PËRBALLJA ME VJEDHJET NË PALLATIN KU MORA SHTËPI

0

PËRBALLJA ME VJEDHJET NË PALLATIN KU MORA SHTËPI

Një fletë e shkruar për dhimbjen e madhe shqiptare “26 Nëntor 2019”, dhimbje burim krojesh të turbullt.

Ika nga vendlindja për të shpëtuar familjen, gruan dhe tre fëmijët, për ti shpëtuar dhunës që më ndiqte në çdo hap që bëja në qytetin e vogël verilindor, mbase edhe likuidimit fizik. Paralajmërimi “O mbyll gojën ose do të rrëmbejmë fëmijët”, tentativa e dështuar për rrëmbimin e vajzës studente, nuk më lanë shteg tjetër veçse ikjes, një ikje natën me djalin 14 vjeç përdore dhe gruan e vajzën lënë pas në mëshirën e fatit…
Në Greqi, ku u vendosa pranë djalit emigrant të paligjshëm nuk kërkova azil politik në një kohë që dhuna fizike e ushtruar ndaj meje në zyrë nga një “shkop gome” politik i kishte kapërcyer kufijtë e vendit: Isha regjistruar si gazetar i përgjakur egër në Human Right Watsh, komitetin ndërkombëtar të gazetarëve etj. fakte të mjaftueshme këto për azil dhe mbrojtje sipas ligjeve ndërkombëtare.
Nuk e kërkova. Thjesht sepse mendoja të kthehesha përsëri në vendlindje. Mbase duhet ta bëja kur do të shihja (asokohe dhe sot) ekraneve e lexoja gazetave për azile politike kriminelësh lyer duart me gjak pranverën e kobshme me 26 majin e ‘96 kulm, e më tej me ngjarjet shkatërruese të viteve 1977 e 1988…
Me mendjen për tu kthyer në vendin tim, me gruan dhe fëmijët mblodhëm dhrahmi pas dhrahmie, duke kursyer në ushqim e veshmbathje, shlyem këst pas kësti dhe blemë një shtëpi në Tiranë. Shtëpia jonë ! Jo ligjërisht se maratona për certifikatë pronësie do të kalonte hapësirës së më se pesëmbëdhjetë vjetëve.
Më në fund na vjen një lajm i mirë.
Shtëpia është gati!
Me kursimet e fundit blemë disa plaçka të reja fjetjeje e disa orendi të përdorura.
Ngarkuam makinën dhe u nisëm. Rruga asokohe ishte tepër e gjatë, rrugë që përshkohej për më se njëzet orë, nisi me dritë mëngjesi e sosi me errësirë nate.
Ashensori ende nuk ishte në funksionim çka na u desh që plaçkat ti ngjisnin me mundim shkallëve në errësirë në katër e kate. Një teknik i ndërtimi dhe dy punëtorë që prisnin atje, kundrejt “pagesës trefishe greke”, na ndihmuan në ngjitjen e plaçkave.
Me vete kisha marrë një kuti me tërë veglat e nevojshme për montime mekanike, elektrike e hidraulike, tepër të nevojshme këto për momentin.
Kërkova midis plaçkave por nuk i gjeta.
Duhet të qetësoheshim…
Nuk mund të prisja ditën për ta gjetur ndaj me një thikë xhepi, në terr montova dy krevate tek.
Natën e parë, në shtëpinë e ëndrrave të mërgimit, e kaluam në errësirë
E kërkova kutinë dhe nuk e gjeta as në dritën e ditës.
Zbrita shkallët dhe iu hakërrova teknikut. I thashë se për veglat e punës dhe për librat, kur dikush mi vjedh e mi prek, vrasë njeri.
Isha kaq i nervozuar sa thashë një fjalë që nuk e mendoja kurrë ta bëja. Ngjiti.
Dy orë më pas troket dera. E hapa dhe u përballa me teknikun e ndërtimit. Nga dora e djathtë varej kutia e veglave.
“ E kishte marrë një nga punëtorët, më tha. – Po ndërton një shtëpi dhe i duheshin veglat”.
Nuk ndërtonte vetëm  “punëtori” shtëpi, ndërtonin të gjithë, me punëtorë e teknikë…
Këtë do ta mësoja nga vëzhgimet në ditët që erdhën sa ndeja në Tiranë. Thasë me çimento, pllaka dyshemeje e muresh, pjesë hidrosanitare, kabllo e pajisje elektrike… nuk merrnin rrugën “lart” por “poshtë”, në adresa vetjake…
Kontrollova shtëpinë…
Në kontratën e ndërtimit thuhej se apartamenti do të ndërtohej mbi bazën e normave të komunitetit evropian.
