Në orën 18:00, Këshilli Politik do të mblidhet për fazën e dytë të punës, ndryshimet kushtetuese të miratuara në 30 korrik. Kjo mbledhje u kërkua nga PS, ndërsa opozita e bashkuar dhe ajo parlamentare kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Në mbledhjen e ditës së sotme do të ketë diskutime mbi hapjen e listave, nëse do të jenë 100% të hapura ose jo, por edhe çështjen e koalicioneve parazgjedhore si dhe përcaktimin e pragut elektoral. Të gjitha këto ndryshime do pasqyrohen në Kodin Zgjedhor.
Opozita jashtëparlamentare thotë se listat e hapura 100 përqind dhe garantimi i koalicioneve parazgjedhore janë kushte të panegociueshme. Vetëm pak ditë më parë, në një intervistë për Report Tv, përfaqësuesi i opozitës së bashkuar në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi tha se listat e hapura janë vija e kuqe e tyre.
Ndërkohë dhe kryeministri Rama duket se ka vendosur kushte për hapjen e listave. Në seancën e parë parlamentare ai tha se nuk do të ketë lista 100 përqind të hapura pa u garantuar kuota gjinore.