PLUMBI…

0

PLUMBI ME PAMBUK

Rrëfenjë

Timi ka dhjetë vjet që veron në atë ishull të largët të Egjeut, dhjetë vjet punë e dhjetë vjet ndodhish që i ka shënuar vetëm në defterin e madh trunor ku vetëm ndonjë çast i rastit ndodh që ti nxjerrë. Dhe kjo ndodhi kur po kalonim para një lokali, jo në breg të detit por paksa i futur midis kullave dykatëshe krejtësisht të bardha.

– Këtu, tha, e kam filluar për herë të parë punën. Këtu kam ndjerë për herë të parë dhunën nga puna por edhe ngadhënjimin mbi të.

– Si ndodhi ? – e pyes duke e ditur se edhe pa e pyetur ai e kishte gjetur çelësin e kujtimeve dhe qelizat trunore ishin vënë në lëvizje.

– Po kërkoja punë kur një burrë më thirri nga prapa. Ktheva kokën duke menduar se zëri nuk më ishte adresuar mua por dikujt tjetër. Ai ma bëri me dorë. E mata me sy dhe iu afrova. Edhe ai, tashti ballë për ballë po më maste në të tëra përmasat e trupit. E dija që pamja ime ishte e mjerë. Kisha fjetur në një banesë në ndërtim dhe rrobat përveçse ishin zhubravitur ishin zbardhur vende – vende nga gëlqerja. Isha edhe i parruar. E si të rruhesh kur nuk ke një vend për të vënë pasqyrën e vogël dhe një kanoçe ujë për të lagur furçën ?

Iu afrova.

– Donë të punosh ?- më tha

– Dua, i thashë. Për punë kam ardhur e jo për turizëm.

– Din ndonjë gjuhë të huaj ?

– Di, i thashë. Di anglisht dhe italisht me shkollim universitar dhe greqisht me të folur e me të dëgjuar. Di edhe shqip.

– Shqiptar je ?

– Vetëm shqiptarët vijnë në këtë kohë këtu. E kush vjen tjetër.

– Do të punosh për mua, më tha.

Më erdhi mirë kur ma tha. Veçse ajo “Do të punosh për mua” sikur ma prishi pak humorin. Megjithatë i thashë vetes se nuk është koha për humor por për punë, për të mbledhë ndonjë dhrahmi e për të mbushur barkun me bukë. Ishte koha kur mendoja vetëm të mbajë trupin gjallë e këmbët mbi tokë. Në shtëpi nuk kisha çuar asnjë lek dhe nuk dija se si do të vinte e nesërmja e jetës sime.

– Mirë, i thashë. Çfarë pune do të bëj ?

– Po ja, më tha duke më treguar një gropë të madhe. Do të pastrojmë e rregullojmë pishinën si fillim. Pastaj do të lyejmë e pastrojmë hotelin, së fundi do të lyejmë e bëjmë gati për sezonin turistik lokalin.

– Dakord, i them, dhe ula përdhe torbën me një grusht ndërresash e do gjëra të vogla që kisha marrë me vete.

Fillova punën. Sezoni turistik donte edhe një muaj e ca të vinte dhe punët duheshin shpejtuar. Më strehoi në një dhomë të vogël. Nuk më dha asnjë pazar për punën. As unë nuk i kërkova. Kështu vazhdova një muaj të tërë derisa lokali u bë gati dhe u dukën turistët e parë.

Ditën që hapëm lokalin më tha:

– Do të punosh kamerier. Do të ftosh turistët, do tu shërbesh në tavolina. Pagesa do të jetë mbi bazën e përqindjes së të ardhurave.

Fillova punën. Një ditë, dy, tre…dhjetë…
Më ra që të merrja në ditën më të mbarë tre mijë dhrahmi. Ai merrte pjesën e luanit e mua më jepte hisen e lepurit. E pashë se kështu nuk ecej. Në bujqësi ku punoja më përpara diku në Thiva merrja dyfish. Kot që isha munduar deri këtu e kot gjuhët evropiane që dija. Nuk pinin ujë. Mendova të iki prej atje. Në kohën e lirë nisa të kërkoj punë në ndonjë tjetër lokal. Më në fund e gjeta. Një lokal që më mbajti jo vetëm mua me bukë por edhe familjen time diku në një fshat të largët malor, jo pak por katër vjet të tërë.

