LYPA

0

RRNOFTË LYPA… RRËNOFSHIN SHPINËPËRKULUNIT…

Pamflet

E përditësuar sot,
shtatë vjet pushtet !
kohë virusesh,
kohë ndalimesh në kufi,
kohë gjobash,
ke thyer lejen, “90 ditshin”,
kohë ku nuk gjykon koka,
por këmbët…
Po nuk i lidhët dot kohët,
zgjidhini, ecin vetë…
Në distancë, krah përkrah…

Një partiak, nga ata që gëlojnë këto ditë anë e kand Greqisë me lypën … “A po ma fal një votë…zojë…zotni”? nxori një zë që se kishte nxjerrë kush, deklaroi nëpër të gjitha gojët e medies, të shkruar e fluturuese valësh satelitore, se qenka takuar me… zotnijtë grekë dhe ka marrë sigurinë që duke u gdhirë 14 qershori e deri në të shuar të 4 korrikut 2013 emigrantët do të udhëtojnë lirshëm pa pasur problem me toponimet.

Një gazetë mërgimtarësh, pas dilemash të llojit hamletian “Ta japim apo mos ta japim”-lajmin e gëzuar, doli me një zë nga burime tepër të sigurta zyrtare.

Në zërin zyrtar thuhet:

…Sipas ministrisë të Jashtme, me udhëzimin që ka arritur në pikat kufitare, qarkullimi i fëmijëve lindur në Greqi është i lirë nga SOT deri me 3 KORRIK, për të lehtësuar udhëtimin e votuesve drejt Shqipërisë. Rrugë të mbarë!

Thonë se LYPA e ka fytyrën e zezë por pa gja nuk të len

E unë, i gëzuam, fytyrëskuqun nga lëmosha po thërras Migjenin…

Ma mirë se Migjeni nuk ia gjen damarët mërgatës shqiptare në Greqi njeri, në botën e këtejme dhe të përtejme…

…….

Dikush trokit në derë…

– Kush a?

– A po na fal ndoj send, zojë?

– Zoti të dhashtë!

– Më fal ndoj send, të dhashtë Zoti shëndet…

– Hajt! Zoti të dhashtë!

Por lypësi e di se c’domethanë “Zoti të dhashtë”: Mos me pas kurrë, mos me ngran kurrë. Prandej me ma tepër fuqi i bie derës. E tash përmrenda asht zani ma i rreptë:

– Hajt more! Zoti të dhashtë! A merr vesht?

Lypsi doemos i duhet me marre vesht. E len atë derë, msyn të dytën, të tretën, të katërtën, e kështu me radhë, të gjitha dyert e asaj rruge. Kjo rrugë sot për sot asht fusha e veprimit të tij. Nesër asht ndoj rrugë tjetër. Fushat e veprimit të qytetarit tonë janë të ndryshme. Dhe ndryshojnë njena nga tjetra, siç ndryshon parajsa nga ferri, me të gjithë variacionet piktoreske dhe mallëngjyese.

E lypsit, që trokit nga dera në derë, diku ia falin ndoj send, diku i thotë zoja e shtëpisë: “s’kam besa” – dhe lypsi atëherë asht i butë, shkon tue mbajt mend këtë derë, me ardhë ndoj ditë tjetër.

Por at “Zoti të dhashtë” lypsi s’e duron; s’don ta dëgjojë. Ai e din mirfilli se ç’do me thanë “Zoti të dhashtë”. Edhe atë, i cili përcjell me këto dy fjalë, ai fillon ta mnijë. Kurr ai s’i ka ndamë këto dy fjalë njenën nga tjetra. Kudo që dëgjon fjalën “Zot”, ai pa dashje ia shtonte atë “të dhashtë” dhe në tru të tij u krijonte diçka që s’kuptohet e që mnihet. Se ai ishte i sigurt se “Zoti të dhashtë” domethanë tallje.

Një ditë, me një buzëqeshje ironike, duel lypsi nga një ndërtesë me kryq në majë, se aty kishte vështrue këto fjale:

“Zoti që kujdeset për zoqtë e qiellës, s’ka me i lanë njerëzit të vdesin nga uja”.

Hee – thoshte lypsi tue dalë – sot nuk asht njashtu. Zoti ndoshta kujdeset për trumcakë edhe priftent, por për mue s’e besoj. Mue dhe shokët e mi, po na harron bota e si mos të na harrojë Zoti, që s’na ka parasysh. Por thonë, se Zoti… këtu lypsi preu mendimet dhe shpejtoi mbrapa një plaku me bastun.

– Zotni, të lutem, më fal ndoj send…

– Zoti te dhashtë!

Lypsi shtrëngoi dhambët për ta ndalë gjuhën, e cila ishte gati të kalojë kufirin e njerzis. Shtrëngoi dhe grushtat, e thonjt që tash sa kohë nuk i kishte të preme, iu ngulën ne dhanat e duerve. Përpara vetes nuk shef asgja tjetër, veç objekte mnie.

I bjen nder mend, koha kur s’ka pasë nevojë me lypë. Përkundra. Kujtohet si i ka ndihmue lypsat që vijshnin ditë shtune në prakun e dyqanit të tij, kur ishte farktar…

E sot? Atij pak kush i ndihmon, pse janë shumë lypsa. Kujt i epet ma parë? Arsyetonte lypsi së fundi. Por mnia vetvetiu, pa arsye, rritej e pushtonte zemrën e trunin e tij dhe m’at çast donte të shfreje në një menyrë makatare tue rrahë hekurin e kuqun. E kur nuk ka hekur dhe çekiç puna del e dyshimtë dhe e rrezikshme.

Prandaj me taktik, zotni, mos thoni “Zoti të dhashtë…”

……

E unë, i ngazlluem nga lëmosha e re greke për …”fëmijët për votime”, me kujtime të afërta lëmoshash “kartash jeshile” kristiane, për …pashkë, krishtlindje…nuk e di pse më vjen në kujtesë një ambasador lypës, një far Q.T. i cili doli publikisht e me të cilin desha të flas publikisht por…nuk më lanë.

Prisnin të dilte në qarkullim lypa… Dhe lëmosha e zgjedhjeve të qershorit 2013.

Atëherë replikën me të e mbyllja: Unë, siç i kam shkruar publikisht Avokatit të Popullit Shqiptar zgjidhjen e çështjes e shoh nëpërmjet një gjyqi publik ku në bankën e të akuzuarit të jenë Ministria e Brendshme, Ministria e Jashtme, firma që plotëson pasaportat në Shqipëri dhe në konsullatat jashtë saj. Për ta më e pakta është të detyrohen të plotësojnë pa pagesë pasaportat e fëmijëve, të dëmshpërblehen të gjithë ata që kanë përjetuar dhunën fizike e psikologjike në pikë kalimet kufitare dhe tu kërkohet ndjesë publike të gjithë shqiptarëve, pasaportat e të cilëve janë plotësuar me gabime të papranueshme drejtshkrimore. ..

…Në fund desha të sjell përsëri Migjenin me mesazhin e pamfletit “Zoti të dhashtë”

“… m’at çast donte të shfreje në një menyrë makatare tue rrahë hekurin e kuqun. E kur nuk ka hekur dhe çekiç puna del e dyshimtë dhe e rrezikshme…”

Urraaa!…Rrnoftë lypa….lëmosha, rrënofshin shpinëpërkulunit…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 10 qershor 2013

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.