LËSHOJ DUSHKE

0

LËSHOJ DUSHKE… AS KJO E AS AJO S’BËHET…

Sarkazëm me gjethe të thata

E fuga në hava, se në “Odën Dibrane” mungesat “me arsye” i kam “mullar pa kunj”.
Thashë, tash që kemi “Vitin e Skënderbeut” t’i fkas dibranët ku janë e ku s’janë e tu them “hajdeni të vëmë ka nji gjur e ta ngremë nji përmendore të naltë për Gjergjin tonë, Gjergjin e Gjon Dibranit”.
E kam thanë edhe ma parë kët, por as më ka nigjue kush e as më ka shkrue.
Ama në facebook kush nuk shkruen, kush nuk merr shatin me teh ma të madh e mundohet ta tekë Gjergjin nga vetja.
Llafe shumë sa topi i kandarit nuk ka viJa ku të lëvizë ma andej.
Vendosa t’i fkas edhe mërgimtarët këtu në Greqi. U thashë ta sjellim Skënderbeun në Athinë hipur mbi një kalë të bardhë në një vrapim drejt lindjes, me shpatë zhveshur siç e zhveshi 25 vjet radhazi e i futi “dridhmën gjithë Rumelisë”, mbrojti Krishterimin siç i thonë katolikë e ortodoksë.
Nuk jemi pak, një e treta e Shqipërisë, me mend e me biznese, me shoqata e krye shoqata.
I thashë njërit që më mori në telefon e mi përzjeu germat në fjalë e fjali, livadh me ferra mi bani.
“Shkoni tek kryetari bashkisë së Athinës. I kërkoni një shesh ku të vendosni Skënderbeun, heroin e përbashkët ballkanik e evropian. Merrni me vete edhe disa nga media, më ftoni edhe mua. Kështu e bënë në vitin 1980 edhe disa mërgimtarë “të arratisur” me Zhak Shirakun. Ai jo vetëm i priti mirë por shkoi edhe vetë në përurimin “Sheshit Skanderbeg” në Paris. Mbase kështu do të veprojë edhe krye bashkiaku i Athinës. Kanë ardhur kohë të reja…”
Heshtje në Dibër për birin e saj…
Heshtje në Athinë për heroin e madh…
Heshtin dibranët…
Heshtin edhe mërgimtarët…
Ka një mesele të vjetër dibrane.
“Lëshoji dushke”, e ka titullin
Ka edhe një mesele tjetër:
“As kjo dhe as ajo nuk bëhen”…
Të parën nuk po e shkoqi, bie pak erë…
Të dytës po i bëj një temena…
“Në një odë burrash njërit i kruheshin hundët. Nuk mund t’i kruante se e kapnin “për zhelesh” dhe i tregonin derën.
Muhabeti ishte ndezë fort, një palë kishin vu në shilte bërrylin e djathtë e se hiqnin topi të ngrihej. Pala tjetër kishte vu bërrylin e majtë e shpata gjysmë hane e Osmanit nuk e luante.
E gjeti…
Mori fjalën, u ngreh pak me dorën ke hunda dhe tha:
As kjo që thoni ju (dhe kruejti të djathtën e hundës), as ajo që thoni ju (dhe kruejti të majtën e hundës) nuk bëhet…
I pari i kuvendit i tha: “Të lumtë, ia vune kunjin mullarit!”
Njerëzit u ngritën sepse kishte ardhë shërbyesi me legen e ibrik në dorë për të larë duart e për tu ulur në sofër. Duhej me ngranë e buka nuk të le me folë…”
Nuk më pëlqejnë njerëzit që “kruajnë hundët”…
Më pëlqen të lëshoj hekur e beton.
E mbi to të ngrihet vlera më e madhe që kemi.
A nuk jemi në VITIN E SKËNDERBEUT?
Vit i rizgjimit të vlerave tona kombëtare!?

Abdurahim Ashiku
Athinë, janar 2018

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.