PARADOKSE

0

NJË PARADOKS MBI PARADOKSE

Rrëfenjë

Ajo kishte vite që  punonte e jetonte në Greqi. Ishte e rregullt në marrëdhëniet me punën, me jetën dhe me ligjet, siç janë shumica e shqiptarëve…

Çdo vit, dy muaj përpara se t’i skadonte leja e qëndrimit, pasi mblidhte të gjitha letrat që duheshin, paguante paravolo – taksën e njohur që rritej vit për vit, merrte atë që e quajnë “Veveos” në greqishten e administratës dhe…priste.

Se sa priste nuk po jua them. Jo për gjë tjetër por thjesht që të mos bëhem i mërzitshëm duke përsëritur një gjë që jo vetëm e dinë por edhe e kanë “barrë mbi samar” të gjithë…

Një ditë mori një ftesë nga djali në Amerikë dhe pasi mori vizë në ambasadën amerikane në Athinë shkoi të shijonte mjaltin, por edhe mjaltin e mjaltit të jetës. Shkoi të çmallej me djalin dhe nusen, të ndjente varur pas qafës krahët e vegjël të nipit dhe të qarat e para të mbesës. Një idil i mrekullueshëm i jetës që vetëm ata që e kanë përjetuar mund ta përshkruajnë. Jo me fjalë, sepse fjala e përshtatshme për këtë ndjenjë njerëzore nuk gjendet kurrë, thjesht sepse fle në shpirt dhe shpirti e ka pjesë të qelizës së vet…

U çmall…dhe i hipi avionit për tu çmallur me të shoqin dhe me të bijën të cilët i kishte lënë në Athinë. Udhëtoi me avion drejtpërdrejt nga New Yorku në Athinë…

Grekët e policisë aeroportuale, nuk e di pse kanë vendosur t’i bëjnë “bllokadë imperializmit amerikan”. Çdo aeroplan që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kontrollohet po aq hollë sa edhe një aeroplan që vjen nga Shqipëria. Për vendet e Bashkimit Evropian është ndryshe. Askush nuk të kontrollon, askush nuk pyet kush je dhe çfarë kombi e race je. Unë, fjala vjen, para disa vitesh mora bashkë me gruan një vizë në ambasadën italiane, i hipa avionit, zbrita dhe u ktheva pa më pyetur njeri kush je e çfarë dokumentesh ke. Po ta shohësh pasaportën time nuk do të gjesh asnjë vulë as në dalje nga Greqia, as në hyrje në Itali e as në kthim prej andej. Mbeta me pasaportë në dorë për të pas një vulë hyrje dhe dalje po nuk ma vari askush, as andej dhe as këndej. Me thënë të drejtën kjo gjë mu duk e bukur dhe megjithëse po i shikoj vitet e jetës nga sipër në shpirt më lindi dëshira ta arrijë ditën që ta shohë edhe “Shqipërinë Zonjë” siç ëndërronte një rilindës i madh.

Nejse, t’i lëmë ëndrrat në qiell dhe të zbresim në tokë, në tokën e aeroportit të Athinës…

Gruas ia prenë rrugën e daljes nga aeroporti. I thanë prerë se me “Veveos“ nuk mund të hynte në Greqi. Viza amerikane kishte vetëm vlerë daljeje nga Greqia. Vlerë hyrjeje nuk kishte. Edhe “Veveosi“ nuk kishte vlerë sepse emigrantët ishin në regjim “karantine“. Ajo ishte kthyer jashtë sezonit ortodoks të lejeve që u jepen emigrantëve…

Rrahën telefonat. U zgjuan avokatët (kësi rastesh presin, si ujku kur sëmuret bariu), u paguan para. Rezultati zero. Gruaja me dokumentin zyrtar që tregonte se prej vitesh jeton në Greqi nuk u la të takohej as me burrin dhe as me vajzën.

