Mirëqenia psikologjike e mjekëve në luftën kundra Covid-19

0

Në ditët që jetojmë mjekët po përshëndeten nga mbarë shoqëria në komunitete lokale, kombëtare e ndërkombetare si heronjtë e njerëzimit në këtë luftë të egër kundra Pandemise së krijuar nga Covid-19. Duke ndjekur nga afër apo larg të gjithë punonjësit e shëndetësise që po përballojnë një punë kolosale në kushte të vështira si ato që shkakton një pandemi, lindin shqetësime te natyrshme për mirëqënien emocionale e psikologjike të personelit mjekësor. Kjo është një situatë me humbje jetësh përtej ritmit të njohur në një spital, me pasoja të rënda për të gjithë sistemin shëndetsor, me pasoja për të sëmurët kronikë që nuk marrin dot mjekimin e rregullt dhe brenda një shoqërie që po perballon një krize ekonomike e sociale.

Tre psikoterapistë shqiptarë me bazë ne Londer, kemi nisur një projekt vullnetar me qëllim për t’i ofruar personelit shëndetësor që është infektuar nga Covid-19 mbështetjen psikologjike që i nevojitet çdo profesionisti që sëmuret në krye të detyrës. Si psikoterapistë jemi edhe anëtarë të Shoqatës së Mjekësisë Shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar (UKAMS) dhe kjo nismë i drejtohet personelit shëndetësor në Shqipëri e Kosovë. Fatmirësisht nisma të tilla po shtohen nga specialistë brenda dhe jashtë trevave shqiptare. Shërbime të tilla janë bërë tashmë praktikë pune në mbarë botën pasi studimet kanë treguar se dëmtimi në ambientin e punës, sado afatshkurtër të jetë në pasojat fizike, mund të lerë pasoja afatgjate për profesionistët. Duhet theksuar këtu se në shëndetësi një nga faktorët e mirëqenies psikologjike të punonjësve është mbarëvajtja e kurimit. Që nga mesi i muajit Mars, 2020, publikime nga institucione të ndryshme në të gjithë botën po raportojnë një rritje të rasteve të punonjësve të shëndetësisë me simptoma të theksuara ankthi e stresi emocional. Sigurisht ky numër pritet të vazhdojë të rritet edhe përtej periudhës së situatës emergjente.  

Por çfarë mund t’i këshillohet sot personelit të shëndetësisë? Mjekët në çdo kohë, jo vetëm sot, përballen me beteja kundër sëmundjeve dhe përpos përpjekieve mbinjerëzore, rezultatet jo gjithmonë vijnë siç do të donin ata, me apo pa Covid-19. Kjo nuk është diçka e re për mjekët apo infermierët. Sot më shumë se këshilla mjeku ka nevojë per respekt dhe hapësirë, hapësirë kjo që i nevojitet si në vendimarrje dhe për qetësi. 

Në kundërshtim me shumë profesione të tjera, situatat e paparashikueshme janë një normalitet për mjekët. Por, ajo që është ndryshe në këtë situatë krize masive është që të gjithë ne si njerëz përjetojmë nivele ankthi më të larta se zakonisht dhe nuk arrijmë të rikthejmë në mëndje mendime vetbesimi apo optimizmi, ose më thjesht e kemi të vështirë të kujtojmë ato histori të jetës kur ia kemi dalë mbanë. Si profesionistë duhet të jemi vigjilentë për sa marrim mbi vete nga tensionet dhe streset kolektive të shoqërisë sepse nuk mund të jemi efikasë duke qenë të ngarkuar emocionalisht. Gjithmonë ekuilibri i artë gjindet tek momenti aktual, e vetmja kohë që na përket është e tashmja, përqëndrimi në të tashmen na bën më efikas dhe na çliron goxha emocionalisht. Fatkeqësisht, situata përreth duke përfshirë realitetin që përcillet nga mediat është një situatë që e mban njeriun në një gjendje preokupimi të vazhdueshëm për shifrat e viktimave të ditës së kaluar dhe frikën për ditët e ardhshme. Mjekut apo infermierit sot i duhet mundësuar qetësia, sapo të kenë pak kohë të lirë ta përdorin për qetësi dhe jo për t’iu përgjigjur pyetjeve të rrethit të afërm  apo shoqëror dhe për biseda mbi situatën. Në ambientin e punës situata globale e shkaktuar nga Covid-19 diskutohet jo pak dhe kjo është e paevitueshme, por është e rëndësishme që si çdo njeri edhe profesionistit të shëndetësisë t’i lejohet privatësi dhe ato pak momente qetësie të mundshme. Mos harrojmë se jeta do të vazhdojë dhe bashkë me të do të vazhdojë edhe nevoja për një personel shëndetësor sa më pak të prekur nga çdo aspekt i kësaj pandemie për t’iu përgjigjur sfidave të ardhshme.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.