Nuk ka marrëveshje në Këshillin Politik për hapjen e listave dhe koalicioneve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare

0

Nuk ka marrëveshje në Këshillin Politik për hapjen e listave dhe formulën e re të koalicioneve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2021. Tre orë diskutime nuk kanë mjaftuar për të afruar palët. Pika e fortë dhe kryesore që i ndan lidhet me formulën e koalicioneve. Opozita jashtë parlamentit PD-LSI nuk pranon që të ndryshohet formula, pra që të garojnë në një listë unike, sikur shumica socialiste ka paralajmëruar me vendosmëri se do të miratohen në datë 30 korrik. Përfaqësuesit e PD-LSI, Bylykbashi dhe Vasili thanë pas mbledhjes së janë dakord me listat, por që të hapen 100%, por me kushtin që koalicionet të mos preken.

Damian Gjiknuri u përgjigj duke thënë se opozita jashtë parlamentit të gjejë një formulë në një vend që listat e hapura dhe koalicionet me formulën aktuale janë në harmoni dhe kjo do të implementohet edhe në Shqipëri. Pak minuta pas mbledhjes së Këshillit Politik, kryeministri Edi Rama u shpreh edhe njëherë i prerë dhe i qartë kur tha se të dyja, si listat dhe koalicionet me formulën e re do të miratohen në 30 korrik. Sa i përket opozitës parlamentare, Rudina Hajdari u shpreh e kënaqur kur doli nga mbledhja pasi deklaroi se mori premtimin nga shumica se listat do të hapen 100%.

Ekspertët e Këshillit Politik në përgjigjen e kthyer për përfaqësuesin e PS-së, Damian Gjiknuri shprehen se garimi me një listë unike, pra sikur e kërkon shumica socialiste nuk pengon dy ose më shumë parti politike që të regjistrojnë kandidatë, d.m.th. nuk pengon një koalicion zgjedhor të regjistrojë kandidatë, sikur pretendon PD-ja. Në mbledhjen e Këshillit Politik ishin edhe Kujtim Gjuzi me Zef Shtjefnin me argumentin se përfaqësojnë tetë parti parlamentare. 

Kryeministri Edi Rama është i vendosur për votimin në 30 korrik në Kuvend të hapjes së listave dhe formulës së re të koalicioneve, pavarësisht kundërshtimit të opozitës.

Miqve të PD u them shumë thjeshtë: Kuvendi në 30 korrik voton hapjen e listave dhe këtë jo ju, po as ne nuk e ndryshojmë dot, sepse ky është qartësisht vullneti i shqiptarëve edhe përtej partive që sot janë në parlament! Fatmirësisht risitë kushtetuese nuk pengojnë asgjë për ju!

Shqipëria është shumë e vogël për sherre e mosdakordësira që zmadhohen nga hiçi dhe pushteti shkon e vjen po Shqipëria mbetet, prandaj mendoni pak më shumë për Shqipërinë dhe pak më pak për sherrin e radhës, se me sherr as keni fituar e as fitoni dot ju, po lëndohet Shqipëria!

Ju doni lista të hapura 100%!Votimi i 30 korrikut nuk e pengon këtë. Jemi gati ta diskutojmë pa humbur asnjë ditë pas 30 korrikut. Ju doni koalicion parazgjedhor s’e nuk ndaheni dot nga LSI! As këtë s’e pengon votimi i 30 korrikut. Edhe këtë e zgjidhim po të keni vullnet pozitiv.

Shkurt, pengesa juaj sot nuk është as kushtetuese,as juridike,po thjesht politike!Ju doni të merrni peng hapjen e listave e të zvarrisni procesin me alibira absurde.Por për këtë s’keni konsensus nga ne dhe mund ta bëni pa ne, siç bëtë kur dogjët mandatet e kur ikët nga zgjedhjet” shkruan Rama.

