NAZMI KOÇI

0

DR. AS. NAZMI KOÇIN NË “PESË ORË UDHËTIM NË KËMBË”


Fletë nga cikli BURRAT E DIBRËS

MJEKËT…

Unë jam djalë Dibre dhe jam krenuar me këtë. Çdo  gjë në Tiranë është e lidhur me Dibrën; edhe shtëpia, edhe klinika, edhe klientela, edhe miqtë…


Kam qenë në Prodan, disa orë në përurimin e një muzeu, larg në kohë. Hipur në një makinë të vogël me katër rrota aktive, na u desh ti binim nga shumë larg, nga Klenja e Stebleva për të “kërcyer si skracell” gropave të një rruge shfrytëzimi pyjor.
Kam në arkiv edhe disa fotografi banorësh nga ai çast që hyri e mbeti në kujtesën tim paksa fosforeshent…
Nuk më takoi që të shkoj sërish në Prodan. E kam në merak ashtu siç kam në mungesë rastet tu bije atyre pyjeve pash më pash e ti ngrijë në celuloid njerëzit e mrekullueshëm të atyre maleve, kala trimërie e burrërie…
Ndodhi që një ditë të “udhëtoj me shpirt”, “udhës pesë orë në këmbë” të Nazmi Koçit.
Udhëtim  në një bisedë…
Udhëtim në një rrëfenjë për malet dhe njerëzit e Okshtunit…
Udhëtim në një letërkëmbim të vazhdueshëm me një fëmijë, djalë e burrë të Prodanit…
Kam shumë për të treguar. Pak sot, e shumë më shumë nesër…
Ato fjalë, ato ngjarje, më rinuan në shpirt e më morën në fluturim atyre vendeve me shumë trimëri e dije e me pak shkronjë në letër…

