Ndërprerje e ndryshime në kohë pandemie ne jetën e femijëve- si forcohet rezistenca emocionale?

0

Pse duhet menduar për këtë gjë?

Rezistenca emocionale eshte aftësia për ripërtëritje dhe rimëkëmbje pas një vështirësie. Sa më e mirëformuar të jetë rezistenca emocionale aq më pak pasoja lë pas një problem, një ndryshim që ndodh papritur apo një situatë vështirësie e stërzgjatur. Në një situatë si kjo që po jetojmë, me kohëzgjatje të paparashikueshme, shumë ndryshime të natyrshme siç është përfundimi i një viti shkollor, po ndodhin për fëmijët e adoleshentët pa ngjarjet që i shoqërojnë zakonisht siç janë festat në shkollë apo mbrëmjet e maturës, provimet, bisedat me mësuesit për notat, bisedat mbi vitin e ardhshëm shkollor apo shkollën e re në rastin e maturantëve. Vera po vjen për herë të parë në jetën e femijëve tanë pa momentin e përshëndetjes me ndërtesën e shkollës, simbol i institucionit. Përtej vështirësive në nivel informativ për shkak të situatës, këto kapërcime nga një etape në tjetrën pa ritualet e tyre lënë pas një ndjesi humbjeje, të fortë apo jo në vartësi të rrethanave individuale, e cila vjen me pikëllimin qe shoqëron çdo humbje.

Si mund të ndihmojë shkolla?

Arsimtarët për javë me rradhë janë munduar të krijojnë një sistem mësimdhenieje përmes mjeteve të teknologjisë, një përshtatje rrethanore e sistemit për të cilin u përgatitën e në të cilin kanë punuar. Kërkesa për krijimin e këtij sistemi ishte sa e papritur aq edhe e panjohur. Ndërkohë që javët u bënë muaj, ky sistem gradualisht u bë realiteti i ri edhe pse shumë larg ambientit shkollor për sa i ofron zhvillimit psikosocial të një fëmije. Ky sistem tashmë është i vetmi që na mbetet për të kompensuar sado pak humbjen e ritualeve që shënojnë përfundimin të vitit shkollor. Në vartësi të rrethanave për çdo nxënës, mësuesit mund të krijojnë biseda individuale apo në grup me femijët për të rikujtuar arritjet e vitit të kaluar, si dhe për të shprehur ndjenjat mbi pamundësinë e festimit të përfundimit të vitit shkollor. Një rëndësi të veçantë në këto momente merr tranzicioni në shkollën e re për maturantët. Mbase për këta të fundit duhet kushtuar edhe më shumë vëmendje në pranimin e këtij përfundimi, jo vetëm të vitit shkollor por edhe të një eksperience disa vjecare në të njëjtin ambient social e arsimor. Edhe pa pandeminë ky do të ishte një moment delikat nga ana emocionale për këta nxënës, mbyllja e një etape në jetë për të kaluar tek tjetra mbart kujtime e entusiazëm, pikëllim edhe shpresë, si dhe ndjenjën e paqartësisë për cfare do të vijë. Një bisedë e hapur me nxënësit ku ndahen eksperienca e normalizohen këto ndjenja, shpesh edhe kontradiktore, mund t’i ndihmojë shumë për të pranuar këtë tranzicion sa më lehtë të dy palët, jo vetëm nxënësit. Një mësuese zgjodhi ta nisi këtë bisedë duke u treguar nxënësve fotografi nga matura e saj dhe nga shkolla ku ka shkuar vetë. Dikush mund të zgjedhi ta nisi këtë bisedë duke folur për shembull për gjimnazet e ndryshme ku do të shkojnë fëmijët pjesëmarrës, ku ndodhen, cfarë kanë rrotull, si duken nga jashte, sa nxënës kanë, etj

Si mund te ndihmojë familja?

Sygjerimet e mësipërme vlejnë edhe për prindërit. Ndryshimi është pjesë e pandarë e jetës dhe të flasim haptas për shqetësimet e pasiguritë që sjell ndryshimi është e domosdoshme. Duhet të dëgjojmë fëmijët për mënyrën se si ndjehen, para se të mund të japim idetë tona se si përballohet ajo ndjenjë, në përputhje me moshën e tyre. Inkurajoini të flasin, është normale të kesh pikëpyetje dhe është normale të duash t’i diskutosh. Një tjetër gjë që nuk duhet harruar është se fëmijët kanë pasur edhe tranzicione të tjera në jetë- nga kopshti në shkollë, një ndërrim banese etj. Mund t’i ndihmoni të lidhen me cilindo aspekt pozitiv të ndryshimeve të kaluara për të kuptuar aftësitë e tyre ata vetë. T’i vësh në dukje një fëmije se si ka ditur të flasë me personin e duhur në shkollë kur ka pasur një problem, diçka që fëmija mund të mos e identifikojë si aftësi, vë në lëvizje kuriozitetin për veten dhe rrit vetëdijen. 

Një realitet i vërtetuar tashmë është se komunikimi i duhur mes shkollës dhe familjes trajton e zgjidh shumë probleme më saktë e më shpejt. Në kushtet e shkollimit në shtëpi kjo gjë është e domosdoshme. Eshtë e rëndësishme që mësuesit dhe prindërit të ndajnë informacion mbi ide pozitive apo shqetësime që mund të kenë për fëmijën. Kjo nuk do të thotë që mësuesi duhet të bëjë punën e prindit apo anasjelltas. Informacioni i ndarë në këto momente duhet të shërbejë që secila palë të ketë sa më shumë rezultat në mënyrën se si mbështet fëmijën apo adoleshentin në fjalë. Sa më i pranuar e i mbështetur të ndjehet fëmija, aq më shumë beson tek aftësitë e veta dhe aq më lirisht do flasi me të rriturit në momente vështirësie.

Sigurisht jo të gjithë fëmijët do të kenë të njëjtat reagime, por as edhe do të reagojnë apo do të tregojnë shqetësimet e tyre në sinkronë. Për këtë na duhet të përforcojmë rezistencën emocionale si një mjet mbrojtjeje që do të përdoret nga vetë fëmija sipas nevojës. Ndryshimi, kalimi nga një etapë të jetës në tjetrën janë situata normale. Çdo arritje në jetë është një proces dhe përgjigjet përfundimtare nuk mund t’i kemi pa përfunduar procesi i kalimit në etapën tjetër në jetë, aq më pak në situatën aktuale. Ajo që kemi në dorë është komunikimi i qartë i ideve që ngjallin shpresë, i ideve mbi përshtatjen e planeve sipas rrethanave dhe përqasja neutrale, pa biseda katastrofe apo nënvleftësimi. Të rriturit, prindër apo profesionistë, nuk i kanë të gjitha përgjigjet në këto momente, por kanë mundësinë dhe aftësinë të krijojnë një atmosferë ku shprehja e ndjenjës dhe sygjerimet të bëhen pjesë e planifikimit dhe të gjetjes së një zgjidhjeje për çdo situatë.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.