I thashë se do të ikja dhe kërkova të ulemi të bëjmë llogari për tërë periudhën që kisha punuar. Nuk kundërshtoi por ma mati kokën me konop, siç i themi ne nga anët tona. Më futi në llogari edhe strehimin madje edhe ndonjë copë byrek që më kishte sjellë gjatë kohës që punoja. Nuk kisha nga t’ia mbaja. Ishte koha kur shqiptarët ishin ilegalë dhe një fjalë në polici dhe do të më duhej të bëja udhëtimin e tetë, maleve e ferrave. Shtatë udhëtime i kisha jo vetëm në kujtesë por edhe në trup dhoro e shkopit policor të gomës. Mbas shumë zbritjesh ngeli për të më dhënë 150 mijë dhrahmi. Më dha vetëm njëzet mijë dhe më tha se të tjerat do të m’i jepte muaj për muaj.

Koha eci përpara por ai ecte prapa në borxhin që më kishte. Duhet të them të drejtën që diçka më pagoi. Në fund të sezonit turistik më kishte ngelur borxh dyzet mijë dhrahmi. Ia kërkova. Më tha që të shkoja t’i merrja të pasnesërmen. Shkova por ai i kishte vënë kyçe gjithçkaje, me lokal e me hotel. Nuk kisha se çfarë të bëja. I hipa tragetit dhe shkova në Athinë. Një shok kishte hyrë dorëzanë për një punë në një lokal serioz. Atje punoj edhe sot dimrit…

 …Erdhi vera tjetër dhe u ktheva përsëri në ishull. Me pronarin e lokalit të dytë ishim bërë shokë e miq dhe nuk më lëshonte.

Një ditë shkova tek lokali i vjetër dhe  kërkova borxhin. Më tha se do t’i jap. E kush grek thotë se nuk do t’i jap ? E kanë provuar mërinë e shqiptarëve dhe asnjëherë nuk e thonë një gjë të tillë. Unë nuk jam nga ata që ngre dorën kundër dikujt por ama edhe djersën dhe gjakun tim nuk e fali për budalla.

Shkova disa herë por ai vazhdonte me të njëjtat fjalë. Kërkonte të ma punonte. Mendova dhe sajova një rrugë paçka se ato dyzet mijë dhrahmi nuk do të më hynin në xhep…

…Falë gjuhës dhe komunikimit të ëmbël që kam me klientët kisha bërë shumë miq e mikesha në radhët e të huajve. Një ditë marr një shok dhe bashkë me një norvegjeze dhe angleze shkova në lokalin e tij. U ula dhe u thashë atyre të porosisin çfarë të duan dhe të bëjnë çfarë të duan se paratë i paguaja unë. Porositëm nga të gjitha ushqimet e shtrenjta. Pimë sa u bëmë jo në qejf por në super qejf. Filluam, sipas traditës  së buzuqeve greke të thyejmë gota dhe pjata…

Në fund thërres kamerieren dhe i kërkoj të bëj një për një llogarinë. Doli që kishim ngrënë, pirë e thyer çfarë na erdhi për dore plot tridhjetë e nëntë mijë dhrahmi. I them kamerieres që t’i thotë të zotit të lokalit që Jorgua (kështu më thërriste), e mori borxhin dhe njëmijë dhrahmi nga ai borxh janë bakshish për ju. E njoftoi. Erdhi dhe tha vetëm një fjalë. “Mirë ma bëre!“

Nuk mora paratë por mora hakun. Të nesërmen kur na kish dalë pija u tregova shoqërueseve të mi historinë. Më thanë se do të kisha bërë mirë tua thosha përpara në mënyrë që të kishim thyer më shumë pjata.

– Po me pronarin si shkuan më pas marrëdhëniet tuaja ? – e pyes i brejtur nga kurioziteti i fundit i tregimit.

– Me pronarin? Ja shiko!

I thirri dhe ia bëri me dorë. Edhe ai ia bëri me dorë.

– U njohëm më shumë, u bëmë miq. Nganjëherë qëllon të pimë edhe ndonjë birrë në lokalin e tij. Paguan ai. “Si ma ke punuar ti nuk ma ka punuar askush”, më thotë.

– Kot nuk thonë, i thashë, derri do plumb.

– Mirë e ke. Do plumb por jo plumb prej metali por plumb prej pambuku.

Vazhduam të shëtisim bregut të detit. Nuk folëm për disa minuta. Nuk e di se çfarë çelësash kishte në dorë e po provonte  të hapte qeliza të tjera të kujtesës. Unë për vete po mendoja për hakmarrjen me “plumba prej pambuku”.

Abdurahim Ashiku

Santorini 2007

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.