KUJTESË…

0

Kujtesë e hidhur

KUR MBYLLESHIN GAZETAT, RËNKONTE SHQIPËRIA E NJË ZË MËRGIMTAR VINTE NGA ATHINA

Po i përcjell ato momente nëpërmjet ditarit tim lakonik, me dhimbjen e njeriut që për një çast iu duke vetja pa Atdhe…

Po i ripërcjell sot me rastin e 23 vjetorit të daljes në “kohë lufte” të gazetës “Vëllazërimi” në Athinë.

Ato ditë Shqipërisë i ishte mbyllur goja, i ishte prerë në rrëzë gjuha, i ishte marrë erzi…
Do të doja ta harroja ato ditë, atë vit, ato ngjarje, djegiet dhe shkatërrimet, gjakun e derdhur lumë. Nuk mund ta harroj, nuk na lënë ta harrojmë.
Politika në Shqipëri po na e kujton ’97-tën,’98-tën në çdo veprim të saj, në çdo fjalë që lakon e zgjedhon, në njëjës e shumës.
Unë nuk e jetova fizikisht dimrin e egër të ’97-s në Shqipëri. I larguar fill pas dhunës së pashembullt në demokraci, të 26 majit 1996, për shkak të dhunës, kërcënimin me jetën time dhe të familjes, përndjekjes së egër që mu bë, të qenit gazetar, zë në shtypin e ditës, jetoja në Salaminë të Greqisë prej ku, nëpërmjet BBC dhe Zërit të Amerikës, si dhe televizioneve greke që kishin “pushtuar” në sinkron tërë jugun e Shqipërisë, përjetoja dhimbjen shqiptare, dhimbjen e një ikanaku të pashpresë…
Po i përcjell ato momente nëpërmjet ditarit tim lakonik, me dhimbjen e njeriut që për një çast iu duke vetja pa Atdhe…
Po i përcjell me thirrjen legjendare të Julius Fuçikut në “Reportazh me litar në grykë…”
”Njerëz ju dua, jini vigjilentë!”

NGA DITARI I NJË GAZETARI SYRGJYN GJALLË…

24 janar ’97
Në Lushnje, sipas ZA dhe BBC paska krisur. Qenka djegur bashkia dhe këshilli i rrethit nga njerëzit që kanë dhënë para me fajde. Gjendja tepër e rëndë…

25 janar ’97
Në Shqipëri vazhdojnë turbullirat, vazhdojnë djegiet e shkatërrimet. PD-së së Berishës iu “rritën djemtë”, atë që mbollën, atë po korrin. Ata që i ngjitën në pushtet (rruga), ata po i rrëzon (rruga). Mjerë populli, mjerë ata që i zë nën vete ky tërmet. Meraku është postuar për në Tiranë.
Ç’të bëjmë?

26 janar ’97
Nga Shqipëria, sipas ZA dhe BBC, flitet për protesta shoqëruar me shkatërrim e djegie. PD-ja e filloi me djegie dhe po e mbyll me djegie. Shqipëria në flakë. Ku shkon kështu vendi potencialisht më i pasur dhe më i arsimuar në Evropë? Ç’është ky neronizëm që po hedh shtat?

27 janar ’97
Në Shqipëri ka zbritur në “fushën e betejës” ushtria për të mbrojtur diktaturën berishiane. Një veprim i tillë konsiderohet i paprecedent në tërë Lindjen. Kjo është cilësuar nga Perëndimi nëpërmjet ZA dhe BBC.

29 janar ’97
Në mbrëmje më mori në telefon Stefan Martiko. Biseduam për gjendjen në Shqipëri ku kanë filluar arrestimet e socialistëve, drejtuesve të PS në rrethe të ndryshme. Shqipëria është në shtetrrethim. Berisha vendosi diktaturën ushtarake. Të huajt po e quajnë këtë një rast flagrant, i padëgjuar në demokraci.

30 janar ’97
Në Tiranë qenka formuar një koalicion partish për rrëzimin e Berishës dhe zgjedhjet e reja parlamentare.

2 shkurt ’97
Shkova herët në Omonia ku mora gazetën dhe takova organizatorët e demonstratës para ambasadës shqiptare, demonstratë e cila u përcoll nga tërë masmedia televizive greke. Në ekran dy fëmijë u ofruan policëve grekë karafila të kuq dhe flamurin e kuq shqiptar…

5 shkurt ’97
Në Vlorë, sipas BBC, ka pas përleshje të ashpra me policinë e përdorim të armëve.

10 shkurt ’97
Mjetet e informacionit të botës, radiot e televizionet, përcollën dhunën policore në Vlorë. Është vrarë me armë zjarri një 30 vjeçar dhe ka vdekur nga infarkti një 53 vjeçar. Gjendja është tepër e rëndë.