Njohës në veçanti i normave evropiane në instalimet elektrike dhe hidraulike, mësuar gjatë viteve pune në mërgim, pashë se gjendja ishte skandaloze. Seksioni i fijeve elektrike tek kuzhina dhe pajisjet shtëpiake ishin katër herë më i vogël se normat. Rreziku i kontakteve dhe djegieve ishte i pranishëm. Banja, ngritur në dy shkallë nga niveli i korridorit, ishte çudi e çudive. Pajisjet hidrosanitare ishin vjedhur. Dyert e dhomave ishin pa korniza. Pllakat e dyshemesë në korridor e në dhoma kërcisnin si të ishin shtruar mbi rërë lumi e jo mbi çimento.
Kërkova takim me pronarin. Pas shumë këmbënguljesh erdhi. I ofrova uiski. Më pyeti se ku e ke marrë. I thashë se është origjinale nga kava-t greke. Pasi e piu i tregova me radhë të gjitha defektet. I thashë se suvaja e mureve gërryhet edhe me gisht. Ia tregova duke i kaluar gishtat e dorës një nga një, nga i madhi tek i vogli, mbi suvanë që nuk binte por rridhte si në pajisjet laboratorike të matjes së kohës me rërë.
Më tha se fajin e ka patriotja jote.
Më bëri fajtor (!)
E kishte fjalën për një inxhiniere nga Burreli punësuar tek ai.
Qesha dhe shtova se me Matin krushqitë Dibra i ka të rralla.
I kërkova proces-verbal dorëzimi të apartamentit. Sipas rregullave më të thjeshta të dorëzimeve.
Iku me premtimin se do të dërgonte inxhinierin dhe do ti rregullonte të gjitha.
Inxhinieri nuk erdhi. Në vend të tij erdhi tekniku. Pruri një kapak banje të përdorur. Nuk u përmbajta. Ia plasa prapa këmbëve tek zbriste shkallët…
Maratona nuk mbaroi këtu.
Filloi këtu…
Pajtova një avokat me kërkesën legjitime të dorëzimit të apartamentit sipas normave të komunitetit evropian dhe atij shqiptar.
Fitova shkallën e parë. Gjykata vendosi në favorin tim me një dëmshpërblim për mosdorëzim në afat dhe defekte në ndërtim e instalime…
I përballur me një shumë të madhe dëmshpërblimi e plotësime ndërtimi  bëri rekurs.
Në apel shkoi me avokat special…
Me xhep të fryrë…
Unë me një prokurë për një avokat të vogël.
Gjyqin e fitoi ai…
Gjyqtari, shok fëmijërie, kur u përballa vite më vonë në korridoret e policisë ku kisha shkuar për të marrë pasaportën e re, nuk më dhe të njohur, megjithëse e përshëndeta…
I dhashë të drejtë…
Xhepi i një emigranti ishte i vogël. Shumë i vogël para xhepit të një biznesmeni, në astarin e të cilit ishte mësuar të fuste dorën pa e pyetur…
“Derë hekuri”- thuhej dikur kur ishte fjala për burokracinë…
Nuk hapej kurrë…
“Derë e kasafortë e blinduar” – thuhet sot kur është fjala për korrupsionin dhe krimin mbirë në ballë…
Dikur, në ndërmarrje e kooperativa bujqësore, pyesnin njeri tjetrin: “Çfarë i shtove rrogës sot”?
Fjala ishte për gjëra të vogla.
Brac e ka emrin kjo lloj vjedhje…
E kisha njohur asaj kohe…
E njoha edhe kësaj kohe…
Me një ndryshim…
Hajdutët e mëdhenj ishin lart, në kupolën e ndërtimit. Me emra të mëdhenj: pronarë, arkitektë, inxhinierë zbatues, teknikë, supervizorë…
Hanin pallate.
Nga themelet në çati…
Bracët e vegjël gëlonin poshtë.
Merrnin aq sa merr mbi kurriz milingona…
Pa zhurmë…
Si në “violinën e Nastradinit”…
Zëri i dilte të nesërmen…
Tek shënoja këto radhë i thashë vetes se tërmeti në ndërtime duhet të zbresë nga “maja e malit në breg të detit”, “nga bosët e mëdhenj tek teknikët e vegjël e punëtorët” që bashkërisht çuan në natën e dhimbshme të 26 nëntorit 2019, në shkatërrime dhe vdekje…
Sa dhembje,
Këtu,
Or mik,
Or vëlla!
Kandar në botë,
Ta mbajë…
 S’ka…


Abdurahim Ashiku

Gazetar emigrant

Athinë, 2 dhjetor 2019

Shënim: Bosi i ndërtimit të pallatit tim quhet Hajredin Fratari.
Të tjerëve, inxhinierë, teknikë, punëtorë… nuk ua di emrat.
Bëmat po.
Adresa: Rruga e Durrësit, kulla 2, pallatet “Fratari”
  

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.