MEDITIM

0

FUNDFLETË NGA LIBRI “PO DIBRËS! JO SKAVICËS!”

Meditim

Udhëtova nëpër Dibër me ndjenjën,
 e “Zogut Shtegtar”
që folenë kërkon,
ku plasi cipën e vezës,
për të ndezë cicërimat e jetës.
U ngjita në bjeshkën e Panairit,
fole e Korabit.
Mbusha grushtet me ujë
tek burimi në krye të bjeshkës.
Ia hodha fytyrës
para se t’ia hedh gojës.
Të lash fytyrën
është gjëja e parë kur ngjitesh maleve.
Të heq djersën e ngjitjes,
të çel sytë e mendjes.
Zbrita në bjeshkën e Preshit.
I mbusha përsëri grushtet me ujin e burimit,
atij burimi që vjen shkëmb pas shkëmbi
nga Bjeshka e Panairit,
ashtu nga vjen edhe ai i Shpellasit.
Grushtet me ujë i futa në tuba
drejt Peshkopisë i përcolla,
në atë rënie që,
po ti kesh larë mirë sytë me ujë bjeshkësh,
sheh si shndërrohen stërkalat në dritë…
U ngjita përroit të Bjeshkës së Shehut,
pashë si burimet zbresin në Veleshicë,
si çajnë mes gipsesh të bardhë,
për të zbritur drejt Sllatinës,
me stërkala që shndërrohen në dritë…
Në Bjeshkën e Zonjave u ula këmbëkryq
në shilten e barit,
me sytë mbi liqenin
që në ditë shiu mbledh ujëra,
e në ditë dielli
mbledh pamjen në pasqyrën,
 e virgjër të natyrës së bukur dibrane.
Kërkova në sifon të digës,
fuçitë e Gani Tuçepit,
ngjitur njëra pas tjetrës.
Ganiu nuk është më,
ata janë.
Kërkova projektuesit
me idenë që donte ti hiqte fuçitë,
të vendoste tuba të gjerë e të fortë,
ta ngrinte digën…
ujin ta kthente në gjelbërim dhe dritë…
I hipa “kalit të kujtesës”,
çava mes Gjalicave…
u ndala në Gurë Lurë,
atje ku Seta del nga shkëmbi,
jo nga këmbët e maleve,
por nga gjoksi.
Mbusha grushtet me ujë
ia hodha fytyrës.
Më duhej të qartësoja shikimin
asaj ngjitje drejt Liqenit të Luleve…
Më tej zbrita rrokullimthi në bjeshkët e
Lukanit, Bulaçit e Gurë Lurës…
u ngjitur në Qafën e Lukanakëve,
fluturova tek Liqenet e Kacnisë.
ëndërr që kush qëllon ta shikojë njëherë…
e bën ëndërr jete
në bukurinë,
në dritën që,
stërkalat e ujit,  
në rënien drejt Selishtës,
Pratit,
Luznisë,
liqenit të Bllacës…
Po e mbyll.
Nuk kam këmbë,
dhe as zemër të fortë,
të përballoj emocionet
rrugës së jetës dhe të dritës,
foletë e ëndrrave të mija
në malet e Dibrës,
male që fillojnë…
në Bjeshkët e Kallkanit dhe,
valle pas valleje, dorë për dorën ndalen
në Bjeshkët e Fushë Lugje,
bjeshkë të Krej Lurës e të Oroshit…
Kërkoj folenë e shpirtit tim
nëpër një Dibër,
me dritë dhe me ujë,
që fytyrën time flladit,
fytyrat e dibranëve.
Atje, kur të iki,
ma hidhni hirin e trupit tim…
Tani jam gjallë,
në këmbë,
e bashkë me Ju,
Dibranëve u vikas…
JO SAKAVICËS!
PO DIBRËS!
Mos e ndyni luginën,
e Drinit të Zi
bukuri e bukurive të saj,
me gjole që bien erë
korrupsion të zi…

Athinë, e diele 21 shkurt 2010”


Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.