NJË ZAMBAK DIBRE NË ATHINË
Nga cikli BURRAT E DIBRËS
MJEKËT
Në kujtim të Luan Matit, dentistit të qeshur,
djalë Dibre në mërgim…
Dhe një grusht lotësh, mbledhur “anë e mbanë Botës”…
Sa herë kthehem nga vendlindja, nga trojet e
mija që i qëndrojnë Brezhdanit si ballkon e ku kam dëshirë gjithnjë të
fotografoj e të fotografohem, diçka marr. Radhën e fundit, nëntor 2015, mora me
vete një shportë me ftonj.
Disa i preva me thikë dhe i ndava thela-thela me djalin dhe gruan larg
vendlindjes. Disa ua mora lëkurën dhe zemrën dhe bëra një kavanoz me prevede.
Tulin e bëra reçel…
Tre kokrra, zverdhur në ngjyrë ari i kam vënë në një kanistër në një qosh të
sallonit të ndenjjes për të mbledhë në trup dhe shpirt aromën e vendlindjes…
Vite më parë, kur po largohesha, shkula nga krahu i djathtë i tunelit të pemëve
dhe luleve aq të dashura të nënës sime, lule që kunata i ruante me kujdes, një
rrënjë të madhe zambaku. Kishte shumë zambakë midis luleve të tunelit, shumë. E
shkula me kujdes që me rrënjët të marrë edhe dheun, truallin që sa herë shkoj
më vjen ta ha, ta fus në gjak e ta marr me vete. E mbështolla me një copë të
lagur dhe e futa në çantë.
Në Athinë e vura në një vazo. U rrit, u degëzua, çeli lule. Kujdesesha për të
si me një fëmijë. Ishte një aromë vendlindje në shtëpinë time në mërgimin e
zi…
* * *
…Një zile telefoni…
E kapi Natasha që u gjend më pranë aparatit. Dikush në anën tjetër të telefonit
diçka i përcolli, një si lloj brenge e lutjeje….
– Ishte Linda, më tha e ngrysur. E mban mend Luan Matin?
– Po i thashë, djalin e Kizes dhe Samiut, dentistin. Pse?
– Ka ndërruar jetë.
– Më vjen keq, i thashë.
– Ishte e motra, Linda, vazhdoi. Nesër varroset në varrezat e Zografos. Mu lut
që të thuash disa fjalë në varrim.
U ktheva në kujtimet e largëta të jetës sime, kohën kur punoja me babanë e tij,
Samiun, ai në komitetin ekzekutiv e unë në lokalitetin e qendrës, muhabetin dhe
respektin që përcillte ai njeri babaxhan me të gjithë, por veçanërisht me mua
kur merrte e shikonte sa saktë dhe me përgjegjësi i kisha plotësuar dokumentet
që lidheshin me punën dhe profesionin tim të agronomit të mesëm.
Luanin e mbaja mend më pak. Nuk kisha pirë ndonjëherë kafe me të. Me vëllezërit
e tij, po. Nuk isha vizituar asnjëherë nga ai. Megjithatë bluza e bardhë, e
qeshura në marrëdhëniet me njerëzit më erdhi menjëherë në kujtesë.
Mjeku dentist Pandeli Gole, një sarandjot mjeshtër në profesion, shokë kursi në
specializim me stomatologun Zenel Zeneli, doktor i shkencave mjekësore, i cili
ka afro njëzet vjet që kujdeset për gojën time, një ditë më pyeti në se
njihesha me Luan Matin. I thashë se po dhe radhita miqësinë me të atin dhe
vëllezërit. Më tha se punon dentist në një lagje në periferi të Athinës. Më
foli me respekt për të, më dha edhe numrin e telefonit…
E mora në telefon. Biseduam gjatë. E lamë të takohemi për të gjerbur së bashku
kafen e mërgimtarit e për të udhëtuar në vendlindje mes njerëzve.
Nuk qe e thënë. Ai në punë si dentist e unë në punë si kopshtar nuk e gjetëm
kohën të takoheshim.
Natasha që mbante vazhdimisht lidhje me Lindën, të motrën, një ditë më tha se
Luani ishte sëmurë. Një lloj kanceri që lidhej me gjëndrat e pështymës e kishte
mbërthyer në shtrat.
Kërkova adresën dhe e lamë që një ditë të shkojmë ta shohim. Nuk ishte e
mundur. Luanin e kishte vënë poshtë jo vetëm sëmundja por edhe humbja e punës.
