet kur nuk ka asnjë simptomë, pasi sot mund të rezultojë negativ, nesër mund të bëhesh pozitiv”, përfundoi Rakacolli.

Ministria mbyll deklaratën me apelin për qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos drejtohen direkt në spital nëse shfaqin simptomat, por të telefonojnë në numri e urgjencës 127.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.