PD nuk heq dorë nga kushti që koalicionet nuk duhet të ndryshohen. Opozita jashtë parlamentit edhe në mbledhjen e sotme të këshillit tha se është dakord për hapjen 100% të listave, por jo për të ndryshuar formulën e koalicioneve.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik kërkuam përsëri nga maxhoranca që të shprehet në parim, nëse është dakord që të ecet me propozimin që të hapen 100% listat e kandidatëve, duke ruajtur të paprekur koalicionet zgjedhore siç janë sot dhe formulën e shpërndarjes së mandatave. Përsëri u ndeshëm me refuzimin e Partisë Socialiste, refuzim për të pranuar këtë propozim kompromisi të Opozitës së Bashkuar. 

Partia Socialiste nuk ka ndryshuar asnjë centimetër pozicionin e saj, të veprimit të njëanshëm dhe ndryshimit të njëanshëm të Kushtetutës.  E bëmë të qartë siç e kemi bërë të qartë më përpara që janë veprime që do të prishin Marrëveshjen e 5 Qershorit.

Ne propozuam që të hiqet dorë nga ndryshime të njëanshme, të hartohet një amendament i përbashkët në lidhje me hapjen e listave dhe pa prekur asgjë tjetër në Kushtetutë dhe këtë ta bëjmë me ekspertizën ndërkombëtare. 

Për të garantuar që procesi do të mbetet i paprekur dhe përtej lojrave diabolike të Edi Ramës dhe të maxhorancës, ndryshimet kushtetuese dhe ato ligjore në këtë Kod Zgjedhor të jenë bashkë dhe t’i çohen parlamentit në mënyrë që të jetë çdo gjë e qartë.

Kemi një model që është tashmë prej 17 vitesh i konsoliduar, marrë nga Italia dhe i përdorur dhe nga shtete të tjera, është miratuar në vitin 2003, nuk ka prodhuar asnjë lloj krize dhe problemi në zgjedhje modeli i koalicioneve që përdor Shqipëria.   

Nuk ka asnjë rekomandim të OSBE-ODHIR apo të Komisionit të Venecias për ndonjë problematikë dhe që duhet ndryshuar kjo. Është vetëm një lojë e Edi Ramës për të ndryshuar rregullat para zgjedhjeve për t’i hequr mundësinë shqiptarëve që përveçse të përcaktojnë se kush është fuqia me vota e çdo kandidati, gjithashtu të përcaktojnë në mënyrë transparente me votën e tyre, kush është fuqia elektorale e çdo partie.

Edi Rama përpiqet të bëjë këtë lloj konfuzioni për të arritur qëllimet e tij nga frika që ka përballë koalicionit të opozitës së bashkuar. E përsërisim, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë diskutimin me transparencë dhe konsensus për të bërë së bashku amendime që do të hapin listat e kandidatëve 100% pa prekur asgjë tjetër që ndryshon rregullat themelore të procesit zgjedhor” tha Oerd Bylykbashi. 

Për Petrit Vasilin, Edi Rama po tenton të ndalojë koalicionet nga frika e humbjes. “Desha t’u sqaroj që në 6 muajt e këtij komisioni kërkush askush as nga PS-ja dhe as nga të tjerë në atë sallë apo kuvend nuk është kërkuar edhe njëherë që të flitet për koalicionet parazgjedhore. I vetmi argument që është ngritur ka qenë për listat e hapura. Edhe zonja Hajdari tha sot se kishte firmosur vetëm për listat e hapura, jo koalicionet, i gjithë ky puç bëhet nga PS-ja.

Koalicionet parazgjedhor do të thotë humbje për Edi Ramën. Gjiknuri pyetjes për modelin e fletës së votimit iu shmang duke thënë se është problem teknik, por Edi Rama është çjerrë duke thënë fletë votimi sa një çarçaf, ndërsa kur zgjidhja është para syve e shmangin”. Në fund, Vasili kishte një vërejtje për SPAK, se përse nuk e fitoi hetimin nga krimi zgjedhor në Dibër por nga Durrësi. “SPAK nga nuk ka filluar nga numri më i vogël 184, por 339“.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.