Ku e mblodhe atë tufë lulesh Anthulla Tili ?

0

Rreth e rreth Shkodrës jam sjellë

Lule m’lule tuj shetitë…

Ishte e vështirë për me e gjetë. Ishte fare pranë, por edhe fare larg. Unë e gjeta me një fletë harte në dorë. Të tjerët e gjetën duke pyetur…të pa diturit. Rrugës Marku Avriliu i mungonte numri 5, por nuk i mungonin tingujt e një pianoje. Damarët e gishtave të Sandër Çefës nuk janë plakur, i përcjellin shputat e rrudhura të gishtave mbi tastierë me shpejtësinë dhe harmoninë e një të riu. Nuk plaket or jo Sandër Çefa. Nuk plaket or jo shpirti i Sandër Çefës. Jeton në zemër e lulëzon në gishta. Dhe kjo, veçanërisht kur ndodhesh përpara pianosh të mrekullueshme, siç i quan ai me një lulëzim gazi mbi fytyrë pianot e shumta në çdo sallë e në çdo holl, kat pas kati të ndërtesës së Universitetit Amerikan Indianopoli, me themele midis themeleve të Akropolit të lashtë.

Ishte e vështirë për me e gjetë. Ishte fare pranë, por edhe fare larg. Ndaj edhe salla, një auditor i gjerë i Universitetit, kishte vende bosh kur duhet të ishte plotë e përplot, madje të zgjerohesh e zgjerohesh deri në hapësirën e një stadiumi të mbyllur. Këndohej muzikë live, si i thonë duke përdorë një fjalë të huaj, në vend që t’i thonë muzikë e gjallë apo këngë e gjallë, këndohej me shpirt, me zë që dilte nga thellësitë e tij dhe jo me “lëvizje buzësh” siç ndodh në “ stadiume “ e “buzukë” nga këngëtarë tregtarë ambulantë të këngës shqiptare…

“ Buqetë këngësh qytetare shkodrane – Anthulla” – bukur ia kanë gjetur titullin veprimtarisë kulturore. Edhe stema në ballë të sallës bukur është formuluar.

“ Karajfilat që ka Shkodra…”

 Vërtet sa karafila ka Shkodra, nga ato karafila që Anthulla Tili i ka mbledhur “ lule m’lule tuj shetitë “ ?

Unë nuk i numërova. E si mund të numërohen karafilat kur njeri është më i bukur se tjetri, që ta marrin shpirtin e ta rrëmbejnë mendjen. Po të mos kishte thënë në fund të shfaqjesh Anthulla se ata ishin NJËZETË E TRE, unë, dhe të gjithë të tjerët, të rrëmbyer prej bukurisë dhe aromës së tyre, do të kishim thënë se janë pesëdhjetë, njëqind… E ku numërohen këngët dhe karafilat që ka Shkodra ?

Kur në një nga çastet më emocionante të shfaqjesh kori i të ftuarve do të shoqëronte këngëtaren e madhe lirike në një nga perlat më të mëdha të këngëve shkodrane e shqiptare, atë këngë që “ tue kërkue në mal e n’kodër” poeti ( që unë nuk ia di emrin ) “ veç n’nji kopsh t’bukur n’Shkodër “ do të thoshte triumfues “ Ty të gjeta lule borë “, Anthulla me djersën e punës në ballë dhe me emocionet e sallës në shpirt do të ulej në një nga stolat në radhën e parë të sallës. Atje, ndërsa salla mbushej nën tingujt e lojës në piano të të riut Juxhin Gjoni, gjeta rastin t’i them se ajo këngë, nga fundi i viteve pesëdhjetë ishte bërë e përbotshme. I thashë se kënga shqiptare “ Podsnjezhnik “ në rusisht ( lule borë ) ishte kënga më e kërkuar në Bashkimin Sovjetik të asaj kohe. I thashë se në korrespondencën që asokohe të rinjtë e shkollave të mesme shqiptare kishin me vajzat sovjetike kënga “ Lule borë “ kërkohej në fjalët shqipe dhe me notat në pentagram. E dinte, e kish dëgjuar, ndonëse nuk e kishte jetuar.

Çfarë titujsh të bukur, çfarë vargjesh të bukur, sa emocion, sa lirizëm sjell në shpirt kënga shkodrane ? Duhet ta jetosh momentin, ta kapësh e ta fshehësh thellë në shpirt tingullin, vargun, zërin…

Vajzë e mirë në Shkodër moj e vogëlo…

Kur më del në derë…

Mora thikën me pre mollën…

Të gëzojmë se erdh pranvera përsëri…

Ky marak, maraku i shkretë

nuk ma le zemrën të qetë…

Si dukat i vogël je,

eja shpirt e rri me ne…

Ti je krejt si një gonxhe…

Hajde moj, beja moj,

hajde lule moj shebojë…

Pranvera filloi me ardhë,

dhe bylbyli nis me kënu…

Margjelo, moj Margjelë…

… Këngët dhe meloditë i ndjej të më futen në shpirt. Por po aq po më futet në shpirt edhe figura, një vrapim maleve e fushave për të arritur në Shkodër, për tu ngjitur në Kala për të pirë pak qumësht nga gjiri i Rozafës, për të parë Drinin tek ndahet e Drinasën tek përqafohet me  Bunën  dhe me liqenin më të madh në Ballkan, për të parë pazarin karakteristik shkodran, rrugët dhe rrugicat, kishat dhe xhamitë që bashkëjetojnë në një unitet që nuk e gjen në asnjë vend të botës, udhën drejt maleve….E gjitha kjo në sajë të një projektori që i merr dhe i përcjell, për t’i marrë e përcjellë gjatë gjithë kohës pamjet që fsheh Shkodra.