                    *                   *                  *

…Një fëmijë, dhjetë vjeç, me një çantë bezeje varur krahaqafë, udhëton pesë orë në këmbë për të ndezë në shpirt një dritë, dritën e dijes. Kaq ishte rruga këmbësore ngjitu e zbrit nga Prodani në Ostren. Udhëtim në këmbë, në shi, në dëborë, në vapë, udhëtim si në legjenda…
Në këmbë do të udhëtonte Nazmi Koçi fëmijë, i ri, burrë, prind…një jetë të tërë. Udhëtim në rrugë pa rrugë, rrafsh e me gropa.
Kam lindur në Prodan të Okshtunit më 17 prill të vitit 1947- e nisim bisedën ndërsa gjerbim kafenë në një lokal në “Rrugën e Dibrës”. – Aty kam bërë  shkollën fillore. Kam pasur fatin e mirë si unë edhe pjesëtarët e familjes, që kisha mësues babanë tim. Babai im Selman Koçi kishte punuar në komitetin ekzekutiv të qarkut të Dibrës, kryetar lokaliteti dhe detyra të tjera nëpunësie por më në fund e lidhi jetën me arsimin.
Ishte shkolluar në Lis të Matit në vitin 1934. Kishte bërë internatin atje. Kishte bërë disa kurse për arsimin në Elbasan, Tiranë. Ëndrra e tij ishte arsimi dhe përfundoi arsimtar në fillim në Borovë pastaj në Prodan.
Dhe bëri një shkollë që të gjithë ata që e kishin parë, përfshi edhe ish shefin e arsimit, Mësuesin e Popullit Selim Alliu kishte deklaruar se ishte shkolla më e mirë në rrethin e Dibrës.
Në Okshtun nuk kishim shkollë shtatëvjeçare kështu që unë në moshën 10 vjeçare u detyrova të shkoj në Ostren të Madh. Të mëdhenjtë e bënin atë rrugë për katër orë kurse unë si i vogël e bëja për pesë. Atje kam bërë klasën e pestë. Kisha një avantazh sepse kisha hyrë i vogël në shkollë. Më 30 nëntor mbarova klasën e katërt kurse me 1 dhjetor fillova të pestën. Brenda një viti bëra dy klasë. Gjithnjë kam qenë në avancë për efekt të këtyre rrethanave sepse në Prodan ishte shkollë verore që hapej në mars dhe mbyllej në fund të nëntorit.
Në Ostren të Madh kam pas fatin të kem mësues të shkëlqyer. Drejtor i shkollës ishte Idriz Biba nga Okshtuni, një normalist i madh, një mësues që do të bëhej pedagog në Institutin e Shkodrës ku jepte matematikë. Mësues kujdestar imi ishte Halim Shehu nga Sllova. Kisha edhe mësues të tjerë dhe nganjëherë me shaka u thoshim: “shkolla është tek ju kurse mësuesit janë nga Okshtuni”.
Okshtuni ka qenë fole mësuesish që në vitin 1907-1908 me Hoxhë Muglicën dhe që vazhdoi e vazhdon edhe sot të ketë shumë arsimtarë.
Në Ostren të Madh kam bërë dy klasë, klasën e pestë dhe klasën e gjashtë. Kisha mësues edhe Selami Muglicën, edhe Jona Muçën.
Mësuesi im Halim Shehu i tha njëherë babait pjesë e këshillit pedagogjik.
“Selman! Djemtë tanë janë fëmijët më të mirë të shkollës, por të shkollës së Ostrenit ama”.
Këtë e kuptova më vonë kur klasën e shtatë e bëra në shkollën Demir Gashi në Peshkopi. Atje, megjithëse kisha qenë me të gjitha pesa pata shumë vështirësi në gjuhën shqipe sepse shkolla që kisha bërë unë, edhe në klasën e gjashtë merrej me ndarjen e fjalës në rrokje kurse mësuesit e mi në Peshkopi Adem Shehu e Ilir Ramizi bënin gjuhë shqipe të nivelit të klasës së shtatë. Lënda më e vështirë për mua në klasën e shtatë ishte kjo. Në matematikë sipas vlerësimeve që bënte Xhelil Kulemani u radhita më i miri i klasës.
Kam pas shokë klase njerëz që janë bërë figura të nderuara. E mora me vete fjalën e profesorit tim Halim Shehu se ne ishim “nxënës të shkëlqyer të kësaj shkolle”.
Kam mbaruar shkollën shtatëvjeçare “Demir Gashi” në vitin 1960.
Babai më detyroi të bëja dy klasë në një vit, pesë orë larg me idenë që të më arsimonte. Ai ndikoi edhe si baba, edhe si mësues, modeli im për jetën edhe sot ndikoi që unë të kaloja në mjekësi.
Fillimisht ishte ideja për të ndjekë rrugën e babait, të vazhdoja për arsimtar. Duke qenë se babanë e kisha mësues priresha. Më dukej vetja  në ëndrra sikur isha mësues dhe jepja mësim përpara fëmijëve. Babait tim i pëlqente mjekësia. Duke qenë një zonë ndërtuesish më dhanë të drejtën e studimeve për teknik ndërtimi. Babai tha se nuk më pëlqen. Në qoftë se nuk do të bëhesh mjek atëherë më mirë të bëhesh mësues. U konsultua me Selim Alliun. Ai e donte shumë Selmanin, kishin punuar shefa seksionesh bashkë pastaj e donte babanë tim dhe ishte një kolos i vërtetë ashtu siç e di gjithë Dibra dhe i tha Selman ti e ke shumë mirë, edhe unë e kam çuar vëllain për mjek. Dibra ka nevojë shumë për mjekë. Unë nuk kam bursa në mjekësi kështu që ai duhet të shkojë me pagesë. Ishte një e drejtë me gjysmë burse. U bë razi ta paguante, të më çonte me pagesë, ama atje ku donte ai dhe unë.
