Qeveria thotë se parametrat fiskalë janë brenda parashikimeve të bëra…

0

Qeveria pretendon se masat e marra prej saj kontribuuan pozitivisht në përballimin e efekteve të krizës që diktoi pandemia e COVID-19 dhe ndikuan drejtpërdrejt në ekonomitë familjare. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj madje thotë se parametrat fiskalë janë brenda parashikimeve të bëra, pavarësisht se për rreth 3 muaj bizneset kryesore u mbyllën dhe aktiviteti ekonomik ra.

Këtë gjë ministrja e shprehu gjatë një videokonference me drejtuesen e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, Yan Sun, informacionet rreth së cilës i përcolli për mediat zyra e saj për shtyp.

Në një deklaratë nga ministria, ajo u citua t’i shprehej drejtueses së FMN-së se gjatë periudhës së karantinës së përgjithshme në Shqipëri u arrit “të ruheshin parametrat makro-fiskalë të financave publike”.

Në diskutimet me përfaqësuesen e FMN-së në Shqipëri, ministrja thuhet se ka folur kryesisht për pritshmëritë fiskale, ku kryesore mbetet rikthimi te prirja rënëse e borxhit publik në planet afatmesme.

Për shkak të tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë, plani i rindërtimit, plani i investimeve dhe shërbimeve publike ka kërkuar fonde shtesë, fonde që kryesisht qeveria i ka siguruar përmes granteve dhe kredive të buta.

Gjatë periudhës së masave kufizuese dhe karantinës së plotë, e cila zgjati nga muaji mars në prill, aktivitetet ekonomike dhe shoqërore u ndaluan pothuajse plotësisht.

Shoqata të ndryshme biznesesh dhe organizata të tregtisë kërkuan angazhim më të madh nga qeveria përveç garancisë së kredive të buta, asistencës me ndihma ekonomike për punonjësit dhe shtytje të pagesës së taksave.

Vitin e ardhshëm, i cili përkon të jetë vit elektoral, mendohet të jetë një tjetër sprovë për financat e shtetit, megjithëse përveç qeverisë, edhe Banka e Shqipërisë pati së fundmi vlerësime relativisht pozitive.

Guvernatori Gent Sejko, në një diskutim që pati gjithashtu me drejtoreshën e FMN-së në Shqipëri Yan Sun, vlerësoi pozitive heqjen e masave kufizuese në ekonomi, që sipas tij ka ndikuar pozitivisht në reduktimin e efekteve të pandemisë.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.