Ndërkombëtarët vihen në lëvizje për të zgjidhur krizën!

0

Ndërkombëtarët ndërhyjnë sërish për të ulur gjakrat në politikën shqiptare për të rikthyer palët në tryezën e Reformës Zgjedhore që u bojkotua nga opozita, e cila nisi valën e protestave pas shembjes së Teatrit Kombëtar. Pas takimit për rreth një orë me ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim për të diskutuar për ngërçin politik, kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale thotë se ka pasur biseda të tjera me miqtë ndërkombëtarë  edhe jashtë vendit. Kreu i qeverisë thotë se nga bisedat me ndërkombëtarët është adresuar domosdoshmëria e finalizimit të reformës zgjedhore. Për këtë, shton Edi Rama, shumica ka gatishmëri të plotë, por opozita e ka bojkotuar dhe rikthimi duket i vështirë.

Biseda të mira sot me miq ndërkombëtarë jashtë vendit, për të përmbysur me fakte kështjellën e baltës së eksportuar nga prodhuesit e shpifjeve për godinën e shembur dhe ngjarjet rrotull saj! Gënjeshtra vrapon më shpejt se e vërteta, po këmbët e shkurtëra e lënë në mes të rrugës. Biseda të mira edhe me miqtë ndërkombëtarë në Tiranë dhe dakordësi e plotë për të parë përpara të gjitha bashkë, duke adresuar menjëherë domosdoshmërinë e finalizimit të reformës zgjedhore, me të gjithë gatishmërinë tonë për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it” shkruan ai.

I menjëhershëm ishte reagimi i Lulzim Bashës. Pak sekonda pas postimit të kryeministrit, lideri i PD-së thotë se shqiptarët e ndershëm ja kanë hequr vizën Edi Ramës. “Rama nuk e sheh më vizën e korrupsionit dhe as vizën e dhunës. Ai është peng i krimit, dhe sillet si kriminel me njerëzit. Është peng i oligarkëve dhe punon vetëm për ta. Ai vjedh përditë, shkatërron dhe varfëron shqiptarët. Ai shfrytëzoi edhe pandeminë për të vjedhur, për të shkatërruar teatrin, për të grabitur pasuritë publike dhe i la njerëzit pa asnjë ndihmë. Prandaj Shqipëria do shpëtojë prej këtij hajduti ordiner që bën vetëm keq: gjithë njerëzit e ndershëm ja kanë hequr vizën“.

Nuk ka munguar edhe reagimi i Monika Kryemadhit, që kërkon mosbindje civile. Kryetarja e LSI-së ka postuar një shprehje të Mahatma Gandhit, që mosbindja civile kthehet në një detyrë të shenjtë kur shteti bëhet i paligjshëm ose i korruptuar. “Mosbindja civile kthehet në një detyrë të shenjtë kur shteti bëhet i paligjshëm ose i korruptuar. Dhe një qytetar që pajtohet me një shtet të tillë, bëhet pjesë e korrupsionit dhe paligjshmërisë së tij“.

Por cfarë ndodhi sot? Dy ditë pas shembjes së teatrit dhe një pas protestës së parë, teksa e radhës është nesër, ambasadorët e BE-së zhvilluan një takim në mëngjes me Lulzim Bashën në selinë blu, dy orë më pas ishte ambasadorja e SHBA që i shkoi në zyrë kryeministrit, ndërsa paralajmëroi se do të takonte edhe kryedemokratin.

Grupi i Partive të Djathta Europiane në Parlamentin Europian i ka bërë thirrje PD-së të vazhdojë bisedimet për Reformën Zgjedhore.

Zv.Presidenti Andrey Kovatchev përmes një postimi në Twitter është shprehur se PD-ja në Shqipëri duhet të jetë plotësisht e angazhuar në bisedime mbi Reformën Zgjedhore.

Ai theksoi se aksionet e fundit janë për të ardhur keq dhe se të gjithë palët e interesuara duhet të angazhohen për të gjetur një zgjidhje të pranuar gjerësisht.

Kovatchev shton se 15 kushtet e BE-së duhet të monitorohen nga afër nga Komisioni Europian dhe Shtetet Anëtare të saj.

“Respektimi i sundimit të ligjit dhe puna e mëtutjeshme mbi 15 çështjet që duhet të monitorohen nga afër nga Komisioni Europian dhe Shtetet Anëtare. PD-ja në Shqipëri duhet të jetë plotësisht e angazhuar në bisedime mbi reformën zgjedhore. Aksionet e fundit e diskutueshme dhe përplasjet me protestuesit në Shqipëri janë për të ardhur keq. Të gjithë palët e interesuara duhet të angazhohen për të gjetur një zgjidhje të pranuar gjerësisht”, ka shkruar Kovatchev.

Kujtojmë se Basha ka bojkotuar tyrezën e Këshillit Politik, duke marrë vendimin që të mos kthehet më aty.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.