Në shtator të vitit 1960 fillova shkollën në Politeknikumin Mjekësor të Tiranës. Ëndrra e babait tim u realizua. Po ashtu ajo u bë edhe ëndrra dhe qëllimi i jetës time.
Si i ardhur nga periferia isha pak i ndrojtur. Shikoja të tjerët që ishin më të shkathët, më të zhdërvjellët, pse jo edhe më të veshur. Mendoja në se do ta përballoja këtë apo jo. Iu kushtova mësimeve dhe shumë shpejt u evidentova si nxënës i mirë që përparoja në të gjitha disiplinat dhe ecja mirë si në letërsi, matematikë kaq sa mësuesi i matematikës njëherë më tha “Po ç’ke ardhur këtu? Të shkoje në gjimnaz dhe të ishe një profesor matematike në gjimnaz.”
Kisha marrë drejtimin tim, nuk bëja koncesion me atë që kishim vendosur me babanë. Dhe në qoftë se gjatë jetës kam arritur sukses i dedikohet asaj që nuk kam qenë njeri i mëdyshjeve. Nëse kam marrë një drejtim kam ecur në atë drejtim. Këtë ua kam sugjeruar edhe fëmijëve të mi, edhe studentëve të mi.
Vazhdova të studioj dhe në semestrin e parë kisha dalë me nota shumë të mira dhe bashkë me  një mjek tjetër nga Dibra, të nderuarin Qemal Çadri i cili kishte mbaruar vitin e tretë, bashkë me një mjek tjetër që më vonë u bë një politikan i madh, në shkurt të vitit 1961 na nxorën para shkollës dhe për rezultate të shkëlqyera, na dhanë bursë. Kështu që unë e shpërbleva sakrificën e babait. Unë isha më i vogli midis atyre të dyve dhe suksesi im u quajt më i madh. Unë e mora në një semestër bursën kurse ata pas dy vjet e gjysmë. E kompensova sakrificën që kishte bërë familja dhe arrita ta mbaroj shkollën e mesme me rezultate shumë të mira.
Dibra kishte nevojë për kuadro dhe nuk mu dha bursë pasi mbarova shkollën e mesme. Rrethi kishte bërë një kërkesë që na donte atje në punë.
Im atë hoqi dorë. Më tha se ti bëre shkollën e mesme, je rritur, unë të them shko në punë dhe unë do të rris fëmijët e tjerë. Në se do të merresh me shkollën më tutje këtë punë duhet ta bësh vetë.
Unë kam ecur vetë. Kjo është një histori më vete që ia vlen ta kujtoj. Harxhova disa muaj duke shkuar e duke ardhur. Veja nga Ballenja dhe nga Mali me Gropa sepse i bije ta kemi më afër si fshat. Kam udhëtuar mbi makina ngarkuar me dru, pa pi e pa ngrënë dhe nuk u tërhoqa kurrë derisa takova ministrin të cilit më duhet ti jem mirënjohës. Nuk fola si fëmijë shumë i edukuar po i lodhur dhe i mërzitur nga gjërat i thashë që nuk gjej asnjë shkak pse nuk duhet të shkoj në shkollë  të lartë përveç origjinës që jam nga Dibra. A ka ndonjë politikë të tillë që nuk duhet të shkoj pse jam dibran?. Ma thoni? Unë notat i kam, qëndrimin e kam, babanë e kam mësues…
Ai e thirri drejtorin e arsimit të lartë dhe e pyeti se pse nuk e keni çuar këtë djalë në shkollë.
Plani i tha…
Ai mori listën, më pyeti se si e kam emrin dhe shkroi poshtë listës emërore emrin tim 1/1 Nazmi Koçi. I tha afishoje listën. Mua më dha emrin e sekretares së fakultetit dhe më tha do të shkosh të takosh Donika Budo, një grua zonjë, me dekan Hiqmet Dibrën. Ajo ishte strumbullari i fakultetit.
Fakulteti kishte vështirësitë e veta sepse unë e fillova më 1 dhjetor të vitit 1964. Kishin kaluar disa muaj mësim dhe në janar ishin provimet. I pari që më nxori kartonin e kuq ishte profesori i fizikës i cili më tha se po mungove qoftë edhe një orë je i pa klasifikuar. Më vonë e tërhoqi.
Mësuesja e rusishtes në orën e parë më pa me skepticizëm kurse orën e tretë më nxori para klasës dhe u tha të tjerëve bëjeni siç e ka bërë ky.
Kështu avash – avash erdhi sezoni i provimeve. Në atë kohë sapo kishin ikur pedagogët rusë. Fakulteti kishte problemet e veta, vështirësitë e veta. Libra nuk kishim. Kishim përkthime të literaturës ruse të përkthyera keq. Pedagogët kishin qenë asistentë të rusëve dhe tashmë u bënë titullarë dhe shumë herë na kishin deklaruar se do të hyni në vrimë të gjilpërës, mund të ishit bërë traktoristë, kuzhinierë…
Ishte një kohë që kishte vështirësitë  e veta mjafton të përmend. Kemi hyrë 24 vetë në provimin e fizikës dhe kanë kaluar 4 vetë. Njëzet janë rrëzuar. Hynë njëqind vetë në vitin të parë dhe në vit të dytë kalonin tridhjetë. Unë nuk pata asnjë mbetje.
Në vitin 1969 u diplomova. Diplomën ma dhanë me një motivacion të shkruar me dorë sa një faqe gazete ku thuheshin shumë fjalë të mira për mua që lidheshin si me rezultatet në mësime por edhe me pjesëmarrjen dhe sukseset në veprimtari jashtëshkollore.

