NJË TRAGJEDI DIBRANE ’96

0

HESHTJA PËR NJË DHIMBJE QË ÇAU GURIN E DOGJI DRURIN

Të hënën, 9 mars 2020 u mbushën 24 vjet nga një dhimbje që siç thuhet në odën Dibrane “Çau gurin e dogji drurin… ”.
Tridhjetë djem të Dibrës humbën mes ujërave të Otrantos…
Kam pas fatin e keq të gazetarit që pesë ditë më vonë, pikat e lotëve të mbledhura në Peshkopi e Maqellarë ti vija në germa e ti përcillja publikisht në këndin e djathtë të një gazete me thirrjen për ti kërkuar, për ti gjet, për të thënë të vërtetën e asaj ndodhie që nuk do të zbardhej kurrë.
E përsërita thirrjen time vit pas viti, pranverë më pranverë…
Nuk mora përgjigje…
Nuk morën përgjigje…
Nuk mora as në një reportazh fluturak të Marin Memës përcjellë muaj më parë në faqen e tij televizive…
Desha të shkruaj…
Vura një titull…
NJË NATË DIBRANE QË NUK ZBARDHI KURRË…

Trembëdhjetë rreshta…

Një ngjarje që më përmbysi jetën…
Më në fund, pas 23 vjetësh (!), më se 8500 ditë pas lajmit për humbjen e madhe dibrane (“Zëri i popullit 14 mars 1996) një media prestigjioze në një emision të Marin Memës zbardhës ngjarjesh të mëdha me kokë e rrënjë në shekuj e në ditët tona, hodhi një fashë drite mbi natën e kobshme të 9-10 marsit 1996 ku u zhdukën pa lënë gjurmë 29 dibranë e me ta edhe 3 skafistë vlonjatë.
Përcjellës në shtyp i ngjarjes me burim Maqellarën, Grevën, Brezhdanin, Bardhaj Reçin e me ndonjë “rrjedhje policore”, me thirrjen:
“Duke uruar që djemtë të kenë arritur shëndosh e mirë në Itali e familjet e kësaj zone të mos shohin gjëmë e kob, Maqellara kërkon të hidhet zyrtarisht dritë mbi këtë ngjarje të rëndë, të qetësohen zemrat e ngrira të prindërve.”

Kaq.
Vetëm “trembëdhjetë rreshta”…
Nuk gërmova në kujtesë…
Nuk gërmova në shënime e shkrime…
Dibranët, djem të rinj, bijë nënash e prindër fëmijësh, ishin harruar, ishin tradhtuar…

Të afërmet e tyre mendojnë se ata janë gjallë…
I mbajnë gjallë…

*                  *                  *

Kisha vendosë që mos shkruaja më…
Dhe nuk do të shkruaj…
Përveçse, po qesh gjallë e tek Ura e Topojanit do të lartësonin një memorial, një kujtesë në bronc për ata djem të Maqellarës dhe mbarë Dibrës, “Lule Dite Vere…”
Atëherë po. Do të udhëtoja makinë më makinë…
Për të vënë mbi bronc një gjysmë tufë me lule pranvere…
Për të hedhë në Drin gjysmën tjetër, ta marrë uji e ta çojë në dete…
Për këtë pranverë të 24-t të tyre por përcjell një shkrim të gazetarit matjan Hasan Pasha që më mirë se kushdo e ka bërë kronikën e një ikje të dhimbshme sa nuk ka peshore njerëzore që e mban.
Faleminderit Hasan Pasha!

Nga Abdurahim Ashiku

Athinë, 11 mars 2020

GAZETARI ASHIKU: KU MBETËN 30 DIBRANËT E MI ?

DIBËR-18 vjet nga zhdukja misterioze e 30 dibranëve gazetari në emigrim, Abdurahim Ashiku kujton ngjarjen e rëndë që mbeti e pazbardhur nga autoritetet shqiptare.

