Protesta e djeshme për Teatrin Kombëtar u shoqërua me disa incidente

0

Protesta e djeshme e artistëve dhe opozitës për Teatrin Kombëtar u shoqërua me disa incidente, ku mes të tjerëve u përfshi edhe ish-drejtori i policisë bashkiake Florenc Hoxha. Gjithçka filloi në momentin kur mbërriti Lulzim Basha ndërsa grupi i disa të rinjve të ekipit të futbollit të Tiranës e pritën me thirrje dhe ovacione kundër ‘Yyyyy’.

Kjo solli reagimin e militantëve të PD-së dhe përplasjen me të rinjtë që e pritën liderin demokrat me thirrje kundër tij duke e akuzuar pse nuk e mbrojti teatrin pasi u premtoi se godina do të shembej vetëm nëse fadromat kalonin mbi trupin e tij, por kur u rrafshua nuk ishte aty.

Incidenti solli edhe përshkallëzimin e situatës me shtyrje dhe tension ndërsa për të larguar grupin që thirrën kundër Bashës ndërhyri edhe ish-drejtori i policisë bashkiake në kohën e liderit demokrat, Florenc Hoxha duke goditur rebelët që iu kundërvunë kryedemokartit.

Pamjet e momentit me foto kur Florenc Hoxha godet protestuesit. Florenc Hoxha nuk është një emër i panjohur, pasi është përfshirë në shumë raste në incidente në protestat që ka zhvilluar opozita. Në 16 shkurt të vitit të kaluar ai u arrestua pas protestës së parë të dhunshme të opozitës para Kryeministrisë ku shkatërruan hyrjen.

Pas gjobave që morën për thyerje të rregullave kundër përhapjes së koronavirusit, tashmë për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi ka nisur edhe hetimi në gjendje të lirë, për pjesëmarrje në protestën e djeshme për Teatrin.

Së bashku me ta janë proceduar në gjendje të lirë edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe sekretari për çështjet ligjore Çlirim Gjata.

Burime bëjnë të ditur se procedimet kanë nisur edhe për  artistët Robert Budinën, Neritan Liçajn, Adriana Kalaja, Artan Manushaqa dhe Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si Stresi.

“Procedimi ndaj tyre nisi pasi, më datë 18 maj 2020, rreth orës 16:30, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.

Ndërkohë një ditë më parë, policia arrestoi Arben Qyranin, i cili hodhi shashka në protestën e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Policia tha një ditë më parë se Qyrani është i proceduar edhe më herët për “Tubim të paligjshëm” në vitin 2018, në zonën e Unazës së Re, në Tiranë.

Prokuroria pranë Gjykatës se Shkalles së Parë Tiranë njofton se po kryen hetime për të arrestuarit në flagrancë nga policia e shtetit në protestën e djeshme ku nuk munguan përplasjet.

Mes të arresutarve janë drejtuesi i Vetëvendosjes në Tiranë Bojken Abazi, Kasteriot Qemaj, Sokol Ndoj, Romeo Lila, Endrit Mertiri, Burim Tafilica dhe Edjon Xhoxhaj

Gjithashtu po sipas prokurorisë është regjistruar procedim penal duke u kryer hetime dhe për kallëzimin e bërë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit në lidhje me ekspertizën e kryer nga inxhinierët apo persona të tjerë të përfshirë.

Aktivistët kanë denoncuar tre inxhinierët, Artur Hasantare, Olsi Nunaj dhe Elbarina Kola. Ata i akuzuan se kanë kryer shembjen e teatrit pa një akt ekspertim fizik të godinës, por janë bazuar në akte ekspertimi i një viti më parë.

Po sipas njoftimit, nga ana e prokurorisë po kryhen hetime edhe në lidhje me dhunën e pretenduar nga kallëzuesit, si të ushtruar nga punonjësit e policisë në momentin e shembjes së Teatrin Kombëtar.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.