Në vitin e dytë më bënë komandant të një brigade të njëmijë e ca studentëve të mjekësisë. Në klasë kisha figura si Sabit Brokaj, Kristo Pano…  Mua një djalë të ri më vunë komandant brigade.
Në garat e GPM që na bënin në atë koha arrita të kap kategorinë sportive në garat 800 dhe 1500 metra derisa profesori i fizkulturës donte me çdo kusht të më merrte në ekipin sportiv. Unë kisha një akord të hershëm me familjen dhe babanë që të mos leja mjekësinë.

UNË JAM DJALË DIBRE…


Unë jam djalë Dibre dhe jam krenuar me këtë. Çdo  gjë në Tiranë është e lidhur me Dibrën, edhe shtëpia, edhe klinika, edhe klientela, edhe miqtë…

Vitin e parë të punës më janë bërë disa emërime. Njëherë u emërova në hekurudhë, në Elbasan. Isha kandidat për pedagog në fakultetin e mjekësisë. Dekani ishte dibran dhe i ruhej kësaj. Kështu u dogjëm unë dhe Qemal Çadri, kandidatë pothuaj të deklaruar për pedagogë.
Emërimin në Elbasan e prita mirë sepse atje punonte Jashar Menzelxhiu dhe ishte një mik i babait tim. Po pastaj sekretari i parë i Dibrës kishte vajtur atje dhe tërhoqi tre persona që kemi mbaruar në të njëjtën kohë, unë në mjekësi, Biba në art, Fitim Sula skulptor.
Biba do të shkonte në kinostudio, Fitimi në Lice Artistik dhe unë në fakultetin e mjekësisë.
Na mori Dibra dhe përfundimisht shkuam të tre atje.
Më 3 janar 1970 u paraqita në komitetin ekzekutiv të Dibrës dhe fillova punën.