11 shkurt ’97
Sot më 11 shkurt, në orën 11.00 (sipas Tiranës) dhe 12.00 sipas orës greke, qëndrova një minutë në këmbë në heshtje, në kujtim të viktimave të terrorit berishian në Vlorë duke u bashkuar me hidhërimin dhe zinë mbarëkombëtare, me flamurin shqiptar në gjysmë shtizë.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
Gjaku i tyre u bëftë dritë për Shqipërinë, një Shqipëri pa diktatura dhe pa diktatorë të çdo ngjyre qofshin. Ora 12.06.

13 shkurt ’97
Nga lajmet e mbrëmjes mësova se gjykata ka vendosur paraqitjen dy herë në javë të S. Brokajt në policinë gjyqësore…
Në Shqipëri sa vjen e më e vështirë bëhet. Në veçanti në Vlorë por edhe në zonat e tjera, po mbretëron kaosi…

2 mars ’97
Në Shqipëri është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, caprifuoko i luftës. Berisha shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, fundin e vet të turpshëm.

3 mars ’97
Media greke dhe ajo botërore orë të tëra i ka kushtuar “Shqipërisë në zjarr”, gjendjes atje, kaosit që zotëron. Nga Shqipëria, me helikopterë ushtarakë italianë ikën gazetarët dhe të huajt. Është djegë gazeta (zyrat) e KJ. Vazhdon dhuna e egër fashiste.
Parlamenti i PD-së në shkatërrim zgjedh me 113 vota pro, një kundër dhe 4 abstenime Berishën President!
Një parlament si ai i tetorit 1944 i gjermanëve që u qëllua nga partizanët e E. Hoxhës me top. Historia përsëritet në spirale. Komunisti-fashist Sali Berisha bëhet për së dyti president!

4 mars ’97
Shqipëria vazhdon të jetë nën krisma armësh, nën zjarrin e ndezur nga Berisha. Greqia, nëpërmjet televizioneve të saj, po e bën tërë Shqipërinë “Vorio Epir”, të flasë greqisht.
Në Tiranë sot doli vetëm RD-ja…

5 mars ’97
Takova Ilia Blidon djalin e Filip Blidos që këtu kanë një tjetër mbiemër, Apostoli. Ilia këmbëngul për nxjerrjen shpejt të një gazete në shqip..
Në Shqipëri vazhdon kaosi, vazhdon gjakderdhja. Në televizion sot pamë edhe Andrean e Delvinës me armë në dorë.

6 mars ’97
Berisha, në takimin shumë partiak bëri “lëshimin e detyruar”- qeveri teknike-amnisti për rrëmbyesit e armëve. Ndërkohë jugu, ku edhe ushtria është bashkuar me “rebelët” nuk i dorëzon armët pa dhënë dorëheqjen Berisha. Jugu zjen.

7 mars ’97
U vendos botimi i gazetës me emrin “FJALA”. I shkoftë fjala në vesh Zotit !

10 mars ’97
Në mëngjes në orën 10.30 shkova në Omonia dhe prej andej në zyrën e gazetës “Vëllazërimi”.
Emri i saj u ndryshua …
…Shqipëria në flakë e nën gjëmime armësh. Njoftohet se është marrë Berati, Kuçova, Përmeti. Ka ngelur vetëm Juglindja, Korça etj. Numri i të vrarëve dhe i gjakut të derdhur vazhdon rritjen….

11 mars ’97
Në Shqipëri vazhdon tensioni, vazhdon sulmi drejt Tiranës. Jugu, me përjashtim të Korçës, Pogradecit dhe Kolonjës është nën armë. Plasi edhe në Veri, në Tropojë e Kukës…

15 mars ’97
Sot doli numri i parë i “Vëllazërimit”.
Është një sukses. Pastë fat dhe lexues sa më të shumtë!
Mjetet greke të informacionit dhanë me flash dorëheqjen e Berishës. Nuk u konfirmua një gjë e tillë nga ZA dhe nga Radio Tirana. Sido që të jetë Berisha po jeton grahmat e fundit të pushtetit të tij.
Në Shqipëri flitet për normalizim të gjendjes.

21 mars ’97
Në mbrëmje televizioni grek njoftoi për ardhjen në Selanik të Fatos Nanos për të takuar fëmijët. U tha se do të vijë edhe në Athinë.

22 mars ’97
Sot doli numri 2 i gazetës “Vëllazërimi”…

Abdurahim Ashiku
Gazetar, Athinë

Krye e formularit

Fundi i formularit

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.