NJË VRASJE NË…

0

NJË VRASJE NË AMSTERDAM DHE MARSI DIBRAN ’96 ?

Opinion

Shpresoj, që në mos shteti, media e shkruar dhe televizive do të ndalen në historinë e “Tragjedisë dibrane 1996”.

Për tu dhënë përgjigje dy pyetjeve:

– Janë në burgun e sigurisë së lartë në Korfuz të Greqisë dhe duhet të kthehen për të gëzuar familjet dhe tërë Dibrën ?

– Janë mbytur në dallgët e zeza të Otrantos dhe duhet që Dibra të ngrejë një lapidar përkujtimor për ta ?

Të gjitha gazetat e shkruara dhe online, me ngjyra e pa ngjyra, televizionet kombëtare e jo kombëtare, në faqe të parë, si lajm të parë, u bë një vrasje në Amsterdam, 19 vjet të shkuara.

Ngjarja, siç shkruhet e thuhet, është nxjerrë në dritë nga një emision televiziv dhe po lakohet nga familjarë të afërt, nga analistë dhe nga policia. Një person i cituar me emër është vënë në kërkim.

Bashkohem me ta. Ngjarja duhet zbardhur. Fajtorët duhet të ndëshkohen. Eshtrat e zonjës duhet të kthehen në atdhe.

Në jetën shqiptare këtë një çerek shekulli kanë ndodhur ngjarje të mëdha, vrasje politike si ajo e 2 prillit në Shkodër, e… dhe ordinere që nuk janë zbardhur, ngjarje që shfrytëzohen nga politika për të “tërheqë nga vetja” për qëllime të njohura që lidhen me karrige e sfera ekonomike.

E kam ngritur disa herë në këto njëzet e ca vjet tragjedinë e 9 marsit 1996, zhdukjen e një gomoneje në barkun e së cilës ndodheshin 29 djem të Dibrës.

U bënë njëzet vjet që të afërmit, prindër, vëllezër, motra, fëmijë…enden midis “mbytjes” dhe “burgimit”, deklarimit zyrtar se ata janë mbytur dhe deklarimit anonim se ata ndodhen në një burg të sigurisë së lartë në katakombet e ishullit grek të Korfuzit.

Marsi fill pas ngjarjes, zyrtarisht e la mënjanë ngjarjen. Për partinë e Berishës, që planifikonte qetësi për vjedhjen e njohur të votave të 26 majit 1996, ngjarja i prishte humorin, tamtamet dhe festimet madhështore me këngë e valle, kopje e zgjedhjeve të diktaturës. Tridhjetë djem të rinj dibranë ishin si tridhjetë kurbane të therur në festime.

Më 27 mars 1996 televizioni shqiptar, shkurt në skaj të lajmeve, njofton:

…Në brigjet e Italisë është gjetur një kufomë dhe se 29 dibranë të nisur me një skaf më 9 mars kanë humbur…

Ky ishte i vetmi njoftim zyrtar. Asnjë njoftim tjetër. Asnjë zotim në kërkim e në zbardhje të ngjarjes.

Shteti jo. As shtypi i shkruar dhe i vetmi televizion në vend….

Do të kalonin tetë vjet. Të enjten, 15 janar 2004, Igli Toska, Ministër i Rendit në një paraqitje në Kuvend për të parën herë deklaron publikisht se “do të isha i padrejtë të mos përmendja edhe tragjedinë e 30 dibranëve në 09 mars 1996 që u mbytën. Askush nuk tentoi t’i shpëtonte dhe mizorisht fakti iu fsheh publikut dhe familjeve të tyre”!

Më 4 mars 2004 gazeta “Ballkan” shkruante… Kreu i komisionit parlamentar të Rendit e SHISH-it, Neritan Ceka, u shpreh dje për gazetën “Ballkan”, se po dje i kishte kërkuar takim motra e dy vëllezërve të humbur gjatë tragjedisë së 9 marsit 1996 në Otranto. “E prita dhe dëgjova shqetësimin e saj, madje i kërkova edhe një shkresë ku të paraqiste ankesën përkatëse. Ajo më vuri në dijeni për ato që dinte dhe për dyshimin se vëllezërit e saj janë gjallë dhe mbahen të mbyllur në një kamp, por që nuk mund të jetë e besueshme”, tha kreu i komisionit, Ceka. Por ende nuk ka ndonjë material konkret për këtë ngjarje, pasi janë edhe shumë viktima. Ceka pohoi se e afërmja e dy vëllezërve të zhdukur në këtë tragjedi ishte ankuar edhe pas ngjarjes tek ish presidenti Berisha dhe ky i fundit i kishte dhënë përgjigjen se “Deti ka ngrënë dhe do të hajë shumë viktima”. Do të interesohem vetë për këtë ngjarje për t’i mësuar të vërtetat’, përfundoi kryekomisioneri Ceka.