Kemi qenë dy mjekë. Isha mjek i ri, nuk i kisha bërë 22 vjet. Kam gjetur një mjek shumë të mirë Qeram Nurën, një njeri shumë miqësor, shumë shoqëror. Më ndihmoi për të rregulluar fjetjen. Punuam bashkë. Ai kishte punuar i vetëm dhjetë vjet dhe ishte lodhur. Unë kisha vrullin e të riut. Bëra një vit e gjysmë aty.
U dha mendimi që të shpërndaheshim për ti shërbyer popullit në zona. Fillimisht më emëruan në Klenjë, pastaj në Ostren dhe më në fund në Shupenzë ku kam punuar shtatëmbëdhjetë vjet.
Më kujtohet një rast kur si mjek i ri më dërguan ne Shupenzë. Me pasionin e një të riu fillova punën. Më dhanë një magazinë e cila kishte një bodrum dy kate të thellë të mbushur me kripë. Iu futa punës dhe bëra aty një klinikë të bukur për kohën. E shtrova me mermer, e ndriçova me neon dhe bëra dhe një ujësjellës nja 400-500 m. të gjatë e solla ujë të rrjedhshëm në klinikë, ndërsa në pazarin e Shupenzës shitej ujë me gjyma…
Njeri nga ata që kontribuoi dhe më donte në Shupenzë si mos më keq, i thotë Sali Stafës aso kohe Sekretar i Parë, në një takim pune që kuadrot kryesorë kryenin çdo mëngjes në zyrën e tij:
“Në Shupenzë janë bërë shpenzime të mëdha dhe gjëra të tepërta, prandaj mendoj ta shohë prokuroria këtë çështjen e klinikës dentare atje”.
Saliu, babaxhan ashtu siç ishte, i ishte përgjigjur:
“Po, por a e keni parë, ishte bërë një gjë e bukur atje. Shkoni shikojeni një herë dhe hajdeni  e bisedojmë pastaj. Nuk duhet të na shqetësojnë gjerat e bukura, por shkatërrinat që kemi nëpër këmbë.” 
Më vonë për atë klinikë u botua një shkrim në gazetën “Zëri i Popullit” më datës 8 janar te vitit 1972 me titullin: “Si një kartoline e bukur”. Nuk ia harrova kurrë këtë fjalë të mirë  edhe pse nuk qe një nder personal. E respektova sa qe gjallë dhe sa herë më është dhënë rasti, si pacient, si mik, si qytetar. Edhe fakti që po tregoj këtë ndodhI kur ai nuk është më, tregon se e respektoj edhe tani, si atëherë kur pinim kafe dhe kënaqesha me rrëfimet e tij.

Në vitin 1982 bëra një specializim në Tiranë. Po e kaloja moshën për specializim. Nuk më kishte planifikuar komiteti ekzekutiv. Shefi i seksionit i kohës dr. Tush Balliu më kishte pyetur përpara në se dëshiron dhe kur rrethi çoi një kandidaturë tjetër, ministria i pyeti nëse keni ndonjë kandidaturë tjetër. Shkoi edhe emri im por që nuk ishte kaluar në komitet dhe kjo më kushtoi shumë më pas. Ministria sapo e mori emrin tim nuk e lëshoi kurrë. Mua erdhën e më gjetën në Okshatinë në aksion duke mbledhë misra. Vajta, drejtori i kuadrit më tha se do të shkosh në specializim dhe se je i pari në grup.
Specializimin e mbarova në fund të viti 1982 dhe u ktheva përsëri në Dibër. U vërtetua ajo që kisha thënë që unë nuk bëja specializim për të zënë vendin e ndokujt, por specializim për tu kualifikuar. Punova edhe pesë vjet të tjerë në Shupenzë.
Nga Shupenza ika krejt rastësisht. Kisha planifikuar të projektoj largimin prej Dibre. Njerëzit e mi kishin ikur që në vitin 1976 në Lezhë dhe unë doja të largohesha nga Dibra. Si duket rashë në sy të autoriteteve të kohës për punën time në gjerësi.
Më thirrën dhe më thanë se kemi menduar të vish në Peshkopi. Mendova se duan të më marrin si mjek. Kështu u bëra shef i seksionit të shëndetësisë. U thashë me sinqeritet se Dibra ka shumë figura, mjekë me eksperiencë por ata thanë se ne e kemi menduar shumë mirë. Ne duam një njeri që e njeh fshatin, traditat, politikën shëndetësore, një njeri me përvojë të gjatë dhe me rezultate të mira.
E quajta nder. Këtë gjë ia tregova vetëm shoqes time, Vjollcës, në mbrëmje. Para se të fillonin proceset demokratike mua mu vlerësua puna, isha edhe anëtar i kolegjiumit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ai seksion i krahasuar me rrethet e tjera pati rezultate. Dhe mua një ditë të bukur mu propozua një vend në Ministrinë e Shëndetësisë. Ishte krijuar një drejtori e re në Ministrinë e Shëndetësisë dhe përfundimisht përfundova kryetar dege, detyrë të cilën e ushtrova më pak se një vit.
Filluan proceset demokratike, u bënë zgjedhjet e para, u bënë të dytat dhe më 19 qershor të vitit 1992 kur kisha punuar, puna më ishte vlerësuar, më kishin bërë leje banimi, isha në rrjedhën si çdo kuadër që kishte punuar një jetë të tërë, u ndryshua kabineti dhe ministri i ri që erdhi vendosi ta suprimojë këtë drejtori dhe bëri një listë emërore që mban datën 19 qershor 1992 ku unë isha me numrin rendor NJË dhe hiqesha pse isha anëtar i një partie edhe pse kisha punuar 17 vjet në fshat.
Para meje kisha dy mundësi. Njëra ishte të kthehesha në Dibër dhe unë këtë e kam edhe sot në ëndërr sepse unë jam djalë Dibre dhe jam krenuar me këtë. Çdo  gjë në Tiranë është e lidhur me Dibrën, edhe shtëpia, edhe klinika, edhe klientela, edhe miqtë. Çdo gjë është e lidhur me Dibrën por kthimi në Dibër si ndëshkim nuk më pëlqente. Ndërkohë kisha bërë leje banimi, kisha shtëpi. Ime shoqe u hoq nga ai vend pune ku ishte dhe përfundoi në shtëpi. Problemi vajti tek mbijetesa.