Ishte 9 marsi i vitit 1996 kur dibranët humbën çdo kontakt me njerëzit e tyre të afërm. “Natën e 9 marsit të vitit 1996, e premte në të shtunë, tridhjetë dibranë u tretën si kripa në ujë, në ngushticën detare të Otrantos, në udhëtimin klandestin drejt Italisë”-e nis rrëfimin e tij Ashiku.
Dhe më tej vijon: “As mëngjesin e së shtunës, të dielës, të hënës, të martës, të mërkurës…as edhe një lajm, as edhe një germë e shkruar në gazetat e kohës, as edhe një zë në të vetmin televizion e radio të vendit ! Një fonogram nga Vlora në adresë të Komisariatit të Policisë të Peshkopisë përcillte lajmin e kobshëm se një djalë i ri nga Kllobçishti i Maqellarës, Sulejman Qoku, ishte gjetur në brigjet e Italisë, i mbytur”-shkruan me dhimbje gazetari i njohur dibran. Ishte ky “zë në kasafortë” që do të trondiste jo vetëm familjen Qoku por edhe dhjetëra familje të tjera që e dinin se me të kishin qenë edhe djemtë e tyre. Kjo bëri që në zyrat e PTT-së në Peshkopi e Maqellarë të vërshonin burra e gra, nëna e motra me lot në sy në përgjigje të pyetjes “Ku janë djemtë tanë?”
“I kam jetuar dhimbshëm ato moment”-rrëfen dibrani i letrave. Më 14 mars 1996, e enjte, në një cep në faqen e parë të gazetës “Zëri i Popullit” botohet shkrimi: “Viktima të eksodit” – Një i mbytur në det dhe 30 të tjerë të humbur. Të gjithë nga Maqellara e Dibrës. Ishte shkrim me firmën time.
Më 15 mars, e premte, “Gazeta Shqiptare” boton lajmin mbi humbjen e një skafi ku kanë qenë ”34 vetë nga Dibra” dhe gjetjen në brigjet e Otrantos të kufomës së Sulejman Qokut nga Maqellara.
 Më 27 mars, e mërkurë, Televizioni Shqiptar, pas 18 ditë heshtjeje, më në fund bëhet i gjallë. Spikerja njofton thatë se në brigjet e Italisë është gjetur një kufomë dhe se 29 dibranë të nisur me një skaf më 9 mars kanë humbur”-thekson Abdurrahim Ashiku, i cili tashmë banon në Greqi. Shteti dhe partitë politike ishin në ethet e zgjedhjeve të 26 majit 1996. Tragjedia dibrane e 9 marsit 1996 ishte hedhur në koshin e harresës. Deti Jon përsëri ngre dallgë. Vjen 28 marsi i vitit 1997. Vjen tragjedia e madhe ku “kateri i radhës” goditet nga “Sibila” dhe Otrantoja merr në gjirin e vet të errët shtatëdhjetë e ca jetë njerëzish, burra e gra, fëmijë që ende nuk kishin hedhur hapin e parë mbi tokë. Më 15 janar 2004 ministri i rendit Toska, duke bërë një përmbledhje të viktimave që humbën në valët e detit për herë të parë deklaron publikisht në Kuvend: “Do të isha i padrejtë të mos përmendja edhe tragjedinë e 30 dibranëve më 9 mars 1996 që u mbytën, askush nuk tentoi t’i shpëtonte dhe mizorisht fakti iu fsheh publikut dhe familjeve të tyre!”.
Më 29 mars 2005 (sipas shtypit) ministri Toska bën një vizitë në familjen e Abdulla Hakores në Brezhdan i cili humbi djalin në këtë ngjarje tragjike. Ndërsa u ka dhënë familjarëve lajmin e hidhur ka qenë i pari që i ka ngushëlluar sipas zakoneve të vendit. Ministri i kohës Toska ka premtuar në emër të qeverisë se do të shihen të gjitha mundësitë për të ndihmuar financiarisht fëmijët e viktimave.
“Në një letër të hapur në adresë të ministrit Toska më 2 prill 2005 shkruaja: Ju i nderuar Ministër thoni: “Nga kontrolli i dokumenteve përkatës rezultoi se në vitin 1996 Policia Italiane ka njoftuar Policinë e Vlorës për gjetjen e dy kufomave me emrat Sulejman Qoku dhe Petrit Qoku nga fshati Kllobçisht i Maqellarës dhe më pas edhe katër kufoma të tjera të cilat nuk mund të identifikoheshin për shkak të dekompozimit”. Unë, në atë kohë, kam pas mësuar për gjetjen e kufomës vetëm të njërit, të S. Qokut që deputeti i PD-së, njeri i afërt i tij, Agron Qoku shkoi dhe e njohu vetë dhe e solli në Kllobçisht ku ka edhe sot e kësaj dite varrin e vet. Ju jepni edhe një emër, që të paktën unë nuk e kam ditë si të vdekur, të Petritit, por nuk jepni emrat e katër personave të tjerë që “nuk mund të identifikoheshin për shkak të dekompozimit”. Një përgjigje të tillë mund ta presësh nga kushdo por jo nga një ministër rendi. Çelësi për identifikimin e kufomave tashmë është kaq i njohur sa është bërë dhe po bëhet edhe në dhjetëra mijëra apo më shumë njerëz, viktima të Cunamit, është ADN-ja. A është bërë, qoftë edhe një veprim i vogël në testimin e atyre kufomave nëpërmjet testeve bashkëkohore? Me njoftimin që dhatë mendoj se keni sjellë një tronditje të re, të thellë, midis familjarëve të viktimave. Ata, me siguri, duan të dinë emrat e atyre djemve, të marrin eshtrat dhe t’i varrosin në fshatin e tyre, pranë dhimbjeve të tyre. Këtë, i nderuar ministër, duhet ta bëni. Dhe ta bëni sa më shpejt të jetë e mundshme”-shkruan Ashiku. Kanë kaluar tetëmbëdhjetë vjet dhe “fjala kryengritëse” në kërkim të të vërtetës së 9 marsit 1996. “Mua, si gazetar thotë Ashiku, më ka takuar fati i keq i përcjelljes publike të një ngjarje të rëndë. Do të doja të jenë gjallë, qoftë edhe në një “burg të sigurisë së lartë”, të mbyllur si në legjendat dhe mitet e moçme helene. Por mbi të gjitha do të doja të vërtetën, do të doja që njerëzit pranë ngjarjes të flasin, do të doja që arkivat të hapen deri në rreshtin e fundit. Nuk e dua unë. E do e vërteta, e do historia. Ata djem, duam s’duam ne, do apo nuk do politika, kanë hyrë në histori, janë bërë pjesë e tragjedive shqiptare të këtij tranzicioni pa kuptim. Sot është 9 mars. Jam larg Dibrës, që të ndalesha pak tek ura e Topojanit e t’i jepja Drinit një tufë “kukrekësh–Dite Vere” për t’ia përcjellë detit. Jam larg Vlorës që, bashkë me shamizezat dibrane, të hidhja edhe unë një karafil mbi dallgët e detit”-shprehet gazetari dibran. “Jam larg atdheut por pranë detit, një deti të huaj. Po këpus nga pjeshka e kopshtit ku punoj një degë me lule të sapoçelura. Po e hedh në detin e Pireut duke iu lutur dallgës t’i çojë në detin e shpirtit të “Djemve të Dibrës”-e mbyll rrëfimin e tij Abdurahim Ashiku.

DIBËR
HASAN PASHA

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.