Në bregdet…

0

MËNGJES I VONUAR

Skicë

Shkruar plot dy vjet të shkuara, më 17 prill 2018…
Përcjellë sot me dëshirën ta kapërcej karantinën e të jem atje, mes gjelbërimit e përballë dallgëve…
Nuk  e di a do të thyhet dryni i kësaj qelie të errët që ka mbledhë e mban ngujuar gjithë botën…
Shpresa, e vetmja gjë që na i bashkon duart në lutje…


Jam ulur në ballkonin e shtëpisë time në plazhin Mali i Robit.
Kohë e ngrohtë…
Të ngrohtë i pazakontë…
Aroma e pishave më vjen në flegrat e hundës e oksigjeni ma mbush gjoksin…
Gjethet e plepit të llojit euro-kanadez fëshfërijnë…
Deti, tutje pishave fle…
Përballë meje, ndonja 30 metro larg dy buldozerë ende nuk janë zgjuar…
Ora 9.00 e mëngjesit…
Dielli ka tre orë që vazhdon ngjitjen drejt zenitit…
Njerëzit ka tre orë që nuk u thotë askush “punë e mbarë”!…
Më në fund dikush vjen…
Është buldozeristi që pas një ceremonial prish qetësinë…
Janë dy buldozerë, njeri me zinxhirë e tjetri me rrota.
I pari me një qafë që zgjatet për të përfunduar në një si koritë…
I dyti ka përpara një ruspë e pas një krah të gjatë…
Po i japin formë një kanali që tash dhjetë vjet sa jam unë këtu, fole mushkonjash ka qenë e ujëra të bardha e të zeza ka marrë me vete për t’i depozituar në det.
Buldozeri mbush koritën me ujë për ta përcjellë dy metra më tej…
Uji kthehet mbrapsht.
Ai përsëri e merr dhe e përcjell në një ritëm që zgjat një orë të tërë.
Nuk ka një pompë që ta marrë ujin dhe ta thajë kanalin që shpejt do të betonohet…
Nuk ka…
Dhe riti vazhdon si në lojën e fëmijëve që mbushin kovat shumëngjyrshme me ujë dhe kërkojnë të thajnë detin…
Ora 10.00…
Erdhën punëtorët, ata që do tu japin formë skarpateve dhe betojnë kanalin…
Një nga një zhvishen, ashtu, thjesht, në natyrë…
Skarpatet ngjishen nga forca e koritës të buldozerit e mbi ta, pa zemër hekuri, hidhet beton…
Beton mbi dheun ku rëra dominon me tetëdhjetë për qind…
Beton mbi një formacion ranorë që shpejt do të rrëshqasë e masa do të çahet…
I dërgova një mesazh kryeministrit në “Shqipëria që duam” për ligjshmërinë e ndërtimit. Më shkruanin që do të më jepnin përgjigje pas…10 ditësh…
Dikush më tha se pronari i firmës është në burg për shkak se të njëjtën gjë ka bërë edhe në një ndërtim të këtij lloji…
Në orën 12-00 punëtorët çdo ditë i shoh të bëjnë pushim nën hijen e plepave…
Pushim deri në orën dy…
Pas orës katër bie qetësia…
Buldozerët i mbledhin kokë më kokë si t’i venë në gjumë…
Poshtë, boshti rrugorë nga Mak Albania tek plazhi i Golemit, bosht që përshkon tërë plazhin e Malit të Robit, është i qetë.
Asnjë mjet nuk punon…
Asnjë punëtor nuk duket…
Vetëm pluhuri ngrihet lart nga lëvizja e makinave të firmave që gëlojnë në ndërtimin e hoteleve në nxitimin që të jenë gati në ditët e plazhit…
Me sa duket këtë vit plazhi dhe plazhistët e Malit të Robit do të zhyten e thithin pluhur…
Firmat që shteti ka paguar për ndërtimin “brenda 4 muajve” të rrugëve po ecin me ritmin e breshkës…
Më falni!
E ofendova breshkën…
Ajo ecën më shpejt se koha jonë…
Sikur të ecej me hapin ritmik të saj, Shqipëria do kishte shkuar me kohë në Evropë…
Nuk do të mbetej në…gropë.

Abdurahim Ashiku
Mali i Robit, 17 prill 2018


Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.