Përkujtohet 76-vjetori i gjenocidit ndaj çamëve

0

Dhjetëra qytetarë përkujtuan të shtunën në varrezat e Kllogjerit në Sarandë, 76 vjetorin e vrasjeve dhe shpërnguljeve masive të shqiptarëve të Çamërisë.

Ajo që tashmë quhet si “java çame” nga Shoqata Patriotike “Çamëria” apo dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) u kujtua këtë vit me pak organizim për homazhe në ditën simbol të saj 27 qershorin, kjo për shkak të pandemisë së COVID-19.

Ish-deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri bëri thirrje që t’i bëhet më tepër trysni qeverisë në mënyrë që ajo të advokojë përpjekjet e kahershme të shqiptarëve të Çamërisë për të hequr akuzat e “pabaza”, siç i cilësoi ai, për “bashkëpunime me fashizmin”.

Për përvjetorin e 76-të të asaj që konsiderohet si “gjenocid”, Shoqata “Çamëria”, publikoi në Facebook një videomesazh sensibilizues.

Çamëria është një krahinë përtej kufirit jugor zyrtar të Shqipërisë. Në këtë krahinë banonin dhjetëra mijëra shqiptarë, të cilët në vitin 1944 u shpërngulën forcërisht nga autoritetet greke me pretendimin se “ishin bashkëpunëtorë të fashizmit”.

Gjatë shpërnguljeve masive nga qytete si Paramithi, Parga, Filat, Vanar etj, u vranë rreth 3 mijë shqiptarë, emrat e të cilëve përkujtohen në një memorial të ngritur në Kllogjer të Sarandës.

Çamët, që u shpërngulën në Shqipëri vuajtën përndjekje të vazhdueshme edhe nga regjimi komunist. Pas rrëzimit të diktaturës ata që e jetuan masakrën dhe pasardhësve të tyre ngritën pretendime për çështjen e pronave, pretendime të cilat u mohen nga autoritetet greke.

Më 30 qershor 1994, me propozim të deputetit të Vlorës Abedin Elmazi, Kuvendi i Shqipërisë vendosi të shpallë datën 27 qershor në kalendarin kombëtar si “dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”, vendim që më pas u dekretua nga Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha.

Athina zyrtare nuk e njeh çështjen çame.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.