E kthyen në Shqipëri. Ato ditë, për shkak të “karantinës“ nuk shkonin dot në Shqipëri as i shoqi dhe as e bija. Ndenji disa ditë në miq e kushërinj të vetët e të burrit dhe…i hipi avionit dhe shkoi në Amerikë…

…Tani është kthyer në Tiranë ku falë “pullës mbi pasaportë” shkuan ta takojnë edhe i shoqi edhe e bija…

Të shoqin e takova këto ditë në Athinë. Kishte shkuar në bashki dhe pas disa refuzimeve të nëpunësve që gjithnjë të shohin me bezdi dhe që nuk begenisin as t’i hedhin një sy regjistrave (lexo defterëve të hallvaxhiut) por ta presin me sëpatë “Hajde pas dy javësh“ ishte gjetur një grua që e kishte dëgjuar, kishte parë në kompjuter dhe në kundërshtim me një që një minutë më parë i kishte thënë “nuk ka dalë, hajde pas dhjetë ditësh“, i kishte thënë se leja e qëndrimit ka dalë por atij nuk i lejohet që ta marrë, duhet të jetë i pranishëm vetë personi.

Çuditë e ligjeve dhe urdhëresave të parlamentarëve dhe nëpunësve grekë nuk kanë asnjë lloj mase pesha apo volumi. Një njeri që ka një vërtetim zyrtar leje qëndrimi të lëshuar nga administrata nuk lejohet të vijë. Pulla mbi pasaportë vihet vetëm në prani të tij. Bashkëshorti, babai, nëna…nuk mund të marrin lejen e qëndrimit të njeriut më të afërm të jetës së tyre. Një avokat apo avokate…mund ta marrë, sigurisht përkundrejt një grushti me para në xhepin e vet…

Hallexhiut tonë i kanë thënë që e shoqja të pres biletë e të zbresë në aeroportin e Athinës. Para se të bëhet kjo duhet gjetur një avokat i besuar i cili të shkojë në zyrat e bashkisë, të kërkojë dokumentin shoqërues të “pullës”, ta fotokopjojë dhe me të në dorë, me taksi, të shkojë në të njëjtën kohë të ardhjes së avionit dhe tu tregojë policëve se personit i ka dalë leja e qëndrimit prandaj duhet të hyjë për ta marrë atë…

Kështu i kanë thënë atij. Dhe ai ka llogaritur për xhepin e avokatit diku tek treqind apo katërqind eurot, pa bërë llogari për shpenzimet e tjera “rutinë”…

Ai qoftë. Unë si njeriu më durimvogël në botë  nuk e besoj këtë lloj rruge. Jo për gjë tjetër por sepse kam frikë se policët do t’i nxjerrin të tjera yçkla dhe do t’ia mbushin rrugën me gurë e shkrepa të pakalueshëm.

Thashë “ai qoftë“ se unë për veten time do t’i hipja avionit e do të shkoja në Paris, në Romë apo në Berlin dhe pa ndenjur atje asnjë orë do të merrja avionin për Greqi. Jam i sigurt se askush nuk do të pyeste se kush isha dhe ku shkoja.

Unë e di se në Greqi shqiptarët nuk i duan, i kontrollojnë edhe poshtë thonjve të këmbëve. Por nuk e dija se këtë gjë ua bëjnë edhe amerikanëve. Kjo nga një anë edhe më dëshpëron, edhe më gëzon. Në fund të fundit ne shqiptarët qenkemi të barabartë me amerikanët, jemi bërë Amerikë…

Këtyre shënimeve unë nuk u vura adresë të veçantë, nuk citova kënd as me emër dhe as me mbiemër. Dhe këtë e bëra se ndodhia e mikut tim mund të jetë edhe ndodhia juaj, e mikut apo të afërmit tuaj. Në qoftë se e doni me emër dhe mbiemër, me adresë të plotë atëherë shkruani në të adresën tuaj ose të mikut tuaj që e ka përjetuar një paradoks të tillë të ligjeve dhe të shoqërisë ku na ka sjell i madhi Zot të punojmë e jetojmë …

Abdurahim Ashiku

Athinë, 1997

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.