RRUGËVE TË KUBETIT…

Kështu zgjodha kurbetin,
Më ndihmoi përsëri zanati. Në klinikën universitare ku ishte një shoku im drejtor më mori për tre muaj në një vend bosh dhe atje erdhën e u mjekuan italianë që kishin hapur një fermë në Bestovë të Kavajës. I mjekova. Ata mbetën shumë të kënaqur. Vendosën të më bëjnë një dhuratë dhe unë u kërkova dy viza. Me një biletë që më ndihmoi ime motër për ta prerë, bashkë me një shok tjetër që ishte mekanik në fabrikën e bukës, i hipa tragetit dhe ika në Bari. I panjohur, i pa ditur, për herë të parë. Dija pak më mirë se të tjerët italisht. Kisha bërë nja dy gramatika, kisha studiuar në shkollë.
Kurbeti është gjithmonë i vështirë por dita e parë është më e vështirë. Sepse nuk të pret askush. I lodhur dhe i dërmuar ke nevojë të ulesh në një vend, të mbështesësh kokën diku. Unë nuk e pata atë mundësi.
Ditën e parë kemi ndenjur tek një bar. Ditën e dytë unë nuk dola më tek bari. Ishte një kurs i gjuhës italiane falas. Shkova në kurs. Kursi ishte gjashtëmujor dhe profesoresha që ditën e parë më diferencoi madje me shaka u tha “unë nuk do të vij herën tjetër sepse ky shkruaka më mirë se unë”.
Bëra për dy muaj kurs të gjuhës italiane.
Ndërkohë fillova të kërkoj punë.
Një kolonel që punonte në ministrinë e mbrojtjes në Itali, që ishte shumë kureshtar, në njohjen e parë më tha:
“Kam qenë kureshtar të njoh ndonjë nga Shqipëria sepse si pjesëtar i forcave të NATO-s kam bredhur gjithë botën por në Shqipëri nuk kam qenë”.
Më ofroi një punë. Unë bashkë me mekanikun përfunduam atje: Punuam, bëmë punën dhe fituam ca lekë. Pastaj na rekomandoi një punë tjetër ku punuam dy muaj. Na e pëlqyen shumë punën. Morëm ca para. Sigurova ca lekë dhe i çova në shtëpi. Isha shumë i lumtur se po bëja diçka, tu çoj një copë bukë fëmijëve në shtëpi.
Pasi e mora veten fillova të lidhesha me klinikat dhe më në fund gjeta një klinikë të cilin e kishte mashtruar njëherë një mjek italian. Me origjinë nuk ishte italian por kishte mbetur jetim që 13 vjeç atje. E kishte mashtruar një infermiere bullgare e cila ishte paraqitur si mjeke. Më kërkoi një mendim për një të sëmurë dhe mendimi që i dhashë atij ishte i suksesshëm. Më ofroi punë.
Nuk më njihej diploma e lartë por ajo e shkollës së mesme. Kishte një marrëveshje ndërshtetërore të cilën unë edhe e dokumentova dhe me këtë u futa në punë. Më pas unë bëja çdo gjë dhe ne plotësonim njeri tjetrin sepse ky njihte shumë mirë kirurgjinë, kishte bërë mjekësi të përgjithshme. Unë njihja mirë dhëmbin dhe gojën.  Kështu kalova afër katër vjet.
Kam ndenjur vetëm. Në atë kohë vështirësia nuk ishte puna. Unë arrita të integrohem mirë. Fëmijët i kishim të vegjël. Vështirësia ishte ndërlidhja. Nuk kishte celularë si sot. Më është dashur natën e Vitit të Ri, ndoshta të vitit 1993, që ti them djalit gëzuar dhe nuk arrita.

