Kosova me masa të reja kundër koronavirusit

0

Rritja e madhe dhe e shpejtë e numrit të të infektuarve me COVID-19 ka detyruar Qeverinë e Kosovës të imponojë masa të reja restriktive, të martën, në përpjekjen për frenimin e përhapjes së virusit. Në mesin e masave të miratuara nga Qeveria, sipas njoftimit të lëshuar të martën në mbrëmje, është edhe regjimi i ri i hyrjeve në Kosovë nga vendet e tjera, si dhe ndalesa e të gjitha tubimeve publike dhe ahengjeve familjare, sikur edhe pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë fetare, që tashmë do të përfshijë edhe faljen e Bajramit nëpër xhamitë e vendit, të premten.

Sipas njoftimit qeveritar, masat e reja hyjnë në fuqi menjëherë, përveç ndalesës së veprimtarive kulturore dhe sportive, e cila hyn në fuqi të enjten.

Vetë miratimi i masave të reja nga Qeveria erdhi pas një përplasjeje publike mes partnerëve të koalicionit rreth masave të propozuara fillimisht. Ka qenë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ajo që ka dalë publikisht kundër masave të paralajmëruara, më saktësisht kundër masës që parashihte hyrjen në vetizolim të të gjithë shtetasve të Kosovës që kthehen nga vendet me rrezikshmëri të lartë të koronavirusit.

Këto vendime janë publikuar pas mbledhjes online të Qeverisë.

Në pajtim me to, qytetarëve të Kosovës do t’u ndalohet qarkullimi prej orës 22:30 deri në orën 05:00 jashtë shtëpive/ banesave të tyre në Prishtinë, Prizren, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë.

Në të njëjtën kohë, të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës do t’iu duhet testi për COVID-19 për të hyrë në Kosovë.

Maskat do të jenë të obligueshme në të gjitha veprimtaritë jashtë shtëpive/ banesave, ashtu si edhe distanca fizike prej 2 metrash në mjedise të përbashkëta. Institucionet punëdhënëse, sipas vendimit të 3-të, obligohen të krijojnë kushte që të aplikohet kjo distancë në mjedise pune.

Po ashtu, Qeveria të marten e ka ndaluar grumbullimin e më shumë se 5 personave, ashtu si edhe tubimet publike, përfshirë ahengjet familjare. Janë ndaluar edhe veprimtaritë rekreative, kulturore dhe sportive.

Të lejuara, me vendim të Qeverisë, janë vetëm fitneset, pishinat e mbyllura dhe sportet individuale.

Transporti publik do të duhet të punojë me përgjysmim kapacitetesh sa u përket numrit të udhëtarëve.

Institucioneve shëndetësore publike u rekomandohet reduktimi i shërbimeve joesenciale.

Qeveria në kuadër të masave ka paraparë edhe hapjen e çerdheve publike dhe private pas vlerësimit dhe mbikëqyrjes nga autoritetet lokale, në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19.

Ndërkaq për sektorin e gastronomisë, thuhet se iu ndalohet veprimtaria pas orës 22:30, porse të njëjtat jashtë këtij orari mund të punojnë në hapësira të hapura, duke respektuar largësinë prej dy metrash ndërmjet tavolinave si dhe shërbimet take-away.

Në kuadër të këtyre masave gjithashtu thuhet se do të ndalohet pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë fetare në tërë territorin e Kosovës.

Të gjitha vendimet e Qeverisë:

1.      Të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës (RKS) duhet të dëshmojnë se janë të shëndoshë nga COVID-19, me testin RT-PCR në Sars COV-2, sipas parimit të reciprocitetit, me përjashtimet si në vijim:
1.1.            Gjatë hyrjes nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk ka nevojë të kenë vërtetim për test negativ RT-PCR, duke marrë parasysh që shtetasi i huaj vetëm do të kalojë nëpër territorin  e RKS-së, dhe me kusht që në hyrje do të nënshkruajë një deklaratë që në afat prej 3 orësh do ta lëshojë territorin e RKS-së;

1.2.            Gjatë hyrjes në pikat kufitare tokësore, me qëllim të daljes nëpër pikat ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, nuk ka nevojë të kenë vërtetim për test RT- PCR, porse, shtetasit e huaj janë të obliguar të paraqesin biletën e aeroplanit dhe të nënshkruajnë deklaratën se brenda 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;

1.3.            Transportuesit profesionistë (vozitësit) nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për testin PCR, me kusht që respektohet protokolli për transport ndërkombëtar;

1.4.            Për transport të organizuar me autobus ose linjë të rregullt ndërkombëtare transite nuk nevojitet testi RT-PCR, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e RKS-së brenda 5 orësh;

1.5.            Shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët e kanë të rregulluar lejeqëndrimin e përkohshëm ose të përhershëm në RKS, gjatë hyrjes në RKS duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë 72 orë para hyrjes në RKS;

1.6.            Diplomatët e huaj nga shtetet e cekura në këtë vendim, të cilët janë të akredituar në RKS, sikurse familjarët e tyre, nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për  test RT-PCR;

1.7.            Shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët kanë caktuar termin për mjekim në institucionet shëndetësore të RKS-së, mund të hyjnë, me kusht që të paraqesin vërtetimin për test TR-PCR negativ,  të bërë 72 orë para hyrjes në RKS dhe vërtetimin për termin të caktuar të lëshuar nga spitali;

1.8.            Bartësit e dokumenteve personale të lëshuara nga RKS, mirëpo me adresë vendbanimi në njërin nga shtetet e cekura në këtë vendim, gjatë hyrjes në RKS, duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë 72 orë para hyrjes në RKS.

