Liderët e tri partive politike në koalicionin qeverisës ne Kosovë janë takuar pasditen e së enjtes në njërin nga hotelet e Prishtinës.
Ky takim që ishte planifikuar të zhvillohej larg syrit te mediave, vjen pas kritikave të hapura që Ramush Haradinaj ka për Kryeministrin Avdullah Hoti rreth dialogut dhe mos përfaqësimit të AAK-së në tavolinën e Brukselit.
Por, kur doli nga takimi vet Haradinaj foli shumë shkurt, ndërsa tregoi se ai ishte nismëtar i kësaj mbledhjeje.
“Takimin e kam ftuar unë dhe besoj ka qenë takim i dobishëm”, u shpreh Haradinaj
Por, pas takimit, në emër të koalicionit foli lideri i Nismës, Fatmir Limaj. Ai tha se temë e këtij takimi ka qenë dialogu Kosovë-Serbi.
“Nuk duhet të humbet ky moment i rëndësishëm”, tha Fatmir Limaj – lider i Nismës Socialdemokrate.
Në pyetjen se a janë zgjidhur mosmarrëveshjet mes LDK-së she AAK-së për këtë temë, Limaj tha se janë në rrugë të drejtë rreth konsolidimit për hapat e mëtejshëm.
“Nuk ka mospajtime, ka nevojë për koordinim më të ngushtë, qartësi në agjendë dhe parapërgatitje profesionale dhe politike”, u shpreh z. Limaj.
Ai tha se për temën e Presidentit nuk është diskutuar dhe paralajmëroi se një takim tjetër do të zhvillohet pas kthimit të kryeministrit Avdullah Hoti nga Brukseli.