Fëmijët e mi janë rritur, janë diplomuar, janë specializuar edhe jashtë. Ime shoqe gjithashtu ka qenë pedagoge. “Jeni një familje katedër”- më tha Elmas Lala. E kam pëlqyer këtë kompliment dhe i them faleminderit atij që e kapi i pari.

BASHKË ME DJALIN DHE VAJZËN…
 
U ktheva. Mund të kisha qëndruar në Itali. U ingranova shumë mirë, gjuhën e kisha mësuar mirë, punoja mirë, zura shumë miq. Ndihmonim shqiptarët që vinin për herë të parë. Edhe për ndonjë punë, kur kishin ndonjë nevojë. Bëmë atë që duhet të bëjë çdo shqiptar.
Më në fund fillova të mendoj. Bindja ime ishte se të gjithë ato që kishin ndodhur mund të rregulloheshin.  Fëmijët ishin në një moshë shumë delikate. Aventurën e bëra kur i kisha kaluar 45 vjet.  Isha i mendimit se kur punon mund të bësh një hap të parë.
I dhashë karar të kthehesha. Bleva një klinikë dentare të një italiani dhe të tjera dhe erdha në Tiranë. Në fillim tek poliklinika 10 ku ishte një shoku im i klasës. Ishte karabina, pa dyer e dritare. E ndërtova. Bëra një klinikë modeste 40 metro katrore që ishte shumë e mirë. Punova shumë vjet atje, më se 10 vjet. Pastaj zbrita këtu në qendër.
Kemi marrë një mjedis që duket i bukur kur e sheh por gjëja më e bukur janë njerëzit që punojnë.
Jam i bindur katërçipërisht se po bëj gjënë e duhur. Dikush më ka kritikuar pse i ktheve fëmijët që u specializuan jashtë. Duke qenë bashkë bëjmë gjënë më të mirë.
Vajza ka mbaruar fakultetin këtu dhe ka bërë gati 5 vjet në Bolonjë ku ka bëri specializim, mastër dhe doktoratën që e ka mbrojtur në Shqipëri Vajza është e martuar me një djalë dibran dhe ka formuar familjen e vet.
Djalin e kam pas në Amerikë. Ka qenë në universitetin e Arcepit, në Konteknikat. Punoi mirë. Jam shumë i kënaqur. U specializua në një degë që këtu nuk e kishim atë mundësi.
Vajza quhet Donika dhe është martuar tek Lazimët në Peshkopi. Djali quhet Ervin Koçi.

Abdurahim Ashiku

Korrik 2016

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.