MESAZHI QE VJEN NGA ILIA QIQI
Nga arkivi i një gazetari të kohës
Nga Abdurahim Ashiku
Athinë, 22 shkurt 2009
Ka qenë tetor i vitit 1974, e premte, kur nga autobusi i linjës
Peshkopi-Tiranë zbrita në qytetin e Burrelit. Ishte muaji i tetë i punës sime
si gazetar i Agjencisë Telegrafike Shqiptare për rrethet Dibër e Mat. Si
zakonisht takimin e parë informues e bëra me Ymer Metën, një njeri i gjallë që
asokohe çdo mbrëmje përcillte me zë lajme nga qyteti dhe fshatrat e Matit për
“Radio Tiranën”, një njeri që në ditët e mungesës sime në Mat më informonte për
gjithçka që sundonte jetën atje.
E gjeta në zyrë. Më dha dorën dhe pasi më nguli
shikimin me sy të lagur më tha:
– Ka vdekur një djalë i ri. Ilia Qiqi e quajnë,
vetëm njëzet e pak vjeç, mësues matematike nga Zervati i Gjirokastrës.
– Si vdiq? – e pyes duke u bërë pjesë e
shqetësimit dhe e tronditjes së tij.
– Vdiq në Burgajet ndërsa udhëtonte drejt Lisit,
drejt shkollës, vdiq nga rrufeja…
E kapa për krahu dhe dolëm jashtë. U ulëm në një
lokal ku zakonisht gjerbnim kafenë dhe bisedonim.
Erdhën edhe dy shokë të tjerë shokë të Ilias,
fytyrat e të cilëve i kam në sy kurse emrat nuk ua mbaj mend…
Më treguan se Ilia një ditë më parë ishte kthyer nga vendlindja e tij. Ishte
një ditë e egër, me shi dhe furtunë. Ata kishin këmbëngulur që Ai të qëndronte
me ta në dhomën e mësuesve asokohe të shumtë që vinin në qytetet dhe fshatrat e
malësisë, të Veriut dhe të Verilindjes. I thanë që të priste sa të ndalonte
shiu dhe furtuna por ai nuk kishte pranuar. Ishte i vendosur të shkonte në Lis,
tek nxënësit e tij.
…Dhe ishte nisur në këmbë. Asokohe në Lis e në
fshatrat e tjerë të Matit nuk kishte asnjë lloj shërbimi urban. Rasti i mirë
ishte kur qëllonte ndonjë “skodë” në udhëtimin drejt Masdejës për dru zjarri e
lëndë ndërtimi. Atë ditë, në atë shi të rrëmbyer, në atë rrugë të ngushtë
e me gropa të thella, nuk guxonte kush të ngjitej deri në Burgajet e jo më deri
në pyjet e Masdejës.
Në Burgajet shiu dhe furtuna nuk të linin të bëje
hap përpara. Rrufetë grisnin e bënin zhele retë e zeza duke u shkarkuar ku të
gjenin majën më të lartë. Teksa kalonte bri disa mullarëve me sanë një shkrepje
e fortë ia verboi sytë dhe elektriciteti i lartë ia ndali hapin, ia ndali
jetën…
Një djalë i ri, një mësues vetëm njëzet e dy vjeç,
një minoritar nga Zervati i Gjirokastrës humbi jetën…
…Kërkova edhe detaje të tjera që lidheshin me
Ilian dhe kur mu formua e plotë pamja e jetës dhe e heroikës së atij njeriu
mora lapsin dhe i dhashë formë një informacioni të zgjeruar. U lidha në telefon
me Spiro Majkon, marrësin korrekt të lajmeve në sektorin e brendshëm të
Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe ia diktova tërë ngjarjen.
…Lajmi u botua po atë ditë në faqet e Buletinit
të Brendshme të ATSH-së.
Pas pesë ditësh do të mësoja se një gazetar i gazetës
“Mësuesi”, pasi kishin lexuar lajmin e ATSH-së kishte udhëtuar për në Mat e
prej atje në Lis dhe kishte botuar një reportazh të gjatë për ngjarjen…
Gjatë atyre ditëve në Lis të Matit dhe në Zervat
të Gjirokastrës do të vinin njerëz të partisë dhe pushtetit lokal e qendror të
kohës. I vëllai i Ilias Stefani do të vinte mësues në klasat e vëllait, mësues
që siç mësova më vonë në një takim të rastit me të Athinë do të qëndronte atje
për 17 vjet.
…Këto radhë dhe kujtimi i asaj dite të vështirë
për mua nuk do t’i kisha shkruar sikur një lajm në gazetat shqiptare do të më
kthente një jetë pas, 35 vjet, me një tronditje që shkul rrënjët e shpirtit të
njeriut. Bashkia e Burrelit kërkon ta heqë nga kujtesa emrin dhe veprën e Ilia
Qiqit, kërkon t’i heqë emrin shkollës 9 vjeçare që prej disa dhjetëvjeçarësh i
bën nder vetes duke mbajtur emrin “ Ilia Qiqi “.
Si një gazetar që ka qenë i detyruar të përcjell
një “gjëmë njerëzore”, gjëmë e cila më dhemb edhe pas kaq vitesh, veprimin e
Bashkisë së Burrelit e quaj të çmendur. Ilia Qiqi bëri heroiken, atë lloj
heroizmi që askush nuk e bën dhe nuk mund ta bëjë sot. Ai nuk u vra
“aksidentalisht” siç duan ta mbështjellin me gazeta të grisura. Ai u vra nga
një forcë e verbër e natyrës ndërsa shkonte në krye të detyrës, ndërsa vinte
nga një zonë e minoritetit grek, nga Zervati në Fushën e bukur të Dropullit.
Nuk ka asnjë arsye që shkollës nëntëvjeçare të
Burrelit t’i hiqet emri i Ilia Qiqit. Kjo do të ishte një vrasje jo vetëm për
atë por edhe për të vëllanë, vrasje shpirtërore edhe për mijëra mësues të tjerë
që në ato vite kur shkollimi i mesëm i fëmijëve po u ngjitej edhe maleve më të
larta të vendit dhe në veçanti të Veriut dhe të Verilindjes. Unë njoh deputetë
të sotëm që kanë qenë mësues në Veri e Verilindje, në Mat, Dibër, Kukës, Pukë,
Mirditë, Tropojë etj. Do të doja që ata të ngjiteshin në podiumin e Kuvendit
dhe ta mbronin Ilia Qiqin duke e cilësuar atë Hero për të gjitha kohërat, edhe
dje, edhe sot.
Unë, në arkivin e gazetarit ruaj si shumë të
çmuara dy letra të mësuesve të mi të fundviteve dyzetë e fillimviteve
pesëdhjetë, një vajze nga Berati që pa i mbushur të gjashtëmbëdhjetat erdhi
mësuese në fshatin më të thellë të Dibrës dhe një mësuesi nga Përmeti, mësues
të mi.
E quaj të arsyeshme që letrat e këtyre dy mësuesve, letra të cilat i kam
publikuar në përmbledhjen time publicistike “Rilindësit e kohës sonë” tua
përcjell lexuesve si një mesazh i tyre dhe i mijërave si ata që ishin pjesë e
heroizmit të kohës, mësues me të vërtetë heroikë.
I tillë ishte edhe Ilia Qiqi, një Hero që duhet
mbajtur në piedestal si shembull i kohës së tij dhe të kohës sonë