Kosnett mbështet seancën e Kuvendit të Kosovës për votëbesimin e qeverisë Kurti…

0

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, përmes një shkrimi në Twitter ka mbështetur seancën e nesërme që do të mbajë Kuvendi i Kosovës, për të votuar mocionin e votëbesimit për Qeverinë Kurti.

“Jam i kënaqur ta shoh Kuvendin që nesër do ta mbajë seancën e mocionit të votëbesimit”, shkruan Kosnett.

Ambasadori Kosnett tregon se sot i ka thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se është e rëndësishme që të respektohet kushtetua e vendit nga Kuvendi dhe institucionet e tjera.

“Siç i kam thënë Kryeministrit Kurti sot, është e rëndësishme që Kuvendi dhe gjitha institucionet ta respektojnë Kushtetutën”, ka thënë Kosnett.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se pret që mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti të ketë sukses.

Ai ka thënë se këtë krizë qeveritare e ka shkaktuar kryeministri.

Kreu i Nismës thotë se Kosova nga nesër mund të jetë më mirë për faktin se një nga partnerët ia ka hequr besimin partnerit tjetër.

“Të gjithë duhet jemi të shqetësuar më veprimet e qeverisë, duke krijuar krizë të panevojshme në kohën e korona virusit. Kjo situatë nuk do të mund të vinte nga opozita. Kriza mund të kalohet përmes mocionit. Qeveria në detyre duhet t’i kryej detyrat e saja kushtetuese dhe të mos sjellë panik tek qytetarët pasi pavarësisht seancës së nesërme ajo do të jetë duke përmbushur detyrat e saja kushtetuese”, ka thënë Limaj në RTK.

Sa i përket deklaratës se ambasadorit Kosnett, ai ka thënë se për SHBA është e shenjtë respektimi i Kushtetutës.

Lideri i Nismës e ka komentuar vendimin e qeverisë për kufizimin e lëvizjes se qytetarëve.

“Çdo vendim i qeverisë Kosovës duhet respektohet, pavarësisht a na pëlqejnë ose jo. Gjithmonë ka rrezik me pas mundësi joligjore, prandaj janë gjykatat që e konfirmojnë. Mendimi im është se ai vendim është antikushtetues, mirëpo derisa nuk flet Gjykata Kushtetuese çdo kush e ka për obligim ta zbatoj vendimin e qeverisë”, ka shtuar Limaj.

Sa i përket pandemisë, Limaj ka bërë apel që të respektohen të gjitha udhëzimet e profesionistëve të kësaj fushe. Ai ka thënë se sot ka mijëra punëtor, shërbyes civil në krye të detyrë.

“Shqetësuese janë deklaratat e disa kryetarëve të komunave që kërkojnë mbështetje dhe ka vonesë në ndihma siç janë Malisheva e Vitia.

“Ndihma më e madhe që mund t’i jepet Malishevës e Vitisë është të testohen ata njerëz që kanë pasur kontakt me njerëzit e infektuar. Është e tmerrshme që në Malishevë dhe Viti dërgohen vetëm 50 maska”, ka përfunduar Limaj.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka treguar arsyet pse u përça koalicioni mes VV’së dhe Lidhjes Demokraitke të Kosovës.

Selimi ka thënë se kjo parti do të marrë pjesë në seancën ku do të votohet mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë.

Ai ka thënë se kjo parti nuk mund të kontestojë anën ligjore të mocionit, por kanë pasur rezerva për ambientin higjienik të vendit ku do të mbahej seanca.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes ka deklaruar në Rtv Dukagjini se pas deklaratës së Agim Veliut nuk ka pasur më hapësira që ky i fundit të jetë ministër i Albin Kurtit.

Nëse koalicioni ka qenë i varur nga Agim Veliu s’ka pasur pse të ekzistojë”.

Selimi thotë se LDK e para e shkeli marrëveshjen e koalicionit me LVV-në kur bëri presion për taksën, përcjell Telegrafi.

“LDK kërkoi ta heqim tarifën, duke hequr dorë nga pjesa tjetër që është shumë më e rëndësishme, e ai ishte reciprociteti. Këtu filloi krisja”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes thotë se mocioni i mosbesimit nuk po bëhet as për Agim Veliun e as për taksën, por sipas tij po bëhet për shkak të “marrëveshjes që po pritet mes Kosovës dhe Serbisë”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, në një prononcim ka folur rreth zhvillimeve të fundit.