Nuk punonte dhe kur në mërgim nuk punon jeta bëhet e vështirë, për vete dhe për
fëmijët. Punonte vetëm e shoqja. I shërbente një grekeje plakë njëzet e katër
orë pa ndërprerje. Grekja i lëshoi një dhomë Luanit. E sëmurë nga zemra Ajo do
të kujdesej për Luanin si për djalin e saj.
E pashë greken në ceremoninë kishtare të varrimit, e pashë edhe tek ecte e
mbajtur mbi shkop drejt varrezave. I dhashë dorën dhe e përgëzova kur pimë
kafen e lamtumirës.
Për ta takuar së gjalli Luanin nuk mundëm. Nuk deshëm të shqetësonim plakën
greke, me zemër hambar, siç thuhet për njerëz si ajo në vendlindjen time.
…U ula në kompjuter dhe diçka shkrova, diku tek një faqe, një lloj të
shkruari midis nekrologjisë dhe meditimit.
I dashur Luan !
Po i drejtohem shpirtit tënd, shpirt i cili edhe na dëgjon, edhe na shikon,
edhe na buzëqesh, edhe na përkëdhel me ato duart e tua të buta.
Jemi këtu një grup i vogël dibranësh, është shoqja juaj e jetës, vëllezër,
motra, nipër mbesa, njerëz që të deshën dhe të duan. Janë miq grekë me të cilët
na lidhi jeta në emigracion, që të deshën aq sa të duam ne.
Janë edhe ata që fizikisht nuk janë këtu, janë larg; në Tiranë, në Dibër, në
vise të tjera shqiptare, në emigracionin e zi. Janë me shpirt e me zemër. Loti
i tyre, atje ku bije, çan gurin e djeg drurin, është më i fortë, më i nxehtë se
loti jonë. Është loti i njerëzve të pa ngushëllueshëm.
I dashur Luan !
Ikja jote po na dhemb shumë. Është një ikje shumë e parakohshme, një ikje në
pjekurinë tuaj njerëzore, një ikje në pjekurinë më të lartë profesionale. Dibra
do ta mbajë mend kurdoherë humanizmin tuaj të madh, fjalën tuaj të mirë, profesionalizmin
tuaj të lartë. Ti ishe njëri ndër mjekët stomatologë më të mirë në Dibër, një
njeri prej të cilit mësonin jo vetëm kolegët e rinj por edhe ata me shumë vite
pune.
Ti do të na mungosh, i dashur Luan, do të na mungosh të gjithëve por në veçanti
do tu mungosh njerëzve që të qëndruan pranë në momentet e fundit të jetë, gruas
tuaj të dashur, djalit dhe vajzës, motrës tënde Lindës, të gjithë njerëzve të
gjakut tënd të gjerë, gjak me shumë vëllezër e motra, me shumë nipër e mbesa,
gjakut që rrodhi nga damarët e SAMIUT dhe KIZES që i nderonte dhe respektonte e
tërë Dibra.
I dashur Luan !
Para dy vjetësh, kur isha në Dibër, nga kopshti i prindërve të mi në Brezhdan,
shkula dhe mora me vete disa rrënjë zambaku mbështjellë me pak tokë Dibre. Një
rrënjë nga ky zambak e shkula mbrëmë dhe në shenjë nderimi e respekti për ty
dhe familjen tuaj, në shenjë respekti për të gjithë njerëzit që kanë ardhur sot
për të të përcjellë në banesën e fundit, shqiptarë e grekë, ta mbjell mbi dheun
e varrit tënd. Jam i sigurt se kështu dheu i vendit fqinj që hodhëm mbi
arkivolin tënd do të bëhet më i lehtë dhe shpirti do të prehet në qetësi.
Lamtumirë i dashur Luan !
Lamtumirë lofka e zemrës !
Athinë, varrezat e Zografos, 3 korrik 2004
* * *
Më ka ndodhur edhe herë të tjera të flas në lamtumira njerëzore. Më ka ndodhë
të më mblidhet një komb në fyt e të mos mundem ta nxjerr fjalën të plotë, por
ta murmuris. Më ka ndodhë që lotët të derdhen nga liqeni njerëzor thellë syve.
Si atë ditë në varrezat e Zografos në Athinë, jo, nuk më ka ndodhë kurrë. Zëri
mu mor e lotët e lagën letrën që mbaja në dorë, lagën truallin e varrezave ku
qëndroja. Ishte një lot larg vendlindjes, lot malli, lot që të djeg në
shpirt.