Bukur ! Mall dhe këngë. Mall për mëmëdheun dhe këngë nga krojet e pastra të mëmëdheut. Ani se ato janë të një krahine, ani se ata janë të Shkodrës dhe vetëm të Shkodrës në rrënjë e në degë, në lule dhe në fruta, mbarë shqiptare.

Domethënia e saj është se ata luhen në piano nga një shkodran, nga Sandër Çefa dhe këndohen nga një këngëtare e Jugut, e pjesës më jugore të Shqipërisë, nga Anthulla Tili ( Malo ). Vend i vogël jemi, me një larmi kaq të madhe këngësh e melodish sa na e kanë zili, por edhe me një unitet në të kënduarit sa përsëri na e kanë zili.

Anthulla nuk është vetëm këngëtare, është edhe poete, edhe kompozitore.

Lefter Simoni, aktori i njohur në veprimtaritë e mërgatës shqiptare, reciton një nga poezitë e saj botuar në një gazetë të emigracionit.

“Shi nuk bie përjashta, thotë Anthulla,” ( megjithëse kur dolëm mbi Athinë binte shi e Tiranën dhe gjithë Shqipërinë, deri në Vlorë e Gjirokastër, e kishte mbuluar mbrëmjen e së shtunës një vello e bardhë dëbore )…” Por atë ditë binte. Pikëzat më binin mbi sy, mbi syze, më pengonin pamjen por nuk më pengonin vargun dhe melodinë që më dilte nga shpirti.”

Kështu lindi kënga që ajo e këndoi në shoqëri të dy fëmijëve, vëlla e motër, Enxhëll dhe Florida Miho nxënës të të shoqit, Spartak Tili. E bukur, emocionuese, fëminore, ishte kënga. Ajo, me siguri, do të ishte një ndër këngët më të bukura të fëmijëve në festivalin mbarëshqiptar që zhvillohet çdo pranverë në Shkodër, në mos kënga fituese, në mos një këngë e denjë për të marrë pjesë në festivalin evropian të këngës. ( Çuditërisht Shqipërinë  nuk e pamë të merrte pjesë në këtë festival në të cilin ishin të pranishëm, madje konkurrentë të mirë, fqinjët tanë në lindje e jug ). Çuditërisht, ndonëse themi që jemi një masë e madhe e shkëputur nga Shqipëria grupet nga emigracioni nuk pranohen në festivalet tona…

Ata dy fëmijë, më pas, do të luanin dhe këndonin edhe në piano. Ishin “lule” në “kopshtin” muzikor të Spartak Tilit. Ndoshta ndonjë ditë do ta shpërngul meditimin tim në atë kopsht që rrit lule Shqipërie. Spartaku ma dha fjalën…

Dhe vjen një çast kur ti ngrihesh në këmbë e duartroket, madje, me zë të lartë thërret “ Bravo “. Dhe ky moment vjen kur burrë e grua, Spartaku i njohur i muzikës  dhe Anthulla e këngës, këndojnë bashkë në duet, kur Spartaku këndon solo këngët e veta, kur Anthulla e kthen orën e kujtesës pas, shumë vite pas, tek Lukë Kaçaj dhe Marie Kraja, dy njerëzit që ajo i ka pasur gjithnjë pranë në ngjitjen drejt skenës dhe këngës…

* * *

Kur u ula e gishtat prekën tastierën e kompjuterit thashë me vete të bëja një kronikë, një lajm, nga ata kronika dhe lajme që bëja kur isha gazetar i ATSH – së në një skaj të largët të Atdheut. Në lajm do të shkruaja…

…Të shtunën në mbrëmje, në një nga sallat e Universitetit Amerikan të Indianopulit në Athinë u zhvillua një koncert me këngë shkodrane të interpretuara nga Këngëtarja Anthulla Tili, shoqëruar në piano nga Sandër Çefa dhe në Violonçel nga Krenar Kana. Në koncert znj. Anthulla Tili këndoi 23 këngë të bukura shkodrane. Koncerti u drejtua nga aktori i njohur në emigracion Lefter Simoni…

Kur shfletova shënimet në të trembëdhjetë faqet e bllokut, ndërrova mendje. Mendova tu qëndroj besnik atyre shënimeve, atyre ndjenjave që përjetova unë dhe ata me të cilët kalova dy orë të bukura në mbrëmjen e së shtunës.

E di që nuk i kam thënë të gjitha. E si mund të thuhen të gjitha pa mbajtur diçka për vete, në shpirt e zemër ?

Abdurahim Ashiku

 E shtunë, 15/12/2007

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.