Kaq…

Më 29 mars 2005 Ministri i Rendit Publik, Igli Toska, ka shkuar në Maqellarë të rrethit të Dibrës, për të informuar familjarët e 29 personave të humbur në 10 mars të vitit 1996 në detin Adriatik, mbi përfundimin e hetimeve të bëra nga strukturat e Policisë së Shtetit mbi fatin e këtyre personave.

Hetimet rreth kësaj ngjarjeje të rëndë u rihapën pas interesimit të Kryeministrit Fatos Nano dhe urdhrit të ministrit të Rendit Publik, disa muaj më parë, për t’u dhënë një përgjigje kërkesave të familjarëve, që prej 9 vjetësh nuk kishin asnjë informacion për fatin e njerëzve të tyre.

Hetimet janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me policitë e Italisë dhe Greqisë, duke kontrolluar të gjithë dokumentacionin e kohës kur ka ndodhur ngjarja, madje duke kontrolluar edhe të gjithë shtetasit e burgosur në burgjet e këtyre shteteve që nga viti 1996. Oficerët e ndërlidhës të Ministrisë së Rendit në Itali dhe Greqi kanë marrë në intervistë të gjithë shtetasit shqiptarë që janë arrestuar në periudhën e lartpërmendur.

Në përfundim të hetimeve rezultoi se të 29 shtetasit nga Maqellara e Dibrës dhe tre personat që drejtonin skafin nga Vlora janë mbytur. Nga kontrolli i dokumentacionit përkatës rezultoi se në vitin 1996 Policia Italiane ka njoftuar Policinë e Vlorës për gjetjen e dy kufomave me emrat Sulejman Qoku dhe Petrit Qoku nga fshati Kllobçisht i Maqellarës dhe më pas edhe katër kufoma të tjera të cilat nuk mund të identifikoheshin për shkak të dekompozimit.

Prokuroria e rrethit Vlorë ka nisur procedimin penal për këtë çështje të cilën e ka pezulluar në 10 tetor 1996. Personat që kanë luajtur rolin e sekserëve në grumbullimin e njerëzve, janë amnistuar në vitin 1997 nga presidenti i asaj kohe.

…Rreth një vit më parë Policia e Vlorës ka arrestuar shtetasin Sokol Veizi, i cili ka qenë pronari i skafit të mbytur.

…Po atë ditë, 29 mars 2005, njoftohet se… ministri i Rendit Publik shkoi në familjen e Abdulla Hakores, i cili ka humbur djalin në këtë ngjarje tragjike. Ndërsa u ka dhënë familjarëve lajmin e hidhur ka qenë i pari që i ka ngushëlluar sipas zakoneve të vendit. Ministri Toska ka premtuar në emër të qeverisë se do të shihen të gjitha mundësitë për të ndihmuar financiarisht fëmijët e viktimave. (!)

Një motër e dy vëllezërve takohet me kryekomisionerin Ceka dhe i thotë se “vëllezërit e saj janë gjallë dhe mbahen të mbyllur në një kamp”.

Ministri socialist i Rendit Toska deklaron: “Policia Italiane ka njoftuar Policinë e Vlorës për gjetjen e dy kufomave me emrat Sulejman Qoku dhe Petrit Qoku nga fshati Kllobçisht i Maqellarës dhe më pas edhe katër kufoma të tjera të cilat nuk mund të identifikoheshin për shkak të dekompozimit.”

Askush, tash 20 e ca vjet nga ngjarja dhe 11 vjet nga deklarata e një zyrtari të lartë të Republikës së Shqipërisë, as media e shkruar, as elektronike, as prokuroria, as gjykata, askush, askush… nuk është ndalur dhe të hetojë mbi deklaratën e ministrit të rendit… për gjetjen e dy kufomave me emrat Sulejman Qoku dhe Petrit Qoku nga fshati Kllobçisht i Maqellarës dhe më pas edhe katër kufoma të tjera të cilat nuk mund të identifikoheshin për shkak të dekompozimit.”

