Investimet e huaja shënuan rënie në gjashtëmujorin e parë të vitit…

0

Investimet e huaja shënuan rënie në gjashtëmujorin e parë të vitit, si rrjedhojë e përfundimit të projektit TAP, por edhe krizës së shkaktuar nga Covid-19, që paralizoi ekonominë në tremujorin e dytë.

Gjithsesi, tkurrja ka qenë e moderuar, me rreth 17% në krahasim me janar-qershor 2019.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, Investimet e Huaja Direkte ishin 454 milionë euro në gjashtëmujorin e parë, nga niveli i lartë rekord prej 546 milionë euro që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në tremujorin e dytë, investimet e huaja ishin 221 milionë euro, me një tkurrje prej 11% me bazë vjetore.

Sipas Bankës së Shqipërisë, fluksi   i Investimeve   të   Huaja   Direkte në   formën   e   zgjerimit   të   kapitalit,   vijon   i përqendruar në sektorin e energjetikës (në masën 38%), të ndërmjetësimit financiar (në masën 21%) dhe telekomunikacionit (në masën 11%). Rënia vërehet e përqendruar në ecurinë e sektorit të hidrokarbureve.

Gjatë tremujorit të dytë, Bankers Petroleum, që është investitori më i madh në fushën e hidrokarbureve, ndërpreu prodhimin për herë të parë për disa javë, si rrjedhojë e rënies së kërkesës nga situata e krijuar nga Covid-19. Kompania ka raportuar se nga qershori i është rikthyer normalitetit.

TAP, drejt përfundimit

Gazsjellësi TAP, i cili do të transmetojë gaz nëpërmjet Shqipërisë nga fushat Shah Deniz në Azerbajxhan në tregjet e Europës, ka përfunduar 97% të punimeve, bëjnë të ditur burimet zyrtare nga kompania.

Burimet zyrtare nga projekti sqarojnë se, realizimi 97% i punimeve përfshin të gjithë fushën e inxhinierisë, prokurimeve si dhe ecurinë sipas 12 hapave të ndërtimit të tubacionit në pjesën tokësore, ndërtimin e impianteve mbi sipërfaqe (stacionet e valvulave të bllokimit, stacionet e kompresorëve dhe terminalin pritës të gazsjellësit) si dhe ndërtimin e instalimin e pjesës detare të gazsjellësit.

TAP ishte investimi më i madh që ka pasur ndonjëherë vendi, me një vlerë prej 1.5 miliardë eurosh. Punimet për ndërtimin e tij i dhanë një hov Investimeve të Huaja Direkte gjatë viteve të fundit. Por, pas përfundimit të projektit, efekti i këtij investimi në ekonominë e vendit pritet të jetë minimal, pasi vendi nuk ka një infrastrukturë për shfrytëzimin e gazit. Projekti parashikon dy dalje në Shqipëri, ndërsa ka dhe plane afatgjata për ndërtimin e rrjeteve të transmetimit në zonën qendrore të vendit dhe lidhjet me rajonin, që janë ende në fazën e studimeve të fisibilitetit.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.