Nxora nga çanta zambakun. Preka rrënjët dhe dheun e vendlindjes sime,
përkëdhela dhe i ngrita lart gjethet e gjelbërta. Thirra vajzën e Luanit, lotët
e së cilës kishin mbledhë rrëketë mbi mjekër e rridhnin krua.
U afrua duke belbëzuar “Çfarë njeriu je ti që the aq fjalë të bukura për babin
tim?”
I kryqëzuam duart mbi dheun e freskët që kishte marrë formë piramide. Hapëm një
gropë dhe vendosëm me kujdes rrënjët e zambakut. I mbuluam…
Dikush na zgjati një shishe me ujë. Vajza e mori dhe e hodhi në rrënjë me
kujdesin e njeriut që pret diçka të ndodhë. Uji u tret thellë dheut të
freskët…
Atë ditë në varrim mungonte djali. Pa dokumente, një fshesë greke e kishte
larguar si të padëshiruar…
Shkrepa disa herë aparatin fotografik. Nga filmi fiksova dhe kam në album një
fotografi e në negativ shumë.
Nuk po e përcjell, po e mbaj për vete si kujtim të një dhimbjeje nga dhimbjet e
mija të kurbetit.
I kërkova Lindës një fotografi të Luanit në jetë. I kërkova edhe letrën me
lotët e derdhur atë ditë në varrezat e Zografos të Athinës. Mbi të nuk ishin
vetëm shenjat e lotëve të mi. Ishin edhe të Lindës, edhe të…
E skanova dhe e futa në kujtesën elektronike të kompjuterit…
Edhe letrën, edhe fotografinë, bashkë me dhimbjen për një njeri që u tret larg
vendlindjes, po i përcjell.
Po i përcjell për të çliruar e qetësuar veten. Gjatë, shumë gjatë e kam mbajt
amanetin…
Po i përcjell për tua kujtuar të gjithë atyre që e njohën dhe e deshën…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 16 janar 2016
NJË GRUSHT LOTËSH MBLEDHUR “ANË E MBANË BOTËS”
O Abdurahim! Gjithmonë
mbetesh befasues. Më ke prekur aq shumë për ato që ke kujtuar dhe thënë për
Luanin. Jo vetëm që ka qenë specialist i shkëlqyer, por dhe njeri i
mrekullueshëm, i qetë, zemërmirë, i dashur me njerëzit, brilant mund ta quaja,
pasi unë kam qenë në një godinë dhe kemi punuar bashkë. Edhe me Fitimin kam pas
shumë miqësi, por Luani ngelet i veçantë se ishte dhe i zgjuar, njeri pa një
pik dhe presje. Luani më ka bërë dhëmbët e vjehrrës, ka mbi 30 vjet ajo punë
dhe dhëmbët edhe sot e kësaj dite i ka si kuti. Kur morëm vesh për vdekjen e
tij jemi hidhëruar aq shumë. Nuk e di pse erdhi në Greqi, pasi ai ishte
specialist i shkëlqyer dhe mund të çante kudo.
Të përshëndes, i dashur që na kujton e rikujton shokë të mirë, me sa duket puna
jote në Greqi të ka rritur akoma më shumë vlerat se merresh me shqiptarë dhe
çdo gjë e hedh në letër, fundja kjo do të mbetet. Të uroj gjithë të mirat dhe
të falënderoj nga zemra që na rikujtove Luanin e mrekullueshëm.
Linda Mati-Manushi·
Po
e lexoj disa herë…dhe nuk më ndalojnë lotët.
Sot, si asnjë ditë tjetër, isha shumë e ngarkuar, dhe kisha shumë nevojë të
qaja.
Të falënderoj nga zemra z. Abdurahim
Ashiku për
shkrimin…dhe për përshkrimin drejtuar familjes Mati.
Jo më kot, Ju dhe Natasha ishit ndër të parët që ju lajmërova për vdekjen e
Luanit. Na ndenjët pranë në mërgim të zi në ato momente të vështira, dhe
respekti dhe mirënjohja nuk u shuan edhe pse kanë kaluar gjithë këto vite.
Respekt nga unë dhe në emër të familjes Manushi.
Luljeta Doracaj
E dashur Linda ! Tani qe po e lexoj e mora vesh qe Luani nuk jeton më,
më erdhi shumë keq! Ne kësi rastesh nuk di se çfarë të thuash, por të rroni e
ta kujtoni Luanin. Një përshëndetje për Z. Ashiku që ka shkruar aq bukur e me
dhimbje !
