Mirëqenia Psikologjike dhe Shëndeti Mendor: kur duhet të konsultohem me një specialist?

0

Shëndeti mendor dhe mirëqenia psikologjike jane dy koncepte, por dhe dy fusha studimi që kanë dallime të qarta mes tyre në mënyrën se si përjetohen nga njeriu. Në vendet me zhvillim ekonomik e social kanë edhe një ndarje të qartë në shërbimet specialiste përkatëse qe merren me këto dy fusha. Gjithsesi në jetën e përditshme, jo gjithmonë është e qartë se si të deshifrojmë, e aq më pak të vlerësojmë në aspektin e mirëqënies, mënyrën se si ndjehemi dhe çfarë na duhet të bëjmë për ta përmirësuar atë. Si mund ta dijmë nëse ajo që po përjetojmë brenda vetes është një situatë ndaj të cilës duhet reaguar dhe cili duhet të jetë reagimi?

Një faktor që shpesh komplikon reagimin tonë kundrejt ndryshimeve emocionale është njolla sociale që mbart shëndeti mendor. Një njeri që ndalon në mes të rrugës dhe thërret për ndihmë me dhimbje stomaku do të gjejë menjëherë rreth vetes shumë kalimtarë që ndalojnë për t’i ofruar ndihmë. Nëse i njëjti person thërret për ndihmë sepse është duke përjetuar haluçinacione se po e ndjekin, shumë pak njerëz do ndalojnë t’i ofrojnë ndihmë pasi vëjnë re se askush nuk po e ndjek. E vërteta është se burimi i të dyja situatave është i njëjti: Ankthi, që është një ndjenjë njerëzore e përjetuar nga gjithkush në momente të caktuara të jetës. Kur ankthi arrin në nivele të larta mund të shkaktojë patologji fizike ose mendore.

Kur flitet për shëndetin mendor bëhet fjalë për një situatë mos-mirëqënieje psikologjike me simptoma që herët a vonë bëhen të dallueshme edhe nga njerëzit e tjerë përreth. Në rastin e psikozave, për shembull për dikë që vuan nga skizofrenia, personi mund të dëgjojë zëra apo të shikojë pamje që nuk i vërtetohen nga askush tjetër që është i pranishëm në atë situatë. Për më tepër situatat e rënduara psikologjike e sjellin situatën për dikë në atë pikë sa nuk mund të vazhdojë jetën sic e njeh normalisht. Për pasojë, bëhet thuajse e vetëkuptueshme vizita tek mjeku i përgjithshëm, psikiatri apo psikologu për të kërkuar ndihmë.

Paqartësia më e madhe ndodh kur përjetojmë situata ankthi apo luhatje të forta të humorit, nga euforia në trishtim, por gjithsesi ia dalim të përmbushim detyrat tona në jetën familjare, sociale apo profesionale. E njëjta gjë ndodh edhe me dikë që ka një gjendje trishtimi të vazhdueshme që i zgjat për muaj me rradhë. Jo pak njerëz zgjohen në mëngjes me një ndjenjë plogështie, shkojnë në punë dhe kthehen me të njëjtën ndjenjë dhe pa asnjë dëshirë për të bërë asgjë më tepër se sa pritet prej tyre nga puna apo familja. Pra e gjithë dita për një periudhë të gjatë kohe, mbase edhe për vite jetohet me të njëjtën ndjenjë plogështie me të cilën u zgjuan, por pa shkaktuar probleme apo pikëpyetje të forta për botën përreth. Po të marrim si shembull sulmet e panikut, ka shumë njerëz qe i përjetojnë ato pa u kuptuar nga të tjerët. Ndërkohë që është vështirë të gjejmë një njeri në botën e sotme që nuk ka përjetuar të paktën një herë në jetë një sulm paniku, me simptoma si marrje fryme, ndjesi marrje mendsh, dridhje gjymtyresh etj ka njerëz që i përjetojnë shumë shpesh dhe rreulisht, por jo gjithmonë vihen re nga të tjerët. Ajo që vihet re më lehtë është se pas disa kohësh personi fillon dhe shmang aktivitetet sociale dhe jo vetëm, rrallon takimet me njerëz pervecse me dy-tre persona të caktuar. Këto janë situata që tregojnë se mirëqenia psikologjike e personit nuk është ajo që duhet. Dhe këtu duhet thënë se këto janë shembuj të minimizuar të këtyre simptomave që burojnë nga një mungesë dëshire dhe frikat e ndryshme.

Këtu sigurisht mund të thuhet se kjo mund të jetë një zgjedhje tërësisht e shëndetshme pasi personi në fjalë ka arritur një pikë pjekurie në jetë ku është më në gjendje të zgjedhi kontaktet sociale se sa të pranojë gjithçka që ofrohet. Pa diskutim! Por nëse është një zgjedhje pamundësie dhe vështirësie, një zgjedhje e influencuar nga anthi apo mendimet negative për vetveten, atëhere nuk është më zgjedhje e lirë por thjesht menaxhim i një situate pa zgjidhje. Kjo situatë e ka zgjidhjen. Me raste personit në vështirësi emocionale mund t’i shërbejë edhe një libër apo një film, një bisedë me një mik të besuar që jep një shtysë dhe nis procesin e përmirësimit, e gjetjes së vetvetes. Ndjenjat negative, përpos cfarë përjetojmë, zënë vend në jetën tone kur përforcohen nga mendimet negative. Kur shkëputemi nga ato fakte të jetës sonë apo ato bindje që na rikujtojnë aftësitë tona për përballim të një situate, aftësitë tona për të gëzuar jetën dhe për ripërtëritje, atëhere heqim dorë nga mirëqenia psikologjike. Pa diskutim që mund të konsultohemi me një specialist në çdo kohë për të na dhënë një opinion, por përgjigjen mund ta japim dhe vetë ne si njerëz. Sigurisht nëse nuk jemi mirë dhe ka diçka të koklavitur në mendimet e ndjenjat tona, pasi kemi ezauruar burimet e mundshme në shkrime e artikuj apo biseda me njerëz të afërm, kontakti me një specialist si psikologu apo psikoterapisti mund të na ofrojë ‘veglat’ e duhura për të rindërtuar mirëqenien tone. Mirëqenia psikologjike mbetet me një pyetje fillestare e përfundimtare e cila mbetet e jona për t’u përgjigjur: Po e jetoj jetën time apo thjesht jeta po më ndodh dhe unë e vëzhgoj?

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.