MIGJENI

0

MIGJENI NË DHIMBJEN E MADHE SHQIPTARE DJE, DHE…SOT 

Shkruar më 13 tetor 2011, në 100 vjetorin e lindjes së Migjenit të madh.
Shtuar tre rreshta më 28 mars  2020 në dhimbjen më të madhe të kohës, KOVID-19, dhimbje Migjeniane, shkruar minutë pas minute, orë pas ore, ditë pas dite deri në përulje ndaj: “Zotit që s’bëzan” e thirrjes ngjethëse ngrit në qiell… “Zotni, zotni, të lutem zotni, ma fal ndoj send!”

Në gusht të këtij viti, kur malli i emigrimit tashmë pesëmbëdhjetëvjeçar shkarkohet në zëra gazmorë fëmijësh e vocërrakë, tek gërryeja në kujtimet e mia vendosur pa kujdes në sirtarë biblioteke, dora më kapi disa skeda, letra në madhësinë e letrës gjysmë format mbi të cilat kisha hedhë “Dhimbjen e Migjenit”. Diçka më thotë kujtesa se ato shënime i kam pas nxjerrë në çastet e dhimbjes shqiptare, të asaj dhimbje që shkatërroi Shqipërinë, që shkuli themelesh ato gjëra që kish bërë me djersë e privime të jashtëzakonshme një brez i tërë,
shkuli rrënjë drufrutorë: mollë, kumbulla, agrume, ullinj, vreshta…
shkuli e përcolli për skrap uzina, fabrika, kombinate…
shkuli gjithçka nën parullën e “Kuotës Zero” dhe “Çekut të Bardhë”.

Në atë dhimbje brezi që kishte bërë diçka për Shqipërinë nuk e di pse i isha drejtuar Migjenit, përmbledhjes së dhimbjes së tij në një libër me titull “Migjeni”, pjesë e bibliotekës sime në mërgim.

I mora ato skeda me vete futur në një zarf. Mu kujtuan tani kur Migjeni i madh tash do të ishte 100 vjeç (pse të mos ishte?) dhe i futa në kujtesën e kompjuterit. I futa “për vete”, por tash që po i lexoj dhe rilexoj vendosa t’i përcjell gjatë e gjerë.

Migjeni ka folur për dhimbjen njerëzore në të djeshmen e tij, në të djeshmen time dhe tënde, në të sotmen tonë…në të ardhmen…



“Zotni, zotni, të lutem zotni, ma fal ndoj send!” –është një refren pa kufij kohorë… Ashtu siç është…

…ZOTI TË DHASHTË…

Qeshu, paljaço, ndërsa zemra të pëlcet.

-TRAGJEDI APO KOMEDI-

Ndonj ferr e ngatrrueme për kambët e mia më sjell urrejtjen: hej! Me ngadalë…ka je nisë?

-TË FALA NGA FSHATI-

Zotni, zotni, të lutem zotni, ma fal ndoj send! –asht një refren, një refren i bukur i qytetit tem.

…kush mund të shprehi bukurinë e këtij refreni? Moxart, Bethoven…ha,ha,ha! Kët melodi mund ta këndojnë vetëm trotuaret e qytetit tem, e ta dëgjojnë vetëm qytetarët tonë. Dhe të kënaqen.

-NJË REFREN I QYTETIT TEM-

Varfëria e madhe kish bamë shumë njerëz të marrin shkopin e lypësisë, dhe shumë gra, me foshnje në gji të shtrijnë dorën për lëmoshë.

…Ngritja e shkopeve të lypësisë, rrëmbimet, vjedhjet, vrasjet, këto e shtyjnë parinë të kuptojë se nuk asht puna për t’u tallë. Dhe shpejt u mblodhën. U mblodhën për ta shkundë dhe për ta rrafë çështjen seriozisht, nga të gjitha pikëpamjet.

-NOVELË MBI KRIZË-

Luli i afrohet, ia merr dorën, e shikon me sy pllumbi dhe kishte dashtë t’i fali diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. E Luli i vocërr çka mund t’i fali mësuesit tjetër? Veç në ia faltë tollumbat e veta…

-LULI I VOCËRR-

Dikush trokit në derë…

– Kush a?

– A po na fal ndonji send zojë?

– Zoti të dhashtë!

-ZOTI TË DHASHTË-

Zeneli asht si ajo tokë e mirë e pëlleshme, ku fara dosido e hjedhun, zen, rritet dhe ep fryt ma tepër se pritej.

…Mjaft ma zotni mësues, mjaft, mjaft na mësuet, megjithatë na po rrojmë si rrojtën stërgjyshit tonë, po n’ato gëzime e po n’ato mjerime, të lanun e të tretun në këto bjeshkë.