Astrit Kodra
Të rroni e ta kujtoni gjithmonë Linda ! Një falënderim i veçantë
Abdurahimit për fjalët e ngrohta e të ndjera për Luanin e dashur e të mirë!
Afërdita Baholli
Ngushëllime edhe nga unë. Sa fillova ta lexoj me filluan lotët dhe si
përmbajta dot, ndoshta në këto momente nuk të ndal dot dhimbjen asgjë, por ke
plot shoqëri që e ndajnë dhimbjen me ty që edhe ata kanë kaluar të njëjtin
pikëllim për njerëzit e dashur dhe ja ku jemi, prandaj bëju e fortë motër. Zoti
durimin…(Sabrin).
***
Unë
që shkruaj jam Anida, vajza e Hamide e Liman Ushtelenca (Doci). E lexova
përkushtimin tënd për një bashkatdhetar të nderuar siç qe Luani, dhe u preka
shumë. Fjalët që shkruan janë dhembje e zemrës e çdo mërgimtari kudo në botë.
Ndjej respekt kur një qytetar i Dibrës fisnike si ju, merr kohë për të shkruar
kaq me ndjenjë për një bashkëqytetar.
Edmond Hasani
Një njeri i shkëlqyer si familjar, shok, mjek dhe qytetar! Në paqe
shpirti i tij fisnik!
Sulejman Tomcini
Na nxore lotët. Edhe unë ruaj kujtimet më të
mira nga Luani, sidomos kur ishim të rinj, se pastaj
u largova nga Peshkopia
Luani me një buzëqeshje të fisme, fjalëpak. Të rroni e ta kujtoni Linda! Faleminderit Abdurahim! Ke bërë punën e gjithë dibranëve
Prekëse, shumë prekëse!
Musa Hoxha
Po me vjen shume keq për Luanin…Kam pasur simpati dhe respekt.
Ngushëllimet tona tek te gjithë vëllezërit dhe motrat tek Fitimi, Hasani,
Fatosi, Dashi, Gezimi, Shqipja, Linda dua t’ju shpreh te gjithëve ngushëllimet
nuk dua te harroj asnjërin nga këto njerëz te mire dhe miqësor. Faleminderit
edhe për ju Abdurahim për këtë memorie kushtuar Luan Matit.
Ilir Pitarka
Faleminderit shuë Abdurahim për fjalët e
zemrës qe ke thënë për kolegun, shokun e mikun tone te mrekullueshëm LUAN MATI.
Ke thënë fjalët qe do tja thonim ne shokët e tije te punës. Ne do ta mbajmë
mend Luanin gjithmonë ashtu te qeshur e ta papërtuar. I përjetshëm qofte
kujtimi i tije. Një porosi kam për ty qe po munde shprehi ngushëllimet tona me
te sinqerta Zyrkes, djalit dhe vajzës .EDHE NJEHERE TE FALENDEROJ SHUME QE I JE
GJENDUR PRANE FAMILJES SE TIJ DHE PEER FJALET E BUKURA QE KE THENE NE ATO
MOMENTE TE VESHTIRA.
Bardha Dinaj
Zoti
Abdurahim: Nuk di si te të falënderoj qe edhe ne këto momente nuk me kane
ndaluar lotët për shkrimin tënd te mrekullueshëm prej dibrani, për fjalët e
ngrohta dhe respektin qe ke treguar për familjen tonë Mati. Unë jam Bardha
motra e pare e te ndjerit Luan dhe pishmanin me te madh e kam qe nuk ndodhesha
atë dite ne varrimin e vëllait tim te dashur për arsye vize.
Luani ishte një vëlla prind dhe shok i mrekullueshëm i dashur i qeshur dhe i
respektuar nga te gjithë. Luani do mbetet i paharruar nga te gjithë.
Prania juaj dhe miqve te tjerë ma lehtësuan dhimbjen qe ndjeja atë dite.
Zoti ua shpërbleftë dhe ju dhente gjithë te mirat si familje për dashurinë
qe tregoni për patriotet tuaj. Me respekt te madh ju përshëndes .
Irida Mati
Xhaxhi im i preferuar
Elida S Shehu
Sikur mu plotësua një dëshirë sot, kur lexova këto kujtime te shkuara sa me
Art, po aq me dashuri e respekt ! Një respekt qe Luani e meriton. Ishte njeri,
bashkëshort e baba shume i mire. Te falënderoj shumë Abdurahim Ashiku
Athinë, 28 mars 2020