PIAVICAT…

0

Fejton

BANDA  E  PIAVICAVE

Kohë piavicash…

Kohë koronavirusi…
Jo mikroskopikë, njëqelizor…
Makroskopikë, dykëmbësorë…

Fjalën bandë e dinë të gjithë, i madh e i vogël. Ajo nuk është gjë tjetër veçse një bashkim instrumentash të zhurmshëm muzikorë që shoqërojnë paradat apo kortezhet  e përmortshme, ose një bashkim instrumentash të dhunëshme që vjellin tmerr e frikë në skena makabre. Njerëzit që i mbajnë në duar dhe u bijen këtyre instrumentave, u thërrasin bandistë në rastin e parë dhe banditë në të dytin.

Piavicën jam i sigurtë se nuk e dijnë të gjithë për faktin se është një fjalë krahinore, provinciale. Pijavica është një krimb sterrë i zi. Kush ka bërë zoologji me siguri i kujtohet se kjo gjini e botës së madhe të kafshëve të vogla  ka një gojë apo stomë siç i thonë shkencërisht, ka do buzë që po u ngjitën në ndonjë trup me gjak të nxehtë edhe me brisk t’i presësh nuk shqiten. Për ta sqaruar më hollë po ju them se në anët tona i thonë pijavicë dhe se është një fjalë shqipe e përbërë nga pi-a  dhe -vicë. Në anët tuaja i thonë shushunjë…

Piavicat ju thashë se janë krimba të zinj. Ato mund t’i gjesh  në treg të futura në shishe transparente duke bërë kollotumba në ujë. Presin që dikush, i apasionuar pas mjeksisë së rrugës, t’i blejë e t’i vendosë në gushë. Gusha është vendi më i preferuar për pijavicat, fusha ideale për të instaluar trombën apo pompën e tyre të fuqishme që me një babëzi fenomenale thith… thith… thith… gjak.
Janë aq të babëzitura sa askush, me asnjë mjet nuk mund t’i shkëpusë nga gjakthithja. Unë i kam parë njëherë kur i vuri një plakë, komshija ime në fshat. I vuri se i kishin thënë se pijavicat thithin gjakun e keq dhe shërojnë sëmundjet. I pashë kur i vuri, jo një por pesë copë. I pashë kur krimbat e zinj vendosën me një shpejtësi marramendëse trombën e tyre në lëkurë dhe filluan, si në një garë kulinare ngrënie sanduiçësh, të thithin gjakun kapilar. I pashë pijavicat që nga pozicjoni ngjit me lëkurën kaluan në pozicionin e varur. Barku i tyre fryhej e fryhej me shpejtësi deri sa u bë kacek…
Kur u ngopën, kur barku i tyre nuk kishte më vend, pijavicat një nga një filluan të bijen për tokë duke u rrokullisur në kërkim të shtëpisë së tyre të ujëshme…

Nuk e di në se hulumtimet e mija zoologjike plotësuan kureshtjen tuaj për pijavicat. Sido që të jetë unë ju uroj që kurrë mos u ndodhtë të hyni në mbretërinë e bandës së pijavicave, kurrë mos futeni në ndonjë kënetë (atje është shtëpia e tyre) se po u futët, po ju sulmuan pijavicat nuk ka brisk që ju rruan…

Kur mora përsipër të flas për pijavicat nuk pata ndërmend që këto qënie të natyrës, këto krijesa pa tru e mend, këtë grigjë të Zotit që din vetëm të thit gjak, t’i poshtroj apo t’ju ftoj të bëjmë progrome ndaj tyre. Syun e kam gjetkë, tek pijavicat me dy këmbë e dy duar, me kostum e kollare, me çanta të mëdha. Cilësinë e të ngjiturit fort, të vendosjes së trompës dhe të thithjes ata e kanë gjenetikisht të trashëguar nga pijavicat. Ndryshimi qëndron se në vend të barkut të madh gjak grumbullues ata kanë çanta të mëdha. Pijavica, kur ngopet, bie për tokë. Qënia për të cilën flasim nuk ngopet kurrë. Ajo nuk bie për tokë por kërcen, hidhet nga një gushë në tjetrën…

Disa, apo më mirë të them, shumë nga ata që e kanë provuar trompën thithëse të këtyre krimbave, më kanë kuptuar që në fjalën e parë. Të tjerët, në qoftëse nuk më kanë kuptuar me siguri do të më kuptojnë kur halli do t’i çojë në adresat e ditës, gazeta, televizione, portale…

Piavicat me dy këmbë e dy duar janë një lloj krimbi sukulluar me kostum e kollaro që dalin pas çdo shiu me rrebeshe, që mbledhin pikat e këtij shiu e futen në ta si pijavicat e natyrës në kënetë. Këtu e kanë folenë, këtu presin prenë e tyre. Mjerë kush fut këmbët në këtë batak që mbrohet jo nga ligjet objektive të natyrës por nga ligjet parlamentare të njeriut…

Në kioskat televizive, ku aktualisht është stani më i madh i bandës së piavicave, sheh lloj-lloj surratesh, me ngojëz për tu mbrojtur nga korona virusi, që flasin e flasin sikur të ishin në kënetë, me fjalë kënete, me dije kënete, me maraz kënete, në kor bretkosash.  

 Desha të flas me emra, me adresa, me fjalë – citime që kullojnë zeher në një kohë kur duhet të kullojnë mjaltë.
Po i lë pa zë, pa figurë.
Më mirë kështu, anonimë, pa emër e pa adresë.
Edhe jeta jonë më ngjan se kështu është, jetë nën mbretërinë e piavicave, jetë pa emër e pa adresë.
Kohë piavicash…

Kohë koronavirusi…
Jo mikroskopikë, njëqelizor…
Makroskopikë, dykëmbësorë…

Abdurahim Ashiku

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.