Kufoma e Sulejman Qokut nga fshati Kllobçisht i Maqellarës prehet në vendlindje në sajë të udhëtimit të kushëririt të tij Agron Qoku, deputet i Partisë Demokratike.

Në një letër publike më 2 prill 2005 në adresë të ministrit të rendit Igli Toska, ndër të tjera shkruaja… …Ju thoni i nderuar Ministër se “Nga kontrolli i dokumenteve përkatës rezultoi se në vitin 1996 Policia Italiane ka njoftuar Policinë e Vlorës për gjetjen e dy kufomave me emrat Sulejman Qoku dhe Pertrit Qoku nga fshati Kllobçisht i Maqellarës dhe më pas edhe katër kufoma të tjera të cilat nuk mund të identifikoheshin për shkak të dekompozimit”.

Unë, në atë kohë, kam pas mësuar për gjetjen e kufomës vetëm të njërit, të S. Qokut, që deputeti i PD-së, njeriu i afërt i tij, Agron Qoku shkoi dhe e njohu vetë dhe e solli në Kllobçisht ku ka edhe sot e kësaj dite varrin e vet. Ju jepni edhe një emër, që të paktën unë nuk e kam ditë si të vdekur, të Petritit, por nuk jepni emrat e katër personave të tjerë që “nuk mund të identifikoheshin për shkak të dekompozimit”. Një përgjigje të tillë mund ta presësh nga kushdo por jo nga një ministër rendi. Çelësi për identifikimin e kufomave tashmë është kaq i njohur sa është bërë dhe po bëhet edhe në dhjetëra mijëra apo më shumë njerëz, viktima të Cunamit. Është AND-ja. A është bërë, qoftë edhe një veprim i vogël në testimin e atyre kufomave nëpërmjet testeve bashkëkohore? Me njoftimin që dhatë ju mendoj se keni sjellë një tronditje të re, të thellë, midis familjarëve të viktimave. Ata, me siguri, duan të dinë emrat e atyre djemve, të marrin eshtrat dhe t’i varrosin në fshatin e tyre, pranë dhembjeve të tyre. Këtë, i nderuar Ministër duhet ta bëni. Dhe ta bëni sa më shpejt të jetë e mundshme” .

Presidenti Berisha, me amnistinë në prag të ikjes së turpshme nga pushteti, i la të lirë të gjithë ata që organizuan dhe përcollën në thellësi të detit të zi të Otrantos djemtë e Dibrës !

Shteti socialist, me deklaratat në kuvend dhe me kafen e mortit në Brezhdan të Dibrës në familjen e Abdulla Hakores të ministrit të rendit Toska, e kaloi në arkiv tragjedinë dibrane të 9 marsit 1996 !

Në 24 vjetorin e tragjedisë ende flitet me zë të lartë për “një burg të sigurisë së lartë në Korfuz të Greqisë ku mbahen djemtë e Dibrës”.
U tha edhe në një emision të vjeshtës 2019, me zë e figurë, në një udhëtim në Maqellarë nga gazetari Marin Mema…

Nënave, motrave, grave shamizeza, fëmijëve tashmë të rritur edhe pas 20  e ca vjetësh nuk u është dhënë përgjigje për tragjedinë.

– Një përgjigje zyrtare për praninë ose jo të djemve në “burgun e sigurisë së lartë në Korfuz”

– Një përgjigje duke marrë kampione nga të gjithë prindërit, motrat, vëllezërit, fëmijët, analizën e ADN-së së tyre dhe krahasimin me ADN e “katër kufomave të tjera” të gjetura dhe të njoftuara në adresë të policisë së Vlorës nga policia italiane.

E vërteta qetëson, shëron zemra dhe shpirtra.

Shpresoj, që në mos shteti, media e shkruar dhe televizive do të ndalet në historinë e “Tragjedisë dibrane 1996”.

Për tu dhënë përgjigje dy pyetjeve:

– Janë në burgun e sigurisë së lartë në Korfuz të Greqisë dhe duhet të kthehen për të gëzuar familjet dhe tërë Dibrën ?

– Janë mbytur në dallgët e zeza të Otrantos dhe duhet që Dibra të ngrejë një lapidar përkujtimor për ta ?

Abdurahim Ashiku

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.