…Rroftë shkolla! Rroftë arsimi! – Sa herë kemi këndue, e në shtëpi s’ka gaz, s’ka të qeshun…rroftë shkolla. Rroft arsimi që na mëson këndim e shkrim, të cilët me të vërtetë nuk kanë me na hyjmë shumë në punë në jetën tonë, por mjaft që kemi me marr një hu…jo gja tjetër por, për të shkrue në qiellë: Rroftë shkolla! Rroftë arsimi!

-ZENELI-

Për me qenë të lumtur, na mjafton kjo tokë që kemi, veç duhet ta punojmë e…S’kemi kurgja, zotni, as vegla të reja për punë, as shtëpia higjienike të mira, si shtetet e tjerë, jemi të vegjël.

-NË SEZONIN E MIZAVE-

Idhuj pa krena!…Ata që kishin lindun para se t’u shembshin idhujt dhe i panë me sytë e vet në bukurinë e tyre ceremoniale, ata tash rënkojnë, psherëtijnë për kohën e idhujve të vjetër dhe tue vdekur shpresojnë se këta idhuj do t’i shpëtojnë. E ata që lindin në kohën e idhujve pa krena s’dinë kah t’ia mbajnë. Duen t’ adhurojnë, por çka t’adhurojnë? Idhujt pa krena?…

(Kombi ynë me të vërtet s’u zhduk. Por arsyeja asht vetëm se edhe kojshitë tonë t’afërm qenë pak a shumë të një fati me ne…)

Idhuj pa krena! Në varrimin e tyne kuponët kanë për me plasë së ramit, minaret kanë për të kthye kurrizin së faluni dhe zhreceve do t’u këputen telat e fytit së kënduemi. Dhe do të vijë heshtja…Se çdo vikamë fillon e mbaron me heshtje. Mbasandaj do të fillojë puna…

-IDHUJ PA KRENA-

Në rasë se tryeza e shkrimit të çalon, ti qeshu. Në rasë se e vetmja karrigë që ke në shtëpi asht e shpuese dhe s’ke ku të rrish, ti qeshu. Në rasë se s’ke zjarr e ke të ftohtë, po, ti qeshu. Në rasë se ndonjë ditë, ashtu kot, të mungon edhe buka, ti merre për lojë, për shaka dhe qeshu, qeshu. Del në rrugë bile, në kryqëzimin e udhëve, dhe qeshu, qeshu, qeshu, e bota do të ketë zili dhe do të thotë: ah, sa i lumtur asht! E kur të vijë në shtëpi të shofi gëzimin tand, do t’i kujtohet vetvetja dhe do të fillojë të qeshi kikikikikakakaka.

E kur arritën ndër shtëpia, gjysmë të marrë nga mundimi dhe vuajtja, fëmijëve që kërcefshin e këndofshin u thanë:

– Do të mësoheni me ngranë hekur!

– Oho, oho, me ngranë hekur,- këndojshin dhe kërcefshin fëmijë pa të keq.

-URIME PËR 1937-

Qershitë janë pjekur, janë bamë kuq si gjaku dhe në malësoren e re asht pjek fryti i dashurisë.

Malësorja lakmon qershitë e kuqe. Lakmon qershitë për me shue ujën, se ka do kohë që edhe misri u ka mungue. Kokrrat e fundit të tij i ruejtën për farë. Nesër duhet me i qitë në dhe, dhe mandej me pritë derisa të bahet misri i ri.

I shkoftë lypa mbarë! ( A ju pëlqen, zotni, ky urim për fëmijë e juaj?)

E natyra pranverore qesh dhe kënaqet që po prodhon qershie të kuqe dhe fëmi të mjeruam.

-QERSHIAT-

E mjerimi mirëfilli ndien tradhti.

Mjerimi s’ka fat. Por ka vetëm zhele, zhele fund e maje, flamujt e një shprese të shkyme dhe të coptuem me të dalun bese.

Mjerimi punon, punon ditë e natë t’u i vlue djersa në gjoks e në ballë.

Mjerimi ka motër ngushëlluese gotën.

Në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale.

Mjerimi s’ka gëzim por ka vetëm dhimba.

Mjeri s’donë mëshirë. Por donë vetëm të drejtë!

-POEMA E MJERIMIT-….


Nga Abdurahim Ashiku

Shkruar më 13 tetor 2011, në 100 vjetorin e lindjes së Migjenit të madh.
Rishkruar më 28 mars  2020 në dhimbjen më të madhe të kohës, KORD-19, dhimbje Migjeniane, shkruar minutë pas minute, orë pas ore, ditë pas dite deri në përulje ndaj: “Zotit që s’bëzan” e thirrjes ngjethëse ngrit në qiell… “Zotni, zotni, të lutem zotni, ma fal ndoj send!”

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.