2.      Duke filluar nga ora 22:30 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë, përveç:

2.1.            Në raste urgjente shëndetësore;

2.2.            Në rast të nevojës për t’u kujdesur për të sëmurë, për persona me nevoja të veçanta, vetëm nëse të sëmurët apo personat me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të kujdesen për vetveten;

2.3.            Në rast të kërkimit të ndihmës nga institucionet përkatëse, siç është rasti me viktimat e dhunës familjare;

2.4.            Në rast të vdekjes së anëtarit të familjes;

2.5.            Në rast të paraqitjes së nevojave për dalje jashtë shtëpisë/banesës për nevojat fiziologjike të kafshëve, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia (por, nuk lejohet shfrytëzimi i këtyre rasteve për të kryer ndonjë punë tjetër ose për ndonjë qëllim tjetër përveç atij të përcaktuar).

3.      Obligohen të gjithë banorët e Republikës së Kosovës t’i bartin maskat në fytyrë në të gjitha veprimtaritë jashtë shtëpive/banesave të tyre dhe të mbajnë distancë fizike prej 2 metrash në mjedise të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe obligohen institucionet punëdhënëse të krijojnë kushte që në mjedise pune kjo distancë të aplikohet.

4.      Obligohen të gjithë institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektantët për duar dhe maskat për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtoret e institucioneve dhe nga vizitorët.

5.      Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private të vendosin rregulla me shenja të dukshme në çdo hyrje të objektit (duke përfshirë këtu ndalimin e hyrjes pa maska, obligimin për ta respektuar distancën etj.) në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.

6.    Ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personash në sheshe publike, në parqe etj.

7.     Ndalohen të gjitha tubimet publike, duke i përfshirë ahengjet familjare private.

8.    Ndalohen veprimtaritë rekreative, kulturore dhe sportive në mjedise të mbyllura dhe të hapura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë shkollat e futbollit dhe sportet e tjera, trajnimet e të gjitha lëmive etj.

9.      Lejohen vetëm fitneset, pishinat e mbyllura dhe sportet individuale, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19. 

10.  Të gjitha subjektet që ofrojnë transport publik (autobusë, kombi, taksi) të punojnë me përgjysmim të kapaciteteve të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.

11.  Institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës obligohen të menaxhojnë paraqitjen e stafit në punë në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19 (institucionet përkatëse do të sqarojnë me qarkore të veçanta se çfarë paraqet staf të domosdoshëm për to), duke përfshirë rregullat e veçanta që vlejnë për stafin në institucionet publike dhe private me interes vital.

12.  Institucioneve shëndetësore publike dhe private u rekomandohet t’i reduktojnë shërbimet shëndetësore joesenciale.

13.  Kërkohet nga të gjitha komunat t’i riaktivizojnë plotësisht shtabet e tyre lokale.

14.  Ndalohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

15.  Ndalohet therja e kafshëve në çfarëdo mjedisi të hapur apo të mbyllur, përveç në mjediset e autorizuara për therjen e kafshëve.

16.  Ndalohet pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

17.  Ushtrimi i veprimtarisë së çerdheve publike dhe private në tërë territorin e Republikës së Kosovës lejohet pas vlerësimit dhe mbikëqyrjes nga autoritetet komunale, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.

18.  Të gjitha subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë, klubet e natës etj.);

18.1. U ndalohet funksionimi nga ora 22:30 deri në 05:00 në gjithë territorin e Republikës së Kosovës;

18.2. Jashtë këtij orari mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura duke respektuar largësinë prej 2 metrash ndërmjet tavolinave, si dhe shërbimet take-away (merre me vete), gjithnjë në përputhje me udhëzimet e përcaktuara në Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.

19.  Qytetarët e moshuar (mbi moshën 65 vjeç) dhe qytetarët me sëmundje kronike (diabet, hipertension arterial dhe sëmundje zemre, sëmundje kronike të mushkërive, pacientët me sëmundje të veshkave, pacientët me imunitet të suprimuar, pacientet onkologjik etj.) mund të dalin jashtë në mjedise publike vetëm në orët e hershme të mëngjesit (prej orës 05:00-10:00) dhe orët e mbrëmjes (prej orës 18:00-21:00). 

20.  Obligohen operatorët e shërbimeve komunale, financiare, elektronike dhe postare të ofrojnë shërbime me staf minimal, sipas masave në fuqi për emergjencën në shëndetin publik.

21.  Obligohet Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës që në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, deri më 15 gusht 2020, të hartojnë Udhëzuesin për mënyrën e organizimit të mësimit në vitin e ri shkollor-akademik 2020-2021.

22.  Obligohen të gjithë banorët e Republikës së Kosovës t’i zbatojnë masat parandaluese dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

23.  Obligohen organet kompetente të ushtrojnë kontroll rigoroz, me qëllim të zbatimit të masave (inspektoratet përkatëse dhe organet rendit).

24.  Obligohen institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Vendimi.

25.  Udhëzohen të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës që, në bazë të kompetencave ligjore të vetëqeverisjes lokale, ta reduktojnë qarkullimin e automjeteve, me qëllim të shmangies së grumbullimit të tepërt të njerëzve.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.