Kurti sfidon Thaçin, i kërkon të japë dorëheqje dhe të shkojë në fushatë

0

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, tha se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është i frustruar dhe i ka bërë thirrje të japë dorëheqje nga posti i tij e të sfidojë veten në fushatë.

Kjo erdhi pasi gjatë ditës Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka hedhur një varg akuzash në drejtim të kryeministrit Kurti,  nisur nga rrezikimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “sulmi” ndaj Kushtetutës dhe demokracisë, e deri tek përgjegjësia për vetëvrasjen e të riut nga Gjilani në karantinë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti duke iu përgjigjur deklaratave të sotme të Presidentit Thaçi, tha se ai është jashtë nivelit të detyrës.

“Presidenti i Kosovës nuk është i kënaqur me ulësen e tij dhe i bëj thirrje që ta lëshojë atë. E ftoj që ta lëshojë atë dhe të vijë në fushatë dhe aty të shikojë për vizionin që do të japë e votat që do t’i marrë. Qartazi ai dëshiron që të jetë më shumë se president dhe për këtë ai kërkon dikë që është më pak se kryeministër dhe te unë nuk mund ta gjejë këtë sepse këtë e ka treguar rezultati i 6 tetorit”.

Albin Kurti është shprehur se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndihet i “frustruar”.

“Kemi një president të frustruar dhe si i tillë po bëhet gati për fushatën zgjedhore. Unë mendoj që më së miri dhe më së drejti dhe më sinqertë është që të dorëhiqet dhe të vijë në fushatë. Ne nuk kemi institucione të bllokuara, por kemi një karrige të bllokuar prej dikujt që nuk është në nivel të detyrës”, tha Kurti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka hedhur një varg akuzash në drejtim të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, nisur nga rrezikimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “sulmi” ndaj Kushtetutës dhe demokracisë, e deri tek përgjegjësia për vetëvrasjen e të riut nga Gjilani në karantinë.

Pasi vlerësoi se Kosova është përballur me sukses me pandeminë, Thaçi lavdëroi vetëm mjekët dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Ndërsa, Qeverinë në detyrë e përmendi vetëm kur ndaj saj adresoi kritika e akuza.

Duke iu referuar si “Grupi i Kurtit dhe të tjerëve”, Presidenti i Kosovës akuzoi Qeverinë për “qasje selektive për karanitnim, në bazë të preferencave partiake”, duke kërkuar përgjegjësi “për shtytje në vetëvrasje” të 26-vjeçarit nga Gjilani.

“Unë mendoj se grupi i Kurtit, Sveçlës dhe Vitisë duhet të sqarojnë se pse deputeti Pacolli është dashur të devijojë fluturimin për Tiranë. Po ashtu, të japin përgjegjësi morale, politike dhe ligjore për shtytjen në vetëvrasje të të riut në karantinë, në Qendrën e Studentëve”, tha presidenti.

Akuzat e Thaçit për Kurtin nuk kanë munguar as në rrafshin e rendit kushtetues e demokracisë, si dhe politikës së brendshme e të jashtme.

Duke folur për masën e përkohshme ndaj dekretit të tij, Thaçi kërkoi të mos ketë presione e as kërcënime ndaj Gjykatës Kushtetuese, e as demonstrime kundër rekomandimeve të ekspertëve shëndetësorë. Ai tha se të gjithë duhet të respektojnë çfarëdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese dhe se askush nuk mund ta uzurpojë pushtetin e të destabilizojë shtetin dhe funksionimin demokratik të institucioneve.

“Unë nuk dua ta prejudikoj në asnjë rrethanë se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Por unë siguroj, dhe besoj që është edhe në kulturën politike të liderëve në Kosovë ose shumicës prej tyre, të deklaruar edhe në takimet që kam zhvilluar, që këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese do ta respektojnë. Por, gjithashtu është shumë e rëndësishme të mos ketë presione, të mos ketë paragjykime, të mos ketë kërcënime e në asnjë rrethanë në këtë kohë të pandemisë as demonstrime që bien në kundërshtim të plotë edhe me këshillat dhe standardet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”, theksoi Thaçi.

Rrëzimin e qeverisë Kurti, Presidenti Thaçi e vlerësoi si përballje botëkuptimesh pro dhe anti-perëndimore, amerikane e kombëtare, dhe jo të së resë me të vjetrën.

“Unë nga fillimi kam qenë që të ndalen tonet armiqësore në skenën politike kosovare, gjithashtu të tejkalohet ky nivel i ulët aktual, apo zero, i bashkëpunimit me Shqipërinë nga zyra e z. Kurti. E, gjithashtu edhe ky ballafaqim i panevojshëm dhe i rrezikshëm në rrafshin strategjik, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe, në anën tjetër të ndalet kjo përulje dhe lojalitet ndaj Serbisë. Prandaj nuk ke të bësh me gjeneratën e vjetër dhe të re, edhe z. Kurti i takon gjeneratës që janë aktualisht në politikë. Ndërsa mund të them, se është dëshmuar që edhe procesi i mosbesimit që ka kaluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka qenë një ballafaqim botëkuptimesh pro perëndimore dhe anti-perëndimore, pro amerikane dhe anti-amerikane, pro kombëtare dhe jo të drejta në rrafshin kombëtar, duke respektuar vlerat individuale, të lirive, parlamentarizmit, demokracisë” shtoi ai.

Sipas presidentit, Kurti ka sulmuar demokracinë, Kushtetutën, ligjet, funksionimin demokratik të institucioneve, Kuvendin, deputetët dhe tërësinë e të arriturave në 20 vitet e fundit.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.