RACIZËM

0

Nga arkivi i gazetarit

PENELATA  MBI  FYTYRËN  E  RACIZMIT

Fejton

Nuk ka njeri që nuk e njeh atë fytyrë. E ka takuar sapo kam kaluar kufirin. E ka parë si e shfleton pasaportën me një lloj mllefi e dhune, se si kërkon të gjejë një qime në oqean për të ta hedhë në fytyrë  e poshtëruar. E ka parë se si i ngërdheshet fytyra e se si i çapëlehen bulçitë me një lloj gëzimi të zi tek sa mban  në dorë “qimen “…

E ka parë në rrugë, në tren, në autobus në zyra shtetërore…

Disa penelata po i hedh unë në letër, penelata të fiksuara në mëndje. Po i hedh duke e lënë portretin hapur. Secili, kush të dojë, le të hedhë penelatat e veta, me ngjyrat që do, në kohën që do. Kështu, me penelatat e të gjithëve, ndonjë ditë do të arrijmë të paraqesim në ekspozitën e kohëve moderne surratin e një ferre të shoqërisë që nuk e lë atë të shkojë përpara.

… Në Patision 125, në katin e tretë, në zyrat shtetrore të eforisë, pak djathtas sallonit të hyrjes, pas një banaku të lartë deri në lartësitë e gjoksit është një burrë, një nëpunës, një zyrtar. Po t’ia shikosh me vëmendje fytyrën të duket se ke të bësh me një lloj hibridi midis një mulati të gjakut të tretë me një grek të zakonshëm. Një fytyrë çokollatë me vraga pasojë e  një lije të hershme të fëmijërisë, një hundë që i ngjan një prashajke të ndryshkur kopshti, dy sy që herë herë ndjen se në to është ngujuar cunami e nga momenti në moment do të shpërthejë duke shkatërruar kokërdhokë e vetulla.

Emigrantëve u ka qëlluar shpesh e shpesh të vihen në radhë para tij. Ai ka një funksion të veçantë, funksion që në procesin e legalizimit është i lidhur me emigrantët. Sa herë aplikon tek ai duhet të shkosh të marrësh një “fletë pastërtie” apo ekatharistiko siç quhet në greqishten moderne.

E kam parë sa herë kam shkuar të jetë qengj kur i hidhet mbi banak, në lartësinë e fytyrës ndonjë letërnjoftimi grek. E kam parë ujk, çakall, gjarpër…kur përpara, në lartësinë e surratit i vihet me ndrojtje një pasaportë shqiptare. Atëherë ai ngrihet, ngërdheshet, nxin në ngjyrën e vërtetë të shpirtit fytyrën dhe shpërthen në një lum fjalësh që nuk i mban asnjë kandar. Në këto raste ai del nga banaku, bën një kthesë të gjatë dhe pasi bën hije në sallon, nis t’i vejë njerëzit në radhë, si të ishte ndonjë rreshter i kohës së Spartës së vjetër. Pastaj shkon përsëri në strofullin e vet, hedh këmbët mbi këmbë, nxjerr nga poshtë banakut  frapenë e ftohtë dhe nis të thithë me nge kallamin blu…

Pasi i ka bërë qejfet e momentit, me arrogancë merr dokumentet që i ke paraqitur, i gërryen ato siç gërryen acidi klorhidrik zinkun dhe rrallë qëllon që të ulë kokën mbi kompjuter e të të hedhë para fytyrës, me një urrejtje vrasëse dokumentin që ke kërkuar. Thashë “rrallë” sepse në shumicën e rasteve do të gjejë apo do të sajojë “qimen” e fajit e do të thotë me një lloj urrejtje të zezë në zë e në fytyrë që të vish …nesër…

Nuk ka emigrant në Athinë që të mos e njohë Spiron e kioskës “Everest”, apo “Kioskën e Janit”, siç e quajnë rëndom emigrantët duke u nisur nga pronari i saj Jani.

Keni provuar të merrni nga duart e Spiros ndonjë gazetë apo libër ? Në qoftë se e keni provuar atëherë portretin e tij e keni të gjallë. Penelatat që po hedh unë mbi të janë kaq të zbehta sa do të kujtoni se kam pikturuar me ngjyrë të bardhë mbi pëlhurë të bardhë.

E keni dëgjuar ndonjë herë Spiron t’i thotë dikujt mirë se erdhe apo t’i japë një përshëndetje nga përshëndetjet e rëndomta të fjalorit njerëzor të gjuhës greke? Në qoftë se ndonjëri e ka dëgjuar atëherë do t’i lutesha që t’i shprehte publikisht. Me siguri do të futet në librin e rekordeve që bota e sotme i regjistron në librin “Ginis”.

Spiroja është çirak, dhulo i afendikoit të vet Janit. Kështu e kam parë përpara tij, të urtë, kokë ulur, shpinë përkulur, me ndonjë “signomi” apo “malista” në gojë.

Me klientët, me shqiptarët që e bënë të pasur e të lavdishëm pronarin e tij, është tjetër qenie. I duket vetja afendiko, madje nga afendikonjtë e lashtësisë greke që i shkelnin dhulot, skllevërit, me këmbë.

Unë, një ditë e fiksova në një fotografi, në një moment qetësie, kur po rregullonte librat e gazetat. Edhe në këtë moment fytyra e tij rrezaton egërsi, një lloj egërsie që i ka rrënjët në racizmin e zi…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 2006 

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.