Sipas Haradinajt, Qeveria Kurti e ka hequr taksën pa kushte dhe pa koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mos i sjellë asnjë benefit shtetit të Kosovës.

Haradinaj ka shtuar se qeveria aktuale ka injoruar rajone të caktuara me buxhet, duke i hequr pothuajse të gjitha projektet kapitale.

Ai ka thënë gjithashtu se kjo qeveri ka injoruar tërësisht opozitën në tema të interesit nacional, duke e bërë të pamundur bashkëpunimit.

Por, mbi të gjitha, Haradinaj theksoi se kjo qeveri ka eliminuar interesat strategjike të SHBA-së në Kosovë, gjë që nuk guxon assesi të ndodhë.

Këto dhe shumë arsye tjera, sipas tij, kanë bërë që AAK të jetë pro rrëzimit të qeverisë Kurti.

Vjosa Osmani u bën thirrje deputetëve që të mos e votojnë nesër rrezimin e Qeverisë së Albin Kurtit. Ajo thotë se nuk do të mund të bëhet një qeveri tjetër legjitime me partitë që LDK’ja ka premtuar se nuk do të bashëpunojë. Thotë se edhe shtetet e QUINT’it kërkuan funksionalitetin e Qeverisë dhe e pëkrah këtë deklaratë.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani thotë se seanca për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë është caktuar me  votat e shumicës së kryesisë së Kuvendit, ndërsa ajo ka votuar kundër mbajtjes së seancës të cilën e ka kërkuar LDK’ja.

“Natyrisht që unë kam shprehur qendrimin tim kundër këtij mocioni, sepse unë kam besuar se nga 6 tetori por edhe para 6 tetorit se e vetmja mënyrë që vendit tonë t’i sigurojmë qeveri me legjimitet, qeveri që në vetëvete ka të përfshirë njerëz  që jo vetëm që nuk janë të korruptuar po edhe që në mënyrë efektive e luftojnë krimin dhe korrupsionin”, ka thënë kryeparlamentarja.

Osmani ka thënë para mediave se është kundër rrezimit të Qeverisë dhe se beson që nuk mund të formohet një qeveri legjitime me partitë që, sipas saj, LDK’ja ka premtuar që nuk bashkëpunon.

Kam besuar për krjimin e një qeverie të tillë dhe i kam dhënë përkrahjen time maksimale. Tani keqkuptimet brenda qeverisë e kam vështirë t’i kuptoj sepse nuk jamë pjesë e saj por përkudër të gjithave unë kam besuar dhe akoma besoj që ka pasur hapësirë  mes partnerëve të gjendet një zgjidhje që në vecanti në këtë kohë tepër të rëndë për qytetarët mos të shtohet edhe bara e krizës politike… Pra, absolutisht nuk e përkrahi këtë mocion dhe i bëjë thirrje të gjithë deputetëve të mos e përkrah, sepse as nuk është në kohën e duhur, por mbi të gjitha nuk do t’i prodhojë Kosovës Qeveri tjetër që ka legjimitet. Kosova s’ka  dhe e cila do të përfsijë parti me të cilat LDK’ja ka dhënë premtim se nuk do të hyjë me to”, është shprehur ajo.

Ndërkaq Osmani beson se pozita e saj nuk mund të preket përkundër formimit të ndonjë qeverie tjetër.

“Një qeveri teknike nuk mund ta përfshijë postin e kryeparlamentares, pra nuk mund të jetë pjesë e pazareve.  Sic e dini prozimimi i kryeparlamnetares sipas aktgjykimit të Kushtetueses i takon vendit të parë”.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, pret që nesër deputetët e LDK’së të jenë unik dhe të votojnë për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Në një bisedë Haziri ka thënë se deputetët duhet jenë besnikë ndaj partisë që e përfaqësojnë.

“Apeli im, të jenë bashkë. Edhe kur mendon më ndryshe, duhet të jesh me ekipin”, ka thënë Haziri.

Ai ka pasur një kërkesë edhe për kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Besoj se Vjosa fjalën e vet që e ka thënë brenda LDK’së do të thotë edhe nesër. Nuk duhet të lejojmë që, për hesapet e dikujt, shtëpia jonë politike të kërcënohesh nga askush”, ka thënë Haziri.

I pyetur se a do të rrëzohet nesër Qeveria Kurti, Haziri ka dhënë një përgjigje interesante.

“Nuk është mirë të bëhet kjo pyetje në ditëlindje të kryeministrit, duhet ta lëmë të festojë me familje ditëlindjen e tij”, ka thënë Haziri.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.